Advertisements

Tregime poetike *LULJA

Në këtë odë të vetmisë, vetëm dhembja s’më ndahet. Shpesh përvidhem përtej dritares së pikturuar në mur dhe ujis lulen e melankolisë. Është një lule ngjyrë purpur, me gjethe të çuditshme dhe pa rrënjë. Kurdo që i afrohem, ndjej se gjethet lëshojnë një ngrohtësi magjike. Dhe, kur më kaplon gjumi, e kjo ndodh shumë rrallë, çuditërisht shoh të njëjtën ëndërr. Mbi arkivolin tim qëndron po ajo lule, gjethet e së cilës lëshojnë pika loti, sa herë që dëgjohet muzika e përmortshme.

Më paraqiten edhe një palë duar që ty, e dashur, ta zgjasin një flamur të leckosur, të cilën ti e ndrydh tinëzisht. Kur zgjohem ndjej se trupi më bëhet akull dhe se djersët nga ankthi njomin gjethet e lules. Atëherë më lind dëshira që ta marr atë lule dhe t’ia bëj një vend në odën e vetmisë. Por, nuk mundem. Nuk mundem, se i tërë trupi më shtanget, frymëmarrja më rëndohet, syve u bie një tis i zi dhe alivanosem. Sapo përmendem nga kjo katrahurë, shoh veten tek qëndroj në mes të odës, i mbledhur galuc dhe me një gjeth në dorë, i cili sakaq shndërrohet në një materie të lëngshme me ngjyrë të bardhë.

Pastaj, me këtë ngjyrë, para se ta mbylli dritaren, lules ia vizatoj një gjeth të ri. Të thash se shpesh përvidhem përtej dritares së pikturuar në mur dhe shkoj te ajo lule. Shkoj me shpresën se në atë ëndërr do të ta shoh fytyrën, që e mban të mbuluar me një vel të zi. Por, t’i shoh vetëm duart duke e marrë atë flamur të leckosur, të cilin tinëzisht e ndrydh. E di se këtë e bën nga urrejtja ndaj atyre, të cilët mundohen të të bindin se brenda arkivolit gjendem unë.

Kur të pushojë muzika e përmortshme dhe kur gjethet e lules të mos lëshojnë pika loti, atëherë dije se lagështia e mureve do ta ketë shlyer dritaren e pikturuar. Më prit me dhembjen e Doruntinës, se unë, me besën e Kostandinit, sërish do ta pikturoj dritaren dhe lulen, dhe do të qëndroj pranë saj, dhe do ta shoh të njëjtën ëndërr, kurse ti, të lutem, mënjanoje vellon e zi të ta shoh fytyrën, duke e ndrydhur atë flamur të leckosur, tek qëndron ulur përballë arkivolit të zbrazët. Se dhembja, beso, nuk varroset…/Shkelzen Halimi 

 

 

Loading...
Advertisements

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close