Advertisements
Take a fresh look at your lifestyle.

Sa realiste është data 2025 për Ballkanin Perëndimor?

Anila Wilms


Nëse një shoqërie i kërkohet të adoptojë një sistem të ri vlerash, afatet nuk maten me vite, por me dhjetëvjeçarë, beson shkrimtarja Anila Wilms. Dhe kjo vlen edhe për Ballkanin Perëndimor.

Komisioni i BE-së ia doli të na habisë të gjithëve me lajmin se Ballkani Perëndimor, e fundit njollë e bardhë në hartën e Evropës, do të pranohet në BE. Jo në një të ardhme të largët, por duke filluar që nga viti 2025. Personalisht s’kam qenë kurrë e sigurtë nëse do ta arrija këtë ditë të mbarë apo jo. E megjithatë sot s`po u gëzuakam dot.

Dokumenti që ka botuar Komisioni me këtë rast është mjaft interesant nga disa pikëpamje. Bie në sy menjëherë se si e konsideron Brukseli Ballkanin Perëndimor: si një pacient të sëmurë rëndë që dergjet para portës së BE-së – ndaj dhe i takon kësaj të fundit që ta mjekojë. Sipas këtij dokumenti, hyrja e Ballkanit Perëndimor në Union nuk është asgjë më pak se një “investim gjeostrategjik në sigurinë” e qytetarëve të BE-së. Flitet për bashkëpunim policor dhe gjyqësor, për sigurinë kufitare dhe riatdhesimin e emigrantëve të paligjshëm, për strategji kundër terrorit dhe radikalizimit në BE, kundër kontrabandës së armëve e drogës apo pastrimit të parave. Arsyeve të sigurisë u shtohen edhe ato ekonomike: Ky rajon është një treg premtues për mallrat dhe shërbimet e BE-së; në kthim, rajonit do t’i rritet mirëqenia dhe do t’i përmirësohet qeverisja.

Pason një listë pambarisht e gjatë me detyrat që u dalin kandidatëve të rinj me këtë rast: të drejtat e njeriut, dialogu konstruktiv në politikë, pavarësia e mediave, të drejtat e pakicave, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të autoriteteve. Dhe si pikë qendrore, mbizotëruese: zgjidhja e konflikteve fqinjësore.

Dy sisteme vlerash tepër të ndryshëm
Lexuesi e ndjen se pikërisht ky është kyçi, simptoma bazë nga e cila vuan Ballkani Perëndimor. Të gjitha sëmundjet e tjera lidhen me mënyrën se si trajtohen konfliktet atje. Konfliktet në Ballkan nuk zgjidhen. Konfliktet fitohen. Ose humben. Dhe mjerë ai që humb.

Tradicionalisht popujt e Ballkanit janë popuj luftarakë. Zhvillimi i tyre nuk njeh asnjë nga fenomenet e mëdha historike që formuan Evropën Qendrore në Kohën e Re: Reformacioni, Iluminizmi, Revolucioni Industrial.

Është e vërtetë se Evropa është shumë më e përparuar përsa i përket konsensusit, kompromisit, bashkëpunimit. Dhe patjetër që zhvillimi i dëshiruar i shoqërive në kohën e sotshme s’mund të shkojë veçse në këtë drejtim.

Cilat janë perspektivat?

Duke pasur parasysh zhgënjimin e popujve të BE-së me Brukselin në vitet e fundit, duhen bindur ata me “fakte dhe informacione” mbi avantazhet e pranimit në Union të Ballkanit Perëndimor. Është pa dyshim një ndërrmarje që do t’u kushtojë shtrenjtë, prandaj afrimi duhet të “ndodhë gradualisht, në krahasim me zgjerimet e mëparshme, të befasishme”.
E megjithatë, sakrificat më të mëdha duhet t’i bëjnë vetë ballkanikët. Jeta e tyre duhet t’i afrohet jetës së përditshme të BE-së, “deri në lëndët që mësojnë fëmijët në shkollë”. Kandidatët e rinj duhet të adoptojnë pra një sistem të ri vlerash. Kjo kërkon një “vullnet të fuqishëm politik” dhe “dyfishimin e përpjekjeve” për të shfrytëzuar këtë “rast unikal” në histori.

Prej popujve të Ballkanit pritet jo më pak sesa që të ndërrojnë kreykëput karakterin e tyre. Ka shumë mundësi që kjo lloj kërkese të shkaktojë dhimbje dhe kundërshtim tek ata. Së pari, sepse askush nuk heq dorë lehtësisht nga identiteti i vet. Së dyti, sepse jeta në Ballkan është në pjesën më të madhe e ëmbël. Miqësitë vlerësohen shumë, po ashtu dhe lidhjet familjare. Brenda këtyre rrjeteve ka shumë shkëmbim, vëmendje dhe ndihmë të sinqertë, respekt dhe besnikëri; njerëzit janë të kënduar dhe me dell poetik, kanë ideale të larta dhe zemër të madhe, qeshin me gjithë shpirt dhe bëjnë njëri-tjetrin të lumtur.

Por edhe “bëmat heroike” të paraardhësve janë pjesë e identitetit kolektiv, për të cilin brezat kanë qenë gjithmonë krenarë. Në të njëjtën kohë ka gjithnjë e më shumë njerëz, sidomos të rinjtë, që po kuptojnë se diçka nuk shkon me shpirtrat e tyre. Kultura e urrejtjes nacionaliste apo regjionaliste është një kurth për psikikën. Kur nxemja bie, lë pas rrënoja, plagë e zbrazëti.

Ajo e famshmja “nostalgji për Evropën” s’është në thelb veçse një dëshirë për paqe, dëshirë për shërim. Prandaj unë them se ka shpresë për Ballkanin Perëndimor.

Një ndërtesë e re

E kam këtë besim, sepse këtë lloj “shërimi” e kam përjetuar vetë në Gjermani. Shembulli gjerman gjithashtu tregon se popujt mund të mësojnë mënyra të reja të trajtimit të konflikteve dhe agresionit.

Por, nëse është e vërtetë se pranimi i Ballkanit Perëndimor është në interesin e BE-së, nëse përballë situatës së komplikuar globale bashkimi i popujve evropianë është i domosdoshëm, atëherë BE ka nevojë për një koncept krejtësisht të ri; për një ndërtesë më të madhe, me themel më të fortë, me  më shumë kate e dhoma për familjen e zgjeruar. Nëse do të realizohet një ditë vizioni i ndritur i Evropës si një familje solide e kombeve, ku çdo anëtar kontribuon sipas talenteve të tij, ahere duhet largpamësi, sensibilitet, aftësi dhe mbi të gjitha durim. 2025 mund të jetë një hap i parë. Por në thelb kjo është një detyrë për disa breza.

Loading...
Advertisements

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close