Advertisements

74 vjet nga masakra e Tivarit

Para 74 vitesh, saktësisht në pranverën e vitit 1945 u vranë dhe u masakruan rreth 1700 shqiptarë, ndonëse  ky numër mund të jetë shumë më i madh.

Në gjysmën e dytë të vitit 1944,derisa forcat aleate (amerikane-angleze-ruse) përparonin në të gjitha frontet e luftës kundër ushtrisë hitleriane, Titoja i shfrytëzoi këto rrethana, për luftimin e forcave të mbrojtjes kombëtare shqiptare dhe ripushtimin e Kosovës. Për t´i realizuar më lehtë synimet e saj, udhëheqja jugosllave, në fillim të janarit 1945 urdhëron mobilizimin e “brigadave të Kosmetit” për t´i dërguar në Frontin e ashtuquajtur të Sremit-në Serbi.

Ndonëse qendra e rezistencës shqiptare në gjysmën e dytë të dhjetorit 1944-janar 1945 ishte përqendruar në Drenicë, ”Shtabi Operativ i Kosmetit”, urdhëroi Shaban Polluzhën që ta lëshonte Drenicën dhe të nisej në drejtim të Podujevës, për t´u bashkuar me Brigadën VII, e cila po marshonte për Serbi.

Shtabi i Brigadës së Drenicës largimin nga Kosova do ta kushtëzojë me ndërprerjen e vrasjeve dhe të plaçkitjeve mbi popullsinë civile nga ana e ushtrisë jugosllave, mirëpo pas dështimit të nënshtrimit të Shaban Polluzhës më 25 janar nisin operacionet ushtarake në shkallë të gjerë për asgjësimin e Brigadës së tij.

Në këto operacione antishqiptare morën pjesë: Divizionet 24, 26, 44, 46, 52 të Serbisë, Divizionet 41 dhe 50 të Maqedonisë, grupi i brigadave të Malit të Zi(brigada e I e Bokës dhe brigada e VI) dhe repartet speciale të OZN-s të drejtuara nga Spasoje Gjakoviq. Në kohën kur forcat jugosllave zhvillonin operacionet më të përgjakshme në Drenicë, më 8 shkurt 1945,komandanti suprem i UNÇJ-së J.B.Tito me urdhër të veçantë nr.31 vendosi administrimin ushtarak në Kosovë.

Këtë vendim Titoja e mori më 7 shkurt 1945 në Beograd, në një takim me ushtarakët serb: Savo Dërleviqin, Gjuro Medenicën dhe Kërsto Filipoviqin. Me këtë urdhër ,i tërë pushteti në Kosovë do t´i kaloi një grupi të caktuar ushtarakësh serbo-malazez, të cilët do të ushtronin pushtetin politik, ekzekutiv dhe atë gjyqësor.

Gjatë ndryshimeve në strukturën komanduese në krye të pushtetit ushtarak përkatësisht të “Shtabit të Ri Operativ” u emërua ish-shefi i Armatës I-rë: kolonel Savo Dërleviq, duke e zëvendësuar Fadil Hoxhën, i cili mbeti zëvendës i tij. Shef i Shtabit u emërua nënkolonel Dushan Vukotiq(deri në atë kohë ishte zëvendëskomandant i Divizionit 46 jugosllav),shef i prapavijës u caktua Stevo Dobërkoviq(i dërguar nga shtabi qëndror i Sërbisë), ndërsa komisar politik u emrua nënkoloneli Gjuro Medenica. Më 10 shkurt 1944 kjo komandë bëri riorganizimin e tërësishëm të ushtrisë duke formuar Divizionin e artilerisë, të kalorësisë, të ndërlidhjes, grupin operativ të brigadave, Divizionin 46,52…etj.

Kjo makineri ushtarake në Kosovë duke i marrë të gjitha masat gjoja për “spastrimin” e terenit nga “mbeturinat e fashizmit” dhe “kundërrevolucionarët” vrau e masakroi pamëshirë mijëra shqiptarë gjithandej Kosovës. Në këtë fushatë të egër ushtarake më 21-22 shkurt 1945 u shua me gjak edhe kryengritja e Drenicës, pas vrasjes së tribunëve popullorë Shaban Polluzha e Mehmet Gradica në kullat e Dvoranëve në Tërstenik.

Shtabi Operativ i “kosmetit” i urdhëruar nga SHS i UNÇJ-së me qëllim të shpërbërjes së bërthamës së qëndresës shqiptare në Kosovë,gjatë muajve mars-prill 1945 mobilizon me dhunë shqiptarët për t´i dërguar në frontin e dytë të ashtuquajtur të”Adriatikut”-në veriperëndim të Jugosllavisë. Skenaristët e Masakrës së Tivarit, për dërgimin e mobilizuesve shqiptarë në pjesët veriperëndimore të Jugosllavisë,kishin zgjedhur rrugën Prizren-Kukës-Shkodër-Tivar-Dubrovnik-Rijekë.Për këtë front mobilizuan shqiptarët nga Vushtrria, Podujeva, Prishtina, Kaçaniku, Ferizaji, Gjilani, Lipjani, Shtimja, Theranda, Burimi, Peja, Gjakova, Rahoveci, Sharri, Prizreni… etj.

Sipas kujtimeve të pleqve që përjetuan këtë mobilizim të dhunshëm, të mobilizuarit shqiptarë, fillimisht janë tubuar nëpër qendrat e rretheve dhe ato komunale e pastaj, të organizuar në njësi ushtarake të komanduara nga oficerë shqiptar kanë udhëtuar në qendrën e përgjithshme mobilizuese (kazermën ushtarake)në Prizren .Pas sistemimit, shqiptarët e mobilizuar do të çarmatosen, me arsyetimin se armët do t’i marrin në Kroaci e Slloveni! Çarmatosja atyre ju ka dhënë një sinjal të keq dhe me të drejt ka lindur dyshimi në përgatitjen e ndonjë skenari shfarosës në prapaskenë. Kjo psikozë u thellua edhe më tepër, atëherë kur u çarmatosën edhe oficerët shqiptar dhe për përcjelljen e tyre u ngarkua Brigada XXVII e divizionit 46-të serb 5 e njohur për terrorizimin e popullit shqiptar gjatë muajve të kaluar.

Deportimi i shqiptarëve të mobilizuar, nga kazermat e Prizrenit u bë në tri eshalone:

1.Eshaloni i parë që përbëhej nga 3.700 veta, u nis më 24.03.1945 dhe pas 5-6 ditësh arriti në Tivar, ku iu dorëzua reparteve të Divizionit të IX-të jugosllav. Gjatë rrugëtimit, derisa u dorëzuan në vendin e caktuar,të mobilizuarit u keqtrajtuan në mënyrë shtazarake nga kriminelët serbo-malazezë. Të mobilizuarit shqiptar nga Tivari do të nisen për në Istri,ku fillimisht disa ditë do të ndalojnë për të pushuar në ujdhesën Çiovë afër Trogirit.Dhe ato ditë gjatë kalimit me një anije të vjetër,nga ujdhesa për në Trogirë,u mbytën rreth 65 veta,prej të cilëve 29 qenë vetëm nga Kaçaniku.

2.Eshaloni i dytë i përbërë nga 4.700 veta, u nis dy ditë më vonë (më 26 mars) nën përcjelljen e forcave të Brigadës XXVII dhe më 30 mars në Shkodër iu dorëzua Brigadës X malazeze 6. Gjatë marshimit katër ditor në rrugën Prizren-Zhur-Kukës-Puk-Shkodër ,përkundër lodhjeve e rraskapitjeve të mëdha nga rruga e gjatë,të mobilizuarit u maltretuan e u rrahën dhe në shumë vende shumë prej tyre u vranë…si,gjatë kohës së pushimit, gjatë kalimit të lumenjve apo gjatë tentimit të ndonjërit prej tyre për ta shuar etjen, në burimet e ujit.

Pas këtyre peripecive nga Shkodra nën përcjelljen e malazezëve – në mesditën e 1 prillit 1945 arritën në Tivar. Atë ditë të kobshëm rrugëve të qytetit shihej një mobilizim i ushtarëve serbo-malazez,të cilët vështronin me përbuzje kolonën e gjatë të shqiptarëve. Kjo kolonë është ndaluar në qendër të qytetit (me urdhër) kinse për të pushuar dhe ndërkohë ndodhë një eksces në mes rojes dhe katër shqiptarëve, të cilët u penguan që të pinë ujë në një krua aty afër.

Nga ky konflikt ushtarët e urdhëruar derdhin një breshëri plumbash në trupat e shqiptarëve, me ç’rast vriten disa prej tyre. Situata e tensionuar me qëllim (për ta filluar komplotin e përgaditur) e shtyri masën e shqiptarëve që të shtrihen për toke, ndërkohë që ajo hapsirë ishte vënë në shënjestër të pushkëve dhe mitralozëve që ishin vendosur në çdo qoshe të rrugëve, dritare dhe terracë të shtëpive e në shkëmbinjtë e kodrave përreth.

Loading...
Advertisements

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close