Advertisements

Fjala e shkrimtarit-ALI PODRIMJA: ENDE I DËGJOJMË TMERRET E TOPLICËS

Gjatë historisë, jeta e shqiptarëve ka qenë shumë e vështirë, nën sundimin e huaj shekullor. Ende i dëgjojmë tmerret e Toplicës – kur serbët u rrëmbenin nënave fëmijët dhe i hidhnin në fuçi me ujë të nxehtë, prej nga të gjorët nuk zgjoheshin më; apo kur pleq e fëmijë i hidhnin në stufa zjarri dhe i digjnin si të ishin patate. Është mirë të lexoni librin “Beteja e Toplicës” dhe të bindeni se me qindra e mijëra pleq, gra e fëmijë bëheshin shkrumb e hi, ose të lexoni për tmerret e Çamërisë, prej nga grekët dëbuan me dhunë të paparë popullsinë shqiptare.

Diçka e ngjashme ndodhi edhe në Lumë të Hasit, për çka flet edhe serbi Dimitrije Tucoviq, ndonëse për këtë rrëfejnë edhe pleqtë që me sytë e tyre kishin parë teksa gjaku rridhte si lumë. Terror, djegie, vrasje, vjedhje, dhunime, krime, spastrime etnike të shqiptarëve gjithandej Kosovës e të trojeve arbërore. Vetëm brenda gjashtë muajve (tetor 1912-mars 1913) nga soldateska serbe u masakruan mbi 25,000 njerëz. Edhe në Gjakovën time rrugët ishin përplot kufoma, dhe për këto tmerre autentikisht rrëfen korrespondenti i luftës i Vjenës, Leo Freundlich në broshurën e tij “Shfarosja e Shqiptarëve” (Albaniens Golgatha), të botuar në Vjenë më 1913.

Me fatin e asnjë populli tjetër nuk është luajtur lojë aq e keqe sa me shqiptarët; me interesat e asnjë populli tjetër nuk është bërë tregti e verbër në Ballkan e Evropë sa me shqiptarët; dhe për këtë dihet se kush është fajtor, thotë ky autor. Pas gjithë këtij tmerri, kërkohej që Arbëria të copëtohej dhe të mos i mbesë as shenjë as gjurmë. Pse ekzistonte e gjithë kjo urrejtje ndaj një populli që kishte dhënë shumë trima e figura historike, është e pashpjegueshme. Tmerre të ngjashme përjetuam edhe gjatë okupimit nga regjimi shtetëror serb e jugosllav i Millosheviçit, për çka jam dëshmitar edhe vetë dhe për çka ngrita zërin si njeri e si poet në shumë shkrime e tubime ndërkombëtare.
Muzat nuk heshtin as kur topat e hanxharët gjëmojnë. Poetët nuk kanë heshtur asnjëherë gjatë luftërave e revolucioneve të mëdha shoqërore, gjatë krimeve e padrejtësive të mëdha, gjatë ndeshjes me fashizmin e komunizmin në shekullin e kaluar.

Edhe në shkrimet diskursive kam ngritur zërin, bashkë me një grup të vogël intelektualësh, kundër letërsisë socrealiste, për çka gati e paguam me kokë. Ndjenjat shpirtërore, ngjarjet e mëdha dhe padrejtësitë ndaj popullit tim kanë bërë që të merrem me poezi. Në ish-regjimin komunist jugosllav pata shkruar vjershën “Kosova është gjaku im që nuk falet”, dhe për pak përfundova në burg, si shumë shqiptarë të tjerë. Por, fati deshi dhe më shpëtoi shkrimtari Esad Mekuli, të cilit gjithnjë i jam mirënjohës dhe i përkulem. Roli i poetit të vërtetë është që kurrë të mos heshtë ndaj ngjarjeve të pahijshme shoqërore dhe ndaj padrejtësive që u bëhen popujve o individëve. Mbi konturet e misterit të quajtur politik u ngrit dhe ekzistenca, edhe identiteti, edhe paqja njerëzore. Nga një mesazh, të themi, mund të ngrihet dhe një rezolutë, një çështje e etnisë. Nëse shteti shqiptar nuk ka politikanë të tillë, nuk do të thotë se krijuesit shpirtërorë nuk e kishin emocionalisht më afër shpirtit Atdheun dhe Kombin. Një pjesë e tyre që nga Rilindja e këndej u shkrinë në vargje për këto çështje madhore.

(Fragment nga intervista e fundit e poetit tonë të shquar) përgatitur nga Shkëlzen Halimi

Loading...
Advertisements

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close