Advertisements

Kryeministri Rama,Greqia dhe Shqipëria “me një dokument të ri të partneritetit strategjik”

/ATSH/ Greqia dhe Shqipëria do të përmbyllin marrëveshjen midis tyre “me një dokument të ri të partneritetit strategjik”, u shpreh kryeministri Edi Rama, për Agjencinë e lajmeve Athinë-Maqedoni (ANA), në analet e samitit BE-Ballkani Perëndimor, i cili mbylli punimet të martën në Londër.

“Siç e dini, ne po përballemi gjithashtu me një proces të vështirë, por absolutisht të nevojshëm për zgjidhjen e çështjeve të mbetura midis nesh, Shqipërisë dhe Greqisë”, theksoi Rama për ANA-n.

Gjëja më e rëndësishme, tha Rama, “është që ne të fokusohemi tek këto probleme jo vetëm për t’i zgjidhur ato, por edhe për ta transformuar zgjidhjen në një nivel të ri të partneritetit dhe bashkëpunimit”. Të dy vendet kanë pasur marrëdhënie për shtatëdhjetë vite, vuri në dukje ai, “të cilat karakterizohen gjithnjë e më shumë nga lidhjet e natyrshme midis popujve tanë”.

Kryeministri Rama shtoi: “Është shumë e natyrshme dhe në një farë mënyre përmes zgjidhjes, do të arrijmë në nivelin e popujve normalë, të qytetarëve të zakonshëm të cilët e kanë kapërcyer të kaluarën dhe kanë përqafuar njëri-tjetrin për të ardhmen”.

Rama përshëndeti marrëveshjen midis Greqisë dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë (FYROM) lidhur me çështjen e emrit, duke thënë se “ky është një moment i mirë për të përgëzuar disa rezultate konkrete, para së gjithash arritjen e madhe të Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, falë një lidershipi shumë të guximshëm dhe vizionar të kryeministrave Alexis (Tsipras) dhe Zoran (Zaev), të cilët morën përsipër pjesën e tyre të rrezikut për të konfirmuar diçka që nuk ishte e lehtë, por ata treguan se aty ku ka vullnet, ka edhe një zgjidhje”.

Duke komentuar reagimet ndaj marrëveshjes në të dyja vendet, Rama shprehet: “Sigurisht që ata (Tsipras dhe Zaev) përballen me reagime të ndryshme, por në të njëjtën kohë reagimet tregojnë se ky ka qenë një vendim mjaft i guximshëm që do t’i shërbejë jo vetëm Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, por edhe Ballkanit në përgjithësi”.

Në lidhje me Samitin BE-Ballkani Perëndimor dhe Procesin e Berlinit, Kryeministri Rama u shpreh si më poshtë: “ky është një proces i rëndësishëm që ka nisur pesë vite më parë dhe që besoj po ecën me një ritëm të mirë. Ndihmon shumë për të na mbledhur bashkë dhe për të na bërë të lëvizim së bashku. Natyrisht, ky proces po ndodh në një kohë kur gjërat në Europë nuk po shkojnë aq mirë, aq sa duket si një mallkim ballkanik për Europën. Njëherë e një kohë, kur Europa po bëhej më mirë, ne po bënim hapa prapa, tani ne po përparojmë ndërsa situateanë Europë po përkeqësohet”./

Loading...
Advertisements

Comments are closed.