KUNDËR NJË AKUZE TË KURDISUR

Loading...

Liri Loshi

– Sadri Ramabaja duhet të lirohet!
Kurrë nuk e kam takuar Bardhyl Mahmutin, por gjatë luftës një mik imi, epror i lartë i UÇK-së që kishte ardhur në Drenicë nga Zvicra, komunikonte periodikisht me të në praninë time nga telefoni im celular që mbaja në kohë të luftës. Gjatë atyre bisedave pata kuptuar se Bardhyli po fliste nga Tirana. Isha i vetmi person në brigadë që kisha telefon celular, falë dy kontribuuesve të mëdhenj të UÇK-së që më vonë u bëmë miq, Ymer Halimit dhe Shaban Hoxhës.

Këta dy e kishin kuptuar thellë peshën e informimit dhe propagandës në luftë dhe telefoni me erdhi nga Emergjenca për luftën si një dhuratë ende pa u takuar me këta dy burra. Pothuaj saherë që eprori (nuk e kam pyetur a mund t’ia përmend emrin) fliste me Bardhylin në telefon, unë merrja vesh nga biseda e tyre se pranë tij në Tiranë ndodhej edhe Hashim Thaçi. Ose ndodhte që eprori ta kryente bisedën me Bardhylin e pastaj ky i dyti ia kalonte telfonin Hashim Thaçin. Aty e kam kuptuar se truri i UÇK-së nuk ka qenë askush tjetër pos Bardhyl Mahmutit. Ju duket se ky tru ishte dikush tjetër pos Bardhyl Mahmutit? Hashim Thaçi!!! Xhavit Haliti!!! Azem Syla!!! Harrojeni atë punë. Pra, tru i UÇK-së nga jashtë ishte Bardhyl Mahmuti. Tru i UÇK-së nga brenda ishte Jakup Krasniqi. Pastaj gjendej ndonjë tru tjetër që ndihmonte dhe bënte luftën pa pasur nevojë që me çdo kusht të ishte i lidhur me “të mëdhenjtë” e UÇK-së. Por, ky status nuk ka për qëllim të tregojë se kush ishte koka e kush bishti. Fjala është për diçka tjetër.

Ky Bardhyl Mahmuti, që unë e kam konsideruar si trurin e UÇK-së, paska shkruar këto ditë për të akuzuarin e grupit të “Syrit të popullit”, profesorin Sadri Ramabaja. Paska folur dhe e paska prerë shkurt: Sadri Ramabaja nuk e ka vendin në burg, por në katedrat e Universitet. Sadri Ramabajen e njoh vetëm virtualisht. Por meqë e njihka Bardhyl Mahmuti, sikur ta njihja edhe unë. Nëse Bardhyl Mahmuti është i bindur se Sadri Ramabaja duhet të dalë sa më shpejt nga burgu, për arsye se nuk ka ndonjë vepër që e bën të fajshëm, ashtu dua të besoj edhe unë. Jam ”përtac” të mendoj shumë për këtë punë, mjafton se ka menduar një njeri që për mua është shumë stabil dhe me ndërgjegje të lartë dhe ashtu siç i besoj vetes për përgjegjësinë ndaj deklaratave publike, të njëjtën gjë dua ta besoj edhe për Bardhyl Mahmutin.

Sidoqoftë, nuk e di pse Bardhyli ka gjetur gazetat dhe Facebook-un si mënyrë për ta ngritur zërin për lirimin e Sadri Ramabajes. Jo pse dyshoj në fuqinë e mediave dhe rrjeteve sociale, por besoj se ai ka mundur që, si shok i Hashim Thaçit, të ndikonte tek ai që të mos ndikonte para trupit gjykues me dëshminë e tij kontroverse e skandaloze që inkriminon Sadri Ramabajen aq keq sa pretendon ta bëjë atë udhëheqësin kryesor të grupit terrorist.

Nuk di a komunikon ende Bardhyli me Hashimin, sepse më bëhet sikur këtij të dytit nuk i ka mbetur asnjë shok i luftës pas çlirimit duke u orientuar më shumë kah një kastë intelektualësh kozmopolitë dhe servilë të tipit të Enver Hoxhaj&comoany dhe tash mund të mos i dalë kohë për Bardhyl Mahmutin, trurin e UÇK-së. Por, edhe nëse komunikojnë, logjika ma thotë se një Sadri Ramabaja që e njeh Bardhyl Mahmuti, të tillë si Bardhyli e njeh edhe Hashimi. Dhe të tillë si Hashimi e njeh edhe Kadriu. Dhe të tillë si Kadriu e njeh edhe Xhaviti. Këta janë shokë të një sahani, një kazani, të një ideali dhe një kapitali. Vetëm se Bardhyl Mahmuti dhe Sadri Ramabaja dallojnë shumë për nga ngritja intelektuale me mendjet mediokre të Hashimit, Kadriut e Xhavitit. Ashtu sikur këta të fundit dallojnë bukur shumë nga ish miku i tyre, tash atentator i Azem Vllasit, Murat Jashari.
Krejt kësaj pune po donë me i ardhë fundi disi sikur “u mbars mali, e polli një mi”. Ose edhe më keq, nuk polli hiç, asgjë, pra as edhe një mi.
Murat Jashari si person me probleme shëndetësorë të natyrës që komprometojnë kapacitetin e marrjes se vendimeve, duhet të lirohet. Sadri Ramabaja që s’ka asnjë lidhje me komplotin duhet të lirohet. Hashim Thaçi e di këtë mirë dhe dëshiron që Sadri

Ramabajen ta mbajë si kaucion parash derisa ta gjejë mënyrën juridike që në vend të tij t’i sjell në burg Albin Kurtin dhe Glauk Konjufcën. Albinin pse është lider, ku i akuzuari, Sadri Ramabaja, ka zhvilluar aktivitetin legal politik!!! Tjetër fakt nuk ka. Kurse Glaukun pse e ka burrë të hallës “terroristin” e rrezikshëm që mund të mos e ketë shkelur as edhe një buburrec, Sadri Ramabajën! Tjetër fakt as për Glaukun nuk ka.

Pa i dhënë vetes detyrë që të përzihem në drejtësi, apeloj tek Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli që të mos përzihen në pavarësinë e gjyqësorit. Apeloj tek prokurori i çështjes që ta rishikojë lëndën dhe të mos bëjë gabime që vënë në pyetje integritetin profesional të tij dhe apeloj tek gjykatësit që të mos pranojnë broçkullat e “dëshmitarëve” që nuk mund të provohen. Listën e dëshmitareve që unë e kam parë, e ku bëjnë pjesë edhe redaktorë e gazetarë portalesh, nuk e konsideroj shumë serioze dhe me një seleksionim të matur profesional. Kjo i ngjan një kurdisjeje të ndyrë të njerëzve që janë në maje të shtetit dhe që duan ta paraqesin veten si viktima në një kohë që imazhi për ta është shumë i keq mu për shkak të dyshimeve për përgjegjësitë e tyre ndaj vrasjeve politike që kanë ndodhur në Kosovë.

Gjasat janë që Sadri Ramabaja të mos ketë asnjë faj dhe gjasat janë që prokuroria ta dijë këtë më mirë se ne dhe ajo përsëri të vazhdojë t’i kryejë shërbime atyre ndaj të cilëve një prokuror tjetër mund të ngrit një akuzë të bazuar për vrasjen e kundërshtarëve politikë.
Prokuroria duhet t’i rishqyrtojë materialet e veta dhe të shoh mirë se a ka bazë reale për aktakuzën kundër Sadri Ramabajës. Dhe nëse nuk ka, të tërhiqet nga ajo dhe të mundësojë që Sadri Ramabaja t’i kthehet familjes, universitetit dhe politikës.

 

Loading...
Advertisements

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close