SHUFLAJ, KROATI QË NË ZEMËR I KISHTE SHQIPTARËT

Loading...

Vepra dhe kontributi i albanologut të shquar kroat Milan Shuflaj relativisht është e njohur nga rrethet shkencore, letrare dhe historike shqiptare. Milan Shuflaj lindi në Lepogllav të Kroacisë në vitin 1879. Ai pati një afinitet të veçantë në njohje e gjuhëve të ndryshme. Qysh gjatë studimeve lexonte në origjinal veprat historike të shkruara në greqishten e vjetër, në latinisht, italisht, spanjisht, gjermanisht, anglisht, frëngjisht apo hungarisht. Ai njihte në themel të gjitha gjuhët sllave e me vonë mësoi hebraisht, shqip e sanskritisht. Në moshën 24 vjeçar, ai afirmohet si studiues i përmasave evropiane.

Vepra monumentale e Shuflajt mbetet “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia” – “Dëshmi dhe dokumente që ilustrojnë ngjarjet e Shqipërisë në kohën mesjetare”. Vëllimi i parë u botua në Vjenë me 1913, kurse i dytë më 1918 po në Vjenë. Ato flasin për Shqipërinë e viteve 334-1406. Më pas boton: “Gjendja kishtare në Shqipëri”, “Kufijtë e Shqipërisë në mesjetë”, “Shqipëria mesjetare”, “Lidhja hungaro-shqiptare në Mesjetë”, “Fatet politike të temës së Durrësit”, “Biologjia e fiseve të popullit shqiptar”, “Mjegullat kombëtare”, “Kadastrat e Shkodrës”, “Ciklonet etnike në Ballkan”, “Kështjellat dhe qytetet mesjetare të Shqipërisë”, “Serbët dhe shqiptarët”, “Mozaiku nacional në Maqedoni”, “Qytetet dhe fshatrat ne mesjetë” etj. Milan Shuflaj ka botuar edhe me pseudonimin Alba Limi. Me këtë emër ai ka botuar romanin historik “Konstandin Balshaj”.

Mbreti Zog kishte njohuri mbi veprimtarinë e Milan Shuflajt për Shqipërinë. Atij i kishin folur për kontributin e madh që ai kishte dhënë në historinë e Ballkanit dhe veçanërisht të shqiptarëve si populli më autokton dhe më i ngulur në këtë rajon, ndaj dhe me kënaqësi e ftoi në Shqipëri.
Shuflaj shkoi në Tiranë në janar të vitit 1931 dhe qëndroi 8 ditë. Veprimtaria më interesante në këto ditë ishte fjala e tij në parlamentin e asaj kohe. Ishte interesante, jo vetëm se ai foli shqip dhe për këtë u duartrokit disa herë, por edhe se dha argumente bindëse për prejardhjen e shqiptarëve.

Në Zagreb, pas kthimit nga Shqipëria, atij i vjen një letër kërcënuese për të hequr dorë nga studimet dhe dëshmitë historike. Pas këtij kërcënimi ai nuk e dha veten. I nxitur nga vizita në Tiranë, ai vazhdonte të punonte për pjesën e tretë të “Acta Albaniae”. Por, nuk kaloi muaji dhe në mbrëmjen e 18 shkurtit1931, ndërsa kthehej në shtëpi, tre vetë e qëllojnë me mjete të forta në kokë. Vdes po atë natë në moshën 52-vjeçare. Shuflaj do të njihet si kroati që në zemër e kishte Shqipërinë dhe shqiptarët, për të cilët dha një kontribut të jashtëzakonshëm.
Vepra “SERBËT DHE SHQIPTARËT” i Shuflajt, e përkthyer nga Zef Fekeçi dhe Karl Gurakuqi, për herë të parë u botua në vitin 1926, ndërkaq e botoi Shtypshkronja”Mbothesija” e Kristo P. Luarasit. Parathëniet mjaft afirmative atëbotë e shkroi S. Stanojeviq, profesor në Universitetin e Beogradit. Kjo është një vepër kapitale, aq më tepër kur të kihet parasysh koha kur u shkrua dhe kur u botua.

/Përgatitur nga :Shkelzen Halimi

 

Loading...
Advertisements

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close