Advertisements

Vërshime-Gjendje e vështirë në zonën e Shkodrës

ATSH- I. Vata/ – Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ka pohuar sot se Forcat e Armatosura vazhdojnë përpjekjet për të lehtësuar gjendjen e vështirë në zonën e Shkodrës, si rrjedhojë e motit të rënduar.

Xhaçka, thekson se situata është e vështirë, por jo në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme, pasi sipas saj ajo është përballuar me sukses nga bashkëpunimi ndërinstitucional që operon në Shkodër.

“Emergjencat Civile, bashkë me Forcat e Armatosura kanë administruar situata të vështira edhe më parë, si ajo e nëntorit që shkoi dhe situatën sot në Shkodër. Objektivi kryesor ka qenë siguria e jetës së banorëve, për të vijuar më pas me administrimin e ndihmave, bazës ushqimore me pako të cilat kanë shkuar për të ndihmuar të gjithë zonat e përmbytura, me bazë materiale me ushqim për gjënë e gjallë, deri te hapja e rrugëve për të lehtësuar lëvizjen e tyre”, tha Xhaçka.

Ministrja Xhaçka, shtoi se të gjitha këto situata janë përballuar me profesionalizëm dhe përgjegjësi dhe kryesisht nga FA, por edhe nga Policia e Shteti dhe struktura të tjera të përfshirë në situatën e emergjencës.

“Ka pasur një koordinim të shkëlqyer me prefekturën dhe të gjitha strukturat dhe falë këtij adresimi, kemi pasur një menaxhim të situatës” tha ajo.

Më tej, Xhaçka shton se pjesa e përmbytjes është ajo që duke, ndërsa për Ministrinë e Mbrojtjes ka kërkesa nga më të ndryshmet për emergjenca, shkëmbinj që rrezikojnë të bien, shtëpi që rrezikojnë të shemben, dhera që bllokojnë rrugët, fëmijë që nuk mbërrijnë dot në shkolla dhe qendra shëndetësore dhe gjithmonë jemi aty.

Duke folur për gjendja e jashtëzakonshme, Xhaçka tha se referuar ligjit për emergjencat civile, ligji flet se planifikimi, parandalimi dhe përballimi është së pari përgjegjësi e organeve vendore dhe sipas këtij ligji, kryetari i bashkisë ka përgjegjësisë të planifikojë dhe të përballojë emergjencat civile në njësinë e vet administrative.

 

“Shkodra është një nga rajonet më të riskuara për përmbytje dhe kjo dihet nga eksperiencat e të shkuarës, si dhe nga studimet e bëra nga fondet e partnerëve tanë europianë, studime që sot flenë në sirtarët e institucioneve”, tha ajo.

Duke folur për pretendimet e kryetares së Bashkisë Shkodër, se përmbytjet vijnë nga keqmenaxhimi i kaskadës së Drinit, Xhaçka tha se kjo nuk është e vërtetë.

“Bashkia Shkodër ka një përgjegjësi të posaçme për këtë situatë, pasi Bashkia duhet të merrte masa për parandalimin e kësaj situate dhe pastaj të përballonte me mundësitë e bashkisë dhe faktorët rajonalë dhe pse jo me Forcat e Emergjencës siç edhe po bëjmë sot ne”, th Xhaçka.

Më tej, ministrja shtoi se “Çfarë ka bërë Bashkia? Nuk ka planifikuar asgjë, nuk ka deklaruar strukturat e emergjencës, të cilën duhet ta bënte me ligj. Nuk ka marrë asnjë masë mbrojtëse për parandalimin e situatës dhe ajo që është më e rëndësishme nuk ka dedikuar buxhet për të planifikuar apo parandaluar situatën sipas të gjitha studimeve, pasi këta studime kanë rekomandime dhe të dhëna që i japin Bashkisë Shkodër për të planifikuar mirë situatën. Bashkia Shkodër ka dedikuar vetëm 6 milionë lekë, ose 10 herë më pak se sa detyrimi i saj ligjor”.

Duke folur se pse nuk shpallet zona e emergjencës, Xhaçka pohon se “është e parashikuar nga KM dhe ka disa argumente, sepse situata që paraqitet sot nuk është në gjendjen për të shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore, sepse situata është përballuar në kushte normale. Nuk ka prani uji në banesa dhe ky është kusht për shpalljen e emergjencave civile. Shtrirja territoriale e zonës së përmbytur nuk është aq e madhe sa të justifikojë gjendjen e emergjencës. Nuk ka prishje të ekuilibrave të jetës sociale të vendit, pasi edhe shpërndarja demografike është e ulët në zonat e përmbytura edhe njësia e qeverisjes vendore ka funksionuar normalisht”.

Xhaçka tha se bashkia duhet të marrë masa dhe të bejë detyrën e saj, që në fakt nuk po bën asgjë. “Rrugët nacionale që lidhen me të gjitha fshatra janë të kalueshme dhe pa prezencë uji. Ka prezencë uji në tokat bujqësore dhe në oborret e disa familjeve dhe gjithsej janë 120 familje”, tha Xhaçka.

Për sa i përket menaxhimit të situatës dhe bashkëpunim me pushtetin vendor, Xhaçka tha se i vetmi bashkëpunim është ulja dhe diskutimi në komisionin vendor pranë prefekturës.

“FA kanë qenë në terren që nga dita e parë dhe do të vazhdojnë të qëndrojnë atje deri në tërheqjen e ujit dhe përmirësimin e situatës”, tha ajo.

Duke iu referuar deklaratës së bashkisë sot se janë 1200 ha tokë të përmbytura në Anën e Malit, Xhaçka tha se ne po bëjmë çmos të përballojmë situatën dhe situata nuk është kjo që paraqet Bashkia Shkodër, sepse gjithsej ishin 2600 ha tokë e përmbytur, sot kemi 2400 ha të përmbytur dhe jo e gjitha është tokë bujqësore dhe është e rëndësishme që ne të vazhdojmë të përballojmë situatën dhe qëndruar atje deri në tërheqjen e ujit, vlerësimin e dëmeve dhe ardhjes në ndihmë të banorëve.

“Edhe sot që flasim, kemi ndarë 650 pako ushqimore me një koordinim të mirë me Rezervat e Shteti. Kemi shpërndarë disa mijëra litra ujë për banoret, 40 tonë koncentrat”, tha ministrja.

Gjithashtu ministrja shtoi se “Në zonën e Shirçit po pastrohen kanalet kulluese dhe përmirësohen argjinaturat, dhe nëse do të kishte pasur një planifikim shumë më të mirë nga Bashkia Shkodër do ishin marrë masa për të qëndruar të pastra, ndërsa sot janë shndërruar në pirgje plehrash që bëjnë të pamundur shkarkimin e ujërave”.

Duke folur për ndihmën e kërkuar nga banorët e Dajçit, Xhaçka tha se sapo të tërhiqet uji do ndërhyjmë për të vlerësuar dëmet, por ende jemi në fazën e menaxhimit të situatës dhe aktiviteti i tyre jetësor të mos pengohet dhe po e bëjmë shumë mirë edhe në bashkëpunimin me forcat e tjera, siç është Policia e Shtetit, FNSH të cilët kanë ndërtuar 300 metra barrierë për të ndihmuar banorët e Dajcit dhe po përballojmë me sukses situatën”./

Advertisements

Comments are closed.

%d bloggers like this: