Advertisements

Censurohet, literatura shqipe në ambientet e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë…

“Nuk lejohet të qarkullojë literaturë në ambientet e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë pa miratimin e autoritetit kishtar kompetent”
(Statuti i KOASh-it, Neni 50, 2006).
Në statutin e 2006-ës pohimet ndaj kultit të Anastasit kundërpeshohen me mohime ndaj lirisë së ortodoksëve. Kulti është i vetëdijshëm për brishtësinë e tij, përderisa statuti pohon duke shkelur të drejtën kanonike, prandaj dhe nxiton të mohojë, për të ndrydhur kësisoj ndërgjegjësimin e grigjës, për të kyçur reagimet thellë në shpirt. Le të heshtim që të flasë, buçasë e kërcasë zëri totalitar: “Të gjithë Orthodhoksët e Shqipërisë janë të bashkuar rreth Kryepiskopit Anastas!” Pohohet kultizimi, prandaj dhe mohohet e vërteta.

Një nga shembujt e pohim-mohimit është neni 50 i statutit të ri, fjalinë e parë pohore të të cilit e trajtuam në kreun e kaluar, për të mbërritur tanimë në fjalinë e dytë mohore, cituar më sipër.

Këtu kemi një rrëshqitje nga formulimi ortodoks, sepse për herë të parë në një dokument kanonik Kisha përkufizohet si “ambient” (περιβάλλον). E përkthej, sepse ky nen mund të kuptohet vetëm përmes greqishtes, ose, më saktë, përmes zhargonit të organizatave parakishtare atje, nga ku u brumos e doli kryepeshkopi ynë.

Kisha është kthyer në një mjedis kulti, siç po e analizojmë në këtë trajtesë, ashtu siç e gjejmë në nenin 50. Vetë Anastasi ndodhet në një pozitë kaq ekspozuese psikologjike në Shqipëri, saqë një kishë të tërë autoqefale e pagëzon “ambiente”, duke rënë në terminologjinë e juntës. Edhe pse në fund të shërbesës, ai duket se ka probleme me përkufizimin e Kishës si nocion, njësoj si regjimi kishtar i viteve 60 në Greqi. Kjo është pema e Njëshit, kur ai e zhbën sinoditetin dhe kolegjialitetin e ortodoksisë, duke rënë në gafa të tilla kanonike, për të ekspozuar cektinën e tij eklisiologjike.

Dhe nga njëra gafë, i brishti kërcen tek tjetra: Kush është “autoriteti kishtar kompetent” në nenin 50?

Statuti ia ka përngjitur kryepeshkopit kompetencat e sinodit, prandaj dhe vetëm Anastasi ka të drejtë të vendosë se çfarë librash lejohen e çfarë ndalohen në komunitetin ortodoks në Shqipëri. Faktikisht, çdo botim i KOASH-it nuk ka miratimin e Sinodit, por emrin personal të Anastasit! Kjo sjellje totalitare bëhet më vetpërshkruese kur ai e shekullarizon kultin e tij, duke shënuar në këto miratime papnore titujt e dikurshëm akademikë (Prof. Dr.), në një kohë kur kjo nuk ndodh në praktikën ortodokse. Asnjë primat ortodoks nuk përdor titujt akademikë në kishë.

Përse nuk i vë titujt akademikë në nënshkrimet e tij patriku Vartholomeos, për shembull, i cili është më i arsimuar e më i ditur madje se Anastasi?

Përse nuk e vinte titullin e Doktorit të Teologjisë kryepeshkopi i Athinës Kristodhulos, i cili ishte kishërisht më i arsimuar, muzikor e liturgjik i mirëfilltë, e madje më popullor e më aktiv se Anastasi në kishë?
Përse nuk i vë titujt akademikë kryepeshkopi i kishës greke në Amerikë, Dhimitrios, i cili vetëm pak më parë ishte profesor në universitete prestigjioze amerikane?
Përse nuk bën kështu mitropoliti i Dioklisë, Kallistos Ware, hierarku dhe teologu më i famshëm i Kishës Ortodokse sot, i cili madje si profesor në Oksford për gjysmë shekulli do të kishte më tepër arsye ta bënte?

Këta, dhe të tjerë që nuk nxen këtu t’i përmendim, nuk i shënojnë titujt akademikë as në protokollin kishtar e as në librat e tyre. Sepse ata burra kishtarë që ndihen të realizuar, nuk kanë pse të mbeten në komplekse të kapërcyera të natyrës njerëzore.

Urojmë që kryepeshkopi më në fund të gjejë fuqi të ndreqë disa gjëra që e kanë ekspozuar keq në Shqipëri. Të gjejë paqe me të tashmen dhe të përdorë vetëm titujt kishtarë, ashtu si gjithë hierarkët kanonikë të ortodoksisë sot. Për më tej, të harrojë formulën papnore në botimet kishtare dhe ta lerë kishën shqiptare të marrë frymë. Nëse nuk mundet të botojë libra pa formulë miratimi, të paktën të respektojë Statutin, të cilin e bëri siç deshi:

“Sinodi i shenjtë miraton literaturën me përmbajtje fetare, e cila mund të qarkullojë brenda famullive, manastireve apo institucioneve të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë” (Neni 12h).

Ky nen është i rremë, sepse është shkelur dhe shkelet vazhdimisht. Më gjeni një libër të botuar nga KOASH-i që të ketë miratimin e Sinodit të Shenjtë, siç e kërkon neni 12.h më sipër. Asnjë botim!

Kush është “autoriteti kishtar kompetent”, atëherë? Sinodi, siç mashtrohet në nenin 12.h këtu, apo kryepeshkopi, siç lexohet në faqen e parë të çdo botimi të KOASH-it këto vite?

Ndodhemi para një gjendjeje klinike, pra, siç është çdo mjedis manipulimi mendor. Mund të jetë tempull, mund të jetë një grupim politik, mund të jetë një fis, mund të jetë një familje, mund të jetë një çift, mund të jetë një marrëdhënie midis dy miqsh, mund të jetë një lidhje intime midis dy qenieve, por sidoqoftë, shenjat janë njësoj. Manipulimi mendor pjell abuzimin dhe sjell mpirjen e arsyetimit, si kjo që përpiqemi të zbardhim këtu.

Kemi për subjekt statutin, por në thelb përballemi me një njeri pseudo, i cili në vend të përkorjes dhe shërimit, mëton që t’i falet gjithë bota. Është i njëjti pseudo që na e imponuan si ndriçimtar e paqebërës në rajon, që të ngrihet e të na shpallë sot çensurën e leximeve në komunitetin ortodoks!

Një klerik që nuk ishte i denjë as për mitropolit në Greqi, na u imponua në Shqipëri me metoda të vrazhda jo kishtare si kryepeshkop, por që ende vuan të kaluarën dhe përpiqet të bindë veten dhe të tjerët se është i aftë për primat, prandaj dhe çdo gjë duhet të kalojë prej tij, me emrin e tij, në hijen e kultit të tij, madje dhe çdo libër ortodoks.

I përmbytur në një hyjnajë të tillë, i kultizuar nga ndërthurjet politike në Shqipëri, megjithatë, Anastasi ka çaste kur harrohet ose përmendet dhe përpiqet të ndreqë diçka në veprën e tij kishtare: Ai sajon një nen se sinodi duhet ta bëjë miratimin e botimeve, por më vonë nuk e lë as sinodin, sepse statuti është për shqipot, jo për Atë.

Për parantezë, trazirat shpirtërore të Anastasit lexohen dhe në përkufizimin që i bën Kishës në nenin 12.h, duke e perifrazuar si “famulli, manastire apo institucione”, në tentativë për t’u përafruar me eklisioligjinë ortodokse, ndërsa në nenin 50 lajthit krejt dhe e quan “ambiente”!

Duke i dhënë Sinodit këtë kompetencë mbi botimet, në këto çaste sinqeriteti, Anastasi dëshmon një grimë dëshire për t’u kthyer, një çast bipolar, edhe pse prapë është jashtë praktikës ortodokse. Sepse nuk është e domosdoshme që Sinodi të miratojë çdo botim ortodoks, a të shpallë se ky libër duhet lexuar, ndërsa ai tjetri jo.

Përse nuk ndodh kjo në kishat e tjera autoqefale? Përse nuk ekziston një nen i tillë në statutin e Kishës së Greqisë?

Në të kundërt, rreth 95% e literaturës ortodokse në Greqi qarkullon jo vetëm pa miratimin e Sinodit, por nga shtëpi botuese jo kishtare, të cilat janë private. Shkoni në një librari greke me libra teologjikë dhe hapni faqet e para të çdo libri; nuk do të gjeni asnjë formulë miratimi. Pastaj shkoni në vetë librarinë e Kishës së Greqisë, ku do të konstatoni se shumica dërrmuese e librave nuk janë botime të kishës, por ato libra që keni prekur pak më parë në libraritë private, pa miratimin e Sinodit. Por edhe ato libra që dalin nga botimet e kishës, në shumicën e tyre nuk kanë miratim nga Sinodi, përveç ndonjë teksti zyrtar, brenda arsyeve praktike gjithmonë, por jo se e kërkon Statuti. Sidoqoftë, as që bëhet fjalë të gjejmë ndonjë libër të kishës greke me miratimin e kryepeshkopit të Greqisë. Në disa libra kryepeshkopi mund të bëjë një shënim parathënës, brenda praktikës librore gjithandej, por kurrën e kurrës miratime papnore.

Le të shtojmë se vitet e fundit Anastasi ka nisur të ribotojë në Greqi disa libra të tij, e të botojë libra të rinj duke mbledhur e plotësuar shkrime të vjetra të tij, por asnjë prej tyre sjell lejën e “autoritetit kishtar kompetent”. Për më tutje, ato libra nuk botohen nga botimet e Kishës së Greqisë, por nga shtëpi botuese private, siç ishte private vetë shoqata e tij Porefthentes, e cila i botonte librat Anastasit, kur ai nuk përfillej në Greqi.

Përse librat e Anastasit nuk kanë miratimin e Sinodit a të kryepeshkopit të Greqisë? Për më tej, përse librat e tij botohen nga botime e shoqata ortodokse private, të cilat nuk janë nën juridiksionin e hierarkisë?

A nuk e ndalon statuti i ri shqiptar diçka të tillë? Standard i dyfishtë!

Në Greqi do të kishte më tepër justifikime për çensurë, sepse atje ekzistojnë edhe disa grupime tradicionaliste ortodokse që nuk e njohin kishën zyrtare. Atje madje ka disa shoqata ortodokse me shtëpi botuese shumë më të fuqishme sesa botimet e kishës zyrtare, të cilat madje janë kritikuese ndaj hierarkisë. Dhe megjithatë, kisha nuk shpall çensurë në statut.

Në të kundërt, statuti i ri shqiptar kërkon që çdo botim ortodoks të ketë miratimin e Sinodit, i cili prapëseprapë nuk është “autoriteti kishtar kompetent”, sepse në praktikë Anastasi e shkel edhe Statutin, e tok me të dhe Sinodin, dhe vë emrin e vet duke e damkosur çdo libër.

Edhe diktatura komuniste nuk i imponoi dot një ligjë të tillë kishës shqiptare, sepse neni 20 i 1950-ës është shumë më i butë:

“Çdo botim me përmbajtje fetare kishtare, nuk mund të vihet në përdorim në Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, pa pëlqimin dhe miratimin e Sinodhit të Shenjtë” (Neni 20, Statuti i KOASh-it, 1950).

Sidoqoftë, ky nen nuk bën ndalim leximi për besimtarët, sepse nuk përdor marifetin e termit “ambiente”. Për më tej, flet për botime fetare, duke i lënë ortodoksët të lirë të lexojnë letërsi e gjithçka tjetër të vyer. Hierarkia jonë u shtrëngua nga regjimi të kufizojë literaturën që mund të ishte antikomuniste, por nuk ra kaq poshtë sa misioni grek. Në fakt, nuk kam parë asnjë botim të asaj periudhe që të ketë formula papnore të kryepeshkopëve të atëhershëm, siç po bën Anastasi sot.

