Advertisements

Roli i grave shqiptare në shtetformimin, modernizimin dhe evropianizimin e Shqipërisë

ATSH/ – Në kuadër të 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka organizuar aktivitetin me temë: “Roli i grave shqiptare në shtetformimin, modernizimin dhe evropianizimin e Shqipërisë”.

Në këtë aktivitet merrnin pjesë përfaqësues të shoqërisë civile, botës akademike, anëtarë të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, ministra, politikanë, diplomatë, studentë të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, etj.

Në fjalën e tij përshëndetëse, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati foli për rolin vendimtar të grave në jetën politike, ekonomike dhe kulturore të vendit, duke theksuar domosdoshmërinë e angazhimit të shoqërisë shqiptare për t’i dhënë atyre hapësira më të mëdha dhe vendin që meritojnë.

Sipas ministrit, “nuk mund t’a mohojmë faktin se debati ynë për shifrat, për përfaqësimin e gruas në jetën publike, ende nuk ka arritur dot të penetrojë tek shtylla kurrizore e shoqërisë”.

Më tej në fjalën e tij, Bushati theksoi se, “gruaja është shtylla kurrizore e shoqërisë. Ky është një debat që ka të bëjë me Shqipërinë që ne kemi në mendje dhe Shqipërinë që ne dëshirojmë t’i lemë gjeneratave të tjera”.

Ish deputetja Majlinda Bregu u ndal në rolin e grave në shoqëri dhe lidhjen e fortë të tyre me integrimin europian. “Ne, të gjitha bashkë, nga pozicionet tona, duhet të mundohemi për të sjellë një axhendë të re për gratë dhe vajzat në Shqipëri. Të ulemi dhe të gjejmë ide brilante për mbështetjen e grave në nevojë, viktima të dhunës”.

Në fjalën e saj, ambasadorja e Holandës, znj. Dewi Van De Weerd, duke folur për të drejtat e grave pohoi se në Shqipëri është përballur me një shoqëri të fortë, që ka bërë hapa para në përmirësimin e barazisë gjinore. Ajo tha se roli pozitiv i grave është thelbësor në emancipimin e botës tonë dhe se për këtë qëllim ajo ka punuar me aktorë të ndryshëm shqiptarë.

Ndërsa, ambasadorja kroate, Sanja Bujas-Juraga bëri një ekspoze të barazisë gjinore në Kroaci, duke përmendur ndërmarrjen e hapave konkretë për një shoqëri të vërtetë me të drejta të plota për çdo grua.

Në fund, pjesëmarrësit u njohën me ekspozitën e hapur në ambientet e MEPJ-së me fotografi të grave shqiptare gjatë historisë dhe dokumente të Agjencisë Telegrafike Shqiptare, të Arkivave Qendrore të Shtetit (AQSH), si dhe të Arkivës së MEPJ-së, që flisnin mbi rolin e grave shqiptare në diplomaci.

Advertisements
%d bloggers like this: