Advertisements

Homazhe sot në nderim të Kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës , Jonuz Musliu

ATSH/.- Qytetarë, miq, të afërm, bënë homazhe sot në nderim të Kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës dhe kryetarit të Lëvizjes së Progresit Demokratik, Jonuz Musliu, i cili ndërroi jetë dy ditë më parë pas një sëmundje të rëndë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duke i shprehur ngushëllime familjes, bashkëluftëtarëve dhe qytetarëve të Preshevës e gjithë Kosovës theksoi se “Musliu ishte një atdhetar që jeta e tij kishte veç një kuptim, siç është përpjekja për të drejtën e popullit të tij”.

“Në librin e zisë për të shkrova vetëm një fjalë Jonuz si ti, si populli ynë, luftë vuajtje, por me nder”, tha Haradinaj.

Pas homazheve të zhvilluara në teatrin e Gjilanit u mbajt edhe një mbledhje përkujtimore ku u vlerësua kontributi i tij në avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Kosovën Lindore.

Ndërsa kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, theksoi se Jonuz Musliu aq shumë e ka dashur vendin, atdheun, kombin saqë ia ka kushtuar gjithë jetën e tij.

Ai tha se gjithë sakrifica e Jonuzit lidhet me rezistencën, veprimtarinë dhe me kryengritjen ushtarake. Gjithashtu, Haziri ndau një mirënjohje pasvdekjes për Jonuz Musliun për veprën dhe punën e bërë.

Për t’u ndarë me veprimtarin, Jonuz Musliu ishte edhe kryetari i komunës së Bujanocit,  Shaip Kamberi, i cili tha se një jetë më e mirë për të gjithë në Luginën e Preshevës dhe dashuria e madhe për vendlindjen ishin idealet që e kanë përshkruar rrugën jetësore të Musliut, që nga rinia e tij e hershme dhe deri në ditën kur sëmundja e rëndë e ndau fizikisht nga ne.

Kamberi theksoi se po ndahet vetëm fizikisht nga Jonuz Musliu, pasi do të vazhdojnë rrugëtimin e nisur bashkë.

Ndërsa në emër të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, foli këshilltari i tij Haki Shatri, i cili shprehu ngushëllimet për vdekjen e parakohshme të Jonuz Musliut. E në emër të familjarëve foli djali i Jonuz Musliut, Shqiprim Musliu. Ai tha se do të vazhdojnë të jenë pranë banorëve të Kosovës Lindore siç ka dashur babai i tij.

Musliu ishte kryetar i kuvendit të komunës së Bujanocit dhe kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve. I lindur në vitin 1959, Musliu ishte i burgosur politik, ndërsa ka drejtuar Këshillin Politik të ish Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, një formacion i kryengritësve shqiptarë që luftonin për më shumë të drejta në Serbi.

Pas përfundimit të konfliktit në zonë, në pranverën e vitit 2001, me ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtar, Musliu themeloi Lëvizjen e Progresit Demokratik dhe u përfshi në jetën politike në Luginën e Preshevës./KosovaPress/k.s/

Advertisements

Comments are closed.

%d bloggers like this: