Advertisements

MBI DISA TË DHËNA TË PA PUBLIKUARA PËR ARSIMIN NË GJUHËN SHQIPE NGA SHEKULLI XV

(Kumtesë e mbajtur në Konferencën shkencore me temë: Shkollat shqipe në hapësirat shqiptare në shek.. XVI-XX”, Viti, 05.02.2019)

Dr. Mark PALNIKAJ, Tiranë

Sipas burimeve arkivore, Stublla e Malit të Zi të Shkupit (me shkollën e parë shqipe, që në vitin 1584), deri me 1 shkurt të vitit 1905, kur u shpall famulli më vete, ishte filial i Letnicës. Data 5 shkurt, ndërkaq shënon fillimin e semestrit të dytë të vitit shkollor 1904 – 1905, tashmë të Stubllës së pavarur nga Letnica. Shih për këtë, Komuna e Vitisë meriton respektin e gjithë dashamirëve të shkollës shqipe ndër shekuj, që datën 5 shkurt e futi edhe në Statutin e Komunës si ditë feste të Shkollës Shqipe.

Me këtë rast, po paraqesim një punim të shkurtër mbi historikun e shkrimit të gjuhës shqipe dhe të shkollave shqipe në trevat shqiptare. Në këtë punim të shkurtër do bëjmë një prezantim të fakteve të publikuara deri tani për historikun e gjuhës dhe shkollave shqipe dhe në fund do të mundohemi të paraqesim edhe ndonjë të dhënë të re që kemi mundur të shikojmë në dokumente arkivore kryesisht në arkivat italiane.
Për historikun e shkollave shqipe janë mbajtur një numër shumë i madh konferencash madje edhe kongrese dhe janë botuar shumë libra dhe studime ku janë identifikuar kontributet e të parëve tanë arbëror për shkollat dhe shkrimin shqip qysh nga shekulli XIII e këtej.
Me këtë temë janë marrë shumë studiues shqiptar, por edhe të huaj të cilët kanë sjellë të dhëna për shkrimet e para në gjuhën shqipe dhe për shkollat e para në trevat arbërore, para se të formohej shteti shqiptar.
Në shkrimet dhe studimet e kryera vitet e fundit sidomos nga viti 1930 e deri më sot, është zvogëluar roli i shkollave shqipe të hapura nga klerikët tanë të nderuar deri në shekullin XIX, me pretendimin se “ato kanë qenë shkolla fetare, nuk ishin të miratuara nga qeveritë dhe nuk kishin programe gjithëkombëtare”.
Një mendim i tillë më duket shumë i padrejtë sepse në të gjithë kontinentin evropian shkollat e para janë hapur në fillim nga institucionet fetare.
Në trevat shqipfolëse të asaj kohe vetëm priftërinjtë kishin arsimin e nevojshëm për të mundësuar lëvrimin e gjuhës shqipe të asaj kohe dhe ata klerikë ishin kryesisht shqiptar, por në ndonjë rast, kontribute me rëndësi dhanë edhe klerikët me kombësi jo shqiptare që shërbyen në Shqipëri.
Barleti, Beçikemi, Dhimitër Frangu, Buzuku, Bardhi, Bogdani, për shekujt XVI dhe XVII, na kanë lënë monumente me rëndësi në këtë fushë duke na dhuruar veprat e pavdekshme të historive për heroin tonë kombëtar Gjergj Kastriotin Skënderbeu, Mesharin, Fjalorin Latinisht Shqip, Doktrinë dhe vepra të tjera të prezantuara dhe të njohura në shumë punime të mëparshme.
Të dhëna të shkruara të publikuara dhe të njohura në shtypin e shkruar në Shqipëri, tregojnë se Andrea Bogdani kishte hartuar një gramatikë të gjuhës shqipe, por ajo humbi në mënyrë aksidentale pa u botuar nga nipi i tij Pjetër Bogdani. Hartimi i kësaj gramatike dhe i Fjalorit të Frang Bardhit tregon se në mesin e shekullit XVII ishte kërkesë e kohës mësimi i gjuhës shqipe në stil të gjerë. Siç do ta shohim më poshtë, në shekullin XVIII lëvrimi i gjuhës shqipe merr përmasa edhe më të mëdha me hartimin e gramatikës dhe të fjalorit shqip nga Maria da Leçe në vitin 1716, hartimi i gramatikës shqipe nga dom Pal Zogaj në vitin 1776, nga funksionimi i disa shkollave në trevat arbërore etj.
Për arsimimin e klerikëve shqiptar para vitit 1584 kemi pak të dhëna të shkruara. Nga viti 1479 që përkon me pushtimin osman të Shkodrës trevat shqiptare të përfshira në dioqezat e Shkupit dhe ato arbërore u pushtuan nga osmanët dhe jeta kishtare për besimtarët katolik ka qenë shumë e vështirë. Pushtuesi ka shkatërruar pothuaj të gjitha kishat dhe ka propaganduar si fe zyrtare fenë islame. Ndihma nga ana e Selisë së Shenjtë për këta besimtar ka qenë minimale.
Në vitin 1555 është botuar në gjuhën shqipe Meshari i Gjon Buzukut. Ky veprim nuk mund të konsiderohet një rastësi sepse në atë kohë botimi i një libri të tillë nga një prift pa mbështetjen dhe sponsorizimin e institucioneve më të larta fetare ka qenë absolutisht i pa mundur.
Në këtë kohë me sa duket Selia e Shenjtë për të ruajtur besimin e krishterë të ritit roman, pra jo ortodoks të Kostandinopojës, zgjodhi si strategji të saj arsimimin e besimtarëve nga trevat ballkanike të pushtuara nga turqit, për t’i bërë ballë ekspansionit të dhunshëm të fesë dhe kulturës islame.
Për këtë qëllim, për studentët e këtyre trevave ajo ka hapur disa shkolla. Në fillim, në vitin 1584 u hap Kolegji Ilirik i Loretos i cili me ndërprerje të shkurtra ndenji i hapur deri në vitin 1860. Sipas regjistrit themeltar të studentëve të regjistruar në këtë kolegj, nga trevat e Arbërisë, Dioqezës së Shkupit dhe të Tivarit të cilat ishin me popullsi shqipfolëse, në këtë kolegj u regjistruan 124 persona.
Në vitin 1663 është hapur Kolegji Ilirik i Fermos në Itali i cili qëndroi i hapur deri në vitin 1746. Nga trevat shqiptare të përmendura më sipër, gjatë kësaj kohe në këtë kolegj u regjistruan 82 shqiptar nga të cilët 10 prej tyre arritën në postin e Ipeshkvit në ipeshkvi të ndryshme në trevat shqiptare.
Në vitin 1627 është hapur Kolegji Urban pranë Propagandës Fide në Vatikan i cili me ndërprerje të shkurtra ka qëndruar i hapur deri në vitin 1931. Edhe këtë kolegj e mbaruan shumë persona të ardhur nga Arbëria, Tivari dhe Kosova. Numrin e saktë për personat që e mbaruan këtë kolegj nuk e kemi por edhe këtu një numër i madh shqiptarësh kanë studiuar gjatë kësaj kohe.
Mbas marrëveshjes midis Perandorisë Austriake dhe Vatikanit të vitit 1837 në kolegjet dhe universitetet e Austrisë u dërguan për të studiuar një numër i konsiderueshëm i studentëve nga Shqipëria.
Zanafilla e shkollave në gjuhën shqipe është mbas krijimit të urdhrit të Jezuitëve të cilët shkollimin e besimtarëve e shikonin si nevojë të dorës së parë. Ata vunë themelet e arsimit modern evropian, ku pikat themelore ishin hartimi i programeve shkollore që deri atëherë ishin të panjohura, arsimimin falas dhe arsimimi edhe për fëmijët e familjeve të varfra. Jezuitët hapën shkollat fetare më në zë në kontinentin evropian dhe disa nga figurat më të rëndësishme në lëmin e shkrimeve shqipe të shekullit XVII si Frang Bardhi, Pjetër Bogdani e të tjerë mbaruan pikërisht këto shkolla. Në trojet shqiptare ky urdhër fetar u paraqit vetëm në vitin 1841. Në traditën treqindvjeçare të tyre për arsimimin e besimtarëve, ata hapën në Shkodër Kolegjin Saverian, njërën nga shkollat më prestigjioze që është hapur në historinë e këtij qyteti.
Për të mos rënë në përsëritje të punimeve të publikuara në gjuhën shqipe mbi përhapjen e shkollave dhe të shkrimeve shqipe më poshtë po shkruaj vetëm listën e atyre që janë publikuar më parë pastaj do të përshkruaj edhe ndonjë aspekt të këtij problemi që nuk është publikuar në këto punime.
“Bahet fjalë për Shkollat e para në 1258në Gjuhën Shqipe në veri të Shqipnisë nga klerikët katolikë.
“Françeskanёt albanezë dhe ata italianё, qё njihnin gjuhën tonë, hapën shkollat në gjuhën albaneze pranë kishave dhe kuvendeve, duke filluar me
– shkollёn nё Ulqin (1258) dhe nё vazhdim
– nё Durrёs (1278), dy shkolla
– nё Shkodёr (1345 dhe 1395),
– Tivar (1349),
– Pult (1367),
– Drisht (1396), duke vazhduar
– nё shekujt XV-XVIII me shkolla tё tjera nё Shkodёr, Lezhё,
– Stubёll (1584), Trafandinё, Kunavi, Dibёr, Prizren, Shkup, Elbasan, Ohёr etj.
Kёto tё dhёna dёshmojnё se nё ato shekuj tё shkuar, kisha katolike albaneze me françeskanёt nё vijёn e parё, i zhvillonin tё gjitha ritet fetare nё gjuhёn albaneze, andaj populli i frekuentonte kishat e kuvendet me dёshirё, duke marrё pjesё aktive nё meshat, pagёzimet, katekizmat, kresmat, nё celebrimin e martesave etj. Jo vetёm kaq, por françeskanёt kontribuan dhe nё hapjen e shkollave nё gjuhёn albaneze.“
– 1416 shkolla në Shkodër.
“ Shkolla te tilla p.sh. ka pasur disa në Shkodër në vitin 1416: “ la scuola overo frataglia de Santa Barbara; la scuola overo frataglia de San Mercurio; la scuola overo frataglia de Santa Croce.(shkolla e vllaznve të ”Shen Barbara”; shkolla e vllaznve të ”Shen Merkurit”; shkolla e vllaznve ” Kryqi i Shenjtë” – e përshtati nga italishtja në shqip – Bep Martin Pjetri).
– Në vjetin 1584 u themelue Shkolla shqiptare nga klerikë katolikë në Stubllë(afër Gjilanit- fshat i Malësisë së Karadakut) i njohun si Kolegji i Shën Lukës në Kosovë.
– Në vitin 1632 – Hapja e shkollës shqipe të Kurbinit nga Imzot Gjon Kolesi.
– Në vitin 1638 – Etërit Françeskanë hapën një shkollë në Shkodër dhe në Pllanë.
– Në vitin 1639 – Fretërit e Troshanit hapën shkolla në Blinisht dhe në Zadrimë. Krijimi i këtyre shkollave në gjysmën e parë të 600-ës rrjedh nga një interes i ndjeshëm për zhvillimin e arsimit. Arqjipeshkvi Pjetër Mazreku nga Prizreni në raportet e tij (të shkruem në vitet 1632-1633) (thekson) rolin e shkollës dhe nevojën e shkollimit të shqiptarëve.
– 1698 – Padër Filip Shkodra çelë shkollë në familjen Kamsi, në Shkoder.
– Në vitin 1885 në Prizren, gjejmë një shkollë fillore shqipe për vajza.
– 1858 – Kushë Micja çelë shkollën për vajza shkodrane.
– Në vj. 1861 françeskanët çilin ma të parën shkollë fillestare publike në Shkodër.
– 10.1874 – Çelet shkolla e Parë LAIKE e Kohës së Rilindjes, ku mësohet Gjuha Shqipe E Arithmetike e Shirokës nga Dom Zef Ashta.
Në- vj. 1879 Motrat Stigmatine çilin ma të parën shkollë fillore për varza e, ma të parën shkollë punët. Aty u rritën me kujdes jo vetëm zonja shtëpijash, por edhe nana shqiptare.
Këto shkolla mund të thuhët, se poqën mendimin me thëmelue një shkollë publike femnore.
– Në vj. 1879 Motrat Stigmatine çilin ma të parën shkollë fillore për varza e, ma të parën shkollë punët. Aty u rritën me kujdes jo vetëm zonja shtëpijash; por edhe nana shqiptare.
Duhët pasë përparasyshë edhe, se, që
– në vj. 1882, françeskanët kanë pasë çilë një kolegjë për me rritë e me mësue ata që dëshronin m’ u ba fretën. Mësimet ishin të rregullueme mbas programit të gjimnazëve t’Austrisë e në vj. 1905, shkolla u ba krejt në gjuhë shqipe.
– Në vj. 1885 ase aty pranë, në Prizrend, gjejmë një shkollë fillore shqipe për vajza.
– N’ at kohë dihët e thëmelueme edhe ajo e Shkupit.
– Në vj. 1890-1903 Motrat Stigmatine shkojnë në Durrës, e aty mbajnë për 13 vjet një shkollë fillore për vajza e një shkollë për punëdore.
– Në vj. 1893 P. Joakin Serreqi O. F. M. ndreqë në Se1cë një shkollë me lokal për 50 nëxanësa.
– Në vjetin 1893 – Po këte vjetë edhe P. Basil Chiaroni, O. F. M. çilë një shkollë shqipe në Hot Traboinë.
– Në 1896 (?) në Kallmet Motrat e Mëshirës, kishin shkollë fillore për vajza e djelmë.
– Në vj. 1902 zgjidhët Drejtor i kësajë shkolle P. Gjergj Fishta O. F. M., i cilli patjetër vuni porsi gjuhë mësimi ndër të gjitha landët gjuhën shqipe.
– Në vj. 1897 P. Pjeter Gjadri O. F. M. u ep mësim fëmijve në kuvend të Troshanit.
– Në vj. 1898 D. Ndoc Mjedja çilë një shkollë në Pëdhanë,
– Në 1898 hapët një shkollë në kuvend të fretënve të katundit Rrubikut.
– Në vj. 1901 edhe Biza ka shkollën e vet, ku mëson P. Severin Lushaj O. F. M.
– Në 1904 me P. T. Bicaj O.F.M.
– Në vj. 1907, Shiroka ka shkollën e vet për varza.
– Në vj. 1907 P. Shtjefën K. Gjeçov O. F. M. çilë shkollën në Gomsiqe.
– Në vj. 1907 P. Gentil Biella O. F. M. mban n’ Iballe një shkollë në gjuhë shqipe.
– Në 1908, Shkodra merr pjesë në Kongresin e Monastirit ku dërgohen: At Gjergj Fishta, Gurakuqi, Dom Ndre Mjedja, Mati Logoreci, Hilë Mosi.
Krijohet klubi “Gjuha Shqipe” në Shkodër.
– Në vj. 1909 P. Engjëll Vjeshta O. F. M. fëmijët e Bazit i mëson me këndue e me shkrue.
– Prej vj. 1916-1929 katolikët kanë pasë shkolla, të thuesh, ndër shumëë katunde të Shqipnisë së Veriut. Mësojshin priftën, fretën e civila katolikë. U ndihmonin pjesërisht prej mbretnisë Austro-Hungare e ma vonë edhe prej Shtetit Shqiptar.”
Duke i konsideruar si të konfirmuara mbi dokumente dhe të njohura për lexuesin, këto të dhëna nuk e shoh të arsyeshme për ndonjë komentim a sqarim tjetër.
Të dhëna të ngjashme mund të kishim marrë edhe nga libri “Shkollat shqipe të trevave shqiptare në shekujt XVI-XVIII”, enti botues “Gjergj Fishta”, Tiranë , 2013, publikuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike dhe nga shumë botime të tjera.
Studiuesit e shumtë që janë marrë me studimin mbi përhapjen e gjuhës dhe të shkollave shqipe nuk e qartësojnë problemin e hapjes së shkollave shqipe në trojet shqiptare të përmendura më sipër si një vijueshmëri e përpjekjeve të pandashme për përhapjen e shkrimit dhe të gjuhës shqipe, por i trajtojnë si ngjarje të rastësishme që kanë ndodhur nga protagonizmi dhe dëshira e madhe dhe patriotizmi i madh i njërit apo tjetrit klerik shqiptar.
Në dhjetëra punime është përmendur formula e pagëzimit e shkruar nga Pal Engjëlli në vitin 1462 dhe konsiderohet si shkrimi i parë i njohur në gjuhën shqipe. Cili njeri me gjykim mendor të shëndoshë do të pranonte se ky ishte një gjeni që i vajti mendja të shkruaj një fjali në gjuhën shqipe me germa latine pa pasur një eksperiencë të mëparshme në këtë punë.
A ka mundësi që Gjon Buzuku të ketë shpikur shkrimin shqip me germa latine dhe të ketë shkruar “Mesharin” e tij të famshëm pa pasur një eksperiencë të kolegëve të tij më përpara.
A ka mundësi që Frang Bardhi të na japë një fjalor nga gjuha latine në gjuhën shqipe pa u mbështetur më parë në një përvojë shkrimi të shqipes.
Këto janë disa pyetje që studiuesit e vëmendshëm do të shtronin për të analizuar vijimësinë e shkrimit dhe të mësuarit e gjuhës shqipe.
Në vitin 1675 është hapur shkolla shqipe e Rrjollit, në Dioqezën e Shkodrës, me mësues Marin Gjinin. Habitem që studiuesit dhe institucionet zyrtare në prefekturën e Shkodrës nuk i kanë bërë publikimin e nevojshëm kësaj ngjarjeje, e cila duhet konsideruar e një rëndësie të veçantë për historikun e arsimit në këtë prefekturë. Dokumentin në gjuhën shqipe për këtë ngjarje e ka publikuar albanologja, motër Odette Marquet, në librin e saj “Pjetër Bogdani, letra dhe dokumente” botuar në Shkodër në vitin 1997 nga shtëpia botuese “Gjergj Fishta”. Studiuesi Kolec Çefa e përmend këtë fakt në një punim të tijin botuar nga Enti Botues “Gjergj Fishta” në vitin 2013 në Tiranë me titull “Në zanafillat historike të arsimit tonë në trevat veriore deri në shek. XVIII”. Organet zyrtare të arsimit në këtë prefekturë heshtin dhe nuk e zënë në gojë këtë fakt me rëndësi.
Edhe hyrja e shkruar në Gramatikën e Gjuhës Shqipe të vitit 1716 nga Fra Maria da Leçe në gjuhë shqipe, nga autori i librit është një dokument shumë mbresëlënës. Zgjedhimi i foljeve kam dhe jam në këtë gramatikë është për t’u marrë shembull dhe për t’u studiuar me hollësi edhe nga gjuhëtarët e shekullit XXI.
Në një shkrim të Prof. Dr. Lutfi Alia, është shkruar se në Pult kishte shkollë të nivelit të shkollës së mesme qysh në vitin 1367. Ai shkruan : “Në shekujt XIV – XV në Drisht kishte shkolla, madje rezulton se shkolla kishte në Pult, në Shkoder, Tivar, Ulqin, Durrës, Prizren, Ulpiana etj. Shkolla e Stanjos (Stagno është pranë Raguzës), në vitin 1388 kishte mësues Teodorin, djalin e Nikollës prej Drishtit dhe ishte shkollë “ortografica”, ku fëmijët mësonin lexim e shkrim, prandaj me të drejtë studiuesja E. Lala, sugjeron të quhet shkollë fillore, ndërsa për shkollën e Pultit (viti) 1367 dhe të Drishtit (viti) 1442, ku mësohej gramatika dhe komentoheshin veprat e autorëve Donati e Katoni, duhet të quhen shkolla të mesme”.
Në Pult pati shkollë të një niveli kaq të lartë qysh në vitin 1367, dhe sipas shkrimeve të asaj kohe rezulton që kjo shkollë ka qenë e hapur me urdhër të Imzot Nikollës. Misionarët françeskanë, hapën në famullinë e Shën Palit, shkollën në gjuhën shqipe, ku mësohej ortografia (drejtshkrimi) dhe gramatika (docere scientiam gramaticae), çka sugjeron se krahas shkollës së shkrim-këndimit, funksiononte dhe shkolla e mesme.
Shën Pali sot ndodhet në Abacinë e Mirditës, por në vitin 1367, ky territor ka qenë pjesë e dioqezës së Pultit.
Duke folur për shkollat pranë manastireve, historiani Gjon Berisha shkruan: “Magistër Gjoni, doktor në gramatikë, deklaron, se premton dhe detyrohet kundrejt priftit Andre nga Shën Pali i Pultit se do ta mësojë nipin e tij, Nikollën, të lexojë dhe të shkruajë mirë, sipas mënyrës tregtare dhe t’i mësojë atij Donatin dhe Katonin që të dijë se si t’i shpjegojë. Dhe për këtë arsye i përmenduri prift i premtoi atij se do ti jepte 20 perpera…”.
Në një relacioni të gjatë të Pjetër Budit të datës 15 shtator 1621, shkruar për kardinalin Gocadino (Gozzadino), marrim tërthorazi disa të dhëna, edhe mbi shkrimet shqipe në Arbëri. Në relacionin e tij ai shkruan: “Unë, Pjetër Budi, ipeshkëv i Sapës dhe i Sarddanjës (Sardës), shumëë i përvuajturi shërbëtor i zotërisë suaj të shkëlqyeshme, dëshëroj t’ju jap informatë të plotë për krahinën e Shqipërisë, atdheut tim. ….
Në moshën 21 vjeçare qesh bërë meshtar dhe menjëherë qesh dërguar në krahinën e Serbisë (Kosovë) tek ata popuj katolikë ku kam shërbyer si vikar (zëvendës) i përgjithshëm i Serbisë (Kosovës), dhe pastaj edhe një herë tjetër qesh rikonfirmuar në po atë zyrë kohën e vizitës së imzot Bicit, pasardhës i kryeipeshkëvit të thënë. Në ushtrimin e asaj zyre, për një kohë shtatëmbëdhjetëvjeçare, me sa kam pasur mundësi, nuk kam pushuar që, me të gjithë zellin tim, të ndihmoja dhe të ngushëlloja ata popuj, ashtu edhe vetë meshtarët, me shembuj shpirtërorë, duke shkruar përherë libra të përshpirtshëm në gjuhën e tyre, si për ata (shqiptarët M.P.) të Serbisë (Kosovës M.P.), si për ata të Shqipërisë, siç shihet sot në të gjitha ato vise…”.
Edhe në këtë relacion, del e qartë përpjekja për shkrimin e mësimit të fesë në gjuhën shqipe, me qëllim mësimin e doktrinës së krishterë në gjuhën shqipe dhe, jo në atë latinishte siç ishte e modës në atë kohë.
Në relacionet në vijim Pjetër Bogdani, flet për vështirësitë që po kalonin besimtarët e dioqezës e tij. Në një letër të datës 25 prill 1651, shkruhet, “Pjetër Bogdani student i Kolegjit të Propagandës Fide, lajmëron se e mbrojti doktoratën. Ju lutem të më dërgoni në Gash në Ipeshkvinë e Pultit që gjendet nën sundimin otoman në kufirin midis Serbisë (Kosovës) dhe Shqipërisë. Atje do t’i kushtohem arsimimit të njerëzve dhe shërbimit fetar”.
Më qartë se kaq nuk mund të thuhet “Do t’i kushtohem arsimimit të njerëzve dhe shërbimit fetar”.
Siç del nga sa shkruam më sipër, në vitin 1651, dhënia e mësimit të fesë në gjuhën shqipe dhe arsimimi i besimtarëve ishte imperativ i kohës dhe detyrim që françeskanët e kishin marrë vullnetarisht përsipër si detyrë të rëndësishme ndaj kombit të tyre.
Në relacionin e Frang Bardhit të datës 8 shkurt 1637, fleta 21, duke folur për rëndësinë e mësimit të gjuhës shqipe, shkruhet: “Mbasi këta priftën të mij shqiptarë nuk e kuptojnë gjuhën latine, megjithëse janë të ritit latin, e kam përkthyer besojmën e shenjtes fe në gjuhën shqipe”. Dhe ky frat patriot nuk është mjaftuar me kaq, por ka avancuar më shumë: “…po ashtu edhe rendin e Sinodit, të vendosur në Pontifikalin romak, e kam përkthyer në këtë gjuhë (shqipe M.P.), me disa shtesa, për qeverisjen e mirë të kishës time…”.
Në një numër relacionesh, Pjetër Bogdani flet për gjuhën shqipe. Edhe pse kërkoi disa herë të shërbente në dioqezën e Pultit, ai nuk u caktua asnjëherë me shërbim në këtë dioqezë. Por ai, duke punuar si ipeshkëv i Shkodrës dhe i Shkupit, në të dyja rastet fqinj me dioqezën e Pultit, në disa relacione të tij ka shprehur shqetësimin për mbarëvajtjen e jetës kishtare të kësaj dioqeze, duke propozuar sistematikisht edhe zgjidhjen e problemeve. Vepra e tij shumë e njohur dhe tejet e rëndësishme në gjuhën shqipe është “Çeta e Profetëve”. Sipas relacioneve, ai ka shkruar edhe disa libra të tjerë.
Me mjaft interes është edhe letra e Gjergj Toliqit e datës 30 maj 1689, e shkruar në gjuhën shqipe, që tashmë është bërë e njohur si “Letra e Krenave të Gashit”, publikuar së pari nga Peter Bartl dhe më vonë në disa punime të botuara nga ne. Kjo letër ndodhet në Arkivin e Propogandës Fide në fondin APF, SRC (Scritture riferite nei Congressi) Albania 4, f. 319. Ne e kemi marr këtë edhe katër letra të tjera të këtij kleriku, që gjenden po në këtë arkiv me emërtesë SC Albania, Vol 4, faqet nga 181 deri 262. Të pesta këto relacione na japin informacione me rëndësi për famullinë e Gashit, e cila në atë kohë ishte qendër e kësaj ipeshkvie në veçanti, dhe për të gjithë dioqezën e Pultit në përgjithësi. Për sa i përket anës gjuhësore, letra e krerëve të Gashit, është një perlë e paçmueshme në historikun e kësaj dioqeze. Ajo ka gjithashtu rëndësi të jashtëzakonshme historike, sepse vërteton se jo vetëm Bogdani, po e hulumtonte gjuhën shqipe, por edhe klerikë të tjerë po vinin gurë themeli në krijimin e gjuhës shqipe të shkruar. Tani mbas treqind e tridhjetë vjetësh, ballafaqohemi me faktin se nga një famulli e dioqezës së Pultit, Gashi (Geghyseni i sotëm M.P.), nga një fshat që deri dje është konsideruar si një zonë e humbur midis maleve të veriut shqiptar, ka qenë qendër e rëndësishme e arsimit shqip. Kjo i bën banorët e këtyre zonave të ndjehen krenarë, sepse të parët e tyre po i qëndronin asimilimit dhe kishin guximin t’i drejtoheshin Selisë së Shenjtë në Romë me letër të shkruar në gjuhën e vet amtare. Hartimi i kësaj letre në gjuhën shqipe tregon se gjuha shqipe shkruhej në atë dioqezë.
Në të vërtetë kleriku Gjergj Toliqi, ka qenë shqiptar nga Gjakova. Edhe nipi i tij, Pjetër Toliqi, shërbeu si frat në dioqezën e Shkupit etj. Katër nga relacionet e nisura nga ky Vikar Apostolik, janë shkruar në gjuhën italiane. Shkrimi i kësaj letre në gjuhën shqipe, që ishte gjuha e tij dhe e besimtarëve që u shërbente, ka pasur qëllim të tërhiqte vëmendjen e Selisë së Shenjtë, që të merrte më me seriozitet problemin e priftërinjve të kësaj dioqeze dhe shkollimin e tyre në gjuhën amtare.
Në një artikull të revistës “Hylli i Dritës”, është publikuar letra e fretërve të Pultit, drejtuar Pashait të Pejës, e shkruar sipas të gjitha gjasave në vitin 1761 në gjuhën shqipe. Kjo letër është analizuar hollësisht në një punim prej 57 faqesh të studiuesve Petër Bartl dhe Bardhyl Demiraj dhe është një dëshmi e fortë se në dioqezën e Pultit vazhdonte tradita e të shkruarit në gjuhën shqipe. Është botuar në revistën “Hylli i Dritës”, nr. 2, viti 2007 prandaj nuk e shoh me arsye ta përfshij në këtë punim.
Në relacionin e datës 20 shkurt 1769 të fratit Luigji Maria nga Roma, faqe 557, lexojmë:
“Famullia e tetë dhe e fundit është Plandi, larg nga Shala 6 orë rrugë ose më shumëë….   Gjithashtu në këtë fshat janë nga 40 e më tepër murgesha Terciare të Shën Françeskut, disa me njet dhe thjeshtësi e pastërti, të veshura me një veshje prej leshi ngjyrosur me lëngun e rrënjëve të arrës, me një vello të zezë në kokë, lidhur me një kordon, dhe në gjerdan mbajnë gjithmonë një kryq, banojnë ndonjëra në shtëpitë e tyre. Këto çdo ditë feste mbas meshës së parë, që fretërit celebrojnë në të lindur të diellit, mblidhen në kor, që është në kishë në hapësirën sipër portës dhe një orë e gjysmë,  në nderim të fëmijës Jezu, Maries nënë, Shën Gjoni Pagëzuesit dhe shenjtërve Françeskanë këndojnë këngë në gjuhën shqipe të kompozuara nga frati Angjeli nga Braçiljano e provincës së Salernos, themeluesi i kësaj famullie dhe  predikuesi i fesë”.
Nga ky relacion i mesit të shekullit XVIII, shihet qartë se frati kompozon këngë në gjuhën shqipe për t’i kënduar vajzat shqiptare të bashkësisë në kishën e Plandit.
Në librin “Località, chiese, fiumi, monti, e toponimi varii di un’antica carta del Albania Settentrionale”, të autorit Ermanno Armao, Romë 1931, duke ju referuar Nopçës, shkruhet se “Fshati Pog, dikur ka qenë qendër ipeshkvie dhe ka pasur një kuvend me 18 fretër.” Kuptohet se në këtë kuvend ka pasur edhe qendër kulturore për mësimin e liturgjisë dhe të këngës në gjuhën shqipe.
Studiuesit e historisë së arsimit nuk e kanë marrë në konsideratë shkollën e Pultit dhe ajo përmendet si njëra ndër shkollat e para shqiptare.
Austro – Hungaria, Italia dhe Franca kanë dhënë sasi të mëdha fondesh financiare për arsimin dhe kulturën në vendet me popullsi katolike në Shqipëri, sidomos mbas vitit 1800. Në Shkodër dhe rrethinat e saj në shekullin XIX u hapën disa shkolla dhe seminare. Por, shkrimi i parë në gjuhën shqipe në Zonën Nikaj – Mërtur, i njohur deri më sot, është vendimi që është marrë në lagjen Rreshpe të fshatit Peraj të fisit Nikaj. Në vitin 1881 nga komuniteti i fisit të Nikajve dhe i bajraktarit Bash Bajrami, është marrë vendimi i shkruar në një ditar të titulluar “Memorie Varie”. Vendimi është shkruar shqip dhe është i përfshirë në një dokument të shkruar në gjuhën italiane nga Fr. Antonio Peloni. Meqenëse relacioni është relativisht i shkurtër, po e paraqesim të shkruar në origjinal dhe të përkthyer.
“Memorie Varie
Alla mia venuta trovai otto fanciulle vendute al turco, ne salvamo quatro e quatro andarono perdute. Allora in una adunanza di tutte Nikaj a Rescpe pregai la tribu a fare la leggie all’intiera.
L’Alfiere Bash Bairami all’intiera addunanza dicendo: Kush ep çiken n’turq, asht i djegun e i piekun e i dalun.
Sicurta sono quelle della chiesa. Ma questi semibarbari popoli avendo piu a cuore il denaro che la propia religione e meglio l’anima propia, tre case fissare non volare stare alla legge, e tutte tre le feci brucciare dalla tribu..

“Ngjarje me rëndësi

Kur unë erdha këtu, gjeta tetë vajza të shitura tek turqit, ne shpëtuam katër, kurse katër i humbëm. Atëherë në një mbledhje të të gjithë fisit Nikaj në Rreshpe ju luta fisit që të bënin një urdhëresë të brendshme. Bajraktari Bash Bajrami, me urdhër të brendshëm, është deklaruar: Kush jep vajzën tek myslimanët, është i djegur dhe i pjekun dhe i nxjerrë jashtë fisit. Garanci për këtë është kisha. Por këta popuj gjysmë barbar kanë më për zemër paratë se sa fenë e tyre dhe më mirë se sa shpirtin e vet, tre shtëpi fiksuen mos me e zbatue vendimin, dhe të treja këto shtëpi u dogjën nga fisi.”
“Kush ep çiken n’turq, asht i djegun e i pjekun e i dalun”

Siç mund të shikohet e shkruar me transliterim, por edhe në dorëshkrimin origjinal, vendimi është shkruar me shkrim të bukur në një shqipe të lakmueshme nga ana grafike dhe gjuhësore.
Kjo tregon se shkruesi, nuk e ka ushtruar për herë të parë shkrimin shqip në këtë memorie, por ai ka shkruar edhe më parë letra në gjuhën shqipe. Në një dokument të datës 17 korrik 1760, ka një kronikë për një ngjarje të rëndë të ndodhur midis Nikajve dhe Mërturit. Atë ditë janë vrarë katër persona, janë plagosur pesë dhe janë djegur nëntë shtëpi, e bajraktarit e quajtur Kullë dhe tetë të tjera të quajtura Pojata. Fjalët “Kulla” dhe “Pojata” janë shkruar në gjuhën shqipe.
Në Vatikan kemi gjetur një rregullore me 29 pika të shkruara në vitin 1777 në 4 faqe për shkollën shqipe të këtij qyteti. Të plotë këtë dokument mendojmë ta publikojmë në origjinal dhe të përkthyer së shpejti për lexuesit tanë. Kjo shkollë nuk është krejt e pa njohur për studiuesit e historikut të arsimit shqiptar.
E shoh me interes për lexuesin të paraqes të plotë hyrjen që i ka bërë fra Maria da Leçe librit të tij “Osservazioni grammaticali nella lingua albanese”, botuar në Romë në vitin 1716.

SHUMËË TË SHQUAR DHE TË NDERUAR ZOTËRINJ
Veprat e mëdha nuk kërkojnë mbrojtës, ato i mbron madhështia e tyre. Por, duke mos qenë e tillë kjo që unë po nxjerr në dritë, madhështinë që në vetvete nuk e ka, do mund ta arrinte falë përkujdesjes së ndonjë personi tjetër. Dhe më mirë se kudo, këtë përkujdesje nuk do mund ta gjeja veç tek Shkëlqesitë Tuaja, së cilave vendosa t’ia përkushtoj këtë vepër në homazh të mençurisë suaj, prej së cilës frymëzohet kjo vepër, ashtu edhe në shenjë mirënjohjeje për ata, të cilëve kjo vepër i detyrohet shumë. I detyrohet mençurisë suaj, pasi për çka tjetër do shërbente kjo punë e vogël imja, përveçse për përhapjen e besimit katolik? Dhe, ku tjetër konsiston mençuria e Shkëlqesive Tuaja, veçse në gjetjen e mjeteve për ta shpërndarë atë besim gjithnjë e më shumë në gjithë botën? Kjo vepër është një dëshmi mirënjohjeje ndaj jush, që jeni shpirti i saj, pasi pikërisht Shkëlqesitë Tuaja më mësuan t’i përmbahem mësimit që Krishti, të cilin ju e përfaqësoni me besnikëri të rrallë, u dha dishepujve të tij: Shkoni në çdo kënd të botës dhe predikojani Ungjillin çdo njeriu. Fati më caktoi Shqipërinë dhe shkova aty me bindje të verbër. Por, ç’mund të bëja unë në ato anë pa ditur gjuhën aq të vështirë të atij vendi? Ç’të mirë mund të shpresonte prej meje feja jonë? A do mund të prisnin Shkëlqesitë Tuaja ndonjë lajm të mirë prej meje lidhur me kthimin e banorëve të atyre anëve në fenë tonë? Dhe në fund, ç’rezultat do arrija unë vetë, përveçse do provoja mbi lëkurën time mësimin që vjen nga ai proverbi i vjetër: “Askush s’ta vë veshin kur i flet në gjuhë të huaj”. Ndaj ju vura me shumë zell punës për mësimin e asaj gjuhe dhe me shumë mund ia dola mbanë. Me habi konstatova se kjo gjuhë flitet në gjithë shtrirjen e Mbretërisë së Epirit, në një pjesë të Rumelisë e të Mbretërisë së Serbisë, në vende të veçanta të Bullgarisë, në Stamboll, në Dalmaci, thuajse në të gjitha provincat e Mbretërisë së Napolit dhe në ndonjë krahinë të Sicilisë. Pra, duke dashur të shlyej qoftë edhe pjesërisht detyrimin e madh që kam ndaj Shkëlqesive Tuaja, dhe duke qenë se pas misionit tim 20 vjeçar doja të paraqitesha përpara Kongregacionit të Shenjtë me diçka të dobishme, vendosa të ndjek shembullin Tuaj dhe t’u shërbej nxënësve të propaganda Fides duke shkruar veprën “Vëzhgime gramatikore në gjuhën shqipe”, e cila i detyrohet jashtëzakonisht Shkëlqesive Tuaja dhe shpresoj që nën hijen e personaliteteve kaq të larta dhe falë dritës që ata reflektojnë, vepra në fjalë do fitojë një vlerësim të tillë, që në vetvete nuk e meriton. Ia rrit vlerën së shumti edhe fakti që ajo pati fatin të dalë në dritë nën pontifikatin e lumtur të Klementit XI, pasi nën hijen e tij çdo vepër, sado e vogël qoftë, merr vlerë të shtuar dhe madhështohet nëse bën fjalë për përhapjen e besimit të vërtetë katolik. Ndaj i lutem Shkëlqesive Tuaja, ta shoqërojnë me mëshirën e tyre bujare këtë përpjekjen time të parë dhe ta pranojnë atë si dhuratë të vogël vërtet, por që është frut i nderimit të jashtëzakonshëm që unë ushqej kundrejt juve, që jeni mbrojtësit e zotërit e mi. Dhe, duke u përkulur thellë përpara Shkëlqesive Tuaja, u puth plot nderim cepin e tunikës së shenjtë.
Ky shkrim është një mesazh i qartë edhe për studiuesit e sotëm të gjuhës dhe shkrimeve shqipe.
Në faqen shtatë të hyrjes në gramatikën e tij, ky autor ka vendosur edhe një përshëndetje drejtuar shqiptarëve të cilët ai i ka emëruar “Arbenor”. Ne po e sjellim te shkruar siç e ka shkruar ai këtë mesazh por me alfabetin e sotëm dhe po e vendosim edhe foton e përshëndetjes origjinale të drejtuar nga ky dashamir i kombit tonë.

Arbenorit
Arbenuer i dashtun – ket’ Gramatiken e shkrova jo per zotnine tande, i cili di mâ shumëe e mâ kthjellet se une, veçse per ata Fratet, qe vijne prej se largu me ju sherbyem. Dhe pse, keta njerez te Romes s’kane haber te gjuhes sate: pune e mire asht, qe ma parë te merren vesh ketu. Ne te pelqeft hesapi i kesaj letre (te lutem), me fal Ti o Zot, se me dhè mua shendetin me e mbarue kete pune. Ne mos i paça rrjeshtuem mire fjalet, ndjemë: persè luftova, sàa mùita, me i vum pàa hile, sikunder m’i fali Zoti, me te cilen paç jeten e giatt e te puth dorene.
Kjo përshëndetje e bërë më shumë se treqind vjet më parë, i bën nder edhe sot çdo shqiptari kudo që ndodhet dhe që ka ndjenja atdhetare për atdheun dhe kombin.
Edhe Don Pal Zogaj ka dhënë kontribut me rëndësi për lëvrimin e gjuhës shqipe, por akoma puna e tij atdhetare mbetet në hije dhe e pa publikuar. Ai, sipas dokumenteve që disponojmë deri më sot, është shqiptari i parë që ka hartuar një gramatikë të gjuhës shqipe. Ka qenë nga fshati Zogaj, i cili në atë kohë ishte pjesë periferike e qytetit të Gjakovës. Me rekomandim nga Dom Gjon Nikoll Kazazi, Pal Zogaj ka vazhduar për nëntë vite Kolegjin Urbanian në Romë dhe nga procesverbalet e provimeve të ruajtura në arkivat e Vatikanit rezulton që ka qenë me rezultate shumë të larta. Për këto aftësi që ka shfaqur, ai përveçse ka kryer detyrën e klerikut në rrethinat e Pejës dhe të Gjakovës, ka kryer edhe detyrën e mësimdhënësit në shkollën e Janjevës dhe më vonë në shkollën e hapur për nxënësit shqiptar në qytetin e Osijekut. Mbas fillimit të punës në këtë shkollë ai iu vu punës dhe hartoi një gramatikë të gjuhës shqipe për nevojat e shkollave shqipe. Me datën 13 maj 1776, në adresë të Këshillit Mbretëror Kroat, arriti vendimi me shkrim i Mbretëreshës në të cilin bëhej me dije se botuesi i Oborrit Mbretërorë Trattner është i detyruar që në shtypshkronjën e tij në Varazhdin të bëjë shtypjen e Gramatikës Shqipe të Pal Zogajt. Nga të dhënat që disponohen deri sot, kjo është gramatika e parë e gjuhës shqipe, e hartuar nga një shqiptar për nevojat e shqiptarëve. E theksojmë këtë fakt për të vënë në dukje se dy gramatikat e tjera të njohura, ajo e fra Maria da Leçes e vitit 1716 me 277 faqe dhe ajo e Padre Françesko Rosit e vitit 1866 me 340 faqe, kanë qenë mjaft cilësore por të destinuara për mësimin e gjuhës shqipe nga lexuesi italjan.
Ne nuk kemi arritur të kemi një kopje të kësaj gramatike as dorëshkrim as të shtypur, por me kërkimet e mëtejshme mund të sigurohet kopja dhe të publikohet ky dokument me rëndësi kombëtare dhe gjuhësore për evolucionin e gjuhës shqipe ndër shekuj.
Besoj se në të ardhmen, puna për identifikimin dhe publikimin e kontributeve atdhetare në lëmin e shkrimit të gjuhës shqipe dhe hapjen e shkollave do të vazhdojë në mënyrë që asnjë kontribut të mos mbetet pa u vënë në dukje.

Loading...
Advertisements

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close