Advertisements

Vendbanimi ilir Skuraj

ATSH – N.Lena/ – Fshati Skuraj është një nga 13 fshatrat e njësisë administrative të komunës Milot në rrethin Kurbin, në Qarkun e Lezhës, në veriperëndim të Shqipërisë së Mesme, që është përfshirë në 100 fshatrat me prioritet zhvillimi.

Skuraj shtrihet në verilindje të Kurbinit, aty ku nisin dy vargmalet e Kurbinit: vargmali i Skënderbeut dhe vargmali perëndimor që njihet me emrin Krujë-Dajt.

Dy vargmalet, të cilët ecin pothuajse paralel me njëri-tjetrin, i ndan në mes lumi i Hurdhazës.

Mali i Skënderbeut që nis nga Shkopeti, ka pikën më të lartë në këtë fshat majën e Mëllezës (1123 m). Fshatin e përshkon nga verilindja lumi Mat dhe e përshkon gjithashtu përmes lumi i Hurdhazës në drejtimin jug-veri.

Është vend me bimësi të dendur dhe tepër e përshtatshme për turizmin natyror dhe sportiv. Ka shkurre, dushqe, shqopë, lis, shkozë, dëllinjë etj.

Rriten edhe mjaft pemë të egra si, thana, vodha, shega, por edhe pemë si arra, gështenja, lajthia, mani etj. Po ashtu rriten edhe mjaft bimë mjekësore si sherebela, trumza, çaji i malit etj. Fauna është mjaft e pasur me kafshë të egra si lepuri, ujku, dhelpra, ariu i murrmë, derri i egër, ketri etj.

Ujërat lumore popullohen nga shumë lloje peshqish si qefulli, trofta, mlyshi, por edhe ngjala. Gjithashtu në ujërat e Matit e Hurdhazës veçohet si kafshë ujore lundërza.

Fshati Skuraj është një vendbanim i hershëm ilir.

Mali i Skënderbeut në shpinë të Skurajt, ka qenë pjesë e rëndësishme e veprimeve luftarake të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriotit (Skënderbeut), gjatë viteve 1443-1468 kundër ushtrive osmane. Nga gojëdhënat e popullatës vendase tregohen disa rrëfime, gojëdhëna, të lidhura me Gjergj Kastriotin.

Sa i takon anës ndërtimore, vend të veçantë zënë monumentet e kultit të krishterë. Në Skuraj gjenden 10 kisha, shumica prej tyre në gjendje rrënoje, si pasojë e transformimeve të shumta të kryera përgjatë kohës, sikurse kanë qenë faktorët natyrorë, agjentët atmosferikë dhe luftërat.

Prej këtyre kishave vetëm njëra, ajo e Shën Vlashit, ka mbetur në këmbë. Një ndër kishat më të vjetra është ajo e Shën Gjergjit, gjendet në Ferr-Skuraj (Shkopet), poshtë kalasë së Pervizit, e cila vazhdon të nderohet dhe vendi rreth saj është i shenjtë (vakëf) e nuk guxon kush me prek asgjë, as bimë, lisa, pemë e gurë.

Ekonomia e sotme e fshatit bazohet kryesisht mbi agrobiznesin, në kultivimin e drithërave të bukës dhe sidomos perimeve; patates, fasules, domates etj. Edhe frutikultura është e zhvilluar përmes kultivimit të mollës, dardhës, kumbullës, pjeshkës, fikut, veçanërisht vreshtarisë, e cila është organizuar në miniferma të vogla private.

Një vend me rëndësi në ekonominë e fshatit zë edhe blegtoria. Mbarështohen kryesisht gjedhët si dhe shpendët, pulat, rriten të imtat (dhentë e dhitë) gjithashtu është e zhvilluar edhe bletaria.

Ajo që përbën interes për turizmin kulturor janë dhe banesat e tipit kullë, me dy ose tre kate me elementë mjaft tërheqës estetikë, që ende ruhen në këmbë dhe mund të vizitohen në Skuraj, ndërsa kompozimi dhe zgjidhja planimetrike e banesave është e thjeshtë. Kullat përgjithësisht janë ndërtuar nga mjeshtër vendas, ose nga Golloborda e Dibrës.

Janë të veçanta punimet e zejtarisë si ato të hekurit, drurit, por edhe gurit, të zhvilluara në këtë zonë, edhe për shkak të mundësisë së tregtimit në tregun e hapur të Milotit.

Pa dyshim, një vend të veçantë zë këtu kuzhina, e cila është mjaft e pasur me prodhimet e saj tipike. Veprimtaria dhe aktiviteti tradicional agrobaritor vetjak shtojnë të tjera prodhime të çmuara tipike skurjane. Rezultati është një kuzhinë me pjata të thjeshta, ku mbizotërojnë shijet mesdhetare, prodhime të bazuara mbi bukën, dhe ku veçohen midis servirjeve pjata e mishit si dhe ajo e peshkut.

Përdoren nënproduktet e qumështit të deles, dhisë dhe lopës.

Vetëm 45 kilometra nga aeroporti i Tiranës “Nënë Tereza”, Skuraj është një fshat që të tërheq jashtëzakonisht. Ka një gastronomi të jashtëzakonshme, që ndërtohet dhe celebrohet më së miri mbi dietën mesdhetare, me mish, peshk, fruta e perime cilësore shoqëruar me raki e verë të krahinës. Bregu i lumit Mat ofron një mundësi të shkëlqyer për plazh në një gjatësi prej 5 km, duke nisur nga Ura e Zogut në Milot e deri në rrëzë të Shkopetit.

Ka një kuriozitet, në periudhën para viteve ’90, ky breglumi frekuentohej edhe nga diplomatët e huaj në Shqipëri. Sot është një destinacion ditor çlodhjeje fare pranë kryeqytetit.

Advertisements

Comments are closed.

%d bloggers like this: