Advertisements

Maqedoni-Marrëveshja e Ohrit në preambulën e Kushtetutës

Loading...

Qeveria në Maqedoni miratoi projekt-amendamentet për ndryshimet kushtetuese, të cilat janë hartuar në konsensus me grupin e pavarur opozitar të VMRO-DPMNE-së dhe që i janë dorzuar në shqyrtim Kuvendit.

“Amendamenti i parë ka të bëjë me ndryshimin emrit të Maqedonisë me emrin Republika e Maqedonisë së Veriut në tërë Kushtetutë. Amendamenti i dytë ka të bëjë me shtimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit në Preambul dhe mendoj se ky vendim është korrekt, ndërkaq amendamenti i tretë thotë se Republika e Maqedonisë do ta respektojë integritetin territorial të shteteve të tjera. Me amendamentin e katërt mbrohet popullata e Maqedonisë, që jeton jashtë vendit pa u përzier në punët e brendshme të shteteve”,  deklaroi kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev.

Në konsultimet me deputetët është vendosur që tanimë kur hapet Kushtetuta, në Preambul të shtohet edhe dokumenti i Marrëveshjes së Ohrit, i cili gjihtësesi është i përfshirë në tërë Kushtetutën.

“Marrëveshja e Ohrit është e ndërtuar konform Kushtetutës së Maqedonisë dhe argumentimi në këtë debat me deputetë dhe në Qeveri ka qenë se kur hapet Kushtetuta është e udhës të përfshihet edhe Marrëveshja e Ohrit si element konstituiv, pasi edhe ajo është pjesë e Kushtetutës”, tha kryeministri Zaev.

Marrëveshja e Ohrit është zgjidhje për Maqedoninë multietnike dhe duhet të saktësohet në Preambul, vlerëson edhe zëvendëskryeministri për çështje evropiane Bujar Osmani. “Në Marrëveshjen e Prespës është parashikuar saktësimi i KAÇKM-së me definimin e Manifestit si dokument kryesor. Ne vlerësojmë se gjatë definimit të dokumenteve konstituive të shtetit është logjike ndjekja e hapave, që nuk është kërkesë vetëm e shqiptarëve, por edhe e të gjitha partive politike në shtet, pasi Marrëveshja e Ohrit është futur në Kushtetutë me amendamente, vetëm se nuk është përmendur si dokument. Është logjike që të ketë një tërësi të elementeve konstituive të shtetit në mënyrë kronologjike dhe këtu bënë pjesë edhe Marrëveshja e Ohrit”, shprehet Bujar Osmani zëvendëskryeministër.

Koordinatorja e grupit të deputetëve të pavarur, të cilët u përjashtuan nga VMRO-DPMNE, Elizabeta Kamçeska-Milevska, tha se kërkesat e tyre për ndryshimin e Kushtetutës janë pranuar nga qeveria. “Kërkesa jonë ka të bëjë me garantimin e identitetit maqedonas. Kërkesa e dytë është nëse Greqia nuk ratifikon marrëveshjen dhe sërish bllokon rrugën euroatlantike, do të ketë shfuqizim të të gjitha amendamenteve që dalin nga marrëveshja me Greqinë. Kërkesa e tretë është për ndryshimin e emrit dhe përdorimin e jashtëm të tij. Gjegjësisht në çdo dokument, ndryshimet duhet të bëhen brenda pesë viteve”, u shpreh Elizabeta Kamçeska-Milevska. Ajo tha se pret që pjesë e diskutimeve për amendamentet të jenë edhe deputetët e tjerë të VMRO-DPMNE-së.

Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, ka caktuar seancën plenare më 1 dhjetor për ndryshimet kushtetuese, kurse më 7 nëntor do të jetë komisioni për rishqyrtimin e amendamenteve. Pasi Kuvendi me shumicë absolute me përkrahjen e 61 deputetëve do të deklarohet për çdo amendament do të caktohet seancë për ndryshim të Kushtetutës, për të cilën është e nevojshme shumica e dy të tretave dhe me këtë bëhet ndryshimi i Kushtetutës. Deri në ndryshimin e Kushtetutës është e nevojshme që të votohet edhe dy herë, njëherë me shumicë absolute 61 vota nga numri i përgjithshëm dhe një herë me shumicë prej dy të tretave, gjegjësisht me 80 vota. Para fillimit të debatit për projekt-amendamentet, shumica parlamentare ka siguruar numrin e deputetëve për të votuar me dy të tretat e votave.

  • Data 02.11.2018
  • Autor Fatos Musliu/DW
Loading...
Advertisements

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close