Advertisements

Xhevahiret e një shpirti të trazuar

Brahim AVDYLI


Kujtim Matelin e kujtojmë që moti, qoftë nga librat e Dodonës, qoftë nga poezitë e tij, qoftë nga gazeta përmetare “Dëshnica”. Si intelektual i veçantë e shohim të priret nga ndjenjat e larta, nga dashuria e pakufishme për Atdheun, për historinë tonë dhe identitetin e spikatur që shqiptarët e kanë formuar ndër shekuj. Për këto këndon papushim, midis dy maleve të larta të Shqipërisë: Tomorrit hyjnor dhe Trebeshinës që i ka shkruar dy vepra për Dodonën, si dy sinonime të vërteta orientuese për gjallërim dhe mbijetesë.

Pjesa e parë “Ndiq udhën e pikave të vesës“ fillon me poezinë “Tani është koha”. Kjo poezi është një përballje e realitetit të sotëm me atë që disa persona, me duart e tyre misterioze “I fshehën të vërtetat nën gurin e rëndë“, siç do të thoshte poeti. Ata hiqeshin si “shenjtorë”dhe hidhnin farën e përçarjes. Me këto poezi të ciklit të parë, autori na shpie në vite të largëta, ku ndien dëshirën përvëluese të brezave, ndjenjat e forta e përpjekjet e përsëritura për ta thënë me forcë të vërtetën. Gjatë kësaj përcjelljeje e kësaj përplasjeje, brenda kornizave të meditimit na del e nesërmja, që duhet të jetë më e bukur e më e drejtë.

Brezat pasojnë njëri-tjetrin, Fëmija rritet e pret të shohë të nesërmen drejt në sy. Jeta kërkon që të dilet përtej vetmisë, të bëhesh pjesë e jetës, e cila kërkon nga gjithësecili ta duam më shumë njeri-tjetrin dhe t`i flasim njëri-tjetrit me gjuhën e së vërtetës. Poeti u këndon me vëretje politikanëve të kohës së tij. Të jenë më afër shqetësimeve të popullit, të sakrifikohen për të drejtën dhe të vërtetën, të mos heshtin kur këtë e kërkojnë interesat e larta të atdheut dhe shoqërisë. Poezia mban brenda vetes epikën dhe lirikën e shqetësuar, të cilat shkrihen me njëra-tjetrën, prej poezive meditative deri te motivi popullor, nëpër pjesën vijuese “Duke ndjekur gjurmët e një ylli”, “Në kornizën e fatit”, “Në verilindje të Atdheut”, “Trëndafilla në kurorën e lirisë”, dhe “Brigjeve të Vardarit”. Na rrubullaksohet përafërsisht treshja e Atdheut.

Pjesa e III-të, “Në kornizën e fatit”, pas vjershës përkujtimore për nënën, përcillet me “Kujtim vjeshte”, kur dhe zogu sikur po hesht, për të vazhduar me motivin popullor, duke dashur të afrojë vetë poezinë e tij me vjershërimin e këngës. Në pjesën e IV në “Verilindjen e Atdheut”, e cila fillon me orakullin e Prishtinës dhe vazhdon me vargje, deri te poezia “Të qoftë me dritë udha, Kosovë”. Pastaj, cikli i V-të, “Trëndafila në kurorën e lirisë”, me mjaft poezi atdhedashëse, për të vazhduar me pjesën e fundit, “Brigjeve të Vardarit”, për mua brigjeve të Bardharit, sepse kam qenë vetë deri te “Gurrat e Bardha”, prej nga rrjedhë Bardhari. Në këtë cikël fillon poezia për Shkupin dhe eseja “Mrekulli shqiptare në qendër të Shkupit”. Është ese shumë e veçantë. Prandaj, me përmbajtjen e tij, ky libër e meriton leximin, anë e përtej trojeve shqiptare.

 

Fushë Kosovë, 03.12.2017

 

Advertisements

Related posts

%d bloggers like this: