Advertisements

Presidenti i Maqedonisë Ivanov, refuzon sërish ligjin për gjuhën shqipe

ATSH-ANSA-MIA/ – Presidenti maqedonas, Gjorge Ivanov refuzoi për herë të dytë firmosjen e ligjit që njeh përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë të dytë zyrtare në vendin e vogël ballkanik, i miratuar dje pasdite nga parlamenti i Maqedonisë, edhe pse kushtetuta e detyron ta nënshkruajë.

Sipas tij, parlamenti nuk kishte ndjekur procedurën e rregullt për miratimin e këtij ligji.

“Si president i Republikës së Maqedonisë nuk do ta lejoj. Kushtetuta dhe ndërgjegjja ime nuk më lejojnë të firmos një dekret që miraton një ligj të ngjashëm”, deklaroi Ivanov.

Të njëjtin qëndrim Ivanov mbajti edhe janarin e kaluar.

Dje, parlamenti i Maqedonisë miratoi ”Ligjin për përdorimin e gjuhëve” me 64 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Me ”Ligjin për përdorimin e gjuhëve” parashikohet që në të gjitha organet e pushtetit shtetëror të Maqedonisë, krahas gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj, gjuhë zyrtare të jetë edhe gjuha shqipe, që e flasin mbi 20 për qind e qytetarëve të Maqedonisë.

Por, presidenti i shtetit, sipas Kushtetutës maqedonase, është i detyruar ta nënshkruajë dekretin për shpalljen e tij.

Presidenti mund të vendosë të mos e nënshkruajë dekretin për shpalljen e Ligjit, por vetëm pas votimit të tij të parë.

Sipas nenit 75 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, në kthimin e parë të Ligjit në parlament, deputetët sërish e shqyrtojnë dhe nëse e miratojnë me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve, presidenti është i obliguar ta nënshkruajë dekretin.

Ky ligj, që për herë të parë u votua më 11 janar, sërish u gjend para deputetëve pasi presidenti Ivanov nuk e nënshkroi dhe e ktheu në shqyrtim në parlament./

Advertisements
%d bloggers like this: