Advertisements

Historia e Kishës katolike shqiptare në Kosovë

Isak Ahmeti


1. Tradita kishtare iliro-shqiptare në Kosovë

Të shkruash për historikun e Kishës katolike shqiptare në Kosovë, përkatësisht në Dardani[1], domethënë të shtetgtosh dhe të hulumtosh nëpër shekuj pjesën më të ndritshme, pjesën më të stuhishme të jetës sonë kishtare dhe kombëtare njëkohësisht. Këtë po e theksoj që në fillim për arsye se Kisha katolike shqiptare në Kosovë, si institucion i organizuar ndër të parët në Evropë, gjatë shekujve ka ndikuar, kur e kur edhe në mënyrë vendimtare, që ta ruajmë identitetin tonë fetar, kulturor dhe kombëtar.

Le të përkujtojmë se nga gjiri i kësaj Kishe kanë dalë edhe klerikë e prelatë të merituar kishtarë, shkrimtarëdhe veprimtarë të mëdhenjë që kanë luftura duke rrezikuar edhe jetën për t`u çliruar nga zgjedha e huaj (P. Budi, P. Bogdani, T. Raspasori, G. Krasniqi, Sh. Gjeçovi, etj.), dhe për të ruajur identitetin fetar, kulturor dhe kombëtar. Vetë Hasi, Pjetër Budi, Andre, Llukë e Pjetër Bogdani, Gjon Nikollë Kazazi, Shtjefën Gjeçovi, Dom Ndue Bytyçi, Dr. Don Gaspër Gjini dhe shumë të Tjerë, që do t`i marrim në shqyrtim në një kapitull të veçantë, tregon se ata, si do të shprehej edhe E. Çabej[2], përfaqësojnë një lulëzim të shënueshëm të shkrimit e të literaturës së Atdheut, pra edhe të Kosovës.

Fakti që këta nuk janë një a dy, po përbëjnë një varg burrash të pendës, na dëshmon se këtu, pra edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri, nuk kemi të bëjmë me një dukuri kulturore sporadike, por kemi të bëjmë me një lëvizje mentore. Për këta njerëz, siç është shprehur edhe albanologu më i madh i ditëve tona, Eqrem Çabej[3], e për kohën në të cilën jetuan, atdhe gjuhë e besim ishin një trinom i pandarë dhe ata luftuan duke rrezikuar edhe jetën, për ruajtjen e këtyre vlerave[4].

Është i madhë numri i atyre klerikëve dhe prelatëve kishtarë të Kishës katolike shqiptare të Kosovës që nuk kanë kursyer as jetën për t`i shërbyer Kishës shqiptare, për t`i shërbyer Kombit dhe kulturës shqiptare në përgjithësi. Klerikë dhe prelatë të Kosovës jo vetëm që përhapën fjalën e Krishtit në shqipet, por kur e kur ata, si don Gjon Bisaku, Don shtjefën Kurti, dhe Don Luigj Gashi e ngritën e tyre të fuqishëm, për të drejtat e shqiptarëve, deri te Liga e Kombeve në Gjenevë (5 maj 1930). E kontributi i Atë Lorenc Mazrekut, Don Anton Zogajt, Atë Pal Dodajt, Atë Klement Mirajt, Atë Bonaventurë Gjeçajt, Dom Mikel Tarabulluzi, Atë Luigj Palajt, dhe shumë e shumë të tjerëve?

Nga gjiri i kësaj Kishe ka dalë, gjithëashtu, edhe figura e ndritur shqiptare e shekullit (XX), Nëna Tereze, bartëse e shumë mirenjohjeve dhe dekoratave, çmimit Nobel për Paqe dhe tani së fundi edhe beatifikimi i saj.

Kam theksuar edhe më parë se Dr. Dom Gaspër Gjini[5], ka shkruar veprën monumentale Ipeshkvia Shkup-Prizren gjatë shekujve[6]. Në këtë studim monografik, që dalon prej tjerëve nga mbarështrimi dhe trajtimi shkencor i problemeve si dhe nga sintetizimi i të dhënave historike-arkivore-shkencore, ai ka paraqitur historinë e dioqezës së Shkup-Prizrenit që kapë një periudhë prej mbi 16 shekujve. Ndonëse ky është studimi i parë që ka një vlerë monumentale, për Kishën e Dradanisë, përkatësisht të Kosovës në veçanti dhe për historinë kombëtare në përgjithësi, aty nuk e kemi të trajtuar edhe historinë e Kishës katolike shqiptare të Kosovës të periudhës së re dhe më të re, veçmas atë të pas Koncilit të dytë të Vatikanit që është poashtu e një rëndësie të veçantë.

Sepse edhe periudha e re dhe më e re e jetës së kësaj Kishe është e mbushur plot me akte heroike e sublime të martirëve të Kishës, të Kombit, e të kulturës shqiptare në përgjithësi. Dhe mu për këtë arsye mund të konstatojmë me plotë të drejtë se istoria e Kosovës dhe jo vetëm e Kosovës, por edhe e popullit shqiptar në përgjithësi, mund të studiohet dhe të shkruhet në mënyrë objektive dhe parimore vetëm ne kontekst të Katolicizmit që, siç thotë edhe shën Pali, ai vetë predikoi Ungjillin që nga Jeruzalemi dhe rrotull deri n`Iliri[7]. Dhe në nahi të Dardanisë, përkatësisht në Arkidioqesën e Prizrenit fenë e Jezu Krishtit e ka përhapur vetë Shën Matheu apostull[8]. Këtë e ka pohuar edhe vetë Farlati në veprëne tij të njohur “Illyricum sacrum”. Aty ai shkruan se Shën Matheu apostull e ka përhapur në Cardani, përkatësisht në Kosovë, fenë e Jezu Krishtit[9].

Që atëherë, prandaj, fillon në një mënyrë edhe istoria e Kishës katolike shqiptare edhe në Kosovë. Këto të dhëna, por edhe shumë të tjera që dihen[10], na japin të drejtë jo vetëm mendojmë, por edhe të konstatojmë se Krishterimi në Dradani, pra Kosovën e sotme (që është teritor qendrorë i Dardanisë së dikurshme[11], është përhapur që në shekullin e parë, pas Krishtit.

Mirëpo jeta e kësaj Kishe në shekujt e parë, por edhe më vonë, ishte shumë e vështirë dhe me plotë rreziqe. Sepse ajo ishte e ndjekur, e salvuar. Per këtë ka shkruar në mënyrë rrënqethëse edhe Shën Jeronimi, shkrimtar i shkëlqyeshëm me origjinë shqiptare[12]. Në Epistolae (Letrat), ai shkruan, pos të tjerash, edhe këtë: “Më rrënqethët stati kurë mendoj të tregoj për shkatërrimet në kohën tonë… Sa gra fisnike, sa virgjëra kushtuar Zotit, sa njerëz të lirë dhe finikë u dhunuan në këto lufta! U morën robër ipeshkvinj, u vranë presbyter dhe rrëmbyes të tjerë të ndryshëm të kishës. U shkatërruan kishat. Pranë lterëve të Krishtit u vendosën si në grazhd kuajt. Kockat e martirëve u nxorën nga varret. Kudo zi, kudo ofshe dhe hija e madhe e vdekjes…”[13].

Ndonëse bënë jetë të vështirë, jetë martire, Kisha katolike shqiptare në Kosovë ishte e themeluar, e rregulluar dhe e organizuar mirë, madje mjaft mirë[14]. Në kontekst me këtë duhet të përmendim edhe vitin 325, kur Konstatini i Madh, i nxitur nga vetë Papa Liberi, thirri Konçilin e Nicesë, ku morën pjesë, përveç delegatëve të Papës së Romës, edhe përfaqësuesit e Kishës së Dardanisë (Kosovës). Dhe në mesin e nënshkrimeve të delegatëve të Papës, ghasim edhe nënshkrimin e ipshkvit të Dardanisë “Dacus Dardaniae”[15]. Vetë fakti se në Koncilin e Nicesë Dak Dardani merr pjesë si metropolit i tërë provincës, bashkë me sufraganë, si dhe mënyra e nënshkrimit të tij në krahasim me metropolitët e tjerë[16], dëshmon se territori kishtar dhe bashk me këtë edhe kierarkia kishtare e Dradanisë, ka qenë themeluar edhe e rregulluar më herët sikur edhe në viset tjera. Kështu ka dëshmuar, me një varg argumentesh të pamohueshëm, edhe studiuesi i rralë, Dr. Dom Gaspër Gjini[17].

Me kohë në Dardani është rritur edhe numri i dioqezave. Për këtë dëshmon një numër i madhë i dokumenteve kishtare[18]. Dhe kjo tregon se jeta fetare në Dardani (Kosovë) po gufante. Mirëpo mbi rregullimin e mbrendshëm të Kishës dardane janë ruajtur shumë pak lajme nga shek. V. Në kontekst me këtë vlen të përmendim edhe letërkëmbimet midis ipeshkvijve të Dradanisë dhe Papës të Romës. Kështu, për shembull, Papa Gelaziu, më 493, i drejton një letër të posaçme një ipeshkvi të Dardanisë, me ç`rast e inkujaron që të qëndrojë edhe më tej në fenë e vërtetë[19]. Ndërkaq më 494 ipeshkvinjt e Dardanisë i patën drejtuar një letër Papës, Gelaziu, duke i premtuar se do të qëndrojnë konsekuentë në fenë e vërtetë të Jezu Krishtit[20]. Edhe Papa, Simah, përmes le trave të veta, që kanë gjithëashtu karakter institucional, inkurajonte, pos tjerëve, edhe prelatët kishtarë dhe mbarë klerin e Dardanisë për të qëndruar besnikë ndaj Kishës së Romës[21].

Nga këto letërkëmbime midis Papës dhe ipeshkvinjve të Dardanisë, letërkëmbime këto që kanë karakter baritor-institucional e kishtar, mësojmë se Kisha e Dardanisë (Kosovës) ishte mirë e organizuar dhe se ajo qëndronte konsekuente dhe besnike, n`ato kohë herezishë të shumta, ndaj Kishës së Romës.

Historia e Kishës katolike shqiptare në Kosovë mund të vështrohet, të studiohet vetëm në kontekst me ipshkvin e Scupit të lashtë, të Justinianës së Parë (Justiana prima). Por vetëm edhe në kontekst me ipeshkvinë e Shkup-Prizrenit, përkatësisht të Prizrenit. Në kuadër të këtyre dy dioqezave që ndonjëherë kishin përjetuar bashkimin personal ose kur e kur, për shkak të rrethanave politike, ishin “shuar” ose ishin ripërtërirë, kishte qenë e organizuar jeta kishtare në këto hapësira. Dhe kontinuiteti kishtaro-administrativ i tyre nuk mund të kontestohet[22], ndonëse pas tërmetit katastrofal të vitit 518 në dokumentat kishtare nuk hasim në lajme as për kishën as për ipeshvijt e qytetit të Scupit dhe të mbarë Dradanisë.

Mirëpo jeta kishtare vazhdon në një qendër tjetër, në Justiniana prima[23]. Dhe pse jo, kur dihet me saktësi se Justiniani (527-565) e ndërtoi Justinianën e parë dhe e ngriti atë në aspektin kishtar në rang të argjipeshkvisë dhe të mitopolisë me të gjitha prerogativat. Në fakt të gjithë njohësit e mirë të kësaj problematike pajtohen njëzëri se Justiniana prima është trashigimtare e ipeshkvisë së Shkupit të lashtë[24] që qëndroi besnike ndaj Papatin të Romës. Për këtë unitet me Papatin e Romës dëshmojnë edhe Novellat X dhe CXXXI të Justinianit.

Mirëpo edhe Justiniana Prima, për shkak të dyndjeve të pandërprera të popujve të ndryshëm barbarë dhe të sllavëve, nuk do të qëndrojë gjatë. Dhe për herë të fundit, më sa dihet deri më sot ajo përmendet në aktet kishtare në vitin 602, kur Gjonin, argjipeshkvin e saj, përpiqet ta ndërrojë perandori Maurik (582-602). Kundër dëshirës autokratike të këtij perandori ishte angazhuar vetë Papa i Romës, Gërguri i Madh. Kjo shihet qartë edhe nga korrespodenca e Papës, Gërgurit të Madh, letrat e të cilit ishin adresura për Gjonin, argjipeshkvin e përmendur, i cili, përkundër kundërshtimit të perandorit Maurik, mbetet drejtues shpirtëror i këtyre visive. Ky është njëherit edhe ipeshkvi i fundit që përmendet si argjipeshkë i Justinianës së Parë[25].

Dhe n`atë kohë, pas vitit 602, për Kishën katolike shqiptare të Dradanisë (Kosovës), fillon një kohë e vështirë, një përiudhë që është quajtur me të drejtë koha e errët[26], ndonëse në Konëilin e VII ekumenik, që është mbajtur në Nice më 787, marrin pjesë, pos të tjerëve, edhe ipeshkvinjt e Drdanisë[27]. Dhe ky fakt dëshmon se, ndonëse në kushte të vështira, jeta kishtare në këto hapësira ishte e organizuar mirë, ndërsa jeta pastorale i përshtatej kohës.

Sa i përket dioqezës së Shkupit, ajo përmendet në mbarim të shekullit të IX. Në një dokument të shkruar në gjuhën greke në mesin e dioqezave të ndryshme përmendet edhe selia e ipeshkvisë së Shkupit, kurse në fillim të shek. VIII e njohim emrin e një ipeshkvie të saj. Në fakt ky është njëfarë Marinus “episcopus… indignus sanctissmae Dei Genitricis de Scopia” (ipeshkëv… i padenjë i Shenjtërueshmes Hylindëse në Shkup). Kështu ai nënshkruhej në letrën e dërguar Papës Inocentit III, 1204[28]. Mirëpo ky vit nuk mund të merret si “terminus post quem” i fillimit të kësaj dioqeze[29]. Ndërkaq nga korrespondenca e Papës Inocentit III (1198-1216) mësojmë mjaft për hierarkinë kishtare të trevës dardane[30]. Përveë dy arqipeshkvive, përmenden në këto letra edhe pesë ipeshkvij sufraganë si: Scopiensis (Shkupit), Nissiensis (I Nishit), Prisdiensisi (Prisrenensis, Prizrenit, Pristinensis –Prishtinës I.A.)[31].

2. Dioqeza e Shkupit dhe jeta kishtare në kohën e sundimit të mbretërve serbë dhe në kohën e dominimit turk

Është theksuar me të drejtë se Kisha katolike shqiptare e Dardanisë (Kosovës) që në fillim të konstituimit të saj ishte zhvilluar nën ndikimet e ndryshme dhe të kundërta politike, kulturore dhe të riteve. Ajo është zhvilluar nën ndikimin e Romës, por edhe të Bizantit.

Ndonëse në Mesjetën e hershme për kierarkinë e Kishës shqiptare në Kosovë nuk kemi të dhëna të mjaftueshme, gjë që është edhe e kuptueshmë, pasi që është fjala për periudhën e dyndjeve të barbarëve dhe të sllavëve, prapëseprap në kontinuitetin e saj prej kohërave të mëparshme, nuk mund të ndryshohet[32]. Dhe, përkudër peripetive të ndryshme historike, përkundër të përzierjes së perandorëve në jetën e kishtare, përkundër pushtimit të këtyre visive nga barbarët dhe sllavët, Kisha katolike shqiptare e Kosovës, ka arritur t`i ruajë deri më sot, ndonëse kohë pas kohe të cenuara, të gjitha ingerencat, të cilat i kishte pasur dikur Shkupi i lashtë, Justiniana Prima, por edhe Ipeshkvia e Prizrenit. Dhe nga aperti kishtar, përkundër peripetive të ndryshme, kohë pas kohe edhe të ndërprerjeve, të kushtëzuara me situatë politike, dioqeza e Prizrenit mbetet gjithnjë në jurisdiksionin e Papatit.

Ç`është e vërteta, jeta kishtare në Kosovë në Kohën e sundimit të mbretërve serbë dhe të dominimit turk ishte shumë e vështirë. Gjatë kohës së sundimit të mbretërve serbë dhe të dominimit turk, Kisha katolike shqiptare e Kosovës kishte përjetuar një Golgotë të vërtetë. U ballafaqua edhe me apostazinë e madhe (shek. XVI-XIX). E ballafaquar me rrezikun e islamizimit dhe ortodoksizmit skizmatik, Kisha katolike shqiptare e Kosovës detyrohet që të struket nëpër male. Ligjet drakonike serbe si dhe ato turke kanë lënë gjurmë të thella negative.

Mirëpo, përkundër kohës së sundimit të egër, në këto treva kurrë nuk u shua përfundimisht drita e fesë katolike. Njëmend shumë kisha shqiptare të Kosovës u shëndrruan në kisha serbe ose xhami[33], mirëpo vlera shpirtërore dhe kulturore që i krijoi kleri katolik shqiptar i këtyre anëve (që nga Atë Pal Hasi e deri te Imzot Nikë Prela etj.) kanë mbetur si një drite dhe zjarri, kanë mbetur Kishë e gjallë e këtij trolli që nuk shuhet.

Dihet mirëfilli se dioqeza[34] e Shkup-Prizrenit, përkatësisht e Prizrenit është sinonim e Kishës katolike shqiptare në Kosovë. Dhe mu për këtë arsye po paraqes edhe disa të dhëna relevante mbi dioqezën e Prizrenit, që ishte bartëse e aktiviteteve të rëndësishme në fushën kishtare, politike, kulturore, arsimore dhe kombëtare, aktivitete këto që, ndonëse të ndjekura mizorisht dhe të përbuzura, kontribuan në masë të konsiderueshme në botimin e librave në gjuhën shqipe, në hapjen e shkollave shqipe etj.

Duke ndikuar në këtë mënyrë drejtpërdrejtë në kultivimin dhe pasurimin e identitetit tonë fetar, kulturor e kombëtar. Në kontekst me këtë le të përkujtojmë edhe faktin se Kisha katolike shqiptare, veçmas ajo e ritit romak në Shqipëri, në shek. XIV-XV, ishte bërë faktor i rëndësishëm në ruajtjen e pavarsisë dhe identitetit etnik shqiptar. Kjo Kishë, bashkë me të edhe ajo e Prizrenit, përkatësisht e Kosovës, së bashku me Gjergj Kastriotin-Skënderbeun ishin bërë pararojë e qytetërimit të krishterë evropian. Sësht e tepërt të theksohet se me këtë rast Shqipëria në shek. XV, pra edhe Kosova, ishte me shumicën e saj katolike romane, me dhjetëra e dhjetëra ipeshkvi dias prej të cilave, ndërto edhe ajo e Prizrenit, kanë një histori sa të lavdishme poaq edhe të stuhishme, madje që prej agimit të Krishterimit e deri në ditët e sotme.

Sa i përket, por, organizimit të Kishës katolike shqiptare në Kosovë, përveç asaj që kam theksuar edhe më parë, ajo organizohej pre ipeshkvisë katolike të Shkupit, e cila në këto treva vepron që nga fillet e krishtërimit dhe prej ipeshkvisë së Prizrenit. Kjo e fundit pas shkatërrimit në kohën e dyndjeve barbarëve dhe të ardhjes së sllavëve si duket i merr ingerencat juridike dhe titullore të Ipeshkvisë së Justiniana Sekunda[35].

Në fakt edhe pse ipeshkvia e Prizrenit përmendet në dokumentet e Bazilit II (1020) si duket ka dëshmi, ndonëse ende hipotetike, se ajo përmendet që në vitin 458, lidhur me Konçilin e Kalcedonit dhe qëndrimeve ndaj tij. Në letrën dërguar perandorit Leonit, në mesin e ipeshkvinjve të tjerë përmendet edhe Pali, ipeshkëv i Prinatenus (Paulus episcopus Prinatenus), që këtë disa prej sudiusve seriozë, e identifikojnë me Prizrenin, përkatësisht Prisrensis në vitin 1096-1105. Pavarësisht nga kjo titullarët e kësaj ipeshkvie janë njohur gjatë shekujve XI, XII e sidomos prej shek. XIII.

Në të vërtetë në letrën e Papës Inocentit IV, e datës 12.IV. 1253, në mesin e sufraganëve të Ipeshkvisë së Tivarit përmendet edhe ipeshkvi i Prizrenit, kurse në shek. XIV përmenden tre ipeshkvinj, Dominikan Konrad (1313-1320), Bendikti (1335, 1338), Gjoni 1375) dhe në fillim të shek. XV Dominicani Gjergj Panduzi (1404), pas të cilit gjatë dy shekujve nuk përmenden më ipeshkvinjt dhe ipeshkvia, megjithë që Ipeshkvia si e tillë nuk shuhet, sepse më 1618 përmendet ipeshkvi Pjetër Katiqi[36]. Kuptohet se ndërprerjet e vazhdimësisë së titullarëve të kësaj ipeshkvie (dioqeze) dëshmojnë qartë për vështërsitë e shumta, por edhe për gjendjen e vështirë të shqiptarëve katolikë që u gjenden nën sundimet e egra. Megjithëatë Roma u ka bërë vazhdimisht koncesione shqiptarëve katolikë në punë të përdorimit të gjuhës popullore… edhe në punë të hapjes së shkollave dhe veçmas të Kolegjeve shqipatre[37], që kanë dhënë impulse të reja të jetës kishtare, kulturore dhe kombëtare edhe në trevën e ipeshkvisë së Prizrenit, të Kosovës.

Kisha katolike shqiptare e Kosovë, përkundër ngjarjeve të vrullshme politike, përkundër ndjekjeve nga ana e mbretërve serbë, sunduesve bizantinë e despotëve të tjerë, përkundër uzurpimit të Kishave katolike shqiptare nga ana e serbëve dhe myslimanëve[38], ka mbetur e gjallë ndër këto troje duke dhënë personalitete shumë të shquara edhe për Kishën edhe për Kombin (Pjetër Bogdani, Tomë Raspasani, Shtjefën Gjeçovi, Gaspër Krasniqi, Nëna Terze, etj., etj.).

Por vlenë të theksohet me këtë rast se Ipeshkvia e Prizrenit ripërtrihet sidomos pas themelimit të Kongregatës së Propaganda Fide (1622), kur edhe fillon rivendosja dhe riakntivizimi i klerit dhe Kishës katolike shqiptare në Kosovë. Më 12.II. 1618 ripërtrihet Ipeshkvia e Prizrenit. Papa Pali i V për ipeshkv të kësaj Ipeshkvie emron Pjetër Katiqin. Mirëpo më 1642 për ipeshkv të Ipeshkvisë së Prizrenit emrohet Pjetër Mazreku, prizrenas, prelat ky shumë i çmuar edhe nga Selia e Shenjte. Në vitin 1651 Propaganda Fide e emroi Andre Bogdanin për ipeshkv të Ohrit, mirëpo në ndërkohë i lejohet të qëndrojë në Janjevë dhe në Prishtinë. Dhë në mungesi të prelatëve, Andre Bogdani, të cilit turqit ia kishin djegur shtëpinë e familjes, për shkak të aktiviteteve patriotike prej vitit 1666 nga ana e Propaganda Fides autorizohet që t`i administroj të gjitha katedrat vakante ipeshkvore në Serbi dhe në Kosovë, kështu që në kohën e tij bëhet edhe bashkimi personal i arqipeshkvive të Ohrit, Shkupit dhe të Prizrenit. Ndërsa arqipeshkvi e fundit e Ohrit, Franjo Soimiroviqi, kishte rezidencën në Prizren.

Mirëpo pas një marrëveshje midis Andre Bogdanit dhe F. Soimiroviqit, Kongregata e emroi Andre Bogdanin për argjipeshkëv të Shkupit, ndërsa F. Soimiroviqin e transferoi në selinë e Ohrit[39]. Dhe që nga koha e argjipeshkvit dhe martirit të Kombit, Andre Bogdanit e deri më sot dihen, madje pa shkëputje, titullarët e dioqesës së Shkup-Prizrenit, përkatësisht të Prizrenit[40], të cilët, kush më pak e kush më shumë, kanë kontribuar jo vetëm në ruajtjen e fesë së të parve, por edhe në zhvillimin dhe pasurimin e vlerave kulturore dhe shpirtërore të frymës evropiane. Dhe jo rastësisht, prandaj Selia Shenjte për ipeshkëv dhe arqipeshkëv të Kishës katolike shqiptare gjithmonë ka emruar shqiptarë shumë të arsimuar dhe me autoritet të madh siç sishin Pjetër Mazreku, Andre Bogdani, Pjetër Bogdani, Gjon Nikollë Kazazi, Mate Krasniqi, Pashk Trokshi, Lazër Mjeda, Andre Logoraci, Nikë Prela, etj.

Këta pishtarë të Dritës së Ungjillit, të arsimit kombëtar dhe të kulturës, ndonëse në rrethana të vështira endër rreziqe të shumta, kanë shërbyer, siç do të shprehej edhe F. S. Noli[41], pë t`i lidhur shqiptarët, për t`i bashkuar ata me Perendimin. Për këta njerëz, siä do të shprehej edhe Çabej[42], e për kohën në të cilën jetaun, atdhe, gjuhë e bësim ishin trinom i pandarë. Dhe lufta ata luftuan për ruajtjen e këtyre vlerave. Gjatë jetës së tyre shohim ata të luftojnë konsekuenetisht e me vullnet të pathyer në lëmin kishtar, politik, kulturor dhe patriotic. Te këto personalitete lufta për ruajtjen e fesë së të parve dhe të gjuhës së bvendit, në rrethanat e kohës, përbënte, pra, një njësi të pandarë[43].

Kisha katolike shqiptare e Kosovës, ndryshe nga ajo e Shqipërisë, ka pasur një ecje më të mirë, më të favorshme. Në fakt Kisha e Shkup-Prizrenit e deri më 1914 quhej arqipeshkvi. Mirëpo prej vitit 1821 e deri më 1934 rezidenca ipeshkvnore ka qenë në Prizren, e pastaj kalon në Shkup. Selia Shenjte, ndërkaq, me aktin nr. CXXXIII nr. %53, dt. 2. X. 1969 bëri sërisht riorganizimin kishtar në këto treva. Me këtë akt u ripërtëri ipeshkvia e dikurshme e Prizrenit, kështu që e tërë dioqeza quhet me emrin e ri: Ipeshkvia Shkup-Prizrenit, ndërsa për komunitetin e katolikëve shqiptarë emrohet për ipeshkëv ndihmës “sedi datus” Nikë Prela, intonizimi I të cilit bëhet në Prizren më 6. I. 1970.

Sërisht më 1993, Selia Shenjte, pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, bëri një riorganizim kishtar në këto treva. Emroi për ipeshkëv rezidencial të Kosovës Imzot Nikë Prelën (+), me rezidencë në Prizren, ndërsa për vikar gjeneral Dom Ndue Gjergjin. Me ardhjen e Imzot Nikë Prelës, në jetën e Kishës katolike shqiptare të Kosovës ndjehet një gjallëri e dukshme si në jetën shpirtërore ashtu edhe në veprimtarinë e botimeve të ndryshme në gjuhën shqipe, botime këto që kanë një rëndësi të madhe, jo vetëm për historinë e kishës, por edhe për historinë e letërisë shqipe.

Ndërsa në nëntor të vitit 1995, Selia Shenjte për ipeshkëv të komunitetit katolikë shqiptarë të Kosovës emroi meshtarin dhe misionarin e merituar të këtyre anëve Dom Mark Sopin, shugurimi I të cilit për shkak të rrethanave të vështira në Kosovë, u bë në Romë më 6. I. 1996. Ndryshim e statusit administrativ te Kishës katolike shqiptare në Kosovë ka pasë edhe pas luftës së fundit dhe pas instalimit të administratës ndëkombëtare në Kosovë( vër. e www.stublla.com-it). Imzot Mark Sopi është trashëgues i drejtpërdrejtë i Imzot Nikë Prelës dhe atyre prelatëve të lartë të Kishës katolike shqiptare të Kosovës që, bashkë me vendësit dhe me parësinë e vendit kanë mbrojtur me guxim interesat e popullit, lirinë shpirtërore dhe përparimin e gjithëmbarshëm: AD MAIOREM DEI GLORIAM.

—————————

[1] Kosova, trevë kjo që ruan dëshmi e monumente arkeologjike nga fillimet e neolit (6000-2600, para Krishtit), si kuptim gjeografik, ka hyrë në histori pas Betejës së parë të Kosovës (1389), ku morën pjesë edhe shqiptarët katolikë (idhtarë të Kishës katolike shqiptare që e njihnin Papën e Romës për epror të tyre) në krye me Muzakajt, Balshajt, Dukagjinasit, Kastriotët. Kështu ndodhi ngase kjo betejë u zhvillua në Albani, në tokën shqiptare, në rrënzë të malit Albanik (sot i quajtur Kopaonik) në luginën e lumit Alb (Lab), në perendim të qytetit të lashtë xehetar-metalurxhik Kosova. Kështu meqë ajo Betejë u zhvillua afër qytetit Kosovë, gradualisht, në pjesën e Ballkanit Qendror mori këtë emër, që më vonë u përcaktua vetëm në këtë Krahinë.

Me formimin e Vilajetit të Kosovës (1877-1912) me qendër njëherë në Prishtinë e më vonë në Shkup, kuptimi gjeografik Kosova, u zgjerua në gjithë teritorin e Dardanisë Antike. Ekzistonte edhe Mbretëria e Dardanisë (e Kosovës së sotme). (Dr. Skënder Rizaj, Shqiptarët dhe Serbët në Kosovë, Zëri, Prishtinë 1991, fq. 16-17, por edhe Betrandon de la Brokier, Putovanje preko mora, Beograd, 1950). Ç`është e vërteta qysh nga mijëvjeqari i parë para Krishtit territori i sotëm i Kosovës dhe më gjërë paraqiste një unitet kulturorë e etnik të dardanëve (të kosovarëve) si një nga fiset ilire. Prania e këtij etnosi në këtë hapësirë e dëshmojnë edhe historianët dhe gjeografët antik (Heredoti, Apijani, Stroboni, Pliniu, Prolomeu, etj.), por edhe studiuesit e kohës më të re. Për Dardaninë dhe dardanët është ruajtur një bibliografi e pasur. Nga vargu i përkrahësve të tezës që i konsideron dardanët ilirë, po i përmendim studiuesit siç janë: Rydiger Mak, Tomashek, Mirdita, Dobruna, etj. Për Dardaninë si djep i hershëm i shqiptarëve është shprehur që në fillim të këtij shekulli (XX) edhe M. E. Durham. Madje edhe të dhëna të shumta e të sigurta historike-arkeologjike-materiale ofrojnë prova të sigurta për kontinuitetin iliro-shqiptar (arbëror) jo vetëm në teritorin e sotëm të Kosovës, por në hapësirën e gjërë të Ilirisë së Jugut (J. Drançolli, Zëri, 29.07.1994).

Loading...
Loading...
Loading...
Advertisements

Comments are closed.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy
%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close