Nëse shkojmë më mbrapa, në statutin e kishës shqiptare të vitit 1929, formulimi mbi literaturën ortodokse është edhe më i pranueshëm. Neni i atëhershëm fliste për libra kishtarë e shkollorë, jo për lexim personal, sepse bëhej fjalë për libra zyrtarë (liturgjikë e biblikë), në një kohë kur ekzistonte ankthi i përdorimit të shqipes në kishë dhe i tejkalimit të greqishtes, të cilën populli i pamësuar e i manipuluar e njihte si të vetmen gjuhë në shërbesa. Sidoqoftë, ky nen nuk e kufizonte leximin e ortodoksëve:

“As nji libër nuk mund të përdoret në Kishë pa pëlqimin zyrtarë të Sinodhit kështu dhe në shkollë, për mësimin e Fesë Orthodhokse pa pëlqimin zyrtarë të Sinodhit dhe të Ministrisë s’Arësimit” (Art. 7, Statuti i KOAShit, 1929).

Duke e përqasur temën me nenet përkatëse të statuteve të kaluara shqiptare, neni 50 mbi botimet na ka çuar një shekull mbrapa!

Ky nen mbjell paragjykime e fajësi në shpirtin e kërshërisë intelektuale, sepse ka shpallur çensurë në leximet ortodokse, në një kohë kur dihet se pa përkthime të reja kisha shqiptare nuk mund të ketë bibliotekën e saj në shqipe. Mirëpo, tejet çensurës, librat e kishës zyrtare janë shumë të paktë. Le të kujtojmë se fjala e fronëzimit të Anastasit në vitin 1992 premtoi pikërisht të kundërtën, se ai ta pajiste Kishën me tekstet e munguara liturgjike.

Me dogmën “nuk lejohet të qarkullojë literaturë”, dhe duke mos e përcaktuar se çfarë, neni 50 na krijon shqetësime të tjera. Me këtë nen të rinjtë, seminaristët dhe besimtarët lidhen në mëshirë të njërit a tjetrit klerik mendjehapur a mendjembyllur, sepse në praktikë nis hartimi i listës së librave të ndaluar. Me “literaturë” mund të themi shumë, pa lënë jashtë letërsinë shqiptare e botërore, si dhe teorikët kulturorë me vlera universale, pa të cilët nuk mund të kemi përqasje ndërdisiplinore në literaturën ortodokse.

Çensura shpallet nga “autoriteti kishtar kompetent”, pa e thënë se kush është ky, në mënyrë që Anastasi të fshehë dorën e të dalë prapë i nderuar e përparimtar, sepse ”këto janë rregullat”, edhe pse ky rregull, mbi çensurën në literaturë, s’ekzistonte para tij në kishën shqiptare, por u imponua nga diktatura komuniste, sidomos mbas mbylljes së tempujve. Tek e fundit, ku marrin vesh shqiptarët nga literatura e filozofia? Mbas Biblës, le të lexojnë librat e Anastasit dhe plot e kanë. Atje janë esencat e gjithë sendeve…

Kjo mënyrë të menduari nuk është e habitshme për cilësinë e Anastasit, por është e çuditshme për Patrikanën Ekumenike, për lojën politike që luhet në kurriz të shqiptarëve ortodoksë. Edhe pse ka tërhequr shkungimet dhe mallkimet ndaj kishës katolike, përlëshuar ato nga të dy palët ndërluftuese para dhjetë shekujve, Fanari nuk ka ndërmend ta bëjë këtë për shqiptarët, edhe pse nuk ka kaluar as një shekull nga shkishërimet dhe mallkimet e hierarkisë së tyre. Kaq freskët dhe kaq ndryshe!

Ky realitet i mbrapshtë në ortodoksinë shqiptare nuk nderon as ata intelektualë shqiptarë që mbështesin ende sot Anastasin, të cilët nuk janë të paktë. Ekzistonin justifikime që ai të mbështetej në të kaluarën prej tyre, sepse nuk e njihnin, nuk kishte peshkopë, komuniteti ortodoks ishte në një pozitë të brishtë, kishte nevoja të mëdha ekonomike, në Shqipëri ekzistonin trazira politike, tendenca ekstremiste, bëheshin lehtë identifikime të padëshiruara, e të tjera, por ja që sot jemi ndryshe. Anastasit i është qarkuar plotësisht shërbesa; një mision me vizion e pasoja shkombëtarizuese.

