Advertisements

Vlora çel sezonin turistik

ATSH/ – Qyteti bregdetar i Vlorës, i cilësuar si ‘perla’ e rivierës shqiptare, çeli mbrëmjen e djeshme sezonin e ri turistik me një koncert festiv me pjesëmarrjen e këngëtarëve të njohur të muzikës shqiptare.

Në ceremoninë e organizuar në Lungomare, ishin të pranishëm kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, ministri Infrastrukturës dhe i Energjisë, njëkohësisht deputet i Vlorës, Damina Gjiknuri, ministri i Turizmit dhe Mjedisit , Blendi Klosi, si dhe të rinj dhe të reja vlonjate.

Në fjalën e tij për hapjen e sezonit turistik, kryetari i bashkisë së Vlorës, Drita Leli theksoi se “më vjen mirë që sot në këtë shesh jeni kaq të shumtë për t’u thënë të gjithë atyre që vijnë në Vlorë se ky është sezoni i Vlorës, kjo është stina e vlonjatëve.

“Në këtë sezon të ri turistik jam i bindur se Vlora do të jetë destinacioni i të gjithë shqiptarëve, sepse e meriton shumë dhe vlonjatët janë të vetmit që dinë të presin”, tha Leli.

Sipas tij, turistët e vizitorët duhet t’i presim siç ne dimë, sepse ata janë miqtë e shtëpive tona.

Ministri Klosi uroi të pranishmit për një sezon të qetë, mikpritës dhe plot turistë, si dhe një sezon që duhet të karakterizohet nga mikpritja vlonjate.

“Duhet të jemi të gjithë në këtë lungomare , të re në këto hapësirë të reja të ndërtuara me kaq mjeshtëri nga kryetari i bashksië, Dritan Leli me mbështetjen e fortë të qeverisë, të cilat e kanë bërë Vlorën një destinacion europian turizmi”, theksoi Klosi.

Mbase, vijoi ai, është një nga ditët e fundit që flasim shqip në këtë shesh, sepse ne ditët e verës këtu ka turistë nga e gjithë bota.

“Në gjithë Lungomaren dëgjohen të gjitha gjuhët e vendeve të rajoni, pasi shumë turistë priten të vijnë në Vlorë”, shtoi ai.

Ministri Klosi u shpreh se “”le ti t’i afrojmë mirëseardhjen dhe buzëqeshjen çdo turisti, ju uroj një sezon turistik, të mbajmë pastër Vlorën, plazhet, Shqipërinë”.

Gjatë fjalës së tij, i bëri thirrje gjithashtu të rinjve në shesh që të zgjedhin arsimin profesional që të marrin një zanat, sepse shumë shpejt do të jenë të gjithë të super paguar.

Ndërsa ministri Gjiknuri tha se “do të jemi njëshi në turizëm këtë vit. Kur e hapëm vjet këtë koncert ishim gjysma, sivjet jemi dyfish imagjinoni Vlorën me aeroport të ri, imagjinoni Vlorën me rrugë të reja sesi do të jetë. Vlora nuk do të jetë vetëm mbretëresha e turizmit shqiptar, por në Vlorë do të vijën shumë e shumë të huaj”.

Më pas kryetari i bashkisë së Vlorës, Leli e deklaroi të hapur sezonin turistik në Vlorë.

Festa vazhdoi me një koncert me këngëtarët më të njohur të muzikës shqiptare si Alban Skënderaj, Era Rusi, NRG Band, Ermal Peci, si dhe Dj, Olti, DJ Aldo, të cilët sollën një atmosferë festive për të rinjtë në Lunogmare.

Vlora me brigjet e saj, Karaburunin, Sazanin, Llogoranë, kalanë e Kaninës, Lagunën e Nartës, plazhet e shumtë, monumentet, njerëzit, prodhimet e tokës dhe të detit është gjithnjë e më shumë e frekuentuar nga turistët vendas dhe të huaj.

Advertisements

Comments are closed.

%d bloggers like this: