MARTIRIZIMI I JASHARËVE SOLLI ÇLIRIMIN E KOSOVËS!-Dhe Bekim Shyti që shkrepi fotot e dëshmisë për këtë

Ibrahim Kelmendi


  • Fotot gjatë varrimit të 56 Jasharëve – qenë bërë nga Bekim Shyti –

[fragmente kujtimesh]


 

Në fund të shkurtit 1998 shoqërova Refik Hamitin dhe prandaj u gjenda në Tiranë. Ai kishte ndërmend të bënte biznes atje dhe mua më mori për këshilltar.

Rastisi të kishte mbledhje Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes, të cilën po e mbanim në Zvicër. Në pauzë të mbledhjes njoftova se me Refikun do shkonim në Tiranë dhe nëse kishte ndokush diç për të dërguar, mund ta dërgonim. U paraqit Azemi (Syla). Por, më vonë u bë sikur harroi. Në aeroport të Cyrihut u ritakuam. Pyeta pse kishte nevojë të fluturonte ai, kur mund të dërgonim ne çfarë ai po dërgonte. Simuloi siku kishte diç me rëndësi. Në aeroport në Tiranë ia hapen bagazhin. Kishte ndoshta 30 palë këpucë alpiniste. I zënë ngushtë, me tha të vogël, janë për ushtarët. Edhe unë, po pëshperitshëm e kritikova, pse kishte nevojë të bënte shpenzime për ti bartë ato këpucë, kur mund ti bartnim ne…

Tragjedia e Familjes Jashari na befasoi. E përjetuam si tragjedi, e shkaktuar nga forcat e armatosura serbe. Por, nuk po ia dinim përmasat, meqë nuk kishte lajme konkrete. Vetëm se pëshpëritnim e hamendësonim.

12670796_235956980089162_6102330794583189895_n
Tre-katër ditë më vonë tragjedia zuri të madhërohej si epope, edhe nuk kishte dëshmitar e dëshmi, çfarë në të vërtet kishte ndodhur. Me gjysmë zëri flisnim se ishte vra edhe Adem Jashari, por nuk dinim nëse duhej të mbahej sekret ose jo. Megjithatë, pas tre-katër ditëve u bë edhe njoftimi “zyrtar” nga “shtabi i përgjithshëm” i UÇK-së, se ishte vra “komandanti legjendar” Adem Jashari.

Sidomos përmes Fehmi Lladrovcit kisha dëgjuar për Ademin. Më pat rastisur të kem edhe konfrontim me Kryesi të Lëvizjes në vitet 1996-97, pse Kryesia e Nëndegës në Gjermani i kishte dërguar ndihma simbolike “Grupit të Drenicës”, të cilin e komandonte Adem Jashari. Dhe prandaj epiteti “komandant legjendar” që iu dha “zyrtarisht”, se si mu duk gjetje e keqe, meqë gjithçka ishte tepër konkrete, në kohën që po e bashkëjetonim, nuk ishte aspak legjendë dhe legjendare…

Katër pesë ditë pas tragjedisë në Muzeun e Tiranës u thirr tubim komomerativ. Me ngjan që e thirri Partia e Unitetit Kombëtar, të cilën e udhëhiqet avokati Hidajet Beqiri. Ai me luti të siguroi dike që do të fliste. I luta Xhavitin (Haliti) dhe Azemin, pavarësisht se dija për qëndrimin e tyre armiqësor kundër “Grupit të Drenicës” dhe sidomos kundër Adem Jasharit. Po shpresoja se tashmë duhet të ishin ndërgjegjësuar. Fatkeqësisht refuzuan. U ndiva i detyruar të flisja unë, meqë i kisha premtuar Hidajetit se do gjeja dike. Aty e kontestova (ç)vlerësimin “hero legjendar”, duke e prezantuar ADEMIN si HERO konkret, më bëmat që pjesërisht ia dija…


Ishte ditë e premte, data e 13 marsit 1998. Rreth orës dhjetë kisha zënë vend në terasën e Kafesë “Çaplin”, pas Muzeut Kombëtar në Tiranë. Rëndom aty takoheshim çdo mëngjes për të shkëmbye informacion për ngjarjet në Kosovë.
Rastësisht me ra në sy një djalosh, i hollë, i gjatë, me flokë të gjata e të lidhura mbrapa. Nuk di përse ma tërhoqi vëmendjen. Ai po qëndronte në trotuar, por nuk po zinte vend. Kurreshtja më shtyri ta thirr që të pinte kafe me mua. Ai refuzoi. Unë sërish e luta. Ai u arsyetua se po priste taksi për të ikur në aeroport. Shkova, e zura për krahu, duke i thënë se taksistët aty pinin kafe dhe do ti gjeja ndonjërin që njihja.
Zura ta pyesja pse ishte aq i shqetësuar. Ai po mbrohej. Dhe duke gërmuar për identitet të tij, ai u hap: “Kam ardhur që dy ditë nga Kosova dhe nuk po gjej njeri të UÇK-së. Kam filmin (celuloidin) e fotografimit të Jasharëve të masakruar, por nuk po di nuk t’ia jap…”
Nuk mu besua, sidomos për shkak se ia paragjykova paraqitjen.

Ishte Bekim Shyti, i Fshatit Oshlan të Vushtrrisë, i arratisur në Suedi në moshë 15-vjeçare, dhe prej andej i shpërngulur në Gjenevë. 12801237_235957113422482_3250201364313144636_n

E luta të ma besonte mua filmin. Nuk ma dha. Bëri të largohej, me arsyetim se do ti ikte aeroplani për në Zvicër. Ia kërkova të shihja biletën. E futa në xhep, me arsyetim se nuk do të fluturonte sot, nëse vërtet kishte film me fotografi të masakrës. E sigurova se do t’ia kompensoja biletën.
Shkuam të fotografisti në afërsi. Luta ta zhvillonte negativin menjëherë, me kundërpagesë ekstra. Na tha, pas një ore do të mund ti merrnim fotografitë. Bekimi nuk pranoi të largohet. Qëndruam aty. Dhe sapo dolën fotografitë e para ustait filluan ti rrjedhin lotët…

Bekimit i thash se po ia aranzhoja një intervistë në televizion që të behej prezantimi i fotografive. Ai nuk pranonte, me arsyetim se nuk kishte dal ndonjëherë, nuk do të dinte të fliste dhe zuri të bëjë me shenjë drejtë flokëve të tij, me sqarim se nuk do të kishte kuptim me atë paraqitje ti prezantonte ato fotografi llahtaritëse. I thash, se pikërisht ai, me atë paraqitje, imigrant në Gjenevë, do të ishte frymëzim ekstra për rininë, që të motivohej për të luftuar…

Kontaktuam Asllan Bajramin dhe Besa Çekun, redaktorë e spikerë të RTK-së, që emetonte një emision lajmesh përmes Televizionit Shqiptar (RTSH). Ata intervistuan Bekimin, që ta emetonin si lajm ekskluziv, në mbrëmje.

