Advertisements

Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar: Shqipëria me rritjen më të shpejtë ekonomike në rajon

/ATSH/ – Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), nën drejtimin e zonjës Anita Tuladhar, vizitoi Tiranën gjatë periudhës 7-20 mars 2018, për të zhvilluar diskutimet e Monitorimit të parë Pas Programit (MPP).

Procesi i MPP-së zhvillohet për ato vende anëtare që kanë një nivel të konsiderueshëm kredie të FMN-së ende për t’u shlyer pas përfundimit të programeve dhe ka fokus të veçantë te pikat e dobëta dhe risqet.

Në përfundim të vizitës, misioni doli me një deklaratë ku thekson se, Shqipëria po gëzon një prej rritjeve më të shpejta ekonomike në rajon. Mjedisi makroekonomik dhe politik është i qëndrueshëm. Politikëbërësit do të duhet ta shfrytëzojnë këtë periudhë të mirë për të çuar më tej reformat për zbutjen e risqeve që lindin nga borxhi i lartë publik dhe detyrimet e kushtëzuara dhe nga kreditë nën standard në sektorin financiar, si dhe për t’a fuqizuar potencialin e rritjes afatmesme kundrejt një klime të vështirë për investimet me nivel të lartë informaliteti dhe sundim të dobët të shtetit ligjor.

Prioritetet kyçe janë: çuarja përpara e konsolidimit fiskal; rritja e efikasitetit të shpenzimeve të investimeve publike; fuqizimi i kuadrit institucional për mbikëqyrjen bankare dhe zgjidhjen e kredive nën standard; dhe heqja e pengesave në mjedisin e biznesit/investimeve nëpërmjet reformave në gjyqësor dhe kundër korrupsionit. Këto përpjekje do ta hapin ekonominë edhe ndaj mundësive të reja për rritje, do ta ndihmojnë Shqipërinë t’i afrohet më shumë integrimit në BE, duke siguruar standarde më të larta jetese për popullin shqiptar, citon deklarata e FMN-së.

Rimëkëmbja ekonomike po përshpejtohet

Më tej deklarat e FMN-së thekson se, Shqipëria po gëzon një prej rritjeve më të shpejta ekonomike në rajon, ndërsa norma e rritjes ekonomike çmohet se do të arrijë 3,9 për qind në 2017 dhe 3,7 për qind në 2018.

Kushtet e financimit janë tejet të favorshme, ndërkohë që norma e inflacionit dhe normat e interesit vijojnë të jenë shumë të ulëta. Po përshpejtohet rritja e investimeve dhe besimi vijon të jetë i lartë. Eksportet po rriten, të mbështetura nga rimëkëmbja e fortë ekonomike e partnerëve tregtarë nga BE-ja.

Ndërsa rezervat valutore të Bankës së Shqipërisë (BSH) janë të mjaftueshme (mbi 6 muaj mbulim importesh) ndërsa flukset hyrëse të investimeve të huaja direkte (IHD) vijojnë me një ritëm të qëndrueshëm. Megjithëse rimëkëmbja ende nuk mbështetet nga kreditimi, sektori bankar është i qëndrueshëm, likuid dhe rentabël. Parashikimi për rritjen ekonomike të Shqipërisë mbetet pozitiv, me kusht që të përshpejtohet ritmi i reformave, për ta rritur besimin dhe për të krijuar një mjedis të favorshëm për investime të reja dhe rritje.

Risqet vijojnë të mbeten në horizont

Sipas FMN-së, ky ritëm i rritjes ekonomike mund të mos zgjasë shumë. Rritja në BE ka ritme përshpejtuese që prej vitit 2016. Por rimëkëmbja e rritjes ekonomike është përgjithësisht ciklike dhe parashikimi afatmesëm mbetet i ulët për shkak të problemeve të pazgjidhura që ka lënë pas kriza, të rritjes së dobët të produktivitetit dhe të faktorëve frenues demografikë. Ka edhe risqe globale nga një korrigjim i beftë i tregjeve financiare, pasigurive politike dhe politikave proteksioniste të cilat mund ta ulin besimin dhe rritjen ekonomike.

Kushtet e këqija të motit mund ta cenonin sërish prodhimin e energjisë elektrike, duke krijuar kështu risqe thuajse fiskale dhe pengesa për rritjen ekonomike. Progresi i pamjaftueshëm në zbatimin e reformës strukturore në fusha të tilla si energjetika, menaxhimi financiar publik dhe reformat në gjyqësor mund ta cenonin besimin e investitorëve, duke i zvogëluar ndjeshëm flukset hyrëse nga donatorët dhe flukset e kapitalit dhe duke e ulur rritjen.

“Tani është momenti i përshtatshëm për t’i përshpejtuar reformat, për t’i zbutur këto risqe dhe për të krijuar mburoja ndaj tronditjeve të padëshirueshme në të ardhmen”, citon deklarata.

FMN vëren se, nevojitet një konsolidim më i shpejtë fiskal për të krijuar amortizatorë. Duke pasur parasysh nivelin e lartë të borxhit publik (71,2 për qind e PBB-së në fund të vitit 2017, përfshirë edhe detyrimet e prapambetura të qeverisë qendrore dhe lokale prej 1,8 për qind të PBB-së), tronditje të tilla negative si ngadalësimi i rritjes i ndërthurur me prime më të larta risku të interesave dhe zhvlerësim të 3 kursit të këmbimit, apo materializimi i detyrimeve të kushtëzuara, mund të kishin ndikim negativ te borxhi dhe te qëndrueshmëria e jashtme, çka do të kërkonte një korrigjim të fortë fiskal.

Një objektiv më ambicioz për defiçitin fiskal, në përputhje me një përpjekje fiskale shtesë prej rreth 1 për qind të PBB-së në dy vjet, në krahasim me një defiçit konstant të qeverisjes së përgjithshme prej 2 për qind të PBB-së në buxhet, do të ndihmonte në arritjen më shpejt të uljes së borxhit për të krijuar hapësirë shtesë për manovrim në rast se realizohen këto tronditje negative. Në këtë aspekt, fuqizimi i të ardhurave përbën prioritet kyç, jo vetëm për t’i ulur defiçitet, por edhe për të krijuar hapësira për më shumë shpenzime në infrastrukturë dhe në arsim.

Deklarata thekson nevojën e kornizave më të forta për menaxhimin e buxhetit dhe të investimeve publike, në mënyrë që të zbuten risqet fiskale dhe të ketë sa më pak çuarje dëm të burimeve të pakta.

Në lidhje me investimet publike dhe partneritetet publike private (PPP). Deklarata citon se, “Me rritjen e nivelit të investimeve publike, autoritetet do të duhet t’u japin zgjidhje mangësive në menaxhimin e projekteve, përfshirë edhe në njësitë e qeverisjes vendore dhe në ndërmarrjet shtetërore (NSH). Nevojitet vendosja e prioriteteve mes projekteve, përfshirë PPP-të, brenda tavanit të investimeve publike, që do të duhej të financoheshin si duhet në kuadrin buxhetor afatmesëm.

Sa u takon PPP-ve, një prioritet kyç është pakësimi i vendimmarrjeve të fragmentuara dhe fuqizimi i proceseve të vlerësimit të riskut brenda Ministrisë së Financave.
Këto procese janë me rëndësi kritike, po të kemi parasysh detyrimet e mëdha të kushtëzuara që shpesh janë pjesë e kontratave të PPP-ve me një horizont kohor afatgjatë. Praktika aktuale e propozimeve të pakërkuara duhet të eleminohet. Plani i qeverisë për krijimin e një banke zhvillimi për të financuar investimet publike është mirë të marrë parasysh përvojën ndërkombëtare sa u takon risqeve që shoqërojnë subjekte të tilla, përfshirë risqet fiskale, financiare dhe të drejtimit të brendshëm, vijon deklarata.

Misioni i FMN-së, citon se, mbajtja në kontroll e detyrimeve të prapambetura. Reformat rigjallëruese në sektorin shtetëror të energjisë elektrike, për t’i vënë shoqëritë në baza të qëndrueshme financiare, kanë rëndësi kritike. Përmirësimi i mëtejshem në menaxhimin
e borxhit mund të ndihmojnë në zvogëlimin e risqeve të rifinancimit të borxhit.

Sipas FMN-së, trajtimi i kuadrit për zgjidhjen e kredive nën standard përbën faktor kyç për rimëkëmbjen e kreditimit. Përmirësimi i mbikëqyrjes dhe rregullimit të sektorit bankar, në përputhje me standardet e BE-së, do t’i vinte në dispozicion BSH-së mjetet për t’i menaxhuar më mirë risqet e bankave me rëndësi sistemike dhe të krijonte amortizues të kapitalit.

Gjithashtu citon FMN-ja, nevojitet një rritje më e shpejtë për të rritur standardin e jetesës dhe për të ulur varfërinë, çka kërkon reforma institucionale themelore. Për të thithur më shumë investime dhe për të arritur konvergjencë më të shpejtë, Shqipëria duhet t’u japë zgjidhje shumë pengesave strukturore. Ndersa zbutja e risqeve dhe zbatimi i programit të reformave strukturore do të hedhë themelin për një rritje të qëndrueshme, si edhe do të hapë rrugën drejt integrimit në BE, përfundon deklarat e FMN-së.

Advertisements

Comments are closed.

%d bloggers like this: