Advertisements

Kryediplomat pa dekret, pa legjitimitet, pa kredenciale

Loading...

Prof. Lisen Bashkurti

Qysh në krye të herës nuk jam marrë dhe nuk kam ndër mënd të merrem me emrin e të ‘ngarkuarit me punë në krye të diplomacisë së Shqipërisë’. Emri nuk ka rëndësi. Por, lypet të merrem dhe padyshim do merrem edhe në të ardhmen me statusin e paprecent të ‘emërimit’ të tij nga Kryeministri i Shqipërisë. Them nevojitet të merrem dhe duhet të merrem sepse drejtuesi i diplomacisë është një nga postet më të rëndësishme të shtetit.
Për shtetet e vogla posti më i lartë diplomatik ka rëndësi akoma më të madhe. Anshtjani thoshte që vëndet vogla kanë nevojë për diplomatë të mëdhenj, për të kompensuar përmes tyre atë që u mungon objektivisht.

Diplomacia dhe sfidat e Shqipërisë

Në momentet historike që po kalon Shqipëria dhe Kosova diplomacia shqiptare është përballë sfidave që kurrë më parë nuk i ka përjetuar. Shqipëria është në një fazë shumë kritike në rrugën drejt integrimit në BE. Dilema për hapjen ose jo të negociatave për antarësim po thellohet gjithnjë e më shumë. Celësi i zgjidhjes së kësaj dileme është kryesisht te realizimi i reformave në vënd. Por peshë të madhe ka edhe diplomacia, si instrumenti i dialogut politiko-diplomatik dhe i promovimit të Shqipërisë tek vëndet antare të BE si dhe tek institucionet e Brukselit.

Për herë të parë diplomacisë shqiptare i duhet të aplikojë një kryqëzim intensiv dhe profesional midis diplomacisë bilaterale dhe asaj multilaterale si dhe midis diplomacisë qeveritare dhe asaj parlamentare. Sic po ecin punët e reformave deri tani dhe sic po katandiset diplomacia shqiptare me anonimat pa dekret, pa legjitimitet dhe pa kredenciale në krye, Shqipëria ka gjasa që më shumë t’i largohet sesa t’i afrohet objektivit për hapjen e negociatave për antarësim me BE.

Shqipëria është në proces përballje shumë serioze për zgjidhjen e një kompleksi problemesh me fqinjin e Jugut, Greqinë. Procesi i negociatave i nisur pak vite më parë është karakterizuar nga mungesa e gjithëpërfshirjes, transparencës, informimit dhe komunikimit politik, publik dhe mediatik. E në mes të kësaj mjegullnaje plot paqartësi dhe rrezikshmëri dy shefat e diplomacisë të të dy vëndeve, Greqisë dhe Shqipërisë, papritur lëshuan postet e tyre. Negociatat u ndërprenë.

Bazuar në historinë, teorinë dhe praktikën e negociatave është më mirë të mos i nisësh fare ato sesa t’i ndërpresësh në mes të rrugës. Ndërprerja e negociatave e thyen besimin ndërmjet palëve, trazon politikën dhe trondit opinionin publik. Besimi i thyer është shumë vështirë për tu ringjizur sërish. Përballë kësaj situate dy kryeministrat, Grek dhe Shqiptar veshën qyrkun e diplomatëve për të cuar përpara procesin e lënë përgjysëm. Po ndërkohë që Kryeministri Grek po e mban peshën e qyrkut diplomatik, Kryeministri Shqiptarë akoma pa u tharë dekreti i Presidentit e ‘delegoi’ postin e kryediplomatit tek një anonimat pa dekret, pa legjitimitet dhe pa kredenciale.

Për herë të parë, qysh nga vitet ’90 Shqipëria po merr drejtimin e OSBE. Është një organizatë Euro-Atlantike-Aziatike shumë e rëndësishme dhe njëkohësisht mjaft e komplikuar. Shtrirja gjeografike e OSBE, mpleksja gjeopolitike kontraverse e antarëve të saj, ndërthurja e strukturave të shumta përbërëse, konteksti konjuktural i krizave euro-atlantike-aziatike dhe botërore e bëjnë drejtimin e OSBE një sfidë të vërtetë. Përballja e Shqipërisë për herë të parë me këtë sfidë lyp përgjegjshmëri, kapacitete dhe profesionalitet shumë të lartë diplomatik.

Shqipëria është një shtet i vjetër. Ndër antarët e parë të Lidhjes së Kombeve. Sot antare e OKB me marrëdhenie diplomatike me shumicën e shteteve të saj. Vërtetë politika e jashtme dhe diplomacia janë prioritizuar drejt BE, por kurrësesi nuk mund të lihen mënjanë marrëdhëniet me partner strategjik si ShBA sikundër edhe me shtetet e tjera të mëdha, të mesme dhe të vogla. Marrëdhëniet ndërkombëtare janë pasuri e pacmuar, miqësitë e vjetra duhen konsoliduar, miqësitë e reja duan investime, cdo shtet ka vlerën e vet dhe duhet konsideruar si i tillë. Diplomacia është proces i pandërprerë. Diplomacia është memorie ndërkombëtare. Diplomacia është arkivë e gjallë. Aktualisht politika e jashtme dhe diplomacia shqiptare po i zbeh dhe madje po i humb disa vlera të trashëgimisë së vyer të saj në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Diplomacia e Kosovës në nevojë

Shqipëria ka rol dhe përgjegjësi të madhe për Kosovën, sidomos në fazën e përpjekjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Politika e jashtme e Kosovës është futur në kaos strategjik dhe ka ngatërruar prioritetet e saj. Ndërkohë diplomacia kosovare, si instrumenti kryesor i zbatimit të politikës së jashtme ka një zbehje të dukshme kohët e fundit. Politizimi i sëmurë dhe amatorizmi vulgar po gërryejnë themelet e ngrehinës së diplomacisë kosovare akoma pa nisur mirë. Për këto arsye diplomacia e Kosovës po humb terren përballë agresivitetit të diplomacisë Serbe. Kryediplomati i Kosovës, me formimin dhe përvojën e pamjaftueshme diplomatike po shpalos performancë të dobët në udhëheqjen e institucionit.

Për këto arsye në vënd të zgjerimit të njohjeve ndërkombëtare, Kosovës po i paksohen ato. Në vënd të avancimit në integrime në organizata dhe agjensi të ndryshme ndërkombëtare Kosova po dështon hap pas hapi, si rastin e UNESCO dhe INTERPOL. Në vënd të qëllimit që dialogu me Serbinë të synojë pa ekuivok njohjen e realitetit të Kosovës si shtet të pavarur, sovran dhe me integritet të pacënueshëm territorial, po hidhen ide dhe po ndërmerren iniciativa për ndryshime kufijsh nëpërmjet shkëmbimeve territoriale, ide dhe iniciativa që janë antikushtetuese për Kosovën dhe të rrezikshme për Ballkanin. Në këto rrethana politiko-diplomatike Kosova ka nevojë emergjente për ndihmën e diplomacisë së Tiranës.

Pa formim, pa përvojë, pa kontribute

Po në cfarë pozitash ndodhet diplomacia e Tiranës? Përballjet e Shqipërisë me sfidat e politikës së jashtme dhe diplomacisë po dëshmojnë dobësi serioze në rritje. Politika e jashtme është në kaos. Diplomacia është në krizë. Kjo është alarmante. Pasojat për vëndin dhe për mbarë kombin mund të jenë fatale. Nëse dobësitë në politikën e brëndshme sjellin dobësim dhe varfërim të vëndit, dobësitë në politikën e jashtme sjellin rrënimin e plotë të vëndit dhe humbjen e lirisë së tij.

Dëmet në politikën e brëndshme rikuperohen më shpejtë. Ndërsa dëmet në politikën e jashtme duan shumë kohë që të rikuperohen, madje ka raste kur nuk rikuperohen më kurrë. Në politikën e brëndshme mund të pranohen edhe hipotezat, eksperimentet dhe projektet pilot. Ndërsa në politikën e jashtme hedhja e hipotezave, bërja e eksperimenteve dhe aplikimi i projekteve pilot janë me rrezikshmëri të jashtëzakonshme dhe me pasoja të pariparueshme.

Në politikën e brendshme vendosin tërësia e aktorëve shtetëror dhe jo shtetëror të një vëndi. Ndërsa në politikën e jashtme implikohen edhe shumë faktorë, shtete, organizata, korporata, NGO nga e gjithë bota. Politika e brëndshme rregullohet kryesisht mbi bazë të së drejtës së brëndshme dhe institucioneve të bazuara në të. Ndërsa politika e jashtme rregullohet kryesisht mbi të drejtën ndërkombëtare, institucionet ndërkombëtare dhe interesat gjeopolitike të shteteve individuale, sidomos të Fuqive të Mëdha.

Politika e brëndshme mund të ndryshohet me votat e qytetarëve të një vëndi. Ndërsa politika e jashtme mund të ndryshohet e kushtëzuar dhe e ndërvarur shumë edhe nga faktorë të jashtëm në të njëjtën kohë. Zgjidhjet, kompromiset dhe konsesuset e brëndshme janë të mundshme për cdo gjë dhe në cdo kohë. Zgjidhjet, kompromiset dhe konsesuset në politikën e jashtme varen e kushtëzohen tërësisht nga aktorët e faktorët ndërkombëtare dhe marrëdhëniet ndërmjet tyre. Në politikën e brëndshme mund të jesh ‘vetë zot dhe vetë shkop’. Ndërsa në politikën e jashtme mund të mos jesh ‘as zot dhe as shkop’, pra as njeri dhe as tjetri. Në politikën e jashtme, sidomos për vëndet e vogla, mund të shndërrohesh edhe thjesht një hic.

Politika e jashtme e Shqipërisë dhe diplomacia e saj janë futur në një rreth të mbyllur krize pa dalje. Tirana zyrtare lypet të qartësojë dhe jo të konfuzojë strategjinë në politikën e jashtme; të fiksojë dhe jo luaj me prioritet kombëtare; të konsolidojë dhe jo të vërë në dyshim rolin e saj për paqen e stabilitetin në Rajon; të ruajë pa luhatje dhe jo devijojë trajektoren Euro-Atlantike; të forcojë udhëheqjen diplomatike bazuar në dije, aftësi, përvojë dhe kontribute në këtë fushë dhe jo të eksperimentojë anonimate pa këto vlera; të konsolidojë shërbimin diplomatik të karrierës bazuar në meritë, integritet, profesionalitet dhe përvojë dhe jo ta trajtojë atë si ‘ciflig’ partiak apo akoma më keq personal. Mjerisht kohët e fundit Tirana zyrtare është larg lartësive të kërkesave të momentit historik për veten e saj dhe për pasojë edhe për Kosovën.

Loja e ditëve të fundit me ‘delegimin’ e postit të ministrit të jashtëm nga një person i dekretuar nga Presidenti i Republikës, i betuar përpara tij dhe i votuar në Kuvend tek një person i padekretuar nga Presidenti i Republikës, i pabetuar përpara tij dhe i pavotuar nga Kuvendi është një veprim paprecedent kombëtar dhe ndërkombëtar. Është një veprim që i bie ndesh në mënyrë flagrante kushtetutës së vëndit dhe injoron votën sovrane të Kuvendit. Është një veprim që injoron edhe të drejtën ndërkombëtare diplomatike dhe praktikën ndërkombëtare.

Precedenti i ‘delegimit’ të një posti pa dekret kushtetues Presidenti dhe pa legjitimitet vote parlamenti do thotë se Shqipëria po anashkalon kushtetutën dhe sistemin e saj politik. Thënë ndryshe sundimi i ligjit po zëvëndësohet nga sundimi i një grupi njerëzish, sistemi politik nga republikë parlamentare po zëvëndësohet nga një republike ekzekutive. Kjo rrëshqitje e con vëndin drejt simptomave të një modeli autokratik jo demokratik.

Precedenti i delegimit në postin e kreut të diplomacisë të një personi të padekretuar nga Presidenti, të pabetuar përpara tij dhe të pavotuar nga Kuvendi sjell dëmtimin serioz të imazhit të vëndit në botë, humbjen e kredencialeve të diplomacisë shqiptare dhe paralizimin e marrëdhënieve ndërkombëtare të vëndit. Thjesht ky veprim politik i brëndshëm e bën mosveprues veprimin diplomatik shqiptar në marrëdhëniet me jashtë dhe të pamundshëm negocimin dhe firmosjen e akteve juridike ndërkombëtare. Pasojat e kësaj loje politike merren me mënd, sidomos në momentin historik që kalon Shqipëria, Kosova dhe mbarë Kombi Shqiptar.

Loading...
Advertisements

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close