Sot është bërë promovimi i revistës kulturore e shkencore ”DITURIJA”

Loading...

ATSH  – Botimi anastatik i revistës së mirënjohur kulturore e shkencore ”DITURIJA” u promovua sot në kuadër të kremtimit të 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit.

Ky botim erdhi si frut i bashkëpunimit të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë me Fondacionin ALSAR si dhe me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, e cila do të mirëpresë në Prishtinë në javët e ardhshme promovimin dhe konferencën kushtuar “Diturisë” dhe themeluesit të saj Lumo Skendo.

Ky botim anastatik u organizua në dy vëllime të hijshme, vëllimi I: janar 1909 – tetor 1927 dhe vëllimi II nëntor 1927 – dhjetor 1929.

Natyra anastatike e tij sjell në të tashmen tonë vullnetin e autorit, botuesit, pse jo edhe shijen, finesat apo trillet e tij njerëzore. Por mbi të gjitha mundëson një lexim tërësor, një rrokje të plotë të të gjithë koleksionit të çmuar të “Diturisë” si për lexuesin e pasionuar ashtu dhe për studiuesin e ardhshëm të një prej personaliteteve dhe të një prej veprave më monumentale të jetës kulturore e shkencore kombëtare.

Gjithashtu përveç promovimit të botimit anastatik të revistës, u zhvillua dhe Konferenca Shkencore kushtuar kontributit të themeluesit të saj të shquar ”Lumo Skendo dhe themelimi i revistës ”DITURIJA”.

Pjesë e konferencës ishte Xhevat LLoshi, Luan Malltezi, Persida Asllani ,Uran Butka si dhe Mehdi Gurra i cili hapi dhe konferencën shkencore.

Persida Asllani drejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë mbajti ligjëratën e saj në këtë konferencë me temë ”Revista e Lumo Skendos dhe misioni i dijes”.

Ajo u shpreh se ” revista “Diturija” mbetet shprehja më e plotë e profilit  intelektual  të Lumo Skendos.  Në të ai zhvilloi linja të gjera studimore duke ndërtuar korpus të mirëfilltë albanologjik në çështje të historisë, të udhëpërshkrimeve, të dëshmive, të gjuhësisë shqipe e drejtshkrimit, të bibliografisë etj. Ndër to spikasin cilki “Udhëtarët e huaj në Shqipëri”, rubrikat “Shtim në rradhojtë e Legrandit”, “Duke lexuar një libër”, “Tribuna gramatike dhe gjuhësijë”, biografi të shumta, vëzhgime zakonore, dëshmi historike si dhe shkrime me interes të veçantë mbi historinë e besimeve dhe kultit ndër shqiptarë etj”.

Ajo vijoj se ,”botimi anastatik i saj në prag të 110 –vjetorit të Kongresit të Manastirit sjell në vëmendjen tonë faktin se për nga rëndësia e dijes që ajo përcolli “Diturija” është tashmë në një monument kulture, themelet e të cilit u hodhën në vitin e largët 1909 për t’u shndërruar në ngrehinën madhështore të dijes dhe “bujarisë së dijes” gjatë viteve 1926-1929”

Në fund ajo tha se ,”bashkë me Albaninë e Konicës dhe me plejadën e simotrave të saj gjatë viteve ‘20-‘40 të shekullit të kaluar (Hylli i DritësZani i naltëLekaShkëndijaPërpjekja shqiptareMinerva) këto revista përbëjnë një nga entitetet themelore të kulturës së shkruar shqipe”,përfundoi drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare Persida Asllani.

Revista “Diturija”…

Revista “Diturija” u themelua nga Lumo Skendo (pseudonim letrar i Mid’hat Frashërit) menjëherë mbas përfundimit të Kongresit të Manastirit, kryetar i të cilit u zgjodh njëzëri 110 vjet më parë. Numri i saj i parë doli në Selanik më 1 janar të vitit 1909 dhe qysh në fillim spikati me frymën e thellë kulturore dhe informacionin dituror që do të rrugëtonte së bashku me revistën drejt një enciklopedie të mirëfilltë albanologjike. Pavarësisht mbylljes së saj mbas një viti, Lumo Skendo e vijoi projektin e tij duke e botuar tri vite me radhë në Tiranë 1926-1929 (përveç 3 numrave që botoi në Bukuresht më 1916 që autori i konsideroi të humbur).

Nga përcaktimi “E përkoshme shqip literare dhe diturake” më 1909, revista do të shkojë drejt formulimit “E përkohëshme shqipëtare” (1926) pikërisht sepse thelbi i saj ishte dija mbi kombin, që për themeluesin e saj do të thoshte dashuri e pakushtëzuar për dijen e mbrujtur me dashurinë e pakushtëzuar për atdheun. “Diturija” e Lumo Skëndos shfaq simbiozën e rrallë të nocionit të dijes, diturimit, dhe atij universal të atdheut. Ajo e lidh njeriun individual me tërësinë e entitetit kombëtar, përmes të cilit ai shndërrohet në “njeriun në botë”, në qenien universale.

Loading...
Advertisements

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close