Një konkurs letrar i “Flakës…” me vlera të mirëfillta artistike…
Shkruan:Tefik Selimi Gjilan, 1 shkurt
Pas krejt aktivitetit kulturor, më në fund, Juria e konkursit letrar “Flaka e janarit” 2016, në përbërje: Sinan Sadiku, Albina Idrizi dhe Aziz Mustafa vlerësoi se konkursi letrar ishte tejet i suksesshëm. Njëri nga anëtarët e jurisë tha se, kësaj here arritën mjaft punime letrare, të cilat shënuan rritje të dukshme në krahasim nga viti paraprak. Ishte jo vetëm poezia, por edhe proza e shkurtër, e cila, sipas shijes sonë, qe me vlera të dukshme arti.
Andaj, në konkurs kanë ardhur 81 poezi, rreth një e treta e të cilave me vlera të mirëfillta artistike, ndërsa gjysma e tyre janë veçuar në rrethin e ngushtë për shpërblime. Juria është e kënaqur me nivelin artistik të poezive dhe konsideron se ka prurje të reja edhe sa i përket gjuhës poetike, edhe sa i përket ritmit dhe ndërtimit të vargjeve e edhe sa u përket ideve, temave dhe shprehjes emocionale.
Pas leximit, rileximit, dhe vlerësimit të poezive nga secili anëtar veç e veç, juria është takuar dhe pas propozimeve, diskutimeve e arsyetimeve në mënyrë unanime ka vendos të shpërblehen poezitë: vendi i parë i takoi poezisë “Rrena më e bukur…” – shifra “Ëndrra `16” (Ragip Sylaj – Suharekë; vendi i dytë i takoi poezisë “Gardhi” – shifra “Shuej” (Fadil Lepaja – Prishtinë); vendi i tretë i takoi poezisë “N`amë të fjalëve” – shifra “Blina” (Myrvete Osmani – Prishtinë).
Në konkursin e “Flakës…” kanë ardhur 35 tregime.
Është vlerësuar se është ruajtur niveli i viteve të kaluara edhe sa i përket sasisë e edhe sa i përket cilësisë. “Dorën në zemër cilësia e tregimeve nuk është në nivelin e poezive. Juria ka vendos të shpërblehen tregimet me sa vijon: vendi i parë i takon tregimit “Letër nga larg” – shifra, “Artemisa 2016” (Odise Plaku – Tiranë);
vendin e dytë e ndajnë tregimet: “Dhimbje e bardhë” – shifra “Pengu i jetës” (Mehmetali Rexhepi – Gjilan) dhe “Njeriu i marrë” – shifra “Sheshi pa lule” (Biser Mehmeti – Ferizaj). Ndërsa, vendi i tretë i takoi tregimit me titull “Kokën tuaj do ta hani” – shifra “Lisi i ahut” (Ismet Tafili – Gjilan).
Të shtojmë edhe këtë se, disa poezi dhe tregime eleminuar për shkak se nuk u janë përmbajtur kritereve të konkursit. Konkretisht janë eliminuar pesë poezi, sepse e kanë tejkaluar dukshëm numrin e vargjeve të parapara në konkurs. Po ashtu janë eliminuar dy tregime, njëri për arsye se autorja në vend të shifrës e ka shënuar emrin dhe tjetri për arsye se e ka tejkaluar numrin e faqeve.
Për botim në revistën letrare – kulturore “Agmia” propozohen poezitë: “Sagë për Doruntinën, shifra “Konstandini”; “Koha ime e arnuar”, shifra “Krizantema”; “Ara – mara”, shifra “Flaka e janarit – 2016”; “T`braktisunit”, shifra “Moza”; “Prishtina”, shifra “Makoti”; “Misteri”, shifra “Andy”; “I mbrojtur nga vetja, ju dhe të tjerët”, shifra “Monologu”; “Bisedë me një grua të palumtur”, shifra “Faqja 97 e ditarit” dhe “Ikonë flijimi”, shifra “Jeta”. Po ashtu për botim propozohen tregimet: “Ma kujto buzëqeshjen cicërimë”, shifra “Cicërima”, “Përtej lartësive”, shifra “Dardani” dhe “Të dashurosh ilirishte”, shifra “Fyelli ilirik”.
Comments are closed.