Advertisements

Frymen e Albinit nuk mund ta burgosin

Lirim GASHI


I kontestuar, sfiduar dhe persekutuar si askush para dhe pas tij, sa nga pushteti i dikurshëm fashist serbo sllav, po aq (në mos më tepër) edhe nga pushtetet e pasluftës në atdhe për lirinë e të cilit u sakrifikua deri në vetëmohim asketik, si në kohën e aparthejdit ashtu edhe pas çlirimit, Albin Kurti i pëlqeu kjo apo jo kundërshtarëve të tij politik, që moti ka hyrë në zemrat e miliona shqiptarëve të të gjitha moshave e sidomos atyre të moshës së re. Fjala është për një armatë të tërë njerëzish të dëshpëruar dhe të pashpresë deri në rezignim kolektiv, pa dallim moshe, klase e gjinie me rezultatet e politikës së brendshme diletante, nepotiste dhe mafioze dhe asaj të jashtme servile, nënshtruese dhe zvarranikë që i karakterizoi të gjitha qeveritë e pasluftës pa dallim.

Shtrohet pyetja cilat janë ato veçori njerëzore, politike, kulturore dhe edukative që e karakterizojnë personalitetin e Albin Kurtit dhe që e katapultuan atë në njeriun dhe politikanin më të përfolur, kontestuar, linçuar, përndjekur, persekutuar dhe urryer nga kundërshtarët politik e sidomos nga ata në pushtet në njërën anë dhe në personalitetin më të formuar, kompletuar, votuar, adhuruar, autentik, karizmatik dhe kompetent të skenës politike shqiptare, por edhe në magnetin e masave të gjëra popullore e sidomos atyre të moshës së re, në anën tjetër.

“Të gjithë kanë frikë nga ardhja e Albin Kurti, revolucionarit të pathyeshëm studentor, njeriut të drejtë dhe parimor si dhe politikanit të pakompromistë socialdemokrat në pushtet. Bëhet fjalë për një njeri dhe politikan rebel i cili i jeton dhe jetëson deri në vetmohim të paparë bindjet dhe idetë e veta, pa u brengosur fare për çmimin që e paguan personalisht për arritjen e qëllimit përfundimtar: bashkimin e të gjitha trojeve etnike shqiptare në një shtet të përbashkët” shkruan Gazeta e njohur gjermane “Der Spiegel”.

Serbet ia kanë frikën, ngaqë e përjetojnë si një nacionalist të tmerrshëm, organizatat ndërkombëtare i’a kanë frikën sepse i sheh si dorë të zgjatur të kolonializmit global neo-liberal, ndërsa kundërshtarët e tij politik në Kosovë i’a kanë frikën ngaqë e përjetojnë si një rrezik për demokracinë dhe integrimet euro-atlantike për shkak të bindjeve të tija majtiste.
“Alles Quatsch und Unsinn” ( të gjitha janë dokrra të pakuptimta ) e vazhdon gezeta gjermane rrëfimin e saj për Albin Kurtin. Është shumë e vërtetë që i’a kanë frikën, por kjo frikë është e bazuar vetëm në paragjykimet e sajuara nga propaganda e pushtetit të korruptuar der në fyt dhe organizatave të inkriminuara ndërkombëtare.

E vërteta është që “Establishmenti Politik” ka frikë nga Albini, sepse ai kërkon përgjegjësi dhe llogaridhënie për krimin e organizuar, korrupsionin, privatizimin dhe tenderimin mafioz, kapjen e organeve të drejtësisë, rendit publik, rrënimin e arsimit, kulturës dhe shkencës dhe qasjen diletante e nënshtruese të negociatorëve kosovar në negociatat e Brukselit që prodhuan shkelje të sovranitetit dhe bllokadë të funksionimit të shtetit.

Përfaqësuesit e biznesit ia kanë frikën sepse ai është kundër pabarazisë sociale, klasore e gjinore e sidomos kundër eksploatimit të punëmarrësve dhe puntorëve dhe shkeljes së dinjitetit të tyre njerëzor.

Misionet e OKB dhe BE në Kosovë ia kanë frikën, sepse ai i emërton ata ashtu siç e meritojnë “administratë joefikase, kolonialiste e korrupte.

Pakica serbe e urren sepse ai i pengon aspiratat e Serbisë për krijimin e shtetit serb përbrenda shtetit të Kosovës.

“Gjithçka është gënjeshtër”, thotë Kurti në bisedë me median gjermane: “Imazhi ynë negativ është një projeksion propagandistik i regjimit të korruptuar, sepse ne jemi për atë që në Kosovë të mbizotërojnë drejtësia demokratike, ligjore dhe sociale”.

Edhe kjo është e vërtetë. Partia e tij kurrë nuk kishte probleme me pakicën serbe, por ishte thjesht kundër trysnisë që ia bënte Serbia pakicës serbe në Kosovë për të mos u integruar në sistemin politik dhe institucional por edhe për t’a sabotuar shtet-ndërtimin.

“Ne nuk jemi kundër misioneve ndërkombëtare në Kosovë , thjesht duam të trajtohemi si shtet i pavarur, sovran, sidomos nga BE-ja. Askush nuk duhet të frikësohet nga Vetëvendosja dhe unë”.

I dënuar dikur me 15 vite burgim Kurti, tani po përpiqet të jap imazhin e një burrështetasi. Ai është një personalitet i ndritur, dhe i formuar politikisht në fazën e lëvizjeve të padhunshme të shqiptarëve në ish Jugosllavi. Si aktivist studentor ai organizonte protesta kundër regjimit të diktatorit Slobodan Miloshević dhe më vonë punonte si përfaqësues politik i UÇK-së.
Për shkak se shihej si armik i shtetit serb ai u dënua me 15 vjet burg në vitin 1999.

Në fillim të gjykimit, Albin Kurti ka deklaruar se është shtetas i Republikës së Kosovës, se nuk e pranon këtë gjykatë, por vetëm gjykatën e popullit të vet, se nuk do të përgjigjet në pyetjet e gjykatës dhe se refuzon avokatin. Në aktakuzë theksohet se Albin Kurti “gjatë vitit 1998, ka marrë pjesë në krijimin e bandës, e cila ka qenë në përbërje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” dhe se ka marrë pjesë në “negociatat për këmbimin e policëve në Dragobil e Likoc”, se ka “qenë anëtar ilegal i Kryesisë së Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës” dhe “sekretar i përfaqësuesit politik të UÇK-së – Adem Demaçit”.Gjatë këtij procesi gjyqësor, Albin Kurti, midis të tjerash, ka thënë se si anëtar i Kryesisë së Unionit të Pavarur të Studentëve dhe si kryetar i Komisionit për Bashkëpunim Ndërkombëtar të këtij Unioni ka organizuar demonstratat e studentëve, “që kishin për synim pavarësinë e Kosovës dhe marrjen e Universitetit, si dhe kthimin e studentëve dhe profesorëve shqiptarë”. Sipas fjalëve të Albinit, qëllimi i demonstratave ka qenë “pavarësia e Kosovës dhe lufta kundër regjimit serb, i cili me forca policore e ka pushtuar Kosovën dhe ka ushtruar dhunë ndaj shqiptarëve”. Albin Kurti po ashtu ka deklaruar para gjykatës se është e vërtetë se ka qenë sekretar i përfaqësuesit politik të UÇK-së, Adem Demaçit, dhe se këtë e ka bërë për shkak të admirimit dhe respektit ndaj tij dhe për ta përkrahur dhe paraqitur politikën e UÇK-së” për realizimin e qëllimit të shenjtë – Pavarësisë së Kosovës dhe çlirimit të shqiptarëve nga regjimi okupues fashist i Sllobodan Millosheviqit. Albin Kurti u dënua me 15 vjet dhe pas ardhjes së Koshtunicës në pushtet u lirua për shkak të presionit ndërkombëtar një vit pas rrëzimit të Milosheviqit.

Në vitin 2004 ai e themeloi Levizjen Vetëvendosjen me idenë programore të demokracisë themelore që duhet të monitorohej nga shoqëria civile por pa e dobësuar republikanizmin nacionalist shqiptar që në shikim të parë duket si një koekzistencë kontradiktore, por në realitet është dëshmuar si shumë efikase në Evropën perëndimore.

Vetëvendosja fitoi famë pas protestave të shumta dhe të dhunshme kundër administratës së përkohshme të OKB-së të Kosovës dhe misionit ligjor të BE-së në Kosovë.

Misionet ndërkombëtare në Kosovë ka kohë që e kanë humbur kredibilitetin për shkak se ato janë duke u lidhur gjithnjë e më tepër me elitën e korruptuar në vend dhe për shkak se në vitet e fundit miliarda euro kanë hyrë Kosovë pa ndikuar në mirëqenien e popullit – kurse Kosova vazhdon të mbetet vendi më i varfër në Europë.

