Advertisements

Kështu e asimiloi Athina Maqedoninë e Egjeut?

⦁ Fjala është për emigracionin politik maqedonas (sipas Shkupit), bullgar (sipas Sofjes) greko- sllav ose sllavo-grek (sipas Athinës) të Maqedonisë së Egjeut, larguar (apo përzënë) mbas Luftës Civile, të viteve 1946-1949 në Greqi, njëlloj si rasti i çamëve
⦁ Shaqir Vukaj
18/12/2016 – 08:01

Ndërmjet shumë problemeve ballkanike, të trashëguara nga e kaluara dhe të pazgjidhura deri më sot, është dhe ai i emigrantëve apo refugjatëve të larguar sllavo-maqedonas të përzënë nga Maqedonia e Egjeut.
Problemi i emigrantëve të larguar nga Maqedonia e Egjeut është i vjetër dhe lidhet, në radhë të parë me ndarjen e Maqedonisë, si rezultat i Luftërave Ballkanike. Sipas Marrëveshjes së Bukureshtit të vitit1913, hapësira historiko-gjeografike e Maqedonisë, e banuar nga popuj e kombe të ndryshme, u nda midis Greqisë (51 përqind e territorit – Maqedonia e Egjeut ), Serbisë (38 për qind – Maqedonia Vardare) dhe Bullgarisë (11 përqind – Maqedonia e Pirinit).
Numri i maqedonasve sllavë të larguar nga Maqedonia e Egjeut është i madh, por në këtë shkrim, fjala është për emigracionin politik maqedonas (sipas Shkupit), bullgar (sipas Sofjes) greko- sllav ose sllavo-grek (sipas Athinës) të Maqedonisë së Egjeut, larguar (apo përzënë) mbas Luftës Civile, të viteve 1946-1949 në Greqi, njëlloj si rasti i çamëve tanë…
Si rezultat i luftërave Ballkanike, shpërbërjes së Perandorisë Osmane dhe kryesorja vendimeve të padrejta të Konferencës ë Londrës, Greqia ishte ndër vendet ballkanike që u zgjerua më shumë. Kështu, po t’i referohemi dokumenteve zyrtare rezulton se nga viti 1900 deri në vitin 1913 (mbas vendimeve të Konferencës së Londrës) territori i Greqisë pothuajse është dyfishuar. Kështu nga rreth 60 mijë kilometër katrorë, ka shkuar në rreth 120 mijë kilometër katrorë dhe, me ndryshimet e mëvonshme të kufijve, në vitin 1922, territori i saj ka arritur në rreth 131 mijë kilometër katrorë.


Po prej këtyre dokumenteve, rezulton se rritja e popullsisë deri në vitin 1907 ka qenë normale për kushtet e asaj kohe, krahasuar dhe me rritjen natyrale të popullsisë në vendet tjera ballkanike. Rritja e madhe e popullsisë së shtetit grek dhe pothuajse dyfishimi i saj ka ndodhur në vitet 1912-1913, pikërisht atëherë kur u dyfishua territori i saj. Por rritja ka vazhduar edhe në vitet e mëvonshme, kryesisht si rezultat i këmbimit të popullsive me Bullgarinë e veçanërisht me Turqinë, duke arritur në vitin 1928, në 2.4 herë me shumë se në vitin 1907.
Referuar shifrave të regjistrimit të vitit 1928, rezulton se në këtë kohë vetëm 38 për qind e popullsisë ishin grekë (sipas regjistrimit të vitit 1907), ndërsa 55 për qind ishin banorë të territoreve të shtuara, si dhe grekë të kthyer nga vendet e tjera, kështu që kishte ndryshuar krejtësisht përbërja etnike e Greqisë dhe në mënyrë të veçantë e Maqedonisë Egjeut. Vëmë në dukje se gjatë shkëmbimit të popullsisë me Turqinë, një pjesë  madhe e myslimanëve të dërguar në Turqi ishin shqiptarë. Sipas shumë studiuesve europianë, në të gjitha regjistrimet e bëra në Greqi, arvanitasit dhe shqiptarët ortodoksë të Çamërisë, Athina zyrtare i regjistronte si grekë…
Sllavët e Greqisë, kanë jetuar prej shekujsh në atë pjesë të hapësirës ballkanike multietnike të quajtur Maqedoni, që u përfshi brenda territorit grek mbas shpërbërjes së Perandorisë Osmane, dhe luftërave ballkanike të viteve 1912-1913, dhe që njihet me emra të ndryshëm: Maqedonia e Egjeut, Maqedonia Greke, Maqedonia Bjellomore dhe jo rrallë si Maqedonia e Jugut.
Sipas statistikave të Lidhjes së Kombeve, në këtë pjesë të Maqedonisë, që përbënte 51 përqind të territorit të krejt Maqedonisë dhe rreth 25.9 për qind të territorit të Greqisë së sotme, në momentin e përfshirjes së saj brenda Greqisë, në v. 1913, kanë jetuar 43 për qind grekë, 39 për qind turq (në këtë numër janë përfshirë dhe shqiptarët myslimanë), 10 për qind sllavë, 8 për qind hebrenj etj. Sipas të dhënave që jepen nga Sofja, në atë periudhë, aty kanë jetuar 330 mijë bullgarë, 314 mijë turq (brenda kësaj shifre janë përfshirë shqiptarët myslimanë), 237 mijë grekë, 44 mijë vlleh, 66 mijë hebrenj, 15 mijë shqiptarë etj. Sllavo maqedonasit kanë jetuar në rajone të caktuara, në mënyrë kompakte. Në këtë pjesë të Maqedonisë kanë lindur krijuesit e alfabetit sllav, vëllezërit Cirili dhe Metodi, themeluesi i Partisë Social-Demokrate Bullgare, Dimitri Bllagojev, personalitete të shquara Goce Dellcev, Hristo Smirnenski, Kryeministri i Bullgarisë në vitet 50-të të shekullit të kaluar Anton Jugov dhe shumë figura të tjera të njohura të Maqedonisë Vardare apo të Bullgarisë.
Menjëherë mbas bashkimit të Maqedonisë së Egjeut me Greqinë, Athina filloi të ndiqte një politikë diskriminuese ndaj popullsive autoktone jo greke, që ishin përfshirë brenda territorit grek, me qëllim zhdukjen ose tjetërsimin e tyre, politikë që qeveria e Athinës e ka filluar shumë herët dhe e ka ndjekur në mënyrë konstante deri në ditët e sotme. Menjëherë mbas Luftërave Ballkanike, që në vitin 1913 Athina zyrtare ka filluar largimin gradual të popullsisë sllave nga Maqedonia e Egjeut ose greqizmin e saj.
Elefterios Venizellos, në programin e tij, kishte venë si detyrë asimilimin e shkombëtarizimin e popullsive jo greke, për të krijuar “unitetin harmonik” siç shprehej ai, me territoret e tjera greke…
Për sllavët e Maqedonisë së Egjeut, kjo politikë, krahas të tjerash, filloi të konkretizohej menjëherë duke përdorur lloj-lloj mënyrash e pretekstesh. Krahas dhunës e formave të tjera për realizimin e saj, në vitin 1919 me marrëveshjen midis Greqisë dhe Bullgarisë për shkëmbimin “vullnetar” të popullsive, sipas së cilës, dhjetëra mijëra sllavë shkuan nga Greqia në Bullgari në këmbim të popullsisë greke që jetonte në Bullgari e që u kthye në Greqi (sipas të dhënave të Sofjes në këtë periudhë, nga Maqedonia e Egjeut kanë shkuar në Bullgari rreth 90 mijë vetë).
Marrëveshja e Lozanës e vitit 1923, midis Greqisë e Turqisë, për shkëmbimin reciprok të popullsive, ka sjellë një valë të re shpërnguljesh. Në zbatim të kësaj marrëveshjeje, nga Turqia kanë  shkuar  në Greqi  rreth 600-700 mijë grekë që i vendosën kryesisht në Maqedoninë e Egjeut, duke bërë që popullsia e Maqedonisë së Egjeut të arrinte në afër 1.5 milion banorë dhe kryesorja, të ndryshonte raporti etnik  në favor të popullsisë greke ndaj  popullsive jo greke.
Si rezultat i politikave shkombëtarizuese, shkëmbimeve të popullsive me Bullgarinë dhe veçanërisht me Turqinë dhe vendosjes së të gjithë grekëve të kthyer në Maqedoninë e Egjeut, u arrit që në vitin 1926, sipas të dhënave të Ligës së Kombeve, popullsia greke në Maqedoninë e Egjeut jo vetëm të rritej në mënyrë të dukshme, por kryesorja të rritej numri i grekëve duke u bërë dominues në krahasim me banorët e kombësive tjera (sllavo maqedonas, turq, shqiptarë, hebrenj etj.)  të kësaj krahine.
Duke qenë se brenda kufijve të shtetit grek ishin përfshirë  popullsi e minoritete jo greke, në gusht të v. 1920, vendet e Antantës nënshkruan në Sever “Marrëveshjen për mbrojtjen e kombësive jo greke në Greqi”, që e detyronte Greqinë të respektonte “interesat e banorëve që ndryshojnë nga shumica e popullsisë nga gjuha, kombësia dhe besimi”. Meqenëse Athina zyrtare nuk i njihte sllavët autoktonë të Maqedonisë së Egjeut si maqedonas, por si sllavë bullgarë, në v. 1924, nëpërmjet protokollit të nënshkruar midis Ministrave të Jashtëm grek dhe bullgar, Qeveria Greke pranonte zyrtarisht ekzistencën  e pakicës sllave bullgare në Greqi dhe angazhohej t’i njihte asaj të drejtat dhe liritë, pavarësisht se i ndikuar nga faktorë të tjerë, Parlamenti Grek nuk e ratifikoi këtë marrëveshje. Megjithatë, në zbatim të marrëveshjes së sipërpërmendur, për  mësimin në gjuhën amtare në shkolla, atë vit u hartua dhe abetarja e parë dhe u shtyp në gjuhën sllavo-maqedonase, me shkronja latine (Abecedari- siç u quajt atëherë) por që në kuadrin e politikës asimiluese mbas pak kohësh u hoq nga qarkullimi…
Në vazhdën e politikës asimiluese, në nëntor të vitit 1926, u aprovua ligji mbi ndryshimin e emrave “te huaj” dhe emërtimi vetëm në greqisht i fshatrave, qyteteve etj. si dhe greqizmi i emrave sllavë.
Gjatë diktaturës së Metaksait (1936-1941) me Dekret të posaçëm u ndalua përdorimi i gjuhës maqedonase. Me qenë se sllavo-maqedonasit flisnin vetëm në gjuhën e tyre, qeveria mori masa për “t’i mësuar” të flisnin greqisht. Të moshuarit i detyronin të shkonin në shkolla nate, ndërsa fëmijët detyroheshin jo vetëm të shkonin në shkolla greke, por edhe ta quanin veten grekë… Duket e pabesueshme, por ky Dekret është zbatuar deri vonë dhe, vetëm në vitin 1980 është lejuar përdorimi i gjuhës maqedonase, i konsideruar si dialekt sllav, por jo i njohur zyrtarisht.
Krahas shumë fakteve, dokumenteve e materialeve të botuara për politikën asimiluese ndaj sllavëve maqedonas në Maqedoninë e Egjeut, të ndjekur nga Athina zyrtare, tepër qartë flet libri “Fusha të begata, kodra të përgjakura” i autores greke Anastasia Karakasidu, Profesoreshë në Kolegjin Uesli në ShBA, botuar në v. 1997 në ShBA, ku nëpërmjet shumë fakteve e dokumenteve vërtetohet bindshëm politika shkombëtarizuese e asimiluese e ndjekur nga Athina. Aq demaskues është ky libër për politikën e Athinës, sa, në atë kohë, Ministria e Jashtme e Greqisë ka bërë të gjitha përpjekjet për të penguar botimin e tij…
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Maqedonia u rinda përsëri. Bullgaria, si aleate e Gjermanisë naziste pushtoi një pjesë të Maqedonisë Vardare, dhe një pjesë të Maqedonisë së Egjeut (një pjesë vogël e kësaj Maqedonie, me popullsi shqiptare, iu dha Italisë në kuadrin e krijimit të Shqipërisë Etnike). Pjesën tjetër të Maqedonisë së Egjeut gjermanët e “mbajtën” për vete, kështu që ajo u nda në tri pjesë.
Që në fillim të Luftës Dytë Botërore, sllavët e Maqedonisë së Egjeut u përfshinë në rezistencën antifashiste, duke krijuar edhe njësi të veçanta partizane. Kjo luftë përjetohej prej tyre si luftë për zgjidhjen përfundimtare të problemit maqedonas. Sipas të dhënave të Shkupit dhe Sofjes, krahas ushtrisë partizane greke, partizanët maqedonas të Maqedonisë së Egjeut përbënin një forcë të konsiderueshme në luftë kundër pushtuesit.
Gjatë Luftës Civile në Greqi (1946-1949), maqedonasit e Greqisë përkrahën masivisht Ushtrinë Demokratike Greke dhe, në rajonin e Maqedonisë Perëndimore dhe Qendrore, u krijua Fronti Nacional Çlirimtar (Organizatë politiko-ushtarake) i sllavëve maqedonas, i cili gjatë kësaj periudhe ka qenë shumë aktiv. Ai ishte bërë i njohur dhe influenca e tij ishte rritur  në të gjithë Maqedoninë e Egjeut. Sigurisht që kishin rolin e tyre Jugosllavia dhe Bullgaria, mbasi pavarësisht nga problemet që kishin midis tyre për problemin maqedonas, udhëheqësit e tyre vazhdonin punën për krijimin e Federatës apo Konfederatës Ballkanike, ku, sipas tyre, Maqedonia nga “mollë sherri” do të kthehej në “mollë pajtimi” dhe ku projektohej që edhe Maqedonia e Egjeut të përfshihej në këtë Federatë apo Konfederatë….
Udhëheqja e Partisë Komuniste Greke fillimisht e përshëndeti organizimin dhe luftën e këtij Fronti, por brenda popullsisë greke (edhe brenda radhëve të Partisë Komuniste Greke) kishte mendime e qëndrime të ndryshme. Kryesorja ishte se filluan të përhapeshin parulla, se ky Front kishte si qëllim ndarjen e vendit dhe shkëputjen e Maqedonisë së Egjeut nga Greqia dhe bashkimin e saj me Jugosllavinë. Kjo e detyroi udhëheqjen e PK Greke, të hiqte dorë dhe të mos ta mbështeste më, madje dhe të deklaronte publikisht se nuk kishte asnjë lidhje midis Partisë Komuniste Greke dhe Frontit Nacional Çlirimtar.
***
…Po t’i referohemi historisë rezulton, se problemi maqedonas është i vjetër, por ai është ashpërsuar veçanërisht me krijimin e shteteve të pavarura ballkanike dhe daljen hapur me pretendime territoriale ndaj njeri tjetrit. Krahas tokave shqiptare, ndaj të cilave kishin pretendime Serbia, Mali i Zi, Greqia, madje dhe Bullgaria, tepër e ashpër ishte lufta që zhvillohej për ndarjen e Maqedonisë. Për të neutralizuar dhe rregulluar problemet që lidheshin me ndarjen e Maqedonisë, krahas të tjerave ishte hedhur ideja e përpunohej varianti i formimit të një krijese federative ballkanike mbi bazën e territorit historiko-gjeografik të Maqedonisë. Varianti federativ maqedonas kishte si qëllim të neutralizonte pretendimet e Bullgarisë, Greqisë e Serbisë ndaj hapësirës multietnike që quhej Maqedoni dhe që konsiderohej si “molla e sherrit” e Ballkanit.
Pavarësisht nga mënyrat e organizimit të kësaj Federate apo Konfederate, që para Luftës Dytë Botërore, e sidomos mbas saj, udhëheqësit e Partive Komuniste Jugosllave dhe Bullgare dhe, mbas lufte, të qeverive të Jugosllavisë dhe Bullgarisë, kanë qenë shumë aktivë për realizimin e kësaj ideje. Udhëheqësit e dy partive e të dy vendeve, janë takuar disa herë, pavarësisht nga problemet e mosmarrëveshjet për mënyrën e krijimit të saj. Tërheq vëmendjen fakti se edhe udhëheqja e Partisë Komuniste Greke, fillimisht ishte shprehur për bashkimin e Maqedonisë së Egjeut me Federatën Ballkanike. Theksojmë se ndërmjet ideve e planeve që hartoheshin, kishte të tilla që krahas Jugosllavisë, Bullgarisë dhe Shqipërisë në të do bënte pjesë edhe Greqia (në ndonjë rast hidhej ideja edhe Rumania) do të përbënin ketë federatë apo konfederatë.
Por pretendimet e Jugosllavisë arrinin deri aty, sa kjo e ashtuquajtur Federatë apo Konfederatë Ballkanike, të kishte si qendër Beogradin dhe të drejtohej nga ai. Por pavarësisht nga puna për krijimin e kësaj federate apo konfederate, pa mbaruar ende lufta, Tito dhe udhëheqja e Partisë Komuniste Jugosllave planifikonte që mbas lufte Maqedonia e Egjeut të përfshihej brenda shtetit jugosllav. Tërheq vëmendjen një fakt interesant. Në takimin e zhvilluar me Stalinin, në fillim të janarit 1945 në Moskë, përfaqësuesi i posaçëm i Titos, A. Hebrang i paraqiti atij pretendimet që kishte Jugosllavia ndaj fqinjëve (Bullgarisë, Hungarisë, Italisë, Austrisë etj). Pyetjes së Stalinit, për marrëdhëniet me Greqinë, ai iu përgjigj se Jugosllavia llogariste të merrte nga Greqia Maqedoninë e Egjeut, bashkë me Selanikun. Qëndrimi i Stalinit ka qenë tepër cinik, madje kategorik kundër, duke i thënë “Po krijoni situatë ku do të jeni në pozita armiqësore me Rumaninë, Hungarinë e Greqinë dhe po përgatiteni të luftoni me gjithë botën. Nuk ka kuptim të krijoni një situatë të tillë”.
Vëmë në dukje se gjatë Luftës Dytë Botërore, në një material të përgatitur nga Ministria e Jashtme e Bashkimit Sovjetik, për të ardhmen e Ballkanit mbas lufte, theksohej se Maqedonia e Egjeut do t’i kthehet Greqisë. Por, njëkohësisht, Moska kërkonte mbrojtjen e popullsisë sllave në Greqi. Tërheq vëmendjen fakti se më 1 shtator 1946, sapo kishte filluar Lufta Civile në Greqi, përfaqësuesi i Bashkimit Sovjetik në OKB kishte ngritur problemin e mbrojtjes së popullsisë sllave atje.
Pretendimet jugosllave për bashkimin e Maqedonisë së Egjeut me këtë Federatë apo Konfederatë, kërkesë me të cilën kishte dalë dhe Fronti Nacional Çlirimtar kishte shkaktuar kundërshtime të ashpra nga shumë shtresa të popullsisë në Greqi, përfshij edhe Partinë Komuniste Greke.
Qëndrimi i komunistëve grekë i krijoi mundësi Athinës zyrtare që të rriste propagandën në radhët e popullit grek kundër këtyre qëndrimeve, gjë që solli dhe izolimin e mëtejshëm të FNÇ. Dita
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
http://www.shqiperiajone.org/analiza-histori/si-e-asimiloi-athina-maqedonin%C3%AB-e-egjeut

Advertisements

Comments are closed.

%d bloggers like this: