Advertisements
Take a fresh look at your lifestyle.

Kur mendimi dhe vlerësimi kritik bëhet ndryshe …

Gjilan, 20 qershor


Secili autor i gëzohet botimit të veprës të tij. I gëzohet për faktin se dëshira e tij është që të përcjellë mesazhe te të tjerët. Kjo është e para. E dyta është se, kur botohet vepra, sikur krijuesi lirohet shpirtërisht nga brenda. Bëhet shend e verë. E heq një barrë. Barra e tij tashmë nuk zihet nga brena, por kjo “barrë’ tash del në dritë. Rrezaton, apo… I jep lexuesit vepër me dije. E shprish ose e kthen lexuesin apo akëcilin njeri me mendje për të menduar pak më ndryshe. Pas kësaj “gjendje” shpirtërore të autorit që pushon pas botimit të veprës, për pak kohë, vjen frymëzimi tjetër. Vjen qasja e fillimit të veprës dytë, të tretë… Kështu fillon jeta e artit letrar. Dikush krijon poezi, dikush poema, prozë e dikush kritikë e analiza tjera për artin e shkruar. Me një fjalë, kjo është një “jetë” e dijes. Pse jo? Krijuesi, nga momenti i botimit të veprës, “hesht” dhe heq dorë nga vepra e tij. Tash lexuesi e ka fjalën.

Kjo është fakt. Fakt se, vepra letrare apo shkencore krijohet për lexuesit, për artdashësit dhe studjuesit e letërsisë. Autori është vetëm “prodhues” i vlerave të artit. Pra, ai “prodhon” vepra, e të tjerët vlerësues. Pasojnë reagimet, vlerësimet, polemikat për veprën e autorit. Dalin mendime dhe kritika të llojllojshme. Vepra e mirë – flet vetë. Ajo lexohet. Çmohet. Adhurohet dhe përfolet. Zërat nuk ndalen. Nuk ndalen dhe pason interpretimi. Tash vepra flet. Por, flasin edhe faktet. E këtillë është vepra e Nuhi Ismajlit “Përsiatje letrare”, e cila, ditë më parë doli nga botimi. Një vepër e mendimit ndryshe. Nuk ëshë vepër me poezi, as me tregime, e as roman, por është një vepër me studime e me qasje të përceptimit ndryshe. Kjo vepër është një vlerësim i dijes së artit letrar që rrallë kush e bën dhe shprehet për veprat e krijuesve tanë. Ky është një interpretim më joshës për lexuesin. Pse e themi këtë? Aty, në veprën e Nuhi Ismajlit gjen argumente, dëshmi, interpretime, data, kohë, peridha kohore, por gjen edhe këmbuljen e tij prej studjuesi e kritiku që të “zezës nuk i thotë e bardhë”! Me fjalë të tjera, është një këmbëndulje e autorit për një qasje të studimit ndryshe e me argumente. Kjo është e veçanta e tij. Duke shkruar për këtë vepër studimore, sikur po i kthemi qasjes “tjetër” të vlerësimit të veprave tona letrare. Në anën tjetër, nuk do të ishte mirë që të mësohemi të bëjmë vlerësime shkel e shko. Këto vlerësime janë bërë, por dhe sot e kësaj dite vlerësohen nga disa vlerësues. Insistimi ynë dhe i autorit të librit, për të cilin po bëjmë fjalë është që vlerësimet tona të jenë të qëndrueshme dhe të kohës sonë. Na shkon mendja se arti i studimit po vështrohet me një qasje tjetër. Po flet pak më ndryshe. Kjo qasje e vlerësimit dhe e mendimit për veprat e krijuesve tanë “tingëllon” pak jo mirë te veshi i “dikujt”. Ky vlerësim është më i qëndrueshëm, më bindës dhe më real. Kjo është fakt. E, Nuhi Ismajli është autor i qasjes dhe i mendimit ndryshe apo “tjetër”. Ai tashmë ka bërë emër si stujdues, kritik, historian, por edhe si polemist i ngulmtë i kësaj fushe të dijes.

Vepra e tij “Përsiatje letrare” është një përmbledhje me kritika, vlerësime të mendimit tjetër tudimor. Janë të paktë autorë që i qasen kësaj kritike reale apo objektive. Nuhi Ismajli e ka në gjak letërsinë në përgjithësi, por e do edhe qasjen e studimit të saj. Me kohë i ka hyrë me guxim dhe me një vullnet të madh mendimi kritik me qasje tjetër. Siç dihet, gjer tani, arti letrar është anlizuar apo vështruar më tepër në aspektin e shijes së studjuesit e të vetë autorit të veprës. Por, kjo krijimtari më tepër është studjuar e vlerësuar sipas kuteve apo shablloneve. Kjo “dukuri” i përkiste vështrimeve të gjata dhe të ngarkuara me fjalë të “mira” e të “këndshme” për veprën e autorit. Të shkonte mendja se ishte një lloj “tregimi” me elemente eduaktivo-arsimore, madje ato vepra sipas tjerëve “kanë vlera të bukura arstitike e estetike”…. Ishe një kohë e vlerësimit të tillë. Kohë e “prodhimeve” të asaj kohe. Por, tash është kohë tjetër. Tjetër është edhe krijimtaria, lexuesi, përceptuesi, vlerësuesi apo edhe kritiku. Tjetër është dhe mendimi si i autorit të veprës, po ashtu edhe i kritikës letrare. Pra, është tjetër kohë. Kohë e re. Kohë moderne. Kohë e mendimit tjetër. Edhe kjo qasje e re, nuk ka të keqe. Tek ne, edhe sot e kësaj dite nuk ndërron qasja e kriterit të vlerësimeve kritike. Stujduesit janë mësuar të vlerësojnë vetëm në “stilin” e simpatisë. Nuk kundërshtohet vepra apo autori, por kjo bëhet me fjalë miradije e të “ëmbla”. Letërsia nuk e meriton këtë “simpati” të mendimit. Ajo do qasje të qartë dhe të mirëfilltë. Vepra e çdo krijuesi do të duhej të ishte ashtu si e meriton të ishte ajo. Autorët e veprave letrare, i “anashkalojnë” lajthitjet. I lënë faktet, datat, madje i ngatërrojnë dhe këto “sende” edhe me periudha kohore. Nuhi Ismajli, kritik dhe studjues, për të gjitha këto gjëra jo të mira të të jterëve i është qasur me vlerësimin e tij “ndryshe” duke i thënë secilit autor për atë vlerësim jo të mirë me fjalë “nuk qëndrojnë”, ka “keqinterpretime”,”ska bazë”… e të tjera. Pra, për veprat që keqinterpretohen. Këta kritikë e rrëfejnë veprën sipas shijes së tyre “shabllone”, ku këto rrëfime të tyre keqinterpretohen dhe nuk qëndronjë. Pra, e rrëfejnë keq biografinë e autorit, të veprës së tij. Nuk ia thonë gabimet, lëshimet e autorit, por autorin dhe veprën e tij e “përgdhelin” si vlerë e mirë dhe meritor.

Pra, kjo “qasje” del një lloj kallëpi dhe kritika apo vlerësimet janë shabllone dhe të pa qëndrueshme. Kjo nuk kënaq dhe nuk i bën nder artit letrar. Nuk e kënaq lexuesin e denjë. Kjo, si thotë popullit, është një “yrnek” pa pasur dije e as “vek”. Nuhi Ismajli, i cili ka bërë emër, ai këto “sende” i sheh pak më ndryshe. Kjo qasje e tij e studimit sikur na kthen për të parë mirë e mirë se si vlerësohet verpra letrare, por dhe veprat tjera të letërsisë e tekstet mësimore. Vepra me studime a Nuhi Ismajlit është një mendim i ri studimi të veprave letrare. Këtu autori ndalet për të argumentuar gabimet që janë bërë nga autorët tanë, të cilat janë të shumta. Andaj, N. Ismajli në veprën e tij studimore arsyeton mendimin e tij që u ka dhënë vërejtje disa autorëve, të cilët, pa arsye kanë shënuar data, kohë, momente, nënëvizime, arsyetime, fjalë, fakte, referenca, citon libra, autorë, shkrime, data të botimit, të lindjes së autorit, të librave e shumë të tjera, të cilat janë jo të qëndrueshme dhe keq të interpretuara. Këto janë fakte. Fakte që flasin me gjuhën e argumenteve. Kjo që ka bërë N. Ismajli, është shkencë e argumentuar. Autori i këtyre “vërejtjeve” të argumentuara, e mbron qëndrimin e tij me fakte. Nuk skuqet. Skuqet ai që ka bër vepër pa argumente. Pa fakte. Shkel e shko. Ashtu edhe mësohemi të lexojmë si është vepra e shkruar. I shtrembërojmë datat, faktet, argumentet, referencat, fusnotat, fjalitë, vitet, periudhat, madje edhe shekujt! Ka kësofarë “sendesh’ që dikush i vëren dhe u rrin për ti qitur sheshit. Ka njerëz që me tërë qenien është i përkushtuar për shkencën apo dijen. Secila vepër adhurohet. Adhurohet nëse është shkruar me përkushtim. Por, ka autorë që këto “dije” nuk i bëjnë ashtu si do të duhej, por i bëjnë ngutas e me “defekte” të dijes së tyre. Shkenca nuk e ka për detyrë të jetë e “çoroditur” nga këta njerëz jo seriozë, të cilët shkruajnë pa asnjë përkushtimi. Dalin vepra dhe libra shkollorë me shumë gabime, me shumë data të pasaktë, me shumë “ndryshime” të paqëndrueshme, të ciët, kur i shfleton, ai që di ti shehë e ti analizojë, tmerrohet. Kur flet ai, të tjërët që zihen në shkrim, heshtin. Heshtin se veprat apo studimet e tyre nuk qëndrojnë. Pra, keqinterpretohen. Tash, autori kritik ngrit zërin dhe u drejtohet masës së lexuesve se këto e këto nuk qëndrojnë. Kështu e ka studimi shkencor. Ky është mendim pak më ndryshe se të tjerët. Pse po e themi më ndryshe? Kur botohet libri, lexuesi gëzohet. Ai i cili nuk gëzohet, e urren librin, leximin… Ai i mbush raftet me libra, por kurrë ato nuk i shfleton. Njerëzit që bëjnë shkencë dallohen nga njerëzi tjerë të rëndomtë. Këta njerëz flasin për shkencën, por janë larg nga shkencës. Populli thotë: “Një fjalë – ar”. Ma mirë një fjalë, se njëqind të tjera që s‘vlejnë. Shkenca nuk urren lexues, por ka lexues që e urrejnë shkencën! E urrejnë pseoudoshkencëntarët, të cilët, në emër të dijes, ata bëjnë vlerësime shabllone etj. Ata nuk janë aq meritorë. Janë servilë të dijes, të autorit dhe të insitucionit. Shkenca, si dije dhe mendim, e ka rrugën e së vërtetës së saj. Kush ka bërë shkencë, ka mbetur shkencëtar në histori. Ka njerëz që janë marrë me shkencën dijes, por s’ka bërë asgjë. Kanë mbetur miop të dijes si shkenvë. Shkenca do punëtorin dhe do punë. Do edhe përkushtim, mendjehollësi e dije të re. Ka pasur të drejtë Lasgushi kur ka shtuar se, “më mirë të shkruhet një varg, s’e një studim”! Studiuesi Nuhi Ismajli është autor i disa veprave, si janë: “Nga vlerat e traditës” (2000), “Kurreshtje letrare” (2001), “Aktualizime letrare” (2009) e “Vepra e Gjon Buzukut” (2010), këto ditë nxori nga botimi edhe veprën me studime “Përsiatje letrare”. Kjo vepër me studime letrare shquhet për larminë dhe gjerësinë e interesimeve letrare të autorit. Këtu shihet dija e gjerë e autorit. Këtu vërehet përkushtimi i autorit ndaj qasjes për letërsinë në përgjithësi. Këtu trajtohen e vlerësohen dukuri, autorë e vepra të periudhave e formacioneve të ndryshme letrare të letërsisë shqipe, pra duke filluar nga fillimet e njohura të letërsisë shqipe e deri në letërsinë e sotme shqipe.