Bekimi rrëfeu, se si ia kishte dal ti bënte ato foto, të parat dhe të vetmet:
“Të dielën, më 8 mars 1998, po shoqëroja një ekip gazetarësh të huaj që donin të depërtonin në Prekaz. Na ndali policia serbe. Na keqtrajtoj. Ua thyen kamerën profesionale. Ndërsa mua, aparatin e vockël amatoresk, që e kisha nën rrip, prapa në shpinë, nuk ma hetuan. Mi dhanë ca flakareshë, duke me sha, siç shanin rëndom ata. U detyruam të kthehemi. Por unë u kërkova falje gazetarëve të huaj që po shkëputesha nga ata, për tu përpjekur të futesha në Prekaz përmes fushave, duke u fsheh pas mexhave. Dhe arrita aty. U tmerrova kur pash gjithë ato kufoma, që tashmë i kishin rreshtuar fqinjët, nën udhëheqjen e profesorit Zekrija Cana. Menjëherë nxora aparatin dhe fillova të shkrep. Profesori me bërtiti, duke me thënë se ishte i ndaluar fotografimi, përndryshe policia nuk do të lejonte ti varrosnim. Unë e kundërshtova. Shkrepa një mori fotosh. Mora kazmën për të hapur varreza. Bënte acar i madh. Edhe toka ishte ngri dhe kazma përplasej si në shkëmb. I varrosëm 56 kufoma. Policia i nxori nga varret dhe u detyruam ti rivarronosnim edhe me 9 mars…” [perifrazim i lirë]

Lajmet që emetonte RTK-ja në ora 18.30 nuk shiheshin shumë në Shqipërinë londineze, por më shumë shiheshin në emgracion, meqë ishte transmetim satelitor. Luta Afërdita Sokolin, redaktore e lajmeve kryesore të TVSH-së, që të emetonte intervistën me Bekimin dhe ti prezantonte fotografitë në “lajmet qendrore” të orës 20.00. E miratoj lutjen.

Atë natë me bëhej sikur gjithë Shqiptaria u shkreh në vaj. Gjithandej sy të skuqur nga lotimi…

Të nesërmen u gdhi një Tiranë tjetër. Njerëzit ishin tepër të pikëlluar. Ata që na njihnin na ngushëllonin dhe pyesnin çfarë duhej të bënin për Kosovën…

Bekimi nuk u kthye më në Zvicër. Ai këmbënguli ti bashkangjitej UÇK-së. Kërkonte të stervitej ushtarakisht, edhe pse ishte sportist i avancuar – karatist me gradim “rrip të kafet”. Të nesërmen, bashkë me Ilir Konushevcin e dërguam në Bregdet, afër Fshatit Qerret. Aty Iliri me bashkëveprimtarë kishin organizuar një kamp stërvitor për komandos. Ushtrimet i drejtonte “komandan daja”, respektivisht Kadri Kastrati (ish-komandanti i FSK-së). Ai ishte ushtarak i njohur i ish-ushtrisë jugo-sllave për stërvitje të komandosëve. Bile thuhej se kishte stërvitur edhe komandosët e Gadafit.
Me Kadriun u morëm vesh që Bekimin të mos e kushtëzonte me qethje flokësh, si të tjerë komandosë. Por, të nesërmen, kur shkuam për vizitë, pamë Bekimin e gazmuar, me flok të rruar zero. Kadriu u arsyetua: “Ma vuri kusht ta rruanim, ose do të largohej, meqë nuk donte të privilegjohej.” Dhe ai Bekim u bë një nga komandosët më të famshëm të UÇK-së. U plagos disa herë gjatë Lufte, por nuk dezertoi dhe nuk iku asnjëherë nga radhët e UÇK-së famëmadhe të Vegjëlisë çlirimtare të Kosovës…

Fotot e Bekim Shytit ishin të parat dhe të vetmet, që kishin fiksuar përmasat llahtaritëse të masakrës ndaj Jasharëve, para dhe gjatë varrimit (pavarësisht se pati një tjetër që mashtronte ti kishin bërë ai ato fotografi). Ajo masakër, e prezantuar me ato fotografi, dhe legjendat që propagandoheshin për luftimet 3-ditore, nxitën shpërthimin e Kryengritjes se armatosur pothuajse në të gjitha anët e Kosovës, pos në Prishtinë, ku sundonte dhe argëtohej elita titiste e marionetiste…

  • I përjetshëm kujtimi dhe respekti për martirizimin e Familjes Jashari!
  • I përjetshëm kujtimi dhe respekti për martirizimin e të gjithë heronjve e dëshmorëve!

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close