Advertisements

Ismet Kryeziu: Si e pergjoi Remzi Hoxha takimin Berisha-Milloshevic

  1. Ish-furnitori i UÇK-së, Ismet Kryeziu, pak kohë se të denoncohej si i zhdukur në polici nga bashkëshortja Anila Leli, ka dhënë një intervistë ekskluzive .
    Ai rrëfen për lidhjet me Remzi Hoxhën dhe aktivitetin si drejtues i Frontit të Rezistencës Shqiptare. Kryeziu, i njohur në Kosovë edhe si një nga mbështetësit e Rramush Haradinajt, është konsideruar nga miqtë si një arkivë e gjallë për ngjarjet pas vitit 1991. Ka qenë pjesëmarrës në të gjitha ngjarjet, sidomos ato që kanë të bëjnë me çështjet e Kosovës, periudhën e rezistencës, të luftës e pas saj, si edhe për përgatitjet për organizimin e AKSH-së. Ismet Kryeziu njihet edhe si mik i ngushtë i biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha i zhdukur nga SHIK-u në Shqipëri në vitin 1995.

    Ç’ju shtyu të organizoheshit?
    Me fillimin e shpërbërjes së Jugosllavisë, nuk kishim pse të mos organizoheshim edhe ne shqiptarët në ish-Jugosllavi, por filloi me thënien e ish-Presidentit të ndjerë kroat, Franjo Tuxhman i cili në një takim me kolegët e tij gjeneralë, iu drejtua atyre me këtë thënie: Gjeneralët e shkatërrimit të Jugosllavisë janë studentët shqiptarë, ata që na mësuan sesi duhej luftuar e shkatërruar Jugosllavia. Që nga viti 1981 ishim ata që i vumë kazmat për shkatërrimin e Jugosllavisë. Në vitin 1990 duhej krijuar një lëvizje apo mekanizma për të përgatitur popullin për një kundërvënie ndaj okupatorit serb. Në fillim u bë pajtimi i gjaqeve, i cili pati jehonë të madhe në unifikimin e popullit shqiptar. U krijua në fillim LDK-ja, e cila ishte shpresa e vetme për ta çuar realizimin e aspiratave shekullore të popullit shqiptar dhe LDK-ja me zgjuarsi e përdori këtë lëvizje duke u futur në organizmat drejtuese për të realizuar programin e saj. Ne, duke e njohur mirë okupatorin serbo-sllav ishim të bindur se çlirimi dhe bashkimi i shqiptarëve jashtë trojeve të Shqipërisë amë, vetëm me luftë mund të arrihej. Atëherë e krijuam frontin e rezistencës shqiptare. Për hir të së vërtetës, duhet thënë se edhe ish- presidenti i ndjerë, Ibrahim Rugova e përfaqësoi në fillim FRSH-në.
    Cili ishte misioni i FRSH-së?
    Misioni i FRSH-së ishte që të krijohet një organizim politiko-ushtarak i cili do të koordinonte interesat dhe aktivitetin e të gjitha partive dhe lëvizjeve në trojet shqiptare në ish- Jugosllavi. Krahas këtij organizimi, u krijuan shtabet rajonale, komunale dhe lokale, të cilat merreshin me organizimin tipik ushtarak. Themeluesit e frontit të rezistencës janë: Mentor Kaçi, Sokol Dobruna, Halil Alidemi, Ukshin Hoti, Sejdir Veseli, Naim Krasniqi, Avdyl Krasniqi, Fatlik Lilaj, Bardhyl Caushi, i ndjerë, Afrim Morina, etj, etj. Pra, përfshihen të gjithë ata që ishin dëshmuar në dekada dhe ishin të gatshëm dhe të pathyeshëm në luftën për çlirim dhe bashkim kombëtar. Duhet përmendur këtu se në organet drejtuese politike e ato ushtarake ishin të përfshirë edhe shokët nga Maqedonia, Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi. Por tani është akoma herët për të përmendur emra. Shokët dhe bashkëluftëtarët e mi më kuptojnë drejt, se ende është herët për emra e rrahagjoksa. Unë gjykoj se akoma jemi në gjysmë të rrugës. Unë nuk jam dhe nuk kam guxim të them; “Bacë u kry”, duke pasur parasysh atë për të cilën u krijua Fronti i Rezistencës.
    Pasi kishim krijuar strukturat drejtuese të FRSH-së dhe ajo kishte marrë një formë organizimi të mirëfilltë ushtarak, ne që merreshim me drejtimin e tij ishim të vetëdijshëm se përveç faktorit njeri, duheshin me bollëk dhe të predispozuar edhe shumë faktorë për luftë. U caktuan dy shokë për të ardhur në Shqipëri për të informuar dhe për të koordinuar punët në shtetin amë. Erdhën Mentor Kaçi dhe Fatos Aliu, i cili ishte nga Presheva, por fatkeqësisht nuk arritën shumë sukses. Herën e dytë me Mentorin, i cili ishte kryetar, u përcaktova të vija unë. Në fillim bëmë një turne në Evropë ku njoftuam bashkatdhetarët e diasporës për misionin tonë. Por askush nuk guxonte të dinte se ne do të vinim në Tiranë. Kur arritëm, jo vetëm që na u hapën dyert, por as vetë nuk e besoj edhe sot sesi shteti shqiptar u tregua aq i gatshëm për të na ndihmuar në misionin tonë. Takimin e parë e bëmë me ministrin Shëndetësisë, Alia Alushani, drejtorin e Akademisë Ushtarake, me ministrin e Mbrojtjes, Perikli Teta, zv/ministrin e Mbrojtjes, Halil Hyseni, e deri tek ish-presidenti Ramiz Alia.
    Kush ishin emrat e djemve të parë dhe si erdhën ata në Shqipëri për t’u stërvitur?
    Përfaqësuesi legjitim dhe kryetar ishte Mentor Kaçi, ndërsa unë isha sekretari i përgjithshëm i FRSH-së. Marrëveshjen me shtetin shqiptar e bëri Mentor Kaçi, me bekimin e Ramiz Alisë, natyrisht dhe me ish-kryeministrin Fatos Nano. Por Ramiz Alia do të mbetet komandanti i parë i luftës së Kosovës. Për stërvitjen dhe organizimin u mor ish- ministri i ndjerë, zoti Perikli Teta dhe zv/ministri Hyseni, si dhe shumë oficerë madhorë të tjerë të cilët dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm për luftën në Kosovë. Të më falin oficerët dhe profesorët e mi që akoma gjykoj se është herët për t’i përmendur.
    Cila ishte përfshirja?
    FRSH-ja, veç strukturave ushtarake merrej edhe me koordinimin e organizatave të tjera, mes të cilave edhe lëvizjen sindikaliste që e drejtonte profesori i nderuar Hajrulla Gorani, i cili ka dhënë kontribut të veçantë në organizimin e rezistencës. Në këtë lëvizje bënte pjesë edhe Remzi Hoxha, i cili njëkohësisht ishte angazhuar në frontin e rezistencës. Për herë të parë jam takuar me të në mbledhjen e shtabit operativ të karadakut në Ferizaj. Pas dy netësh, Remziu me Basri Zukën kishin ardhur në Suharekë tek Afrim Morina, i cili ishte edhe anëtar i shtabit të përgjithshëm. Aty isha i ftuar zyrtarisht për organizim. Pas mbledhjes, Basriu dhe Remziu më ftuan që të shkoja në Ferizaj. Mbaj mend se gjatë rrugës Remziu fliste shum
    ë pak, por ishte shumë i prerë. Kur hymë në Ferizaj, ata devijuan rrugën dhe shkuan në një shtëpi në Grykë të Kaçanikut. Aty ishte një shok i ngushtë i Remziut, i cili ishte i përfshirë në strukturat e FRSH-së dhe lëvizjen sindikaliste. Ai është Sefedin Mjaha. Mesa di unë, Sefa punonte ngushtë edhe me biznes me Remziun. Në këtë takim, përveç punëve operative u bisedua edhe për udhëtimin e tretë në Shqipëri dhe për grumbullimin e mjeteve financiare. Mbaj mend se këta të dy dolën në korridor dhe kur u kthyen, më pyetën se sa mjete duheshin. Unë iu thashë se duhej biseduar me Kryesinë e FRSH-së. Pas këtij takimi shumë të suksesshëm sipas meje, Remziu dhe Sefa sollën 50 mijë marka gjermane dhe iu lutën kryetarit që unë të shkoja në Shkup në një mbledhje që ishte organizuar në Gazi BABA. Aty pashë një organizim të mirëfilltë lufte. Takimi u bë në një fabrikë. Dy ditë e dy net qëndrova në shtëpinë e Remzi Hoxhës, kuptohet ilegalisht. As familja e tij nuk e dinte pse ndodhesha aty dhe cili isha. Pasi mora miratimin e kryesisë me iniciativën e Remziut, u nisëm për në Bullgari. Remziu deri në fund të kufirit të shtetit bullgar erdhi me mua. Aty ndërruam makinat për shkaqe sigurie. Remziu e kaloi kufirin në këmbë pasi kishte një shumë të madhe parash. Pasi arritëm në Sofje, e kuptova se përveç parave kishte edhe një shumë të madhe floriri. Kur e pashë e pyeta: Po këto përse na duhen? Ai u përgjigj: Edhe këto janë hiç për kontratën që do të realizojmë nesër.
    A ekziston ndonjë gjë e regjistruar për këto lëvizje ilegale me Kosovën?
    Natyrisht që gjithçka është mbajtur shënim dhe janë mbajtur dokumente. Ishim të vetëdijshëm se më vonë do të shkruhej edhe historia e Luftës së Kosovës. Këtë dokument e ka nënshkruar Remziu dhe Sefa. Natyrisht edhe unë si përfaqësues i frontit. Për çdo cent që kemi në dispozicion brenda dhe jashtë Kosovës, shpeshherë është bërë transparenca dhe me hollësi janë dhënë llogari. Për këtë kishim një komision të veçantë mbikëqyrës. E them me krenari, se jemi e vetmja organizatë politiko-ushtarake në Kosovë e cila ka justifikuar të gjitha mjetet materiale dhe financiare që ka pasur në dispozicion.
    A keni pasur lidhje të vazhdueshme?
    Me Remziun kemi punuar së bashku deri në ditën e rrëmbimit të tij. Që nga viti 1991, ku u njoha me Remziun kemi pasur lidhje të vazhdueshme pune. Ai kishte dhe funksione të rëndësishme në FRSH. Pas arrestimit të shokëve në Kosovë, Remzi Hoxha si dhe shumë të tjerë u detyruan të kalonin nga Kosova në Maqedoni. Remziu në atë kohë qëndroi në Shkup, meqë kishte shtëpi dhe familje. Vlen të përmendet se Maqedonia atëherë ishte bërë strehë për ne, sepse marrëdhëniet Maqedoni-Serbi ishin tejet të acaruara. Pas krijimit të aferës së armëve dhe rënies në burg të disa drejtuesve të FRSH-së në Maqedoni, Remziu u vendos në Tiranë së bashku me familjen. Por punën dhe aktivitetin e kishte në territorin e Maqedonisë.
    S’do mend që kjo është ditur, se të krijosh një organizatë politiko- ushtarake në kohën e okupimit, je i detyruar domosdoshmërish të krijosh një organizatë të tillë. Me keqardhje them se sot në Kosovë nuk ka nivel të këtij organizimi, siç e kishte FRSH-ja. Përveç djemve më të mirë që punonin në këtë sektor dhe specialistëve të cilët punonin me shpirt dhe u bënë idealistë të vërtetë, vlen të përmendet se ata punonin vullnetarisht dhe pa para. Natyrisht, literaturën dhe kurset private i bëmë jashtë Kosovës. Falenderoj të gjithë ata që ndihmuan në këtë punë të rëndësishme kombëtare. Askush deri tani nuk foli dhe ende është herët të flitet për këtë. Vlen të përmendet thënia e vyer, patrioti dhe oficeri i vërtetë, shpeshherë sekretin kombëtar dhe shtetëror e marrin me vete në varr. Edhe Remziu, shumë gjëra i mori me vete atje ku është.
    Çfarë bëri fronti i rezistencës pas rrëmbimit të Remzi Hoxhës?
    Për rrëmbimin e R. H. janë ngritur shumë versioni dhe të gjitha këto i kemi studiuar me shumë kujdes për gjurmët dhe punën e tij. Kujdes të veçantë i kemi kushtuar rrëmbimit të tij, por për ne më e mundshmja është se UDB-ja duke e ditur dhe duke pasur parasysh mundësinë financiare të Remziut, ka përdorur alibi nga më të ndryshme për ta likuiduar. Ne kemi pasur dijeni dhe janë të njohura të gjitha ato që janë dhe janë shkruar deri tani, por asnjë nuk është e vërtetë. E vetmja e vërtetë është se Remzi Hoxha ka punuar e ka kontribuar jashtëzakonisht për çështjen kombëtare dhe me aktivitetin e tij ka mundur shumë lehtë të binte në sy për okupatorin dhe armikun. Detyra e Remzi Hoxhës nuk ishte të filmonte takimin e Gazidedes me Arkanin, as të merrej me takimin Millosheviç-Gligorov-Berisha. dhe nëse ka konstatuar një gjë e tillë, do të ketë qenë e rastësishme. E them me bindje se Remziu dhe askush nga FRSH-ja, nuk kishte nevojë të financonte atentatin ndaj Kiro Gligorov, pasi vetë programi i FRSH-së e përjashtonte terrorizmin dhe teorikisht në programet tona nuk ka ekzistuar një gjë e tillë. Ne po të kishim dashur terrorizëm, kishim mundur ta shkatërronim në Kosovë ndaj okupatorit, por këtë nuk e kemi bërë kurrë dhe nuk kishim nevojë të merreshim. Këto i ngarkohen Remziut për të justifikuar zhdukjen e tij. Unë si ish-shef i tij, ju them me bindje dhe me shumë përgjegjësi, se ai nuk i meriton këto epitete. Ai që ka pak ndërgjegje e gjak shqiptari, të tregojë të paktën se ku ndodhen eshtrat e këtij dëshmori të lirisë.
    FRSH-ja ka pasur bashkëpunim dhe marrëdhënie shtetërore institucionale me shtetin shqiptar. Furnizimin me armë e kemi bërë në rrugë shtetërore. Unë ju shpjegova dhe më lartë për këto marrëveshje dhe kush i ka nënshkruar. Është e vërtetë që nga 1990 janë futur dhe ftuar jashtë për të ardhur në stërvitje dhe për t’u marrë me këtë punë. Të gjitha janë bërë në rrugë shtetërore dhe me marrëveshje. Këto janë të deklaruara dhe pranuar edhe në parlamentin shqiptar nga ish-ministri i Mbrojtjes, zoti Teta i akuzuar nga opozita e atëhershme për dhënie të armëve kosovarëve. Atëherë Zoti Teta qe përgjigjur: Kam dhënë dhe do jap prapë kur të vij. Fati e deshi që Teta në kohën e luftës së Kosovës e realizoi këtë dëshirë së bashku me shumë ministra të tjerë të shtetit shqiptar.
    Çfarë të dhënash ka Fronti i Rezistencës për likuidimin fizik të disa anëtarëve të tij, përfshi edhe Remziun?
    FRSH-ja e kishte të pamundur të zbardhte të vërtetën e vrasjeve tragjike të disa prej veprimtarëve më të mirë. Rasti i Remziut nuk është i vetmi, por po përmend në ’92, kur u vra me pistoletë në gojë një nga veprimtarët e diasporës në “Mine Peza”, pranë Rajonit 3 të Policisë. Ai është Shaip Gashi, vrasësi u lirua me urdhër politik dhe sot bredh në disa institucione të Kosovës. U dogj i gjallë në lokalin e tij në Tiranë të Re, dhëndri i Bredri Dedës, të më fal nuk më kujtohet emri. U masakrua gazetari i “Gazetës Shqiptare”, njëkohësisht edhe zëdhënës i parë i luftës së Kosovës, Ali Uka. Në masa presioni e kërcënime u dënuan shumë veprimtarë të largoheshin në diasporë dhe nuk janë kthyer ende në Kosovë dhe kjo është fatkeqësi.
    A keni konstatuar ndërhyrje të shërbimit sekret serb apo SHIK-ut për të goditur aktivitetin ilegal të lëvizjes tuaj?
    Këto janë çështje të niveleve të larta shtetërore që bëhen me përgatitje, kushte dhe persona të caktuar. Neve nuk na interesonte të merreshim me këtë punë dhe aq më tepër kur ne shpresonin që shteti dhe strukturat e tij të na ndihmonin në misionin tonë të shenjtë. Ka pasur qytetarë nga Kosova në shërbim të SHIK-ut që na survejonin. Për këtë kemi fakte dhe dokumente, ashtu siç kemi dhe posedojmë dokumente për disa njerëz të Kosovës që punonin në shërbim të UDB-së. Dua të theksoj se FRSH-ja ishte me dijeninë dhe kishte bekimin e strukturave më të larta shtetërore shqiptare. Asnjëherë nuk kemi vepruar apo ndërmerrnim asnjë veprim pa dijeni e shtetit amë. Po e theksoj dhe një herë, se udhëheqja e lartë e FRSH-së ka pasur takime me udhëheqjen e lartë shtetërore shqiptare. Edhe para vitit ‘90 dhe pas ’92, ne vazhduam me këto marrëdhënie dhe struktura të larta. Por fatkeqësia filloi në vitet ‘92-’93, me arrestimin e Mentor Kaçit me shokë. Për të gjitha këto ishin në dijeni drejtuesit më të lartë të Kosovës dhe Shqipërisë.
    Çfarë ndodhi në mars ‘93?
    Isha në manifestimin ku ishte presidenti Rrugova, presidenti Berisha dhe kryeministri Bukoshi dhe shumë personalitete e intelektualë nga Kosova e diaspora. Pas një orë, pasi mbërrita në shtëpi jam arrestuar në banesën time nga SHIK-u. Akuza dihet tashmë, ka shkruar shtypi atëherë. Atë natë dhe më pas janë arrestuar shumë të tjerë, mes tyre Adem Jashari, Islam Caka, Ahmet Bytyçi e disa oficerë madhorë të shtetit shqiptar. Atëherë është sulmuar që në akuzën time të më bashkojnë ish- presidentit Alia, Deputetin Gramoz Ruçi, ish-ministrin Teta, zv/min. e Mbrojtjes, Halil Hyseni e shumë të tjerë. Arrestimi im nuk ishte akuzë e thjeshtë, shkelje ligji, por pasojë e një politike të caktuar. U bë sepse ne iu kundërvumë politikës dhe strategjisë për Kosovën. Para meje ishte arrestuar Kaçi, dhe kisha mbetur unë që merresha me stërvitjen e shokëve në Shqipëri dhe diasporë. Arrestimi im u bë për të eliminuar krejt udhëheqjen. Çanta ime ishte thjesht çështje teknike ku pritej të merrnin ato dokumente dhe mjete që u interesonin.
    A keni pasur informacion se ka pasur dyshime për një takim me Millosheviçin, presidentin e Maqedonisë, Gligorov dhe Berishën në tetor të vitin ’95, dhe nga informacionet, cila do të ishte tema e takimit?
    Ishim të njoftuar për të gjitha lëvizjet që bëheshin në dëm të Kosovës. Normalisht atëherë ishim më aktivë. Unë kisha dalë nga burgu dhe FRSH-ja merrej me drejtimin e luftës. Por misioni i Remziut nuk ishte të vëzhgonte takimin e treshes në Shën Naum, por ka mundur të ndodhë edhe gjatë kësaj, që rastësia është mbreti i botës. Dhe Remziu është ndodhur në këtë rastësi. Por ne nuk kishim detyrë, pasi misioni ynë ishte tjetër dhe jo të përgjonte ish- presidentin Berisha, pasi ishte shteti shqiptar dhe strukturat e shtetit shqiptar që do të vendosnin. Natyrisht që Millosheviçi dhe Gligorov po aq ishin për ne armiq, që çdo lëvizje e atakim të tyre e gjykonim në dëm të Kosovës dhe çështjes shqiptare në ish- Jugosllavi.
    Unë di vetëm një gjë t’u them dhe është shumë e vërtetë që marrëdhëniet mes Rugovës e Berishës ishin tejet të ftohta dhe Berisha kërkonte aleat të tjerë, siç e përdori për fat të keq simbolin e rezistencës shqiptare, Adem Demaçin, Hidajet Hysenin dhe shumë të tjerë, përfshi dhe ish-kryeministrin e qeverisë, Bujar Bukoshin për t’ju kundërvënë politikës së Rugovës, i cili i kishte marrëdhëniet tejet të ftohta. Këto janë gjëra të vërtetë dhe na kanë kushtuar shumë rëndë.
    Një ditë, të gjitha këto dokumente që ekzistojnë do të hapen. Ne jemi duke e shkruar historikun e rezistencës dhe luftës së Kosovës dhe të gjitha do t’i dokumentojmë me fakte e dokumente të padiskutueshme. Por tani mendoj se është herët të flitet për këtë takim. Por ne kemi qenë në dijeni.
    Remziu ka njoftuar shokun tonë të veprimtarisë, Basri Zukën i cili ka njoftuar me shkrim atëherë ish- presidentin Rugova, por më tutje ne nuk e dimë se çfarë ka ndërmarrë Rugova për një takim të tillë.
    Pse u takove me ministrin e Shëndetësisë, Ali Alushani?
    Ju gazetarët e keni princip të gërriceni shumë, por unë jam i detyruar të përgjigjem. Ne kishim në program të përgatisnim terrenin për luftë. Dhe për këtë duhej të përgatiteshin spitalet në Kukës, Tropojë dhe Burrel. Ndaj u takuam me të, na ndihmoi në pajisjen e spitalit të parë të Tropojës, synuam të përgatisnim spitalin e Kukësit dhe filluam atë në Burrel. Por derisa na ranë shokët në burg, nuk mundëm. Por e di që në spitalin e Tropojës, dhe drejtori Din Selimi na ndihmoi shumë dhe përgatiti spitalin si për luftë. Për këtë, veç ministrit të Shëndetësisë pati dijeni dhe presidenti R.Alia dhe kryeministri Nano.

Nga këtu:https://forumivirtual.com/lajme-nga-shqiperia-54/ismet-kryeziu-si-e-pergjoi-remzi-hoxha-takimin-berisha-milloshevic-7850/

Loading...
Advertisements

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close