Haradinaj bisedë telefonike me Stoltenberg në lidhje me transformimin e FSK_së
/ATSH/- Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Haradinaj deklaron se e ka informuar Stoltenberg për procesin e transformimit të FSK-së në ushtri dhe se për të do të votohet më 14 dhjetor në Kuvend.
“Sot zhvillova një bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Shpreha falënderimin tim dhe të popullit të Kosovës për misionin e KFOR-it në Kosovë dhe kontributin e NATO-s për një ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës. Gjithashtu shpreha respektin dhe ndjenjën e thellë për shumë ushtarë të NATO-s që kanë humbur jetën gjatë shërbimit të tyre në Kosovë”, deklaron Haradinaj.
Duke shprehur mirëkuptim për qëndrimin e tij nga perspektiva multilaterale për procesin e tranzicionit, kryeministri shton se “njëkohësisht e informova Sekretarin e Përgjithshëm Stoltenberg se Kosova është e përkushtuar për një proces të tranzicionit të FSK-së që do të sigurojë një ushtri profesionale, multietnike dhe kredibile në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës”.
Ai thekson se ky vendim sovran i Kosovës, i cili do të votohet më 14 dhjetor, përmban në vete vizionin dhe vullnetin e qytetarëve të Kosovës që të ruajnë dhe mbrojnë vlerat perëndimore.
“FSK do të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë. Institucionet e Kosovës do të sigurohen të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë me KFOR dhe NALT, pasi që ndajmë të njëjtat shqetësime të sigurisë, interesat dhe vlerat”, nënvizon kryeministri i Kosovës.
Comments are closed.