Advertisements

Tregime poetike #GUACAT

Qëndrova para pasqyrës dhe thash: po shuhem…
Nuk je në varr, por i mbyllur në guacën e vetmisë, më tha një zë nga ana tjetër e pasqyrës.

Jam në odën e vetmisë, iu përgjigja me një zë të ngjirur.

A të kujtohet kur të pata thënë se më shumë guaca ka jashtë ujërave? Më shikove habitshëm, duke thënë: ke filluar të çmendesh.

Unë vetëm qesha dhe asgjë nuk të thashë, sepse pata menduar se vërtet do t’ më marrish për të çmendur. Sa e sa të fshehta përfundojnë pa u treguar asnjëherë. Janë të panumërta. Të gjitha ato i përpin vdekja. Në fëmijëri, netëve të verës shtrihesha në kopshtin tonë të blertë dhe me mallëngjim sodisja yjet që shpërndaheshin gjithandej nëpër qiell. Një natë vendosa të qëndroj deri në agshol për të parë se si ato zhdukeshin. Në të vërtetë nuk zhdukeshin, por fikeshin, ngadalë, ashtu siç jep shpirt njeriu. Edhe atëherë më mundonte e njëjta dilemë: vallë, janë po të njëjtat yje që paraqiten sërish kur bie terri? Nëse fiken, atëherë pse sërish ndriçojnë? Kush ua jep atë dritë? Atëbotë unë mendoja se yjet në qiell në të vërtetë janë shpirtrat e njerëzve që pandërprerë, ditë e natë, ngjiten lartë dhe gjatë natës e luajnë vallen e fundit që zgjat deri në agsholin e parë, sepse pastaj mbyllen në guacën e tyre dhe përfundojnë diku në zonat e errëta të kozmosit, të vetmuara përjetësisht. 

Në jetën e përditshme guacat tona të vetmisë herë hapen – herë mbyllen. Nuk dalin nga gëzhojat e tyre, ku mbeten të mbyllura edhe shumë fshehtësi, të cilat s’rrëfehen asnjëherë. Beso se ato fshehtësi, në të shumtën e rasteve janë fshehtësi dashurie, që albumit tonë të kujtesës i japin një përmbajtje magjike, e që shndrijnë vetëm një herë, vetëm atëherë kur luhet vallja e shkurtër e yjeve…

    /Shkelzen Halimi

 

Loading...
Advertisements

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close