Advertisements

REL-Qeveria e Kosovës nuk e njeh më UNMIK-un

Qeveria e Kosovës e ka ndërprerë komunikimin dhe nuk e njeh më Misionin e Kombeve të Bashkuara-UNMIK, si strukturë përfaqësuese në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar sot se “Kosova ka shkëputur komunikimin me UNMIK-un (Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë)” dhe se më nuk komunikon me të.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar zyrën e kryeministrit Haradinaj,për të sqaruar kohën dhe arsyet e shkëputjes së komunikimit me UNMIK-un nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Halil Matoshi, këshilltar politik i kryeministrit Haradinaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se në parim, shkëputja e komunikimit me UNMIK-un ka ndodhur “më 17 shkurt 2008, kur Kosova është shpallur shtet sovran dhe i pavarur, si dhe ka marrë njohje ndërkombëtare, duke u bërë entitet juridiko-politik i pranuar ndërkombëtarisht”.Por, sipas tij, qeveria e Haradinajt tashmë edhe praktikisht ka shkëputur komunikimin me UNMIK-un.

“Së fundi, në qeverinë Haradinaj, praktikisht edhe komunikimi i kurtoazisë është shkëputur, për arsye se objektivisht, synimet e Kosovës janë rrugëtimi euroatlantik dhe anëtarësimi në BE dhe NATO dhe ne nuk shohim asnjë interes që Kombet e Bashkuara t’i përfaqësojë një strukturë që quhet UNMIK. Praktikisht, Qeveria e Kosovës më nuk e njeh një strukturë të tillë në vendin tonë”, ka thënë Matoshi.

Zyra e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë funksionon edhe si zyrë komunikimi ndërmjet institucioneve të Kosovës me Agjencinë Ndërkombëtare të Policisë- Interpol.

Matoshi ka shtuar se Misioni i Kombeve të Bashkuara është mision “mysafir”, i instaluar në Kosovë në bazë të Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara, para shpalljes së pavarësisë së saj, në shkurt të vitit 2008.

Misioni i UNMIK-ut është neutral ndaj statusit të Kosovës dhe vepron sipas rezolutës 1244 të OKB-së e cila ka qenë kompromis midis vendeve perëndimore dhe Rusisë për t’i dhënë fund konfliktit në Kosovë.

Qëllimi i këtij misioni është të kujdeset për paqen, sigurinë, sundimin e ligjit në Kosovë. Ky mision dikur ka numëruar 15 mijë të punësuar dhe sot janë rreth 380. Buxheti i këtij misioni prej qershorit të vitit 2017 deri qershor të 2018 ka qenë rreth 38 milion euro.

Pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt, 2008, institucionet e Kosovës zyrtarisht disa herë kanë thënë se rezoluta 1244 është e tejkaluar dhe nuk e përfaqëson realitetin e ri dhe se misioni i UNMIK-ut nuk ka më funksion në Kosovë.

Prishtina zyrtare ka kërkuar që misioni I UNMIK-ut të reformohet dhe të mbetet vetëm si zyrë përfaqësuese e OKB-së në Kosovë./REL

Loading...
Advertisements

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close