/ Një letër për Enver Hoxhën

Nga Xhek London /


Politikanët sot ta kalojnë ty. Këta janë shumë, po shumë… të pasur, po shumë fare ama ! Ja fjala vjen, vila jote shtetërore në bllok më duket si kasollja në muzg e Van Gogut po ta krahasosh me vilat e këtyre birbove të sotëm ! Por këta ta kalojnë… sepse jane të shkathët si kurvat e semaforëve. Vrasin e përcëllojnë njerëz të pafajshëm, ashtu si në kohën tënde.

Enver-Hoxha

Asnjëherë nuk kisha menduar se mund të vinte një moment si ky, që t’ju shkruaja. Aq më tepër që pas vdekjes tuaj mbi ne erdhi demokracia ! Ne, në euforinë e çakërdisjen e gëzimit, ashtu si dasmorët kur vjen nusja, menduam se shpëtuam nga ferri juaj. Kështu, që me ardhjen e kësaj të uruare, kapitulli i diktatures dukej i mbyllur, i harruar, ndërsa koha jote gjithnjë e më shume e largët dhe absurde. Por jam gabuar në disa gjëra. Të kërkoj falje, se të kam sharë ! Në diktaturën tënde kishim frikë të flisnim, na kishe futur lepurin në bark. Mjaftonte një fletë rrufe dhe fati të rokullisej pa kthim si ylli në rënie të lirë prej qiellit. Ndërsa sot kemi liri fjale aq shumë, lehim si zagarët e gjahut, por nuk na i fishkëllen njeri. Fjala është pa peshë, si gjethe vjeshte. Në kohën tënde kishte vetëm një televizion, i’a arriti të shplante trurin tonë, medoemos se nuk na le zgjedhje tjetër. Ndërsa sot kemi qindra televizione e analistë, të cilët flasin e nuk thonë asgjë, madje duken sikur bëjnë kaçurela mbi kokën e Fevziut! Kemi gazeta pafund, të gjitha plehra të së nesërmes. Kemi parti pa fund. Një për çdo dymijë banorë ! Me kaq shumë nuse, shtëpia ka mbetur pa ujë. Mëndja e popullit eshte bërë si kadaif me gozhdë !

Ndoshta me siguri të kanë thënë të tjerë para meje se karrigen ku qëndrove ulur ti , e zunë të paimagjinueshmit, doktorë shërbëtorë, kalamaj të rritur dhe piktorë. Me mustaqe, pa mustaqe. U ulën komunistë dhe anarshistë. Qytetarë dhe barinj dhish ! Me politikë merret kush të mundet. Injorantët, lëtyrat, hajdutët, plaçkitësit, mashtruesit. Eh, edhe pleshtat kërkojnë të kolliten! Vesi është shpallur princ, virtyti shërbëtor. Gjithë soji i maskarenjve janë milionerë me djersën e kohës tënde, kur njerzit punonin si bujkrobër, dhe sot në demokraci janë te përbuzur e me gisht në gojë ! Pa fat në të dyja kohët ! Më duket sikur jetojmë në një spital, ku askush nuk të afron shërim, madje të lënë të vdesësh ! Të çmëndurit janë shtuar suksesshëm. Jemi të lirë në burgun e malavites dhe vëllavrasjes ! Në vënd të grurit mbjellim hashash. Të pushtuar pa pushtues. Jemi bërë si ai fshati me qorra, ku më i mënçuri është ai që ka një sy ! Dikur në absurdin e çmëndurinë paranojake të diktaturës tuaj, kishte dhe arsye, sot arsyeja është varur me kokë poshtë si shën Pjetri dikur nga kafshët e pazbutura. Ishim të varfër deri në palcë atëhere, por nuk kishim stres brënda vetes. Kishim frikën e diktaturës tënde, sot kemi makthin e të nesërmes. Kishim një emër dhe fytyrë, sot i kemi humbur të dyja.

Ti do habitesh kur te lexosh se Adriani i Fullanëve u bë guvernator i Bankës së Shqipërisë. Do të lëvizin eshtrat aty ku je, kur të lexosh se ky birbo vodhi bashkë me një bandë lukunish plot shtatë million euro ! Hotel Dajtin që në kohën tënde ishte ikonë e kryeqytetit, e kanë kthyer në magazinë jashtëqitjesh ! Të dhëmb shpirti kur e shikon teksa lëngon çdo ditë para syve tanë ! Jemi të pafuqishëm, madje gati të dorëzuar ! Në kohën tënde birbua i Fullaneve do ishte varur tre herë. Ndërsa sot ai ka fituar pafajsinë me motivin vjedhje nga pakujdesia ! E di që po turfullon për çfarë të shkruaj, por jo vetëm ti, turfullojmë dhe na ngurtësohet zemra edhe neve. Në zëmërimin tonë çdo ditë kruspullosemi si kërmij brënda trupit dhe flasim me vete. Ah sikur të vijë vetëm pesë minuta !

Fushat e Myzeqesë qe ti i kishe aq merak, përmbi të gjitha për naftën e nëntokës së saj, aty sot livadhisin hajdutë ndërkombëtarë ! Marrin arrin e zi, dhe ne na japin kacidhe. Shteti sot nuk peshon as sa kryetari i lagjes dikur. Kolonizatorët ndjehen mbretër të pasurive tona, ne skllevërit e kohëve moderne ! Vendi më duket si nje prostitutë që mund ta shkepë kush të mundet… Ti sikur të ishe profet e ndjeje dhe ke shkruar se nafta atje është pafund. Koha të dha të drejtë. Në vënd që të ndjejmë fuqinë begatuese të pasurive tona, ndjejmë peshën e grabitjes. I shitën detin grekut, por një burrë erudit dhe patriot i kohës tuaj na shpëtoi nga kjo tradhëti ala zogolliane! Grekët sikur kishin pritur vdekjen tënde për këtë aferë. Grabitje kudo, mafie pa fund! Etja i zvogëlon gjërat.

Në njëzet e pese vite « demokraci » jemi ende në gjëndje ethesh. Janë vrarë më shumë se sa u vranë nën diktaturën tënde të hekurt ! Sot një adoloshent ta lëshon plumbin kokës, sikur të ishte krehëri i Vasil Laçit! E kemi djegur Shqipërinë tre herë, madje në garën e gjëmave me Kabilen e Zahiresë, ne i’a kaluam. Ke thënë ti, nuk ka kala që s’e marrin komunistët… ! Gjithë pasionet kafshërore u sulën me tërbim mbi pronat kombëtare, vreshta, pemëtore, fabrika, municione luftarake… dhe i shfarosën ato siç firon nga flakët gruri i pjekur në fushë. Djersa, mundi dhe sakrificat e katër dekadave, avulluan si rakia në gurmazin e të dehurit. S’kish kush t’i mbante për freri. Vendi ka mbetur pa zot. Populli është pothuajse jetim ! Shpirti i është nënshtruar turpit. Gjakmarja eksziston si shtet brënda shtetit. Ligji i xhunglës ka gjetur tokën pjellore, jo vetëm i madhi ha të voglin, por hamë njëri tjetrin ku të mundemi, si të mundemi, në te gjitha rrasat dhe në të gjitha kohët e foljeve. Një kokë palarë e fillon ditën me Benz Merçedes, një i varfër e mbyll ditën pa asnjë kacidhe në xhep! Të varfërit e djeshëm, jetojnë në mizerjen e sotme. Mizerja vetë jeton në qiell të hapur. Jeta e shqiptarit u katandis të ulet me vlerën e një qeni rrugësh. Jemi bërë te pamëshirshëm për të vuajtur, të pamëshirshëm për të shkaktuar vuajtje. Sot nuk ka internime, as dëbime si në diktaturë. Nuk është e nevojshme, gjysma e popullit janë njësoj të internuar dhe dëbuar si atëhere. Arsimin që ngrite në çdo fshat e katund, e dërmuan. Universitetet atëhere kishin nurin e dijes së vërtetë, pedagogët i respektonim si orakuj. Universitetet ishin tempuj te madhërishëm edukues. Gjithë ato breza që u diplomuan , me diplomat e atëhereshme i’a dolën të depërtojnë në institucione të rëndësishme shkencore të mbarë botës, kanë arritur deri në majën e Harvardit, të tjerë janë shefa katedrash të fizikës, matematikës, kimisë, e të tjerë akoma të punësuar si mjekë, inxhinierë, manaxherë, mësues apo zyrtarë në administratat shtetërore të vëndeve ku emigruan. Sot shumica e të rinjve në fillim « mbarojnë » shkollën e lartë nëpër kioska, pastaj i futen të mesmes ! Diplomat blihen si një akullore vere, ato u bënë si vërtetimet e Sudes, ndërsa provimet duke paguar pedagogët me euro, apo për disa edhe shpërblime me hire sensuale… Tridhjetë përqind e mësuesve të gjuhës shqipe nuk dinë të shkruajnë shqipen. Juristë kemi për gjithë planetin… Çfarë të të them më shumë, ti je i zgjuar, të tjerat i mer me mënd. Të rinjtë preferojnë llogje kafenesh, rrjetet sociale, pak prej tyre i duan librat ashtu si në kohën e diktatit tuaj. Askush nuk lexon, të gjithë shkruajnë…në facebook!

Ti elektrifikove vëndin dhe dërgove dritë deri në Vuçidol…ngrite hidroçentrale maramëndës. Sot kjo industri është ngatërruar keq, po shumë ! Prej vitesh sikur të jetë pronë familjare e disa politikanëve, janë sulur duke vjedhur aq shumë, sa Fullani duket i pafajshëm ! Ti ke shkruar që çorapet i arrnoje, se ishit të varfër. Brezit tuaj, ju dhimbsej malli i Shqipërisë, se ishit burra e gra që dolët nga lufta. Brezi juaj nuk është më, ashtu si në gjithë Evropën, ndaj dhe Evropa s’është më ajo e dikurshmja. Në kohën tënde këta megahajdutë, që do i kishte zili dhe Alibaba, do ishin anës tjeter të dynjasë…e di vetë ti. Por përtej imagjinatës, megahajduëet bëjnë politikën dhe kuvëndet! Ironi dhe sarkazëm deri në palcë. Ah sikur të vije vetëm pesë minuta !

Vëndi ka nevojë për drejtim shasie… E di që do më thuash po më pyjet çfarë bëhet?! Kanë mbetur vetëm rrënjët komandant, edhe pse kishim polici pyjore dhe ministra mjedisi me shumicë! Cdo vit përmbyten tokat dhe qytetet, a thua se shirat kanë filluar të bien vetëm pas vdekjes tënde ?! Por shyqyr që ngrihen menjëherë shtabe emergjence, dhe… te rruajnë bishtin !!! Larg qoftë të vijë mbi ne ndonjë tërmet! Jemi pothuajse të zhgënjyer. Ikëm nga dimri ramë në dimër përsëri. Ndoshta geni ynë nuk përshtatet, apo nuk mirëkuptohet me demokracinë! Ndoshta nuk është faji i demokracisë që na e bën jetën të dhimbshme dhe të pasigurtë, por faji i politikanëve dhe i yni bashkë. Votonim atëhere, dhe na thoje se votat jane plumb për armikun, votojmë edhe sot, por votat tona janë plumba mbi ne. Kërkuam Evropë, gjetëm lindjen e mesme, jemi lesh e li. Janë përzjerë brënda nesh të gjitha kontinentet dhe fetë…Ah, se mos më del nga mendja. I hapëm kishat dhe xhamiat. Kryepeshkopin e kemi grek, i percëllon xhani per ne. Nolin e kemi nxjerrë jashtë saj, nuk na duhet ! Hoxhallarët i kemi të gjithë me gjuhë të huaja, flasin arabisht, ke lezet ti dëgjosh…kemi kthyer dhe ferexhetë, jemi antarësuar në lidhjen e shenjtë islamike! Tjetërsohet Tirana, na tjetërsohen kujtimet, kur hoxha këndon stonaturën fatale, pikërisht aty kur ne bënim xhiron e madhe të bulevardit ! Burgu i jetës, liria e fesë ! Politikanët sot ta kalojnë ty. Këta janë shumë, po shumë… të pasur, po shumë fare ama ! Ja fjala vjen, vila jote shtetërore në bllok, më duket si kasollja ne muzg e Van Gogut po ta krahasosh me vilat e këtyre birbove të sotëm ! Por këta ta kalojnë… sepse janë të shkathët si kurvat e semaforëve. Vrasin e përcëllojnë njerëz të pafajshëm, ashtu si në kohën tënde. Ah, sa na duhet një burrë shteti ! Ti shumë gjëra i bëre mirë. Shumë të tjera katran me bojë. Edhe pse përpiqem të mirëkuptoj rrethanat e asaj kohe, disa gjëra duhet ti kishe bërë qysh në të gjallë. Sikur mos kishe vënë dorë mbi njerëzit vetëm se mendonin ndryshe, sikur mos kishe shpikur murtajën e luftës klasore, sikur mos paragjykoje njerëzit nga biografia dhe absurde të tjera pa fund, sikur të mos kishe ngritur burgje politike, sikur të mos kishe ndërtuar aq shumë bunkerë, sikur të kishe toleruar pronën private fshatarëve, sikur të kishe hapur gradualisht kufijtë, do të të kërkoja pa fund, por jo vetëm unë, të vije përgjithmonë! Prandaj dhe monumentin ta rrëzuan. Por ska gjë, kemi atë të ish mbretit. Kemi mbretërinë e grykësisë dhe babëzisë makabre. Keto dy demonë të së keqes, do bëjnë lodrën e tyre dhe lufta e partive s’do të ketë fund kurrë. Kemi njëzet e pesë vjet që s’bëjmë dot shtet ! Prandaj po të shkruaj. Kemi ardhur në pikën ku grabitësit, prej pandëshkimit janë shtuar aq shumë. Po paguajmë harraç për çdo thërime lirie e jete, aq sa çdo shqiptar më duket hero dhe martir në të njëjtën kohë, sikur të ishim nën diktaturë! Sa mirë i paske ditur të metat e shqiptarëve hej burrë i dheut ! Sulmet e kundërshtarëve të tu, na ndihmuan të kuptojmë dobësitë, paburrërinë dhe antikombëtarizmin e tyre, të cilët lehin e lehin njësoj si kryetarë fisesh kundër teje, për të vënë në bankën e te akuzuarve ty për gjithçka ! Historia nuk ndryshohet, ajo me siguri sejcilit do ti japë vëndin që meriton. Qezari do marrë atë që i takon.Kjo është ligjësi universale.

…Kështu pa fat, në detin e ironisë, ligësisë, përçarjes, përbuzjes dhe mallkimit, do sfilitemi si gjithmonë prej politikanëve tanë. Kësaj radhe prej këtyre të kohëve të reja, të ashtuquajtur demokratë e gjithëfarëllojësh! Uff!

 

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close