PENGU

Loading...

Te stacioni i pritjes ku malli digjet ditë e natë në flakën e qiririt, nënës i thashë se do ta marr rrugën që ndoshta është pa kthim. Ajo psherëtiu rëndë. Do të shkoj, por një copë të jetës do ta lë si peng. Ajo sërish nuk foli, edhe pse pata bindjen se nga zbehja që i ra fytyrës, do ta lëshojnë këmbët. Unë ika, kurse ajo mbeti aty te qershia që ishte në fillim të fshatit.

Vite të tëra e kam ndjerë mungesën e asaj cope të jetës që e lash si peng. Ishte njësoj sikur të të mungojë njëra gjymtyrë. Shihja se valët e jetës më përplasnin skëterrave të ndryshme. Ishte një përplasje e rëndë dhe mezi e përballoja ekuilibrin shpirtëror. Do të kthehem një ditë, i thash infermieres plakë që ma shëronte plagën në klinikën e të gjymtëve. Po, duhet të kthehesh, së paku të qetësohesh, më tha ajo. Kam frikë, fola unë. S’ke pse të frikohesh, është pjesë e jetës sate. Nëntë muaj rresht qëndrova në atë klinikë, duke u shëruar me seanca agjërimi. Vetëm kur mbeta kockë e lëkurë, atëherë më thanë se erdhi koha të marr rrugën e kthimit.

Kur sërish u gjeta në hyrje të fshatit, pashë se nga qershia e dikurshme kishte mbetur vetëm një pjesë e trungut të thatë. U ula mbi një rrasë guri, duke shikuar fshatin e rrënuar ku jeta kishte marrë fund. Ishte një pamje sa e frikshme, aq edhe e dhembshme. Terri ishte lëshuar kur vendosa të largohem. Sakaq, përballë më doli një fëmijë me një gotë uji. E ujis qershinë, më tha ai.

Nëna më ka thënë që çdo ditë ta bëj këtë punë. Nëna, fola habitshëm. Po, ajo ka shkuar në qiell dhe më ka thënë se që andej do t’ më shikojë se si unë e mbaj në jetë qershinë. Po fshati, ç’ ka ndodhur me fshatin, e pyeta. Nuk e di. Kam dëgjuar se dikur atje kanë jetuar njerëz të lumtur. Askush s’ di të tregojë se çfarë ndodhi. Fshati ka vdekur, më tha ai dhe shkoi drejt qershisë. Pastaj fëmija u zhduk, ndërkaq unë kuptova se më kishte vdekur edhe ajo pjesë e jetës që e kisha lënë peng…

/Shkelzen Halimi

Loading...
Advertisements

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close