KUJTIMI

Tregime poetike

Loading...

Po më kullojnë plagët e vetmisë. E ndjej aromën e çajit që dikur netëve të gjata të dimrit vlonte mbi koftorin e skuqur. Po i ndjej edhe hapat e nënës që atëbotë na thoshte se sëmundjet e trupit vijnë nga këmbët e ftohta. Mbi odën e vetmisë është lëshuar poli verior, që më ka pështjellur me një cipë akulli. Heshtjes superiore më nuk u bëjnë balla as të rrahurat e zemrës.

Ka pllakosur një natyrë e vdekur, të cilën e prish vetëm aroma e çajit që sado pak ma ngroh fytin për t’i mbushur mushkëritë me ajrin e jetës. Përtej cipës së akullt shoh pasqyrën që ka marrë një shtresë avulli. Do të jetë dikush që më sfidon përderisa qëndroj në vijën që ndan jetën dhe vdekjen. Që të dyja më ftojnë t’u bashkëngjitëm. Po si të ngrihem e të ngrohem me avullin e pasqyrës? Gjymtyrët po më tradhtojnë, ndërkaq vetëm sytë i rrotulloj për të gjetur ndonjë shtegdalje. Megjithatë bindem se ka jetë në odën e vetmisë, ka shpresë për ta përballuar polin verior, ndonëse gjithnjë mendja më rri te tradhtia e pasqyrës.

Ndoshta jam në kthetrat e ndonjë ankthi që s’ më lë të zgjohem nga gjumi i rëndë, që më mbyt me ëndrra të llahtarshme. Ndoshta edhe më ka kapluar ndonjë kllapi, që përcillet me ethe që thyejnë edhe nofullën. Diçka e padefinuar po ndodh në këtë odë.
Dikush troket në derë dhe ajo hapet vetvetiu. Ndërkohë shoh se avulli në pasqyrë zhduket. Syve më bie një terr. Ndjej se një dorë ma prek ballin, duke rënkuar rëndë. Sakaq një forcë më kthen në pozitën vertikale. Lëvizi një hap, pastaj edhe një, duke i folur vetes: sërish fillojmë, sërish fillojmë…Kur bindem se dera është e mbyllur, se në pasqyrë nuk ka avull e as acar polar, i rraskapitur shtrihem në shtratin prej kashte dhe pëshpëriti lutjen e mbrëmjes.

Për çudi nuk i ndjej vetëm gishtërinjtë e këmbëve, të cilat i mbuloj me kashtën e mykur sa për t’i ngrohur një çikëz, sepse mbaj mend se dikur nëna na thoshte se sëmundjet e trupit vijnë nga këmbët e ftohta. Nëna asnjëherë nuk më tregoi se cila sëmundje i shkakton plagë vetmisë. Ma ha mendja se ajo e ka njohur këtë sëmundje, sepse e pat sprovuar veten duke pritur që babai të kthehet nga kurbeti. Ai asnjëherë nuk u kthye, kurse nëna netëve të gjata të dimrit na tubonte rreth koftorit ku vlonte çaji. E, gjatë verës uleshim te bregu i thatë dhe shikonim se kush kthehej nga largësitë. Që atëherë vetmia kurrë nuk m’u nda…

/Shkelzen Halimi

 

Loading...
Advertisements

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close