Advertisements

FSK e Policia e Kosovës parakalojnë në Prishtinë për 10-vjetorin e Pavarësisë

ATSH/- Festimet me rastin e 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës vijuan edhe gjatë ditës së sotme.

Në seancën solemne të Kuvendit të  Republikës së Kosovës për nder të 1 dekade pavarësi,morën pjesë një numër i madh të ftuarish të rëndësishëm, krerë rajonalë e miq ndërkombëtarë të shtetit më të ri të Europës.  Të pranishëm në këtë seancë ishin edhe presidenti Ilir Meta, kryeministri Edi Rama, kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Aktivitetet festive vijuan me parakalimin e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës në sheshet “Nëna Terezë” dhe “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Në fjalën e tij, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se momenti i shumëpritur i zyrtarizmit të ushtrisë tonë është duke trokitur në derën e hapur, pasi partnerët tanë strategjikë dhe NATO janë duke e përkrahur plotësisht këtë proces.

Presidenti Thaçi tha se bërja e këtij shteti dhe çlirimi i Kosovës i ka bashkuar breza të tërë të cilët flijuan gjithçka për të bërë realitet shtetin sovran dhe demokratik, e cila ndodhi para 10 viteve, pikërisht më 17 shkurt, që ishte dhe do të mbetet ngjarja më e rëndësishme e popullit tonë.

“Herën e fundit kur kishim një parakalim të FSK-së ishte para katër viteve. FSK i kishte kryer të gjitha përgatitjet për t’u transformuar në Forcë të Armatosur të Kosovës. Fatkeqësisht ne si politikë e Kosovës nuk ishim në gjendje që t’i përcjellim si duhet në hapa Forcat e Armatosura të Kosovës, por tani gjërat kanë ndryshuar në Kosovë. Si presidenti i Kosovës jam i vendosur që shtetin e Kosovës ta bëjmë me ushtrinë e tij dhe atë sa më shpejt është e mundur”, tha ai.

Presidenti Thaçi shtoi se FSK dhe Policia të cilat janë më të mirat në rajon, janë edhe fuqia e shtetit dhe garanca më e mirë e sigurisë dhe stabilitetit të vendit tonë, prandaj momenti i shumëpritur i zyrtarizmit të ushtrisë tonë është duke trokitur në derën e hapur.

Sipas tij, partnerët tanë strategjikë dhe NATO janë duke e përkrahur plotësisht këtë proces të ushtrisë së Kosovës sepse ajo do të jetë vetëm një vlerë tjetër e shtuar në shërbim të paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.

Advertisements

Comments are closed.

%d bloggers like this: