Një libër dokumentar që flet për ”Shqipërinë politike të viteve 1912-1939

Shkruan: Ilir Sejdiu  


(Autori është student në nivel master
në Fakultetin Filozofik në Prishtinë)


 

Arben Puto: “Shqipëria politike (1912-1939), Toena, Tiranë

 


 

Libra, pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, janë shkruar mjaft shumë nga autorë të ndryshëm shqiptarë e të tjerë. Por, libri “Shqipëria politike (1912-1939” i Arben Putos (1924), profesor nga Gjirokastra, ia vlen jo vetëm të lexohet, por edhe të studiohet e të vlerësohet. Është libër me shumë vlera publicistike e dokumentare. Një libër vëllimor, i cili në vete ngërthen ngjarje dhe të dhëna të shumta për periudhën në fjalë. Një vëllim interesant që ndriçon një kohë të pa ndriçuar sa do të duhej të formimit të shtetit shqiptar nga rrethanat e zymta të asaj kohe. Por, Arben Puto, si njohës i mirë i kësaj kohe, ai, me veprën e tij “Shqipëria politike (1912-1039), sikur e ringjalli ato zhvillime rreth konsolidimit të shtetit shqiptar. Prandaj, periudha e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë e vitit 1912 dhe e ndërtimit të shtetin shqiptar, është një periudhë e rëndësishme e konsolidimit dhe e zhvillimit të vetë shtetit, Shqipërisë. Libri i Akademik Arben Putos ”Shqipërisë politike 1912-1939”, është i shkruar dhe i hartuar mbi bazën e argumenteve dhe fakteve të forta dokumentare. Autoi i librit, me kohë ka bërë kërkime nëpër arkiva të ndryshme, si brenda vendit, ashtu edhe jashtë. Për ta përfunduar librin në fjalë, është dashur një punë afro gjashtë vjeçare, për t’ia sjellë lexuesit shqiptarë historinë e lindjes dhe konsolidimit të shtetit shqiptar, që nga Ismail Qemali deri te periudha e Mbretërisë së Zogut, me pushtimin fashist të vendit. Dhe, ideja që e përshkon librin është se shteti shqiptar ishte edhe produkt i Periudhës së Rilindjes Kombëtare. Pa e harruar dhe mohuar ndihmën e faktorit ndërkombëtar.

Ballina e librit Arben Puto

Shqipëria Politike e viteve 1912-1939

Profesor Puto në parathënin e librit të tij, shkruan: ”Duhet pranuar se njëanshmëria e ka dëmtuar trajtimin e lëndës historike”, ndërsa thekson se procesi i lindjes dhe i zhvillimit të shtetit shqiptar që është në shqyrtim, kalon nëpër tri etapa kryesore, si janë:
Etapa e parë, e cila fillon nga viti 1912-1920, etapa e dytë që fillon nga 1920-1924 dhe etapa e tretë që fillon nga 1925-1939.

Prandaj, autori i librit, pos tjerash, shton: “Shqipëria Politike …” trajtohet periudha e viteve duke filluar që nga viti 1912-1920, kur qeveria shqiptare ballafaqohet me problemet e konsolidimit dhe të zhvillimit të vendit. Por, atë e përcjellin edhe një varg problemesh nga më të ndryshmet, duke filluar me njodhjet në arenën ndërkombëtare; pastaj formimin e një administrate të qëndrueshme dhe efikase; zhvillimin ekonomik; hapjen e shkollave; ndërtimin dhe zhvillimin e vendit etj. Por, duhet cekur këtu se çështja shqiptare, në këtë periudhë ishte në dorë të faktorit ndërkombëtar. Fillimisht duhet të përmendim Konferencën e Ambasadorëve në Londër të fuqive të mëdha të viteve 1912-13, ku edhe e njohën Pavarësinë e Shqipërisë dhe përcaktuan kufinjtë e shtetin të ri, Shqipërisë”, (f.6).
Duke vazhduar më tutje dalim te Lufta e Parë Botërore 1914-18, ku Shteti i sapoformuar nëpërkëmbet dhe bëhet arenë e forcave ndërluftuese. Faktori shqiptar nuk mungon as në vitet e luftës, edhe pse në mënyrë të kufizuar. Faktori shqiptar në forma të ndryshme shpreh revoltën e tij kundër forcave okupatore të kohës. Çështja shqiptare merr një dimension tjetër pas lufte, në Konferencën e Paqes në Paris dhe në Lidhjen e Kombeve.

Etapa e dytë

Kjo etapë fillon në vitet 1920-1924. Këtu është periudha e mbizotërimit të faktorit të brendshëm shqiptar. Duke marrë tani në dorë vetë drejtimin e shtetit dhe ecjen përpara. Fillon me Kongresin e Lushnjës, më 1920, ku kishte një rëndësi të madhe për shtetin shqiptar. Vazhdon me Luftën e Vlorës, dy ngjarje këto shumë të rëndësishme për mëkëmbjen e shtetit kombëtar. Edhe pse proceset nëpër të cilat po kalonte shteti nuk ishin aspak të lehta, përkundrazi, ishin me shumë vështirësi dhe të papritura që i dilnin përpara në çdo moment. Duhet përmendur këtu, se organet kryesore vendim marrëse të shtetin ishin të brishta dhe ende të pa konsoliduara. Sistemi parlamentar nuk e kishte ende fuqinë për të vendosur në mënyrë të pavarur. “Për shkak ndasive që ekzistonin midis dy elementeve, në njërën anë të ndikuar nga idealet e Rilindjes Kombëtare, kurse nga ana tjetër e forcave të regresit politikë e social. Dihet mirë se kur ekzistojnë këso lloj ndasi dhe mosmarrëveshje, gjithmonë ekzistojnë edhe përçarjet, dhe nuk vonoi shumë ky konflikt çoi në kryengritjen e qershorit të vitit 1924. Pra, bëhet formimi i qeverisë demokratike të kryesuar nga Fan Noli. Por kjo qeveri nuk e kishte fatin e mirë të qëndrojë gjatë në pushtet. Ajo qëndroi vetëm gjashtë muaj. Ajo u rrëzua nga Ahmet Zogu në dhjetor të vitit 1924, i cili u rikthye në pushtet me ndihmën e forcave Jugosllave, të ndihmuar si në aspektin politik ashtu edhe atë ushtarak” (f.6).

Etapa e tretë

Edhe kjo periudhë karakterizohet me ngjarje jo pa rëndësi për shtetin shqiptar, duhet të përmendim së pari këtu regjimin zogist, ku në fillim Shqipëria bëhet republikë, ndërsa Ahmet Zogu bëhet president. Por, kjo republikë nuk ishte jetë gjatë, sepse ajo zgjati vetëm tri vjet, 1925-1928. Republika zëvendësohet me monarki dhe Ahmet Zogu e shpall veten Mbret të Shqiptarëve me emrin Zogu i I-rë. Periudha e mbretërisë karakterizohet me një zhvillim të mirë si në politikën e brendshme ashtu edhe ngritjen e një administrate efikase. Filloi një stabilizim i vendit, ku tani kishte edhe një legjislacion të përparuar në krahasim me vitet e shkuara. Por, nuk duhet harruar këtu të metat e regjimit, sepse nuk kishte një opozitë të mirëfilltë, që do ta kritikonte regjimin që kishte shumë të meta.
Edhe në fillim u duk sikur tani do të ketë një zhvillim të hovshëm të vendit në të gjitha fushat e jetës, mirëpo shumë shpejtë u vërtetua e kundërta. Nuk kishte një program real në fushën sociale. Reforma agrare e shpallur me një bujë të madhe do të mbetet vetëm në letër sepse nuk do të arrijë të zbatohet.
Kurse sa i përket politikës së jashtme, nuk mund të themi se kishte një politikë të mirëfilltë në arenën ndërkombëtare. Ajo po thuaj mbeti vetëm në marrëdhënie me Italinë. Fundja, Italia imponon një politikë të tillë që në disa raste dukej se ajo mund të vendoste shumë çka për Shqipërinë. Ajo nuk e mohonte se dëshironte që Shqipërinë ta bënte pjesë të perandorisë së saj koloniale. Edhe pse Zogu provoi t’i rezistojë, por nuk ia del, edhe pse provon të gjitha mundësitë, por ishte e kotë. Gradualisht i nënshtrohet politikës agresore italiane, deri sa arrin edhe pushtimin e saj nga Italia fashiste më 7 prill të vitit 1939. Andaj, puna e profesor Arben Putos është për t’u admiruar, sepse ky gjatë jetës së tij, për mes veprave të shkruara, në mënyrën më të mirë profesionale, shkencore e morale, ka arritur t’i hedh në dritë të vërtetën historike dhe shumë “gjëra” sa i përket historisë së popullit shqiptar, që secili nga ne mburret dhe krenohet për këto shkrime me vlera historike e dokumentare. Librin e Arben Putos e ka botuar Shtëpia Botuese “Toena”, Tiranë. Ky libër dokumentar ka mbi 740 faqe me afro 90 fotografi.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close