Advertisements

Një vepër e qëndrueshme poetike me refleksione meditative …

Gjilan, 4 qershor


Sami Krosi është autor nga Shkupi. Ky është i lindur më 1936 në fshatin Rashçe të Maqedonisë. Shkollimin fillor dhe ate të mesëm i ka të kryer në Shkup. Ndërsa, Fakultetin Filozofik dhe studimet pasuniversitare në Universivetin e Kosovës, në Prishtinë. Jo vetëm kaq.
Më heret, ky autor ka punuar si drejtor shkolle, profesor dhe si përkthyes e kështilltar profesional në Kuvendin e Maqedonisë. Pas kësaj biografie, ai ka edhe një biografi “tjetër”. Kjo biografi “tjetër” e tij është se ai shquhet si krijues i artit letrar. Me krijimtari letrare Sami Krosi është marra nga koha e studimeve, ku ka shkruar tregimeve, të cilat i kanë sjellë shumë shpërblime me çmime të para, të dyta apo edhe të treta në konkurset letrare nëpër revista dhe gazeta shqipe. Gjer më tani, Sami Krosi ka botuar këto vepra letrare, si janë: “Ditari” (roman), “Filozofia e jetës në poezinë e Lasgush Poradecit” – (kritikë dhe analizë letrare), “Mëkatet filozofike te Rexhep Qosjes së Ri” (kritikë), “Dasma para gjykimit” (roman), “Fshehtësitë e gjyshit” (roman) dhe vepra e tij e fundi është me poezi me titull: “Feneri”. Kjo vepër poetike të përkujton vargjet e poetit të mjerimit, Migjenit, të cilat, për kohën, kur u shkruan, reflektojnë aktualitet të hidhur të ambient shqiptar.

Pra, poezitë e veprës së Sami Krosit shënojnë një kohë krejt tjetër, pra një aktualitet të kësaj kohe, ku me vargje, poeti në fjalë ngre zërin e zgjimit dhe don të keqen ta shkatërrojë, sidomos muret e ndarjes së kombit shqiptar. Ai në poezinë e parë me titull “Diogjen, s’është koha të heshtësh”, pos tjerash, shton: “Kuajt e Trojes duhet shkatërruar/ Bastilet duhet rrëzuar/ Muret duhete ngritur e forcuar” (f.7). Kjo poezi reflekton kah ndryshimet e kohës. Hetohet leht zgjimi i ndërgjegjës, ku autori, shton: “hidhe atë fener, Diogjen – Njeriu aty është” të cilit duhet afruar dhe “zbutur zemrën dhe t’ia ndriçosh mendjen”. Është kjo poezi e “tipit” migjenian, kur poeti ngre zërin e ndryshimit të jetës, sepse, “nuk është kohë e heshtjes” – e as e ironisë, por kohë që duhet ngritur zërin e arsyes për ti nxitur të tjerët të flasin çiltër, e jo fjalë boshe e gënjeshtar kohe.

Poeti, Sami Krosi është optimist dhe ka në vete zemrën e pastër dhe, sikur është vetëvetja, sepse, ai ka dëshirë që njerëzit të lozin vallet e jetës. Në poezinë “Mëngjezi”, poeti hijezohet nga vargjet migjeniane dhe shton: “O, edhe unë jam një shkëndi q’loz n’atë valle/ edhe sot mëngjesi me njëqind përshpëritje/ të buta më ngjalli…”f.18).
Në poezinë e këti autori ka diçka nga jeta kosovare, sepse ka dëgjuar për bjeshkët e Rugovës, ku aty jetojnë den baba den njërzit e saj të urtë, të mençur e luftëtarë. Prandaj, ai në këtë poezi, shton: ”Po e vërej Rugovën,/njerëzit shpejt rrëshqasin mbi të/ gëzime e hidhërime secili n’gji shtërngon”. Po kështu, poezia “Impresion duke perënduar dielli”, poeti është në ndikimin e vargut të Migjenit, sepse ka pjesëza e vargje që tingëllojnë të njëjtën temë, ku te Migjeni kemi “Melodi e këputur”, tek ky autor kemi “Një melodi brengash e malli/ shpirtin ia dridhi t’lumit plak/ dhembje e frikë në dej i kalli/ se ditët po i vidhen pak nga pak” f.20). Apo: këto vargje përkojnë me prozën e poetit të mjerimit, Migjeni, Ja si shton poeti: “Një plak, duke heshtur si i dënuar/ shikon gjatë dhe prapë rrugës vazhdon/ me pleqëri si hamall i ngarkuar/ e me teper t’kres freskinë e shpalon”f.20).