Autori, N. Ismajli, studjues, merret me çështjet e ndryshme të letërsisë shqiptare të humanizmit. Bën fjalë për letërsinë shqipe të shek. XVI-XVII, letërsinë shqipe të romantizmit, letërsinë shqipe ndërmjet dy luftërave botërore, letërsinë shqipe të viteve tridhjetë dhe veprat e letërsisë së sotme shqipe. Kjo vepër përbëhet me shkrimet për vlerësimin e mendimit për letërsinë (termat letrarë, historia e romanit në letërsinë shqipe), letërsinë e hershme shqipe, veprën e Migjenit, M. Kutelit etj.; shkrimet për vlerësimin e veprave të ndryshme letrare në prozë e në poezi. Kështu, autori vlerëson sipas tij mënyrën e përdorimit të termave letërsi shqipe dhe letërsi shqiptare, interpretimin e paqëndrueshëm dhe mohimin e vlerave të letërsisë shqiptare të humanizmit dhe të letërsisë shqipe të shek. XVI-XVII; interpretimin e paqëndrueshëm të veprës së Gj. Fishtës, të Migjenit të Kutelit etj. Mandej, ai vlerëson në veprën e tij “Përsiatje letrare” edhe shumë “sende” tjera nga fusha e dijes së letërsisë. Një vend mmeritor dhe të rëndësishëm i jipet vlerësimit të teksteve të letërsisë për shkollat e mesme. Në këtë rast, në mënyrë kritike, autori ka vlerësuar tekstet për letërsinë shqipe (për kl. 10, 11 dhe 12), të Sabri Hamitit. Nga vështrimi kritik i këtyre teksteve del vlerësimi se tekstet e përmendura të letërsisë për shkollat e mesme, krahas vlerave, kanë edhe të meta të natyrave të ndryshme, të cilat duhet korrigjuar e plotësuar ato me fakte e qasje tjetër. Studiuesi, Nuhi Ismajli, në veprën “Përsiatje letrare”, jep edhe vlerësimet e tij për një varg veprash shkencore të autorëve, si: Z. Xholi, A. Hamiti, B. Kosumi, K. M. Shala. A. Atashi, A. Gojçaj, B. Çapriqi, N. Krasniqi, M. Dreshaj- Baliu e Stefan Çapaliku. Vlerësimet e tilla shquhen për erudicionin e autorit dhe përkushtimin e tij shkencor. Vepra “Përsiatje letrare” është një kritikë pak më ndryshe se kritikat tjera. Ajo zë vend mmeritor në fushën e interpretimeve të artit letrar në përgjithësi. Këtu ka interpretime e vlerësimet për veprat në prozë të autorëve, si: Migjeni, M. Kuteli, I. Kadare, K. Trebeshina, B. Musliu e I. Kadriu, si dhe veprave në poezi, të autorëve, si: De Rada, Migjeni, M. Ramadani, G. Xhafolli, S. Gjergji e N. Ukaj. Por, në këto vlerësime ka këmbëngulje të autorit duke pohuar së këto sende të tjerëve nuk qëndrojnë aty ku nuk qëndrojnë. Në shkrimet për prozën e poezinë shqipe, përmes një argumentimi të qëndrueshëm, autori vë në dukje veçanti dhe vlera të veprave të autorëve të rëndësishëm.

Në shkrimet studimore të veprës “Përsiatje letrare” vërehet këmbëngulja e vazhdueshme e autorit për një vështrim të thellë e të argumentuar, të çështjeve të ndryshme letrare që trajton, dhe shmangies së mendimit sipërfaqësor e gjykimit subjektiv për to. Në mënyrë të veçantë, shkrimet e veprës “Përsiatje letrare”, shquhen për artikulimin e mendimit kritik për letërsinë shqipe. I çliruar tërësisht nga interesa jashtëletrare, autori përpiqet që në saje të dijes dhe argumenteve të qëndrueshme, të japë mendime e vlerësime të çmuara për letërsinë shqipe në përgjithësi. Prandaj, në këtë kohë kur nuk kemi një kritikë të mirëfilltë në letërsinë shqipe, vepra “Përsiatje letrare” e Nuhi Ismajlit paraqet një kontribut shumë të çmuar për ktitikën letrare shqipe. Është një vepër e rrallë e studimit të ri. Sikur në përfundim të këti shënimi na ipet ta përmendim Agim Devën, shkrimtar, tash i ndjerë, i cili, duke folur për Bedri Dedjen, ka shtuar: “Prej tij kemi mësuar se letërsia mund të shkruhet edhe ndryshe”. Pra, edhe prej këtij studiuesi të zellshëm, N. Ismajlit, do të mësojmë se si letërsia e dijet tjera mund të shkruhen edhe ndryshe nga qasjet tjera të gjer tanishme.

  • /Tefik Selimi
    Legjenda: Ballina e lilbrit dhe autori
Loading...
Advertisements

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close