Advertisements

RRUGËTIMI

Përmbajtja e harruar më kthehet nga rrugëtimi nëpër labirintin e kujtesës. Është një përmbajtje e ngurosur dhe e futur në një arkë pa kapak të ngjashëm me qivurin. Gratë e këqija shkojnë e pështyjnë në atë qivur, duke e mbajtur në jetë me lagështinë e pështymës, ashtu siç policia sekrete ua kthen shpirtin me një kovë ujë atyre që e mbrojnë të vërtetën. Në atë përmbajtje kam parë të skicuar edhe portretin tim.

I zënë në zgrip për shkak të fjalës së dhënë, vendosa të udhëtoj me anijen e dehur nëpër detin e lafitur, duke huazuar fatin e Udhësit, sepse mendoja se një ditë do të arrij në bregun e duhur dhe se dënimi i Zotit do të marrë fund. Larg pragut të shtëpisë, i rrahur nga erërat dhe valët e çmendura, luftoja vetëm për një dëshirë: ta sjell gëzimin në shtëpi, të prehem qetë në atdhe dhe të mos përfundoj diku në katakombet e detit. Nëntë vjet udhëtim, nëntë vjet nëpër nëntë rrathët e ferrit të Dantes për të arritur te motra Doruntinë, sepse i kisha dhënë fjalën Lokes se Doruntinën, sa herë të dojë ajo, do ta sjell në shtëpi, sepse e patëm martuar përtej nëntë maleve e nëntë deteve.

Dhe kur më në fund arrita, Doruntinës sime të dashur i thashë shkurtë: bëhu gati se na pret rrugë e gjatë. Pas nëntë ditë e nëntë netëve, pa i thënë gjë asaj për vëllezërit tjerë dhe për Loken, arritëm në fshatin tonë të vetmuar. Nga hungërima e rëndë e kalit që ndërroi jetë në mes të fshatit, u zgjuan gratë e këqija dhe filluan ta vajtojnë Doruntinën. Kush të solli moj e mjerë, i thanë ato, duke shkulur flokët. Vëllai im i vogël, ua ktheu ajo. Vllaznit të kanë vdek, e Lokja të asht verbue, i thanë ato.

Aty për aty Doruntina u zhduk, duke lëshuar një zë qyqe. Pastaj zuri vend nata dhe dëgjova pëshpëritjen e Lokes: nuk e mbajte fjalën, nuk ma solle Doruntinën.
Kur dola në anën tjetër të lumit, pashë se më nuk kundërmoja erë dheu dhe ndjeja se isha rilindur. Ndërkaq në atë Qivur pa kapak mbeti vetëm një iluzion, të cilin vazhdojnë ta mbajnë në jetë me lagështinë e pështymës pikërisht gratë e këqija që dikur moti thurën përmbajtje me gjuhën e helmit. Shpesh përmbajtja e harruar më kthehet nga rrugëtimi nëpër labirintin e kujtesës, të cilën sërish ma merr harresa. Tash jam i çliruar nga ndjenja e mëkatit, sepse legjenda thotë se Lokja ia dëgjoi zërin Doruntinës dhe arriti t’ia miklojë flokët.

Kur të dal nga oda e vetmisë, do të vazhdoj të jem Udhës në anijen e dehur që lundron nëpër detin e lafitur…

/Shkelzen Halimi

 

Loading...
Advertisements

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close