Raund i ri bisedimesh në Bruksel,Thaçi – Vuçiq

Loading...

Presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, janë takuar sot në Bruksel në kuadër të dialogut politik të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Para se të niste takimi në Bruksel, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se procesi definitivisht po hyn në një fazë të re për të arritur deri te një marrëveshje historike të paqes.

“Ky proces i dialogut, negociatave paqësore besoj se do të shënojë progres për Kosovën dhe Serbinë dhe stabilitetin në rajon”, theksoi Thaçi.

“Jam i vetëdijshëm se do të kemi pengesa për të ecur përpara, por jam i bindur se do të kemi përparim. Kjo gjendje e konfliktit të ngrirë është e paqëndrueshme, duhet të ecim përpara drejt paqes përfundimtare, drejt të ardhmes euro-atlantike të Kosovës, por edhe të ardhmes evropiane të Serbisë, që nënkupton më pak hapësira për ideologji jo perëndimore në Ballkan”, tha Thaçi.

“Në fund, definitivisht, ky dialog dhe marrëveshja përfundimtare ka kuptim kur të ndodhë njohja reciproke midis Kosovës dhe Serbisë që nënkupton edhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara”, nënvizoi presidenti i Kosovës.

Ndërkaq, i pyetur në lidhje me insistimin e tij që marrëveshja të përfshijë edhe korrigjimin e kufirit të Kosovës me komunat Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, Thaçi tha se “Kosova është unike në favor të dialogut, Qeveria, Kuvendi, partitë politike, shoqëria civile dhe mediat janë në favor të dialogut, marrëveshjes paqësore dhe demarkacionit të kufirit që nënkupton edhe përfshirjen e kësaj pjese”.

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, e cila po lehtëson edhe këtë takim, ka pritur fillimisht ndaras presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po shoqërohet në Bruksel edhe nga ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli.

Maja Kociançiq, zëdhënëse e Bashkimit Evropian ka postuar në Twitter pamje nga takimi me delegacionin nga Kosova.9

Thaçi ka komentuar shkurt edhe bë lidhje me vizitën e pralajmëruar të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq gjatë dy ditëve të ardhshme.

“Institucionet e Kosovës e kanë marrë vendimin e tyre. Unë e respektoj interesim e përfaqësuesve të Serbisë për të diskutuar me serbët e Kosovës dhe shpresoj që mesazhet e tyre do të jenë në funksion të paqes e stabilitetit në Kosovë dhe rajon”, theksoi Thaçi.

Takimi aktual në Bruksel, ka zgjuar interesim të shtuar pas hapjes së një debati politik dhe në media rreth mundësisë që në marrëveshjen finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të përfshihet edhe çështja e ndryshimit të kufirit.

Po ashtu, takimi i presidentit Thaçi me homologun e tij nga Serbia vjen në kohën kur në Kuvendin e Kosovës kishte dy përpjekje, si nga Qeveria ashtu edhe opozita, për ndërhyrje në procesin e negociatave. Qeveria, provoi të formonte një ekip negociator për këtë proces të bisedimeve, përderisa opozita synonte që me anë të rezolutës të sanksiononte deri diku “lirinë” e presidentit Thaçi që në këtë dialog të hapë edhe çështjen e kufirit.

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka paralajmëruar, ndonëse ende nuk e ka konfirmuar përfundimisht, se pas këtij takimi të shtunën dhe të dielën do të qëndrojë për një vizitë në Kosovë, për të realizuar takime me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës dhe banorët serb nga Kosova.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë të enjten në Konferencën e pestë të ambasadorëve të Republikës së Kosovës, që po mbahet në Prishtinë, se mundësitë për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë shumë të vogla, porse do të bëhen përpjekje maksimale që kjo marrëveshje të arrihet.

“Njohja reciproke duhet të pasohet me heqjen e të gjitha pengesave për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe në të gjitha organizatat tjera ndërkombëtare, si dhe të bëhet demarkacioni i plotë i kufirit, përfshirë edhe Luginën e Preshevës, Medvegjën dhe Bujanocin”, tha Thaçi.

Ai shtoi se Kosova nuk do të ketë kuptim pa Mitrovicën e Ujmanin dhe se “nuk do të ketë ndarje ose shkëmbim territoresh, si dhe nuk do të ketë Republikë Serbe në Kosovë”.

Dialogu ndërmjet Kosoëvs dhe Serbisë me lehtësimin e Bashkimit Evropian ka nisur që nga viti 2011, dhe ka për qëllim normalizimin e raporteve midis dy shteteve./REL

Loading...
Advertisements

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close