Advertisements

Ministri gjerman,Roth : “Shqipëria dhe Maqedonia kanë bërë një hap mjaft të madh përpara në rrugën e tyre drejt BE-së”

ATSH/- “Shqipëria dhe Maqedonia kanë bërë një hap mjaft të madh përpara në rrugën e tyre drejt BE-së dhe për këtë miqtë tanë maqedonoveriorë dhe shqiptarë mund të jenë shumë krenarë”, – deklaron ministri gjerman i shtetit për Çështjet e Europës, Michael Roth në një intervistë për DW.

Ministri flet për vendimin e Këshillit për Çështjet e Përgjithshme që përcaktoi udhën drejt hapjes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë me BE-në

I pyetur se si duhet kuptuar ky vendim pasi opozita e mori për sinjal negativ, ndërsa qeveritë si sinjal pozitiv, Michael Roth shprehet se “ata kanë arritur shumë, kanë realizuar shumë reforma, por mbetet edhe shumë për të bërë. Dhe ura që ndërtuam tani deri në qershor të vitit të ardhshëm duhet të jetë mjaft solide, që në fund të qershorit të vitit të ardhshëm të dyja vendet ta kalojnë këtë urë drejt negociatave të anëtarësimit për BE”.

Ndërsa i pyetur se cilat argumente sollën dy vendet, Franca dhe Holanda, që ishin kundër fillimit të negociatave e që iu desh t’i bindnit, Roth shpjegon se nuk e kanë fajin vetë vendet, por problemet e brendshme të BE.

“Sigurisht njëri prej argumenteve nuk kishte fare të bënte me gjendjen në Shkup dhe në Tiranë. Ai kishte të bënte me Bashkimin Europian që është i tronditur nga krizat, që është i zënë më shumë me hallet e veta. Ata shtrojnë pyetjen: A ia dalim dot në këto kohëra, kur na duhet t’i shpenzojmë të gjitha fuqitë për të rregulluar punët tona, që të zhvillojmë negociata ambicioze anëtarësimi? Mua nuk më bind ky argument, sepse unë vazhdoj të jem i bindur, se është në interes të të gjithë Europës që Ballkani Perëndimor të mbetet ose të bëhet i qëndrueshëm dhe i ankoruar te shteti ligjor”, – deklaron ai.

Por, a rrezikojnë që negociatat të shtyhen edhe vitin tjetër pikërisht për shkak të problemeve të brendshme të BE, Roth thotë se “ky ishte vetëm njëri nga argumentet që nuk kishte të bënte me këto dy vende. Por, sigurisht, vazhdon të ketë shtete anëtare të BE-së që kanë dyshime se a janë të mjaftueshme përparimet e bëra. Para së gjithash në lidhje me luftën kundër korrupsionit, luftën kundër krimit të organizuar, forcimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe shtetin ligjor. Prandaj edhe qeveria ime parashtroi një kompromis që u prit me shumë simpati, por tekefundit unë tani jam i kënaqur që ramë dakord për një qëndrim të përbashkët, i cili duhet parë si inkurajim i forcave reformuese në Shqipëri dhe në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë”.

Ndërsa i pyetur nëse pritet që këto dy vende të ofrojnë ndihmesë në kapërcimin e krizës së refugjatëve, Roth deklaron se “nuk ka pazare ndërmjet Bashkimit Europian dhe këtyre dy shteteve. Ne ia njohim Ballkanit Perëndimor që deri tani ka bërë shumë për pranimin e refugjatëve, prandaj nëse këto vende tregohen të gatshme për të na ardhur në ndihmë për politikat e refugjatëve dhe të emigrantëve, nuk do të ketë rabat në politikat e zgjerimit dhe më duket e padrejtë të ushtrohet presion ndaj këtyre dy shteteve, sepse njëra nuk ka lidhje me tjetrën”.

Por çfarë duhet të ketë arritur Shqipëria konkretisht deri në qershor 2019? Ministri gjerman thotë se “Shqipëria është bërë etalon me procesin e Vetting-ut për forcimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe presim që procesi i rivlerësimit të gjykatësve dhe të prokurorëve më të rëndësishëm të dalë me sukses. Ky është njëri prej sektorëve. Nëse do të luftohet më me forcë edhe krimi i organizuar, atëherë kjo sigurisht që do ta rrisë besueshmërinë, sidomos tek ato shtete që ende kanë rezerva”.

I pyetur nëse situata në maqedoni mund të përkeqësohet edhe pas qëndrimit të Presidentit, i cili ka deklaruar se nuk do ta nënshkruajë marrëveshjen me Greqinë, Roth apelon që “të gjitha palët përgjegjëse në Shkup ta marrin seriozisht përgjegjësinë e tyre historike. Ndoshta nuk e dinë të gjithë se çfarë do të vinin në rrezik. Unë e kuptoj se ky kompromis mund të ketë qenë shumë i dhimbshëm për ndokënd, por ai është çelësi i portës për Bashkimin Europian dhe anëtarësimin në NATO”.

“Është një çelës që hap një portë për paqe dhe pajtim afatgjatë në rajon dhe unë kam përshtypjen se shumica e njerëzve në rajon e kanë kuptuar këtë. Por nga ana tjetër, edhe ne duhet të mësojmë me sa duket se Ballkani Perëndimor meriton një vëmendje më të madhe, sepse stabiliteti dhe demokracia në Ballkanin Perëndimor duhet të hyjnë te interesat e mirëfillta të BE-së dhe se aty nuk duhet lejuar të krijohet një vakum politik”, – përfundon ministri gjerman.

Loading...
Advertisements

Comments are closed.