Advertisements
Take a fresh look at your lifestyle.

Fazli Haxhaj – Dauti- një figurë e njohur e Malësisë së Karadakut…(Pjesa e dytë)

/Tefik SELIMI


Në 30-vjetorin e  vdekjes  (1903  – 1987)


Rifat Jashari nga Zhegra (hoxhë)

Rifat Jashari (1918), i ardhur nga fshati Sefer, por që tash jeton në Zhegër, ka fjalë miradie për Fazli Haxhën. Ai 41 vjet ishte imam i xhamisë në Zhegër dhe 20 vjet në fshatin Haxhaj. Ai sot shton: “Fazli Haxhaj ka qenë shtëpiak i mirë. E ka njohur shoqërinë, miqësinë. Ka qenë burrë i odave. Ai ka qenë njeri me inteligjencë shumë të rrallë e të shvilluar. Ka pasur dije. Ai, çka ka dëgjuar prej të tjerëve, ato “rrëfime”, i ka përcjellur te të tjerët dhe nuk i ka harruar. Ka mbajtur shumë në mend. Kurgjë nuk i ka shkuar për dije. Ai ka ditur të “rrëfejë” ngjarjet që kur ka hyrë Serbia në trollin kosovar. Ka ditur të shkruajë serbisht. Ka qenë njeri autodidakt. Por, ka qenë njeri shumë i interesuar për dije. Ishte njeri i urtë, i afërm, shumë komunikues e fjalëmbël. Nuk ka ditur dikë ta hidhërojë në jetë. Ai, një “pjesë” të kohës e ka kaluar në mal. E ka kërkuar “hyqmeti” i asaj kohe. Ai, së bashku me shokët: Adem Stançiçin, Isuf Pidiçin e unë, kemi pajtuar shumë familje shqiptare. Unë, – shton Rifat Jashari, – isha kryetar i tyre. Më kanë respektuar shumë. Kemi pajtuar gjaqe duke filluar nga Konçuli e gjer në Kaçanik. Kemi pajtuar gjaqe në këto fshatra: Zhegër, Dunav, Stançiç, Pidiç, Çelik, Stubëll, Goden, Gjylekreshtë, Remnik Mogillë, Buzovik e në shumë fshatra tjera. Nuk ka pasur njeri më i “hollë” se Fazli Haxhaj. Ai çdo “muhabet” ia dilte ta përfundojë ashtu si e kërkonte puna. Dhe, të gjitha “ngjarjet”, ai dinte t’i rrëfejë me datë, ditë, muaj e vjet. Shumë ngjarje i mbante në mend. Ato “histori” të kohës, ai i “rrëfente” si të jenë të “gjalla” e të “freskta” kohe. Sidomos, lufën e Idriz Seferit, kreshnikut të Karadakut, ai e ka rrëfyer dhe e ka mbajtur shumë në mendjen e tij. Mu për këtë, shumë studjues e historianë tanë, kanë ardhur tek ai për ta pyetur për Idriz Seferin, trimin e kësaj ane. Me fjalë të tjera, ai ka qenë një njeri shumë njohës i mirë i “historisë” anës së Karadakut. Ka qenë njeri i “gjymertë” e shumë human në jetë. E ka pasur “zemrën” e madhe. I ka shkuar mendja të secili njeri, që i ka munguar buka e kripa. Por, ka qenë edhe njeri “asgan” (trim). Ai nuk i ka duruar fjalët e shtrembëra nga kundërshtari. Kur i ka ardhur rendi, shton Rifat Jashari, ai ka hyrë edhe në  grindje me njerëz. Ka qenë si njeri i rreptë dhe aty për aty është zemruar për të ta ndarë të drejtën nga e padrejta. Kjo kohë, koha e Fazli Haxhës, ishte shumë e rëndë për popullatën e kësaj ane. Më parë Serbia, mandej Bullgaria e ka “nënshtruar” dhe e ka dërrmuar këtë popull autokton. Njerëzit e kësaj Malësie kanë vuajtur shumë nga regjimet e egra të okuptorëve. Ata (njerëzit), janë torturuar gjer në në skajshmëri. Janë vrarë, përvëluar e masakruar, vetëm se kanë qenë shqiptarë. Nuk ka vend ku nuk ka varre. Gjurmët e varreve janë edhe sot. Shihni, shton Rifat Jashari, këtu në oborrin e xhamisë, janë të varrosur shumë njerëz të familjes së Shabovitëve, të cilët, shkijet çetnikë, i vranë në vitet 1912. Sepse, kur është mbrojtur kufiri në Kitkë, në atë luftë ka shkuar vullnetar Qerimi i Shabovitëve. Ai atje bëhet bajraktar në luftën e Kitkës, vend ky mu në kufi me Serbinë. Ai atje më shumë shokë ka bërë rrezistencë për t’a mbrojtur kufirin nga hyrjet e ushtrisë serbe në Kosovë. Dhe, thonë, nga atje,  Qerimin e kanë shënuar në “tefterët” e tyre. Dhe, kur erdhën kohët “tjera”, regjimi serb ka ardhur me adresë te dera e Qerimit, thotë R. Jashari. Ata i kanë pyetur serbët lokalë: “Ku është dera e Qerimit?” Këta serbët vendorë të Zhegrës i kanë thënë se, “Qerimi ka babën, djem, vëllezër etj. Një ditë, serbët çetnikë, duke njohur “terenin” mirë, ata i marrin me dhunë të gjithë meshkujt e kësaj mahalle dhe i kanë radhitur mbi rrugë, mu te kopshti i Hakisë së Ramës së Zhegrës. Në atë moment del Qerimi, babai i Ramës, plak e u ka thënë çetnikëve serbë: “Hej, çka jeni duke bërë?” Ata (çetnikët, të armatosur serbë, ia kthejnë: “Janë këta njerëz të “mirë”, të cilët dinë të na tregojnë diçka…I kemi marrë për pak kohë. Po, pasi po të dhimbsen e po thua se janë të mirë, eja edhe ti e hyn këtu me ta në rresht.” E marrin Qerimin dhe i thonë: “Tashti edhe ty do të fotografojmë”. E marrin dhe e rendojnë me shumë të tjerë. Aty kanë qenë 12-13 vetë: Qerimi me djalë, Braha me nip, Ahmeti me vëllezërit, Rrustemi me kusheri, Duli , Hamzi, vëllai i Rrustemit etj. Aty kanë qenë Ahmeti e Aliu i Demovitëve, si dhe Qerimi i Sylës, i mëhallës tjetër nga Zhegra. Kështu, në Zhegër, nga armët e zjarrit të ushtrisë së Serbisë së Parë, janë masakruar e vrarë 12 vetë. Këta janë vrarë dhe pas një dite, ata i kanë varrosur në oborrin e xhamisë në Zhegër. Kjo kohë ka qenë në kohën e Serbisë së Parë”, shtoi R. Jashari, 87-vjeçar, nga Zhegra e Karadakut.

Fazli Haxhaj ishte luftëtar i Shaban Palluzhës në Drenicë

fazli-haxhajPor, kur ishte fjala për Fazli Haxhën, ai ka marrë pjesë në Brigadën e Shaban Palluzhës. Ai nuk ka qenë vetëm, por në luftë ai ka marrë pjesë me vëllezërit e tij: me Mustafën e Metush Haxhën. Ndërsa, Fazli Haxhën, pushteti i asaj kohe e ka pasur  zili. Nuk e ka “njohur” si njeri të “dëgjueshëm”, por si nacionalist. Atë e kanë njohur si njeri që ka punuar kundër shtetit të asaj kohe. Fazli Haxhaj ishte pasanik i madh. Atë kohë, ai kishte jo vetëm tokë, por edhe male e shumë bagëti. Dhe, mu për këtë, atë e kanë dënuar më shumë me atë masën e “otkupit”, kohë e komunizmit. Po kështu, pas çlirimit, atë nuk e përkrahë regjimi i Titos. E kishin mendjen se F. Haxhaj ishte nacionalist i “fortë” i asaj kohe. Ia kishin frikën familjes së tij. “Kijametin”, – thotë R. Jashari, – e ka pasur familja e Fazli Haxhës nga ai pushtet serb. Mu për këtë, meshkujt nuk kanë guxuar të flejnë në shtëpi. Ata natën kanë qëndëruar në mal, ditën shtëpi.

Ai ishte njeri shpirt mirë e zemërgjerë…Ai, afër rrugës për në Shurdhan, ka ndërtuar në mur dritare  me kapak prej druri. Aty ka lënë bukë taze për udhëtarët e Karadakut. Bukën e kanë përgatitur gratë. Ajo ka qenë me kripë, djathë etj. Kur fëmijët i shihnin drumtarët duke ecur rrugës për në fshatrat e largta të kësaj ane, se ishin të lodhur, u thonin: “Urdhëroni, aty keni bukë taze”! Ata ktheheshin dhe e shuanin urinë me bukën e Fazli Haxhës. Tjetër, shkijet e Zhegrës ua kanë pasur frikën haxhajve. Krej mëhalla e serbëve të Zhegrës, si: mëhalla e Nikollës, Gutës, Pavës e Milës,- thotë R. Jashari, – kanë qenë pronë e familjes se Haxhajve. Bile, kur është kthyer gjermani, haxhajt deshën të hynin në shtëpitë e tyre, serbët e këtij lokaliteti, në vitin 1941, i kanë larguar haxhajt me gjermanë nga trojet që i kanë zënë të shqiptarëve të fshatit Haxhaj.

Fazli Haxhaj ishte njeri bamirës i madh e arsimdashës

Fazli Haxhaj ishte njeri i respektuar në Karadakun e Idriz Seferit. Ai gjithmonë ka kryer misione të mëdha për të mirën e popullatës së kësaj ane. Ka qenë njeri largpamës dhe shumë i ndershëm. Kurrë dora e tij s’është kursyer për asgjë. Ka qenë njeri zemërmadh. U ka ndihmuar njerëzve në çdo kohë. Ai ka lënë gjurmë dhe vepra të mira në pavdekësi. Nazmi Dauti, djalë i Fazli Haxhës (arsimtar), shton: “Baba im ka qenë njeri bamirës i dalluar në jetë. Ai ka dhënë ndihma të pakursyera për ta ndihmuar popullatën shqiptare. Si sot, – shton Nazmiu, – më kujtohet, për ta kaluar njeriu kufirin, ai ka dhënë qypin me tëlyn. Njëzet e dy vjet ka qenë i sëmurë nga astma. Mu për këtë, ai 22 vjet e ka mbajtur jastekun pas vete. Baba, shton Nazmiu, – ka mbajtur armë të rëndë. Kurrë pa armë nuk ka qenë. Por, armë kanë pasur edhe vëllezërit tjerë. Por, në kohën e Rankoviqit, ai e ka dorëzuar mitrolezin e rëndë. Edhe katër vëllëzërit të tij i kanë dorëzuar armët. Atë kohë kanë luftuar në Kodrën e Zezë për ta mbrojtur kufirin ngas çetnikët serbë e maqedonë. Ai është i pari që në fshat solli mësuesin Shefqet Kaçanikun në Zhegër për t’i mësuar fëmijtë në gjuhën amtare. Baba, – shton Nazmiu, – mësuesit Shefqet ia pati siguruar vendin për buajtje. Kjo kohë ishte në vitet 1953-54. Mësuesi Shefqet nuk punoi shumë kohë në Zhegër. Atë nuk e deshi regjimi i asaj kohe. E larguan nga Zhegra UDB-a serbe dhe ish-komiteti. I thanë se është i “padëshirueshëm” në arsimin shqip. Ai punoi tri vjet në Zhegër. Nga ai dolën shumë mësues e arsimtarë të mirë. Pasi na kishin në sy për të “keq”, – shton Nazmiu, – ish pushteti i atëhershëm na solli “visikat” (pasaportat) për t’na shpërngulur nga ky vend. Por, baba këtë “punë” nuk e ka pranuar kurrë. Ai ka bashkëpunuar me Mulla Kadrinë e Llashticës. Këta e kanë ftuar popullin që të mos shpërngulen nga vatrat e tyre, se pushteti e regjimi të asaj kohe e dëshironte një shpërngulje të disa familjeve  “atdhetare” e rebeluese nga trojet e tyre. Pushteti i asaj kohe bënte çdo gjë që disa fmilje “atdhtare” e nacionaliste t’i largojë nga Kosova. Atëkohë, i shpërngulnin shumë familje në viset e shkretëtirave të Anadollit (Turqisë). Dhe, Nazmiu shton, – në vitet 1960 popullata është qetësuar nga kjo e keqe. Kështu, familjes sonë i hyri “lepuri” në bark, si thotë populli. Dhe, në vitet 1958-1959, një pjesë e familjes sonë është  shpërngulur në Lipkovë të Maqedonisë. Në këtë vend janë larguar vëllezërit e Isa (90) e Mustafa. Baba ka qenë njeri jetim. Ai është i lindur te dajt, në Bellanoc, me 27 shtator të vitit 1903 (dita e mërkurë), shton Nazmiu. – Nëna e ka pasur emrin Xhemile. Ka qenë e Bellanocit. Baba nuk ka pasur shkollë. Por, ka pasur dije të jashtëzakonshme. Ai ka ditur, shton Nazmiu Dauti, tri gjuhë t’i shkruajë e t’i flasë: gjuhën shqipe, serbe e bullgare. Thonë, duke luftuar te Kodra e Zezë, ai atë kohë e ka pëcjellë shtypin bullgar dhe është informuar për “gjendjen” e luftës. Ka luftuar tre muaj ditë. Ka pasur shokë nga fshati Haxhaj, Lladova, Nasala, Stançiçi, Gjylekreshta, LLashtica etj. Por, ka pasur shokë vullnetarë nga viset tjera të Kosovës. Nga baba Fazli (Haxhaj), sot jemi mbi 130 anëtarë: meshkuj e femrat të martuara. Ai ka qenë edhe mjeshtër (zdrukthtar. Ka punuar me Idriz Lladovën punë zdrukthtarie: dyer, dritare e punë tjera nga druri etj.

Fazli Haxhaj ishte luftëtar i denjë për liri

Nazmi Dauti, arsimtar në pension (haxhi), tash me banim në Ferizaj, për babanë e tij, shton: “Baba im ka qenë lutëtar i denjë për liri. Ai ka luftuar me Mulla Idrizin Gjilanin. Bile, atë kohë, baba Fazli, me shokët tjerë, ka luftuar për bashkimin e trojeve gjithëshqiptare. Ishte i tëri për një Shqipëri etnike shqiptare. Ai ka luftuar edhe në Drenicë. Ka shkuar vullnetar të luftojë në Prekaz, ku ishte bashkëluftëtar i Shaban Palluzhës. Dhjetë vjet, pas çlirimit, baba nuk ka pasur të drejtë votimi. E kanë quajtur nacionalist të përbetuar. I thonin edhe ballist. Këtu në Karadak, te Kodra e Zezë, ai ka luftuar me vëllezërit: Mustafën, Isën, Shaipin, Idriz Haxhën e me të tjerë. Këtu ka luftur edhe Nuhi Aliu nga Zhegra. Ky ka qenë trim i kësaj kohe. Ai ishte i lindur në Zhegër, më 1903. Ky luftar i takonte familjes me traditë të pasur. Dy muaj ditë ka luftuar në mbrojtje të kufirit kah Presheva. Ai në vitin 1944 ka luftuar në fshatin Raincë gjer te Guri i Zi. Por, ka luftuar me shokë edhe në fshatin Mazeq, lokalitet afër Lipkovës së Maqedonisë. Dhe, në  tetor të vitit 1944, Nuhi Aliu plagoset dhe merr plagë të rënda në dy këmbët. Nuk pati fuqi më të luftojë. Kthehet në fshatin Stubëll dhe mjekohet nga Elez Halimi nga fshati Selishtë. Pas shërimit, ai kthehet në shtëpi, Zhegër ku vdes më 1981. Ishte një nga luftëtarët e shquar të kësaj kohe. Së bashku me Gani Ajetin, Zylfi Ramadanin e me shumë e shumë të tjerë, ai ka luftur e nuk është trembur nga armiku gjakatar. Kanë qenë të strehuar në Bellanoc. Nuk ka guxuar të qëndrojë në shtëpi, por gjithnjë është mëshehur e i strehuar nëpër familje të të  afërmëve të kësaj ane. Regjimi i asaj kohe e kërkonte. Ishte ky luftëtar i kohës kur ka vepruar Fazli Haxhaj. Dhe në kohën e vitit 1941, populli i kësaj ane ka qenë i malteretuar nga bullgarët e nga serbët çetnikë. Duke parë këtë farë “fushate” të këtij pushtuesi të “egër”, ai me Isuf Pidiçin, Adem Stançiçin ka shkuar në këmbë në Shkup për ta paditur Vuk Nikollën te “kapteri” (komandanti) bullgar. Ata kanë shkuar te “Bani” i Shkupit për ta paditur Vuk Nikovin, bullgar, i cili ishte kryesori që bënte e urdhëronte tortura të rënda ndaj shqiptarëve. Një Ismajl Kaçaniku, ka qenë një njeri “kallauz”, i cili edhe ishte i parë në Maqedoni nga shqiptarët. Ai, sipas fjalëve të Rifat Jasharit, nga Zhegra, ka qenë në Zhegër për ta parë gardën bullgare se si veproi në këtë anë. Sepse, në këtë kohë, banorë e Remnikut janë shpërngulur jashtë fshatit nga bullgarët. Ata kanë ikur për faktin se, bullgarët bënin tortura çnjerëzore në njerëz,” – shtoi R. Jashari. “Baba Fazli, – shton djali i tij, Nazmiu, – “ishte udhëheqës i këtij grupi. Ai pyetej për këtë anë. Kur janë afruar afër Shkupit, e kanë gjetur një njeri me qerre të ngarkuar me sanë. Në këtë vend s’ka mundur askush të hyjë, nga se ka pasur shumë roja. E lusin pronarin e qerres që t’i afrojë gjer te zyrja e kapterit. Ai i merr dhe i shtie në sanë. Këtë “ngjarje” e përgadisin mirë e mirë. I pari në zyre të kapterit të bugarit hyn baba Fazli. Bile, thonë kanë qenë me plisa të bardhë. Kapteri e pranon. Kur i pyet se çka ka në këtë anën e Karadakut të Zhegrës, baba i rrëfën gjatë e gjatë se si bugarët po bëjnë tortura të rënda në njerëz. Ai nuk beson. U thotë: “Nëse ka të vërtetë, unë do vij sot atje”. Bile babës i ka thënë se “po rren, s’e kjo gjë nuk është e mundur”. Kapteri çohet në këmbë dhe ia shtie alltinë (revolën) në gojë babës. Bile, si shton Nazmiu, Xha Faziut ia then dhëmbin e syrit me revole. Baba, edhe pas kësaj “ngjarje”, ia thotë kapterit bullgar të vërtetën në sy, se iu dhimsej popullata e Karadakut. Kapteri bullgar i drejtohet babës: “Nëse është rrenë, kam me të vra me dru!”. Baba pranon. “Do të vij tash atje” – i ka thënë kapteri bullgar. Fazli Haxhaj del nga zyra e kapterit. Ai me shokët e vet, në Hasan Beg, i ka gjetur tre kuaj. Me kuaj kthehen në Zhegër. Kur vjen kapteri, ai çuditet se si këta kanë arritur para tij. Kapterin e çojnë gjer në Lladovë. Aty e gjejnë Rifat Rexhepin, tash i ndjerë, të varrosur në pleh. Atë, bullgarët e kanë rrahur aq shumë, sa e kanë lënë për të vdekur. Të familjes Rifat Rexhepin e kanë shtie në pleh për t’ia kthyer shpirtin. Bile, thonë, nga torturat barbare bullgare, disa nga femrat e këtij fshati kanë kërcyer nga kati i dytë i shtëpive. Kapteri e sheh këtë “ngjarje” dhe kthehet i turpëruar. Edhe një vëlla timin, – shton Nazmiu, – e kanë rrahur bullgarët vetëm pse nuk i ka përshëndetur  me fjalën “dobërden – bullgarçe”!

Ishte autodidakt, por e mësoi vetë shkrim-leximin…

Fazli Haxhaj ishte njeri autodidakt. Nuk kishte asnjë ditë shkollë. Por, ai ishte nga natyra me njohuri të shumta të dijes. Vetë e mësoi shkrim-leximin në gjuhën serbokroate. Por, dinte të lexonte shqip e bullgarisht. Ai e deshi shkollën. Pati dëshirë të madhe t’i shkollojë djemtë e tij. Por në atë kohë, ai kishte rënë në konflikt me regjimin aktual serb. Atë e konsideronin si kundërshtar të shtetit. Nuk ishte vetëm ai, por e gjithë familja e tij. Kështu, ai për shkollën shqipe mendoi shumë sesi të vijë ndonjë mësues nga trevat tjera e t’i mësojë fëmijët në gjuhën amtare. Në fshatin e tij nuk punonte asnjë shkollë. Mendoi dhe, shtëpinë e vetë e lëshoi të jetë shkollë. Dhe, në vitet 1953-54, e lëshoi shtëpinë e vet me dy dhoma dhe korridor për të mësuar nxënësit e fshatit Haxhaj. Ai me dashuri të madhe në Haxhaj e solli mësuesin e parë, Idriz Idrizin nga Zhegra. Ky ishte nip i Idriz Seferit. Ky mësues i parë i kësaj ane, ka vdekur pra pak muajsh në Zhegër. Familja e Fazli Haxhajt e ka ndihmuar shkollën shqipe mjaft. Për atë kohë, ai i ka dhënë 120 mijë banka për ndërtimin e shkollës në fshat. Këtu shkolla ka punuar nga çlirimi i vendi e gjer më 1970. Kjo shkollë ka qenë e ndërtuar në oborrin e Fazli Haxhajt. Dhe, në vitin 1972 është ndëtuar shkolla e re me  vetëkontributin e fshatarëve të këtij lokaliteti. Ky objekt shkollor është ndërtur në periferi të fshatit, kah Zhegra. E, Fazli Haxhaj, ishte personalitet dhe atdhetar i madh i kohës. Ishte i njohur edhe si besimtar i madh në popull. Qe njeri i vendosur i fjalës e i punës në jetë. Ai, më 1964 shkoi në haxh me grupin e parë të haxhinjve nga Gjilani. Edhe para, por edhe pas, këtë njeri e vizituan shumë shokë, miq e të afërm të ndryshëm, ku i uruan shkuarje në Mekë, për t’u bërë haxhi. Pas kthimit nga haxhillëku, në vitet 1970, ai e ndërtoi xhaminë e

fshatit Haxhaj. Për ndërtimin e kësaj xhamie, ai e fali arën e tij më të mirë. Sivjet, është përvjetori i 30-të i vdekjes së tij. Ai vdiq, më 11 mars të vitit l987 në moshën 84-vjeçare në fshatin Haxhaj, Malësia e Karadakut. Ishte një personalitet që la një “vepër” jetësore në shërbim të atdheut dhe popullit të tij.

 

 

Loading...
Advertisements

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close