E pra, kemi një kryepeshkop që shpall çensurën e leximit duke na kthyer në tmerrin e viteve 1900, atëherë kur politika kishtare çoi në përçarje të mëdha brendashqiptare, pikërisht mbi botimet dhe gjuhën, duke shkaktuar armiqësi deri dhe brenda familjeve ortodokse. Kundërthënësit u izoluan, u përndoqën dhe disa prej tyre u zhdukën fizikisht.

Kemi një kryepeshkop që hiqet se është më mendjehapur se kushdo tjetër në ortodoksi, se është më i ndriçuari gjithandej, se është më i dituri e të diturve, por ja që pengon ndriçimin dhe ndërgjegjësimin e komunitetit ortodoks në Shqipëri. Si mund të shfajësohen mbështetësit e tij sot?

Frika e Anastasit se mos shqiptarët ortodoksë krijojnë vatra spirituale e kulturore jashtë kontrollit të tij, ankthi se mos çensura mund të mbytet diku, në ndonjë kënd shpirtëror jashtë juridiksionit të kryepeshkopatës së Tiranës, është e ligjëruar edhe në nenin 37.3:

“Manastiret e Shenjta në Kishën e Shqipërisë […] janë nën juridiksionin e Sinodit të Shenjtë, deri në një vendim të ri Sinodik [siç] në lidhje me këtë çështje”.

Dihet se manastiret kanë qenë jo vetëm zgjoje shpirtërore fetare, por dhe shkolla kulturore kombëtare me art, shkronja e arsim. Duke zhbërë rendin kanonik, e duke ua vjedhur mitropolive të drejtën e juridiksionit mbi manastiret, Anastasi zhduk çdo shpresë për një ripërtëritje shpirtërore e kulturore në ortodoksinë shqiptare.

Meqë fjala është tek botimet, me nenin 37.3 shmanget bukur edhe një mundësi për përkthimin e literaturës ortodokse nga manastiret, ndërsa kontrollohet e ndrydhet zona më e ndjeshme e spiritualitetit ortodoks.

Një nen i tillë kontrollues është antikanonik, prandaj dhe manipulohet me përdredhjen ”deri në një vendim të ri Sinodik”, sikur po shkruhet një letër e jo Statuti i një kishe autoqefale. Sepse në praktikën ortodokse manastiret ndodhen nën juridiksionin e hierarkut të atij territori, dhe jo të sinodit, por ky nen është fisnor me atë 12.h, ku kryepeshkopi përkthehet vetëm përmes lëmit të psikologjisë.

Dhe ja një thërrmijë: Në vitin 1996 i kërkova lejën kryepeshkopit Anastasios për të përkthyer një libër teologjik. Nuk më tha as po, as jo, por kur e shtrëngova, tha me gjysmë zëri, duke psherëtirë me siklet: “çdo gjë që përkthehet, e dobishme është”.

Kur përfundova përkthimin, të cilin e kreva falas, e njoftova Fortlumturinë dhe kërkova të botohej. Mbasi më përgëzoi, më tha se përgjegjës i botimeve nuk është ai por At Joan Pelushi, Mitropoliti i sotëm i Korçës, i cili është “kompetent” për botimet. Kur kontaktova At Pelushin ai më tha se përgjegjës nuk është ky, por vetë Kryepeshkopi, prandaj dhe nuk kishte se si ta miratonte përkthimin për botim. Libri nuk u botua.

Kush është autoriteti kishtar kompetent në nenin 50?

Duke shpallur çensurë në literaturë, atëherë, përjashtohen dhe botimet e përkthimet e teologëve ortodoksë mbi vetë besimin ortodoks. Këtë nuk e them për vete, sepse të tjerë teologë kanë bërë më shumë se unë, pavarësisht se janë në hije. Duke kontrolluar botimet, e duke penguar përkthime të reja cilësore, virtytet dhe vetitë e kandidatëve shkruhen nga kulti për kultin. Të tjerët thjesht nuk ekzistojnë…