Sami Krosi nuk mund të largohet nga vargju i poetit në fjalë. Ai e ka futur në mendje dhe zemër vargun e poetit të mjerimit dhe, ai tingëllon shumë në vargjet e kësaj vepre. Ja në poezinë “Festë”, vargjet e S. Krosit ia thonë sikur tingëllon poezia “Kënga e rinisë” te Migjeni. “O, kaltrim dhe buzëqeshjte e mia/ Madhërishëm rriten në ditë gjallërie/ Kur në këngë e valle vetë Rinia/ E dalldisur thurr kurora lumturie!” Pra, gati në secilën poezi ka nga pak fërkime migjeniane. Kjo poezi reflekton kohë, momente, por reflekton edhe “ngjarje” të kësaj kohe, të cilat përkojnë me një kohë të kaluar, e tek poeti sikur këto “fërkime” ia përkujtojnë një kohë, kohën “tjetër”, e cila ka lënë vërragë, dhembje, trishtim, por edhe tragjedi të jetës së njerëzve.

Prandaj, titulli i veprës “Feneri” nuk është marrë si rastësi, por si një simbolikë e veprës, e cila, si poetikë, ndrit kohën e mjegulluar, sepse, si shton poeti: “Dikur ndriçonte t’reja mendime- n’rrugët e vjetra t’stinës së shkuar”(f.23). Poezia në fjalë të përkujton kohën e parmendës, kohën e kobures gjallëzore, shpatat e sende të tjera, të cilat, si shton poeti, – duhet të përcilllen në muze kohe. Poeti, thotë: “Me fener sa bukur ndriçojmë/ kujtime të ëmbëla ëndërrime”. Në veprën në fjalë “Feneri”, Sami Krosi flet për plagën e rëndë të popullit, mërgimin.
Poezia “Lutje mallkuese”, poeti shton: “O, prindërit e mi/ fëmijë të gjyshërve të lashtë/ keni dhembje për lotët e kulluar/ mos më leni fëmijë të vetmuar”. Kjo poezi ta përkujton vargun e Filip Shirokës, i cili ka jetuar në mërgim, në Bejrut të Libanit, i cili, mërgimin e ka përshkruar me dhembje dhe me lot vajtues. E, Sami Krosi, shton: “Erdhi edhe njëherë lejleku- këmbëzgjati/ zemra në dridhërimë lutet e lutet/ kthehuni, kthehuni, kthehuni/ Mos më lëni fëmijë të vetmuar/ viktimë e të shkretit mërgim!”(f.34).

Në poezinë e SamiKrosit ka moralizime, por ka edhe filozofi të jetës. Poezia e tij “Rruga – seli e poetit”, ai shprehet: “Mos e lyp në qiell/ se e gjen në tokë”. Ose: “Rruga është pikëllimi/ Dashuria, gëzimi e hidhërimi” (f.39). Mandej, poeti është për një kthim të ri. Kjo është porosia e tij e brendshme, e cila vlon për ndryshime jete e pune. Te poezia “Dita”, autori, S. Krosi ditën e sheh si një qelje e madhe e botës njerëzore. Kjo të përkujton poezinë “Frymëzimi im pa fat” të poetit të cituar më parë, ku autori i veprës në fjalë sheh lindjen e ditës së re, zjarrin e ndezur, por sheh edhe qindra zemra duke u djegur, qindra melodi që përgatiten për veshin e poetit, që këto “sende” i takon në rrugët e qytetit, ku poeti e prêt frymëzimin për art poetik.

Po ashtu, në poezinë e S. Krosit hasim edhe vargje meditative. Ai në një poezinë “Mendimi”, shton: “Jeta kurrë nuk do të shuhet/ E ti si ti – kurrë edhe një herë/ djalë i mirë, puno se duhet/ e mos u ndjerë i mjerë!” (f.42). Në veprën “Feneri” të Sami Krosit gjejmë edhe sonete, forma “kanunore” të krijimit të poezisë. Këto forma i gjejmë më parë tek poetët tanë, si janë: E. Gjergjeku, B. Musliu, N. Mjeda e te disa poetë të tjerë shqiptarë. Pra, është një cikël i poezive, të cilat janë të hartuara nga S. Krosi me këtë formë kanunore, i cili varg është pak më i vështirë se vargu i lirë. Poezi sonetike, janë: “Në urë”, “Para muzgut në park”, “Kur era aq e ngrohtë i puthë lulet”, “Nëpër qytet”, “Drejt banesës”, “Në banesë”,”Në ballkon” etj. Poezitë tjera të kësaj vepre janë më tepër meditative apo fefleksive. Këto poezi janë: “Vendosja”, “Urrejtja”,”Gjurmimi”, “Trimërimi”, “E unë pres”, “Dalngadalë po vjen fundi”, “Fundi i meditimit” etj. Sidoqoftë, poezitë e veprës “Feneri” të S. Krosit pëlqehen dhe janë me një artikulim të rrjedhshëm poetik, të cilat në vete ngërthejnë ide, mesazhe, por edhe art që shijohet nga të gjithë. Është një poezi e qëndrueshme, e cila është e dalë nga një krijues i “pjekur” që poezinë e përcjellë tek lexuesit si një mesazh jo vetëm për ta lexuar, por edhe për të shijuar art të mirëfilltë letrar. Vepra ka 86 faqe./Tefik Selimi
Legjenda: Ballina e librit

Advertisements

Comments are closed.

%d bloggers like this: