Advertisements

PASOJAT E SULMEVE DHE TË NGULITJES SË SLLAVËVE NË ILIRIK ( pjesë e parë )

Dr. Skënder GASHI – Vjenë


Shënime hyrëse

a ) Sllavët nuk kanë histori të antikës.

Ilirologu i mirënjohur gjerman Hans Krahe kishte thënë se „sllavët janë varrtarë të kulturës së antikës”, ndërsa mësuesi im Radoslav Katičić në një ligjëratë, në kuadër të ballkanistikës antike – të mbajtur në Vjenë – sqaronte se nëse në hapësira të Ballkanit e shihni një katundar që bagëtisë së tij i jep ujë në një sarkofag mermeri të kohës së perandorisë romake, nuk ka nevojë të pyesni cili, i cilës etni, është ai. Dihet që ai është sllav, sepse këta nuk kanë asnjë lidhje kulturore me atë periudhë të historisë së Ballkanit. Këto thënie e murosin të vëretën e madhe që sllavët ardhës nuk kanë në historinë e tyre periudhë të antikës dhe se historia e tyre në Gadishullin Ilirik fillon pikërisht me rrënimin e civilizimit antik.
b) Sllavët nuk kanë arkeologji të vetën.

Në takimin që ishte titulluar Mitet dhe Faktet përkitazi me Etnogjenezën dhe „Atdheun e kryehershëm” të Shqiptarëve. Aspekte Historike dhe të Historisë së Gjuhës,[1] merrte pjesë dhe diskutoi edhe arkeologu gjerman Dr. Martin Eggers. Ky, si ithtar i tezës së prejardhjes ilire dhe të autoktonisë së shqiptarëve në viset që i banojnë sot dhe në ato historikisht të mbajtura për të ilirëve, sqaroi se ky beson në tezën që e përkrah sepse në asnjë pjesë të hapësirës së Ballkanit nuk mund të flitet për një arkeologji sllave. Kjo sepse, sipas këtij dijetari, nuk ka askund në Ballkan dhe sidomos në hapësirën që e mbulojnë sllavët që flasin serbisht e kroatisht, asnjë vendgjetje arkeologjike që do ta dëshmonte ndonjë kulturë materiale sllave të antikës.

c) Sllavët e shkatërruan materialisht e fizikisht dhe e plaçkitën popullatën vendëse të Ballkanit, që e gjetën aty kur këta erdhën të paftuar e me forcë.
Historiani serb i merituar St. Stanojević,[2] na mëson që qysh para invadimit të sllavëve „ … për shkak të luftërave të shpeshta që në Ballkan kishin ndodhur gjatë shekujve III e IV pas Krishtit, deri në fillim të shek. V disa treva të Ballkanit ishin shkretëruar plotësisht. Regjione të tëra kishin mbetur shkret, fushat/arat kishin mbetur të pambjellura dhe qytetet ishin braktisur nga banorët e tyre.; Iliria qe shkretëruar, Trakia si edhe Dardania dikurë e pasur ishin shkatërrruar, shumë krahina ishin braktisur, fushat mbetën të papunuara dhe të mbuluara me eshtëra të të vrarëve dhe të të mbyturve.”

Përveç kësaj, historiografi Marcellinus Comes që edhe vetë, si edhe perandorët Iustini I dhe Iustiniani I, ishte nga një regjion i perandorisë romake të Lindjes, përkatësisht nga Dardania, në të cilën gjuhë zyrtare e komunikimit nuk ishte greqishtja porse latinishtja, njoftonte [3] se „Nga tërmetet e vazhdueshme, në provincën dardane, menjëherë u shkatërruan njëzet e katër kështjella. Dy nga këto u fundosën së bashku me banorët, katër u shkatërruan, duke humbur gjysmën e banesave dhe të banorëve, trembëdhjetë nga fatkeqësia humbën një të tretën e shtëpive dhe po aq nga popullsia; shtatë u shkatërruan, duke humbur një të katërtën e shqëpive dhe po aq nga popullsia, kurse kështjellat fqinje u braktisën nga frika e shkatërrimit. U shkatërrua krejtsisht edhe qyteti kryesor, Skupi, megjithëse pa humbjen e qytetarëve të tij, të cilët ikën para armikut [S. G. fiseve invadore sllave]. Nga ky tërmet u çanë shumë male nga e gjithë provinca, shkëminj u shkëputën nga masivet e tyre dhe trupat e pemëve u gremisën poshtë. Në një largësi prej tridhjetë miljesh toka u ça me një gjerësi prej dymbëdhjetë hapash, dhe u përgatit kështu një hendek i thellë ku ranë shumë nga aqytetarët e kështjellave, të cilët vazhdonin të iknin nga shkëmbinjtë që rrokulliseshin ose nga sulmet e armiqve [S. G. fiseve invadore sllave]. Atëherë në një kështjellë të krahinës Gavisa, e cila quhet Sarnonti, toka nxori prej shtresave të saja të përvëluara si prej një furre të nxehtë, një curril të ngohtë dhe të vazhdueshëm uji.”

Pas rrënimit të 24 kështjellave/qyteteve bashkë me kryeqytetin Scupi dhe vdekjes së banorëve të tyre që i shkaktoi tërmeti katastrofal i vitit 518, popullata e Dardanisë pësoi në vitin 548 nga sulmi i sllavëve. Këto pësime i përshkruante historiografi i fundit i madh grek i anikës së vonë, përkatësisht i shek. VI, Prokopios, (Προκόπιος, lat. Procopius) i njohur si Prokopi i Cesaresë, i lindur rreth vitit 500 në një familje të privilegjuar helene në Caesarea Maritima të Palestinës dhe i vdekur rreth vitit 562. Ai shkruante, siç na mëson historiani i merituar serb St. Stanojević, [4] se sllavët „siç e kanë zakon, nuk e kursyen askend dhe që kur u gjendën në Bizant s’kishin asgjë tjetër ndërmend përpos që ta mbytnin secilin që ra nën mëshirën e tyre. I gjithë Iliriku dhe Trakia u mbuluan nga kufoma të pavarrosura […] sllavët nuk i therrnin viktimat e tyre me shpatë apo me heshtë, porse për së gjalli i ngulnin në hunj duke i mbytur kështu nën tortura nga më të tmerrshmet.”. Në librin Ilirët dhe Iliria te autorët antikë…, f. 434-435 ky pasus i Prokopit është përkthyer [sllavët] „ … si gjithmonë, nuk shikuan moshën dhe nuk patën parasysh asgjë, porse që nga ai moment, kur hynë në tokën bizantine, vrisnin pa dallim secilin që e ndeshnin kështu që i gjithë Iliriku dhe e gjithë Trakia ishin përplot me kufoma të pavarrosura […] sllavët nuk i mbytnin viktimat e tyre me shpatë e me shtizë, porse i ngulnin të gjallë në hunj dhe ua nxirrnin shpirtin me mundime të tmerrshme”.

Në të vërtetë, Prokopi, [5] pasi kallxonte për sulmet e Gotëve në Itali, – përsa i përket Ilirikut – shkruante se rreth vitit 547-548: „ […], një ushtri skllavenësh, duke kaluar lumin Ister [S. G. Rrjedhën e poshtme të Danubit] bëri shkatërrime të tmerrshme në gjithë Ilirinë deri në Epidamn [S. G. greq. e vj. Ἐπίδαμνος/Epidamnus, më vonë tek romakët Dyrrachium, sot shq. Durrës] duke vrarë dhe kthyer në skllevër të gjithë ata që u dilnin përpara, pa marrë parasysh gjininë apo moshën, dhe duke garbitur pasurinë. Bile shumë fortifikata që ishin këtu dhe që më përpara dukeshin të forta, meqenëse nuk i mbronte njeri, skllavenët mundën t’i marrin; ata u përhapën nëpër krahina, duke bërë shkretime fare lirisht. Komandantët [S. G. romakë ?] e Ilirisë i ndiqnin nga mbrapa, me një ushtri prej pesëmbëdhjetëmijë vetësh, po në asnjë vend nuk vendosën t’u aviten.” Pasi kallxonte për ngjarjet që u zhvilluan në vitet 458-459, ky tregonte se „ushtria skllavene , e përbërë prej jo më shumë se tremijë vetësh, kaloi lumin Ister , pa gjetur kundërshtim nga asnjë anë, dhe pastaj, si kaloi pa vështirësi të madhe lumin Hevr, u nda në dy pjesë. Njëra pjesë kishte njëmijetreqind, tjetra ata që mbetën. […] Edhe pas përpjekjes së komandantit të ushtrisë romake në Iliri e në Thraki […] „Skllavenët i vunë përpara edhe këta pa vështirësi dhe, në kohën e kësaj tërheqje të turpshmne, vranë shumë prej tyre, kurse Asbadin e zunë rob, pastaj e vranë duke e hedhur në zjarr, pasi i kishin rrjepur më parë lëkurën e kurrizit. Pas kësaj ata filluan të grabisin pa frikë të gjithë këto vende edhe në Thraki, edhe në Iliri dhe shumë kështjella si njëra, si tjera njësi skllavenësh i morën me rrethim; kurse më parë skllavenët nuk kishin guxuar asnjëherë t’u aviteshin mureve ose të dilnin në fushë [për luftë të hapët], sepse këta barbarë [6] [ S. G. sllavët], s’kishin provuar asnjë herë më parë të kalonin në tokën e romakëve. Bile edhe lumin Istër, me sa duket, ata e kanë kaluar vetëm një herë, sikurse tregova për këtë më lart.”

Historiani serb St. Stanojević,[7] nga ana tjetër, shkruante se avarët dhe sllavët, të nisur nga Jugu i Hungarisë, ndërmorën ekspedita plaçkitëse në Dalmacinë e sotme, në Bosne e në Hercegovinë, në Serbinë e Vjetër,[8] Maqedoni e në Serbinë Perëndimore, ndërsa sllavët e lirë i nisën ekspeditat e tyre plaçkitëse nga rrjedha e poshtme e Danubit në Serbinë e sotme Lindore, në Maqedoni, Bullgari, Thraki e në Greqi. I vetmi qytet i rëndësishëm i Bizantit, që shpëtoi nga rrebeshi i sulmeve të Sllavëve dhe i fiseve avare të bashkuara me aleatët sllavë e bullgarë, [9] ishte qyteti i Selanikut.”

Mungesën e kontakteve/bashkëjetesës paqësore të sllavëve ardhës me popullatën vendëse ilire, dardane, trakase e helene të Gadishullit të Ballkanit si edhe rrethanën që këta kurrë nuk jetuan, pra, në qytetet që i gjetën në këtë hapësirë e tregon, mbi të gjitha, rrethana që në këtë gadishull nuk ka asnjë qytet, i periudhës para pushtimit romak të kësaj hapësire emri i të cilit do të ishte vazhduar nga sllavët, e lere më të ketë ndonjë të tillë të ngritur nga vetë sllavët. Përkundrazi, trajtat e sotme sllave të disa emrave të qyteteve pararomake të Dardanisë si Niš (nga Naissus); Štip (nga Astibos); Ohrid (nga Lychnidos); Skopje (nga Scupi i lashtësisë pararomake); emri Šar-planina (nga Scardus) e ndonjë tjetër sllavët ardhës i morën nga goja e pararendësve të shqipfolësve të sotëm, ndërsa emrat e qyteteve Lipljan (nga *Ulciana fillimisht qytet i ilirëve, përkatësisht Ulpiana e pas pushtimit romak dhe Lipenion -i i periudhës bizantine) dhe Ulcinj (nga trajta pararomake Ulcinium) jo vetëm i morën nga goja e folësve pararendës së shqipes e të shqiptarëve porse edhe janë të shpjegueshëm me brumin leksikor të shqipes, përkatësisht me fjalën ilire/shqipe ulk, sot ujk.

LITERATURA
1. I mbajtur në Südost-Institut, Regensburg, më 24. April 2009,. i organizuar nga Südost-Institut i Regensburg -ut dhe Profesura për Albanologji e Universitetit Ludwig-Maximilian të München-it.
2. në librin e tij Vizantija i Srbi II, Novi Sad, 1906, f. 146.
3. sipas Ilirët dhe Iliria te autorët antikë,Tiranë, 2002, f. 451-452.
4. Në librin e tij Vizantija i Srbi,II, Novi Sad, 1906, f. 175.
5. sipas Ilirët dhe Iliria te autorët antikë, f. 434-435.
6. sipas Paulys Realenzyklopädie des classischen Altertumswissenschaft, 2,2,28,58. „pas Homerit […] shumë shpejt mbisundoi kuptimi përbuzës i kësaj fjale [S. G. barbaroi], sidomos pasi grekët e vunë në spikamë mendjemadhësinë karshi persëve që flisnin gjuhë tjetër; me shprehjen bàrbaroi u përfshinë të gjithë popujt e tjerë të cilët me kulturat e tyre ishin prapa asaj të grekëve dhe, kësisoji, fjala bàrbaroi u bë distinktiv/shenjim për mosnjerëzinë, vrazhdësinë dhe egërsinë.”
7. tek Vizantija i Srbi …, f. 175.
8.Kështu e quante politika serbe, para Luftës së Dytë Botërore, Kosovën e sotme.

Pëkujdesur nga F.XH

Loading...
Advertisements

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close