Një vepër me thesare të pasura e të paharruara të popullit tonë

Shkruar nga: Tefik Selimi     Gjilan, 15 shkurt

 


 

Haki Bunjaku: “Thesare të paharruara” (nga miniera e folklorit), fq.334.

 

Populli është gjeniu më i pasur i rrëfimeve gojore. Këto anekdota të popullit janë filozofia dhe pasuria shpirtërore e tij. Ai (populli) në çdo kënd të jetës ka krijuar rrëfime për jetën e tij. Prandaj, kjo është pasuri më madhe e tij që ka rrëfime nga më të ndryshme gojore. Ai (populli) posedon në vete bagazh fjalësh të urta, kashë e lashë, por ka edhe tregime popullore, anekdota, përrallëza e mesele më të ndryshme të thesarit popullor gojor. Ky thesar është i pashterrshëm i filozofisë së tij mençurore. Me këtë thesar, populli e tregon, por edhe e paraqet kulturën, filozofinë dhe format të tjera shpirtërore të tij.

Ballina e vepres
Legjenda: Ballina e veprës dhe potreti i autorit

Andaj, kësaj rruge të shënimit të këtyre “meseleve” nga populli, me kohë ka filluar t’i mbledhë e t’i shënojë në blokun e shënimeve të tij, Haki Bunjaku, tashmë publicist dhe poet nga Desivojca, por banor i Zvicrës. Ai, kohës së fundit po hapëron guximshëm e vullnetshëm në vjeljen e thesarit të popullit nga mesi i vendlindje së tij e më gjerë. Është gjithashtu edhe opionist i rregullt i gazetës kombëtare “Bota sot”.
Haki Bunjaku (1944), është njëri nga “personazhet” që ka pësuar nga regjimi okupues serb. Shih nga kjo zezonë, ai, në korrik të vitit 1981 ka emigruar në Zvicër, sepse, si shumë intelektualë të tjerë kosovarë, edhe ky u zie në kazanin e UDB-së jugosllave. Ky qe i burgosur dhe i përndjekur politik, prandaj me keqardhje la ditarin e mësimdhënësit të Gjuhës dhe letërsisë shqipe dhe rroku kazmën e fortë të punës fizike në Perëndim, ku jeton edhe sot e kësaj dite, po jo me dëshirë. Më së miri e dëshmon përmbledhja e tij me poezi me titull “Ndrydhje malli”, që në fund të shtatorit të vitit 2012 e botoi nga Shtëpia Botuese “Faik Konica” në Prishtinë. Kjo është vepra e parë e tij, e cila u mirëprit mjaft mirë nga kritika letrare, ndonëse autori në fjalë me shkrime është marrë nga viti 1966. Por, fillimisht ai filloi të shkruajë në revistën “Zëri i rinisë”, e më vonë revistën “Zëri i Kosovës”, “Rilindja” dhe më vonë në gazetën kombëtare “Bota sot”.
Dhe, jo vetëm kjo. Ai herë pas herë, shkrimet e tij i poston edhe në rrjetin social fcb, të cilat shkrime janë të pritura mjaft mirë nga lexuesi ynë i rregullt. Para pak kohe, Haki Bunjaku botoi edhe veprën e dytë me “mesele” të shkurtra me titull: “Thesare të paharruara” ose miniera e folklorit shqiptar. Dhe, ajo që të lë përshtypjen nga kjo vepër shkrimore është fakti se, këto “mesele” të Haki Bunjakut, janë pjesëza të “forta” të rrëfimeve të njerëzve të rrethit të tij e më gjerëe. Por, janë edhe mesele nga jeta e autorit si mësimdhënës aty ku punoi e veproi. Këto janë “rrëfime” burimore nga njerëzit e përditshmërisë sonë, ku autori i ka dëgjuar dhe i ka mbarështruar si rrëfime për t’u lexuar nga lexuesi ynë.
Në këto “mesele”, që janë të filluara me të folmen letrare, por në përmbajtje ato rrëfehen me gjuhën popullore, ashtu si e flasin gjuhën njerëzit e mesit të tij kudo që gjenden e veprojnë. Janë anekdota apo rrëfime humoristike, zbavitëse, por disa janë edhe alegorike dhe kanë dozë të sarkazimës, për të mos thënë se janë edhe “therrëse” e shpotitëse. Këtu qëndron poenta e këtye “meseleve” popullore, të cilat janë aktuale dhe kanë mesazhe të qarta dhe me vlera artistike. Vepra e H. Bunjakut “Thesare të paharruara” ngërthejnë në vete ngërthen 326 rrëfime popullore. Janë rrëfime që s’e kalojnë gjysmë faqe tekst apo disa prej tyre zgjasin pak më tepër tekst. Hyrja e rrëfimeve të autori është e rëndomtë dhe fare e “lindur” aty për aty. Autori i kësaj vepre ka dëshmuar se e njeh mentalitetin e popullit shqiptar, i cili, duke jetuar me të tjerët, ai (populli) është pesonazh që bën “gafe” jete, të cilat përcjellen tek të tjerët për t’i dhënë shije e mesazhe jetës së në vazhdimësi.
Haki Bunjaku, autori gjilanas, por jeton në diasporë, e ka ngulitur dijen e tij për t’mos i harruar këto anegdita të “këndshme”, të cilat, herë janë therrëse, por herë-hërë janë shpotitëse dhe ironike. Ato kur e thonë “rrëfimin” e shkurtër, lexuesi s’ka se si mos të qeshin dhe të ndalet pak për të menduar se si rrodhi veprimi i këtyre “ngjarjeve” rrëfyese. Autori “prek” çdo kënd të jetës, atë të fushës së arsimit, të jetës politike, por edhe të jetës private e të ndryshme. Këto anekdota janë tërheqëse e joshëse, për faktin se, personazhet e veprës janë njerëzit e rëndomtë apo të rrethit të autorit, i cilit, disa i përmend me emër e mbiemër. Bile, autori i zë në gojë edhe shkollarët tij, nga të cilët nxitet dhe shkruan “mesele” mjaft prekëse me humor.
Bie fjala, anekdota “Pse flitni ndryshe…”, autori, shton: “Në një tubim, e pyesin Xhavit Nimanin: – Pse nuk i akordoni mendimet me Ali Shukrinë? Ti flet ndryshe dhe Ali Shukria flet ndryshe?! Ai u përgjigjet: – Sepse jemi të ndryshëm! Tjetër gja asht Ali Shukrija! Tjetër gja jam unë!” (f. 289). Apo, njëri shkon në qytet ta blejë një plis. Kur afrohet te mjeshtri, i tha: – A ka mundësi me ma marue një plis ekstra ma të madh? I përgjigjet: – O dajë, unë i lëshoj plisat sipas kallapëve dhe ashtu i shes, po ti për atë krye mos lyp, po bleje nji thes!” (f.240). Ja një tjetër shembull: “Njërit i kishte vdekur gruaja dhe, duke përcjellë te varrezat, i shoqi qante dhe dëneste. Po i thonë: “Boll ma se nuk kahet për grue, po kështu si ti, jo se jo! – Me më falë burra se u mallëngjeva tepër, se kjo asht hera e parë që po marrim rrugë bashkë e nuk po grindemi!”(f.248). Etj.
E, autori, në hyrje të kësaj vepre të tij, pos tejrash, shton: “ Sipas mendimit tim, anekdotat mund t’i trajtojmë edhe si stolisje e bisedave. Me përdorimin e tyre me vend, biseda apo ligjërimi merr kuptim të mirë përmbajtësor. Kur duam ta aprovojmë apo refuzojmë ndonjë vlerësim apo gjykim, atë herë në fund për rrumbullakësim solid të tij, përdorim një anekdotë edhe si desert, do të thotë, lumturisht i vë bisedës kapakun, sepse pjesëmarrësi tjetër në bisedë lypset anekdotës t’i përgjigjet e mbyllur, por të qeshurit rreth anekdotës, vazhdon”. (f.6). Prandaj, kjo vepër e Haki Bunjakut e ka hijeshinë e saj vetëm kur rrëfehen me vend e me mençuri këto tregime alegorike, satirike, por edhe humoristike e shpotitëse.
Me një fjalë, kjo vepër e hartuar nga thesari ynë popullor jo vetëm që nuk do të shlyhet e nuk do të harrohet, por edhe do ta gjejë lexuesin e vet për t’i adhuruar këtë minierë të madhe të folklorit tonë popullor që është një bagazh vlerash edukativ e artistike. Veprën e ka botuar Shtëpia Botuese “Beqir Musliu” në Gjilan.

 

 

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close