Jo më kot zyra e hartimit të teksteve edukative të KOASh-it drejtohet nga laikë të ardhur nga jashtë komunitetit ortodoks. Paradoks i madh ky, edhe për faktin se në kishat e tjera ortodokse përgjegjësi i kësaj fushe është teolog, klerik, e shpesh peshkop, përderisa për të hartuar librat e katekizmit kërkohet përgatitje shumëvjeçare në teologji e disiplina të tjera. Në Shqipëri është ndryshe. Duke imponuar të konvertuarit në hierarkinë dhe pozitat kyçe të kishës, duke shpallur çensurë në botime e në lexim, duke flakur jashtë kishe teologët dhe intelektualët mendjehapur, zhbëhen kulturorisht shqiptarët ortodoksë.

Dihet se Anastasi ka neveri për shqiptarët ortodoksë, pikërisht se ata ekzistonin atëherë kur ai s’kishte lindur, gjë që nuk ka si të zhbëhet në data, prandaj dhe historia shkruhet në marrëzi, ethe e makth. Nuk është e rastit që i vetmi shqiptar ortodoks që ka post të rëndësishëm në KOASH është At Jani Trebicka, i cili nuk ka mbaruar as tetëvjeçaren dhe nuk shquhet as për autodidakt. Ish-kovaçi i Korçës, i cili di të hedhë vetëm firmën nëpër fletërrufetë e misionit ndaj kundërthënësve, është çuar gjithandej nëpër botë mbas Anastasit, pikërisht për të na diskretituar si komunitet. Ai ka dëshmuar gjithandej cilësinë e shqiptarëve ortodoksë, “leshtësinë dhe injorancën”, gjëra “të mira” këto për shpirtin, por të pamjaftueshme për fronet.

Prandaj dhe Perëndia dërgoi në Shqipëri të zgjedhurin, pikërisht për t’u vënë shkelmin ortodoksëve, për ta prerë të keqen në rrënjë, për të ndriçuar e lëmuar pastaj vrazhdësinë vendore; me të sapoardhurit, “të sapondriçuarit”. Këta të fundit, të konvertuarit nga familje myslimane, janë ndryshe sepse janë pemë e misionit grek. Janë në ecje e sipër, “rriten e shtohen”, prandaj dhe i brishti ndihet shpenguar me ta. Dialektika e roleve.

Qysh në takimin e parë me Anastasin, në fillim të vitit 1992, Eksarku ma bëri të qartë: “Këtu unë jam dhe unë do të jem. Bashkëpunëtorët e mi do të jenë drejtuesit e ardhshëm të kishës vendore. Ata nuk do të gjykohen nga diplomat dhe arritjet, por nga masa e dedikimit ndaj meje. Zoti do t’i plotësojë të tjerat. Lere fakultetin dhe eja këtu. Teologjinë, tok me greqishten, do t’i mësosh më mirë këtu afër meje, sesa në universitet. Nëse e shoh unë të arsyeshme, mund të të dërgoj për studime jashtë. Kjo që ke bërë ti nuk është e mbarë, sepse ke shkuar për teologji në kokë tënde.”

Mbas dy-tri orësh përpjekjeje manipulimi atë mbrëmje të zymtë, unë, “refugjati i ikur nga mali”, nuk u binda dhe u ktheva në Athinë. Atëherë dija shumë pak, por i besova intuitës. Sa shumë do të kisha humbur! Nëse kthehesha në Shqipëri vetëm mbas një viti qëndrimi në Greqi, nuk do të mundesha të mësoja thellë greqisht e teologji, nuk do ta kuptoja imtësisht Anastasin, dhe nuk do të shkruaja kështu, siç më druhet ai sot.

Shqiptarët ortodoksë nuk u vlerësuan në bazë të kritereve kishtare dhe akademike, por të interesave të huaja në Shqipëri; siç e tha vetë Eksarku! Përndryshe, kur përfundova studimet në Athinë, përse nuk më pranoi të shërbej në Shqipëri?

Sepse në KOASH ka dy rrugë: Ose do manipulohesh, ose do kompromentohesh. Vetëm nën një regjim të tillë parakishtar, shfajësohet çensura e Anastasit në statutin e ri.

At Foti Cici

facebook.com/bibliotekaortodokse/


 

Loading...
Advertisements

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close