Jo vetëm kaq, në vitet e fundit, Vetëvendosja u bë në sytë e shumicës shqiptare e vetmja parti politike e besueshme në vend . Partia në fjalë nuk ishte deri më tani pjesë e pushtetit qeverisës në Kosovë. Në Prishtinë, ajo fitoi zgjedhjet komunale në vitin 2013 – dhe qysh në fillim ka dëshmuar se është në gjendje të pastrojë komunen nga korrupsioni dhe nepotizmi.

Kurti gjithnjë i ishte më largpamës se sa konkurrenca politike. Kështu ai shumë kohë para fillimit të negociatave të Brukselit ishte kundër negociatave pa parakushte. Ai e paralajmëroi bosnjizimin e Kosovës kur shumica e politikanëve shqiptarë luftonin me fjalorin e gjuhës shqipe për t’a kuptuar fjalën bosnjizim.
Në anën tjetër nga përfaqësuesit perëndimorë Kurti dhe Vetëvendosje u kritikuan ashpër për shkak të protestave të dhunshme dhe përdorimit të gazit lotsjellës në Parlament me qëllim të pengimit të ratifikimit të marrëveshjeve të dëmshme me Serbinë të nënshkruara nga pushtetarët kosovarë në Brukselit largë syve të opinionit dhe pa përfilljen e Parlamentit.

Kështu, Vetëvendosja është rreptësisht kundër një statuti të posaçëm për pakicën serbe, siç është “Asociacioni i Komunave Serbe të Kosovës”, i cili si institucion autonom do të kishte fuqi kushtetuese të vetos.

Kjo do të çonte në bosnjëzimin e Kosovës, paralajmëroi shumë herët Kurti, duke iu referuar ndarjes strikte etnike të Bosnjë-Hercegovinës, e cila gjithnjë e më shumë po e degradon shtetin.

Frika nga Vetëvendosja është e pajustifikuar – thonë shumë njohës të këtyre çështjeve në vend.

“Demokratizimi i brendshëm do të ishte gjë e mirë”, thotë Luan Shllaku, drejtor i Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS), ndërsa ekonomisti Andrea Lorenzo Capussela, i cili ka punuar në administratën civile ndërkombëtare të Kosovës nga viti 2008 deri në vitin 2011, është një kritik i ngjashëm i pushtetit të korruptuar dhe jodemokratik, por edhe i organizatave të korruptuara ndërkombëtare në Kosovë si Albin Kurti.
Albin Kurti do ishte në fakt një kandidat i përshtatshëm për tolerancën ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve – sepse ai vetë ishte viktimë e nacionalizmit dhe shovinizmit serb.
Disa bashkëkombas të tij kur ai para tre vitesh u martua me të dashurën norvegjeze Rita Augestad Knudsen, nëpër rrjetet sociale e shfaqen mllefin e tyre duke u shërbyer me paragjykime raciste dhe shoveniste për martesën “jo-shqiptare” të Kurtit, por kjo atij nuk i bëri aspak përshtypje, përkundrazi komenti i tij i vetëm ishte “dashuria e sinqertë ndaj bashkëshortes, fëmijëve, familjes dhe atdheut nuk ka alternativë.

Po e përfundoj shkrimin me fjalët shumë domethënëse të Jusuf Thaçit:
Albin Kurti me vizionin, intelektin, moralin, idealizmin, guximin, vullnetin, këmbëngulësinë, parimësinë, sakrificën, humanizmin dhe aktivizmin e tij e ka ngritur Lëvizjen Vetëvemdosje nga hiçi deri këtu ku është sot. Pa Albin Kurtin Lëvizja Vetëvendosje as nuk do të ekzistonte e as nuk mund të ekzistojë!

Lehtë e kanë ta luftojnë Albinin ata që janë ngritur lart pikërisht duke u fshehur pas emrit, punës, vlerave dhe meritave të tij, sepse Albini nuk është ruajtur prej tyre, por një minimum etike do ta kërkonte që së paku t’i shpallin “luftë publike” Albinit kur ai është jashtë grilave.

Sidoqoftë, të tillët duhet ta dinë që Albini nuk është thjesht një individ, është frymë pa të cilin nuk mund të frymojë Lëvizja Vetëvendosje. E fryma nuk është e nuk mund të mbahet brenda grilave!

Advertisements
%d bloggers like this: