Komunat në veri të Kosovës krijojnë distancë me serbët në jug

Loading...

Vendimi i kryetarëve të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Mitrovicës Veriore, që të japin dorëheqje nga postet e tyre, është vendim jo i mirë, jokorrekt dhe potencialisht me pasoja, vlerësojnë njohësit serbë të zhvillimeve politike në vend.

Vendimin e tillë, kryetarët e komunave veriore, të cilët i takojnë Listës Serbe, e kanë arsyetuar si kundërpërgjigje ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për taksën prej100 për qind për produktet e Serbisë, si dhe kanë thënë se “administrimi i qeverisjes lokale nga ana e Prishtinës në veri më nuk ekziston”.

Rada Trajkoviq, ish-deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se dorëheqja e katër kryetarëve të komunave veriore, është shkelje e Marrëveshjes së Brukselit dhe integrimeve, të cilat siç thotë ajo, kanë qenë esenca e këtij projekti. Rritjen e taksës për mallrat serbe ajo e cilësoi si vendim politik, i cili si i tillë, do të jetë me afat të kufizuar kohorë.

“Sa i përket vendimit të serbëve, ajo është para së gjithash jokorrekte ndaj bashkëqytetarëve tjerë serbë që jetojnë në anën e poshtme të lumit Ibër, sepse kryetarët e komunave dhe institucionet e komunave serbe në jug të lumit Ibër, nuk kanë dhënë dorëheqje, nuk po demonstrojnë. Me vet këtë, ata po i hapin rrugë pikëpyetjes se çfarë në fakt është esenca e protestës. Ky është paralajmërimi i ndarjes së ngadaltë të veriut të Kosovës nga pjesa tjetër e Kosovës. Kjo për mua është një projekt mjaft i rrezikshëm, të cilin po provojnë ta zbatojnë (presidenti serb, Aleksandar) Vuçiqi me (presidentin e Kosovës, Hashim) Thaçin dhe të krijojnë një gjendje faktike”, theksoi Trajkoviq.

Ish-deputeti tjetër i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, Petar Miletiq, thotë për Radion Evropa e Lirë se dorëheqjet e kryetarëve të komunave veriore, janë paralajmërim për një raund të ri të dialogut në Bruksel.

“Mendoj që ky është një vendim histerik, i cili nuk është i mirë. Duket që të dyja palët në dialog, tashmë do të vazhdojnë dialogun me mjete tjera. Prishtina i ka dërguar njësitet speciale të Policisë në veri dhe ka vendosur taksat prej 100 për qind për produktet serbe. Ndërkaq, si përgjigje ndaj kësaj, kryetarët e komunave dhe këshilltarët komunal në veri kanë dhënë dorëheqje dhe kërkojnë që kryetarja e Kuvendit të Serbisë të shpallë zgjedhjet sipas sistemit të Serbisë. Këtë e shoh si vendosje në pozicionet fillestare për raundin e ri të bisedimeve”, tha Miletiq.

Situata e krijuar, sipas njohësve serb të zhvillimeve politike, mund të prodhojë pasoja të padëshirueshme, të paktën për qytetarët e bashkësive etnike që jetojnë në Kosovë.

Trajkoviq thekson që një nga pasojat e mëdha do të jetë rikthimi i antagonizmave ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.

“Kjo është më e keqja. Do të thotë, shembja e sërishme e asaj që ka qenë qëllimi i Marrëveshjes së Brukselit, që është pajtimi dhe normalizimi i jetës. Tash po shkojmë drejt destabilizimit dhe urrejtjes ndaj njëri-tjetrit. A do të shkojnë ata me Thaçin që ta rrëzojnë Qeverinë e Ramush Haradinajt, si dhe cili do të jetë fati i tyre, ne ende nuk e dimë. Kjo do të shkaktonte homogjenizim shtesë të shqiptarëve në Kuvendin e Kosovës, të opozitës dhe të një pjese të partive shqiptare që mbështesin Haradinajn. Kjo do të ishte një sfidë e re për përplasje shtesë në këtë hapësirë”, u shpreh Trajkoviq.

Edhe Miletiq nuk i përjashton pasojat e rrezikshme nga gjendja e krijuar pas dorëheqjes së kryetarëve të komunave vendore dhe vendimit të tyre për të ndërprerë vetëqeverisjen lokale sipas sistemit të Kosovës.

“Pasojat mund të jenë nga ato më të këqijat, pra, siç është konflikti fizik, por, mund të përfundojë pikërisht kështu siç është aktualisht ose gjithçka ndërmjet këtyre të dyjave. E kam të vështirë të parashikojë se çfarë mund të jenë pasojat, por se do të vije deri te një ashpërsim i caktuar, kjo është krejtësisht e sigurt”, theksoi Miletiq.

Liderët serbë në veri kanë organizuar protesta të qytetarëve në Mitrovicën Veriore, për të kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për ngritjen e taksës për mallrat serbe. Organizatorët kanë njoftuar se protestat do të vazhdojnë edhe në ditët e ardhshme, derisa Kosova nuk e tërheqë këtë vendim.

  • Bekim Bislimi/DW

Loading...
Advertisements

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close