Advertisements
Ultimate magazine theme for WordPress.

Shkrimtari Mexhid Mehmeti në dokumentet e UDB-ës

Në shiritin e kohës

Inteligjencia shqiptare në ish Federatën jugosllave ishte në shënjestër të vazhdueshme të sigurimit shtetëror, përkatësisht UDB-ës famëkeqe. Është e njohur historia e dhembshme e atyre që e pësuan vetëm e vetëm që kërkuan pak drejtësi për popullin shqiptar në hapësirat e ish RSFJ-së.

Demonstratat e vitit 1968 që shpërthyen në Kosovë dhe Maqedoni ishin vetëm një etapë e re e vetëdijesimit dhe guximit të shqiptarëve për ta nxjerrë në shesh të vërtetën e tyre, e cila për qarqet komuniste-shoviniste ishte diçka e tmerrshme, prandaj UDB-a edhe atëherë nuk kurseu asgjë për ta shtypur këtë lëvizje.

Atëbotë, diskutimet për ndryshimet kushtetuese, Konsulta Gjuhësore (1967), Manifestimet me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut (1968), Lëvizjet studentore në Evropë (1968) etj., qenë faktorë shtytës në luftën për të drejta kombëtare përmes organizimit të demonstratave dhe protestave gjithëpërfshirëse.

Gjatë hulumtimit (bashkë me historianin Qerim Lita) në skedat e KQ të LKJ në Arkivin jugosllav (në Beograd), do të hasim edhe në një dokument të karakterit tepër sekret, që bënte fjalë pikërisht për këto lëvizje të shqiptarëve. Në këtë dokument që mban datën 28. XI. 1969, bëhet fjalë për shpërndarjen e disa pamfleteve me përmbajtje “armiqësore”, me ç’rast thuhet se ishte identifikuar një nga autorët, Mehmet Gjonbalaj, i cili, siç potencohet, ishte burgosur.

Më tej, në dokument tregohet se me Gjonbalajn kanë bashkëpunuar edhe katër studentë tjerë, midis tyre edhe Mexhid Mehmeti, i cili “pas burgosjes së Gjonbalajt, do të largohet dhe do të shkojë në Preshevë”. Në dokument thuhet se janë marrë të gjitha masat që Mehmeti të burgoset, duke shtuar se babai i tij gjatë luftës (së Dytë Botërore) ka qenë pjesëtar i SS formacioneve.

Në dokument potencohet se në gusht të atij vitit (1969) Mexhid Mehmeti, bashkë me “irredentistin” dhe profesorin e gjimnazit të Preshevës, Fehmi Aliun, kanë qëndruar në Çekosllovaki dhe Poloni. Atyre ditëve, sipas këtij dokumenti të policisë sekrete jugosllave, Mexhid Mehmeti i paska brohoritur parullat e njohura: “Rroftë Shqipëria, “Rroftë Enver Hoxha”etj.

Në fund bëhet e ditur se shërbimet sekrete jugosllave, këtë dokument ia kishin dorëzuar: Titos, M. Popoviqit, M. Ribiçiqit dhe Fadil Hoxhës.

Mexhid Mehmeti ( i lindur në fshatin Zhunicë të Preshevës) është një nga shkrimtarët tanë më produktiv, autor i mbi 30 veprave. Është fitues i disa çmimeve, i prezantuar në disa antologji poetike, tekste universitare, leksikone, albume, botime kritike etj., në shqip e në gjuhë të tjera.
Mexhid Mehmeti është një ndër figurat më të respektuara në Luginën e Preshevës. Si mësimdhënës, si gazetar dhe si shkrimtar, ai ka dhënë kontribut shumë të çmuar për arsimimin dhe emancipimin e shqiptarëve, për artikulimin dhe afirmimin e kërkesave të tyre politike./Shkelzen Halimi

 

Loading...
Advertisements

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close