Advertisements

Dashuria e vërejtur dhe e kënduar në një vepër poetike artistike…

Gjilan, 31 gusht 2018
Libri është dritare e botës. Është ushqim shpirtëror i njeriut. Në libër ka “urrejtje”, por ka edhe dashuri. Kush e do librin, e do vetën, i do njerëzit dhe botën. Me libër, ecët përpara dhe njerëzit komunikojnë në mes vete. Ata shpërfaqin ëndrrat e tyre të dashurisë për jetë. Pra, libri e rrëfen jeton tonë, atë që e duam dhe ia përcjellim të tjerëve. Është ushqim jetësor e shpirtëror i njeriut… Lumë kush e don dhe e adhuron librin…!
Edhe vepra (libri) “Dashuri e degëzuar dhembjesh” e Rovena Shuteriqit, autore nga Tirana, ka vargje të bukura për dashurinë. Vargjet e kësaj vepre janë tejet joshëse dhe interesante. Këto lirika në vargje të kthejnë në një kohën rinore. E para se, kjo vepër fillim e fund është me vargje që flasin për dashurinë e sinqertë të njeriut. Këtu flet shpirti, zemra, fryma e dashjes nga autorja e veprës. E dyta, vepra kulmon nga reflektimi për dashurinë njerëzore, e cila ka “mesazhe” të qiltërta e të forta poetike. Aty (në vepër) ka “rrëfime” të bukura dhe të prekshme të jetës shpirtërore.

Veprën “Dashuri e degëzuar dhimbjesh” nga Rovena Shuteriqi, autore nga Tirana, e lexuam mekujdesin e duhur. Autorja na duket një krijuese e zonja e poezisë. Hyj me ëndje në botën e krijimeve të saj poetike. Aty është jeta e saj e qiltërt si qielli i kthjelltë. Duke i lexuar vargjet e kësaj vepre, ma përkujton jetën time kur isha i ri dhe, rrija gjer në orët e mbrëmjes duke fantazuar fytyra të bukura femrash që më dukeshin plot hijeshi. I mendoja ato afrime të tyre të lehta dhe kurrë nuk dija të ngopëm me ato raste fantazie. Ishin ëndrra të hershme djaloshare, të cilat nga njëherë ato ëndrra i hudhja në letër dhe i bëja krijime të këndshme. E, te Rovena vërej një poete të qiltërt, poete me flakë të ndezur zemre e shpirti që këndon për dashuri. Janë vargje margaritarë që flasin e rrëfejnë jetën e dy bandilave (të dashurëve), të cilët nuk mëshehin asgjë nga pjesa e “fantazisë” për dashuri kohe e jete. Pse jo? Edhe kjo është jetë. Jetë që nuk duhet anashkaluar, por duhet çmuar e adhuruar të “krijuar” nga Zot i madh, atij i qofshim falë!
Rovena është krijuese e drejtëpërdrejtë e vargjeve poetike. Ajo i ka kënduar zjarrit shpirëtor të qenies njerëzore. Vargjet e saj janë plot xixa stralli për jetë e dashuri. Janë mal me shprehje të arta për dashurinë. Ajo e thotë “ngjarjen” troç. Nuk i ik asnjë pjese të kësaj jete. E sheh të dashurin e adhuruar dhe ia thotë në sy. Eja se nuk më merr gjumi pa më dashur, pa më puthur apo shtërnguar fort. Ajo nuk i ruhet asgjëje, as “lojërave” të kësaj pjese të dashurisë. Këto vargje të Rovena Shuteriqit, (gati) ia tejkalojnë këndimit në vargje të disa poetëve tanë. R. Shuteriqi, poete, në vargje është e drejtpërdrejtë kur i mungon i dashuri. Ja si shton ajo: “Ike pa thënë asnjë fjalë/Me vete more zemrën e coptuar/ Më mungon prania jote/ Ti, s’mund të rrish pa muzën, dashurinë tënde!/ Asnjë, pa njëri-tjerin”(f.83).

Apo tek poezia e saj “Ti japësh dashuri jetë”, ajo shprehet me pak fjalë të bukura për t’i dhënë kuptim jetës dashuri, dhe shton: “Sonte, do të jetë nata ime më e bukur/ Sonte, edhe natyra është me mua/ Sonte, është nata më romantike e jetës sime!/ Sonte, është mundësia e një dashurie mitologjike/ Pres e veshur në të kuqe!/Pres çastin magjik!/Ty që do të vish si princ i përrallave./Ty, që pa mua nuk mund të jetosh!/Ty, që në jetë të prisja!/Ty, që në jetë, dashurisë t’i japësh sot!/… Dashurisë që të gjithë i këndojnë në shekuj/ Dashurisë që të dy, besën i kemi dhënë!/ Dashurisë që këtë natë, rrahjet e zemrave tona do i japin jetën! (f.91).
Poezia e Rovenës është magjike. Dashuria tek kjo vepër është platonike. Ajo gufon dhe trazon shpirtin. Ajo nuk ngurron e as nuk mëshihet nga e shpehurat e saj të dala nga thellësia e zemrës. Është poezi e padjallëzuar dhe kurioze. Reflekton mu në zemër të dashurisë. Ka mal shprehjesh poetike, të cilat lidhen me nyjen e jetës së të rinjve. Kjo poezi artikulon të bukurën e dashurisë. Lirisht mund të themi se, vepra e Rovena Shuteriqit ngërthen në vete vaje e dallgë zemrash për dashuri. Është plot zë që e rrëfen “shiun romantik”, të cilin çdo i ri ka nevojë ta shijojë.

Rovena ka një shpirt të veçantë e të trazuar tek motivi i dashurisë. Është poetja e “giximshme” që flet hapur për çastet e dashurisë. Ajo shprehet në vargje se nuk e merr gjumi pa i ardhur kalorësi i saj i ëndërruar. Në këtë reflektim mendimesh, ajo ka edhe “dilema” të jetës. Këto janë momente për të tejkaluar sfidën e jetës që të delë fitues. Në vargje të saj ka dilemë për afrim çastesh të të dashurëve. Ajo shton se, “Kur të afrohem, ku ka siguri?! Pra, jeta ka dilema, krajata, dashje, rrënkime, vaj, tëhuajsim, zhgënjim, urrejtje, faktkeqësi, tradhëti, por jeta normale ka edhe dashuri, jetë, ngazëllim, përjetim, hare, gëzim etj. Tek dilema, Rovena shton se, “në njërën anë ke çelësin, e tjetrën ke zemrën!”(f.43).
Në poezinë e R. Shuteriqit “Mos më zgjo ëndrrën”, ajo shprehet lehtë e lirshëm. Nuk ka aq metafora, personifikime e as ndonjë figurë tjetër, por është e drejtëpërdrejtë. Thotë: “Eja tinëzisht këtë natë!” Pse jo? Dashuria e të rinjve është tinëzare, sepse aty ngulmon zjarri i dashurisë së parë. Ajo shton: “Eja e më vështro/ Jam e qetë dhe e lumtur/ Ti je qetësia e shpirtit/ Melhem, për zemrën time!/Më mban ngrohtë në gjoksin tënd/Ndihem kaq e mbrojtur aty në përqafim tënd, a nuk do desha zgjim në agim!/Po deshe veç këtë natë, pa mbarim/ Të lutem, tinëzisht, eja!/ Dhe mos më zgjo, nga kjo ëndërr!/ Eja dhe mos ik”(f.27). Dhe, pas kësaj “ngjarjeje”, poetja shton: “Agimi i një dite të re, sapo ka filluar”(f.21). Këtu është “ëndrra” e dashurisë së njeriut, i cili, jetën e jeton me dashuri.

Pra, nuk ka në jetë pa rreze dielli e as njeri që nuk dashuron. Dashuria është universale, ajo e sfidon jetën. Është koncept i jetës. E, në këtë “koncept” jete, Rovena shkëlqen me mendimin pozitiv për jetën. Ajo në shumë vargje anon ka mirëqenia, jeta e ëmbël, mirësia, dashuria, afrimi, drejtësia, lumturia e shumë mendime të tilla fantastike, por që bashkëjetojnë me jetën pozitive të njeritut tonë. Ajo në një rast, shton: “Kur çdo gjëje do ti japësh kuptim pozitiv/ sepse dshuria për natyrën që na rrethon dhe për njerëzit duhet të jetë primaria në jetët tona!/ Pa fjalën DASHURI, s’ka kuptim JETA!(f.97). Pra, jeta “DASHURI”, ka kuptim. I jep sharm e kuptim në vazhdimësinë e të jetuarit. Ja si shton ajo: “Të paktën këtë natë, bëhu i imi!/ Le t’ia lëmë kohës, fundin!/ Mjafton sonte të jem të dy/ Unë dhe Ti!/ Nesër është një ditë tjetër!/… Sonte, dua të jesh vetëm i imi!(f.113).

Dhe, pas kësa ndjenje ekzaltuese, poetja shton: “Do të mundohemi të gjej sadopak lumturi, se këtë m’a kërkove ti, o dashuni! (f.125). Dhe, së fundi, poetja shton: “Dorën zgjat e më prek/ Përkëdhel si më s’ka/ Afrohesh ngadalë e më puth lehtas/ Do që të jetë si në përrallë/Nuk duam të dalim nga kjo botë”(f.135). Kjo kulmon dhe rrezaton.

Autorja, Rovena Shuteriqi sikur nuk i ik aspak ndjenjave të dashurisë. Ajo plot gojë e dorë i jep liri këtij motivi fort të “prekshëm” të jetës së çdo njeriu. Bëhet i secilit që ta ndjejë këtë fakt e këtë “reflektim” ndjenjor, sepse, kjo “jetë” tjetër, e bën njeriun të jetë plot shend e verë në jetën e tij. Ajo (Rovena), shprehet plot zjarr duke i dhënë “mesazhe” kësaj jete, kur thotë: “Dashuria jonë merr krahë, veç nga shikimet e përshpëritjet e fjalëve tona/ Unë të jap jetë/ Ti më jep vazhdimësinë në kohët pa limit”(f.143).
Ajo që e dallon veprën poetike të Rovenës është edhe “fakti” tjetër se, në çdo faqe të veprës, (në të majtë), është e ilusturar me piktura në kolor. Kjo formë e qëndisjes së veprës poetike ia hijeshon jo vetëm mbrendësinë, por vargjeve margaritarë ju jep shije e mëlmesa, për një formë tjetër të leximit, që kuptohen e shijohen vargjet si kënga kur përcjellet me melodi apo me ndonjë vegël muzikore. Pra, kjo është poezia e Roneva Shuteriqit, autore nga Tirana, e cila është e hijeshuar me piktura, të cilat i japin një formë pak më ndryshe letrare./Tefik Selimi
Legjenad:Ballina e veprës…

Loading...
Advertisements

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close