Advertisements

Fjala e shkrimtarit – XHABIR AHMETI: NUK I HARROJ SHUMARËT, POREZNIKËT E ÇINOVNIKËT

Jam i lindur pas Luftës së Dytë Botërore, kur ende është ndjerë era e barotit nëpër fshatrat tona dhe kur marshet e partizanëve kanë përhapur frikë ndër njerëz. Kam shkuar në shkollë në fshatin e lindjes, në Përshefcë, kurse klasat e larta të fillores i kam mbaruar në Tearcë. Ishte një kohë kur, përveç abetares vështirë se mund të gjendej ndonjë libër shqip. Ndërkaq, në klasën e katërt, deshi fati, më ra në dorë një libër i këngëve popullore shqiptare. I lexoja me kënaqësi. Më pëlqenin trimat si Halit Gashi, Rexhep Gërçari, Keqë Hyseni e ndonjë tjetër, sepse mosha ime ishte në ato vite kur njeriu ka nevojë të ketë figura mitike me të cilat do të identifikohet. Por nga të gjithë heronjtë për të cilët lexoja, më së shumti më linin mbresa trimëria e Mujit e Halilit dhe e Skënderbeut për të cilët, krahas leximit, na flisnin mësuesit. Natyrisht e para në këtë mes është figura e Skënderbeut. E mendoja Skënderbeun si një njeri i madh me shtat, i guximshëm dhe si njeri të cilin nuk e rrok plumbi. Një trim identik me Mujin..

Këto ishin disa nga ëndrrat e mia fëmijërore. Ajo ana e bukur e fëmijërisë. Ndërkaq…Ndërkaq… Pjesa më e madhe e fëmijërisë është e zymtë, e ngarkuar me një realitet absurdi, me mundime dhe është një fëmijëri pa fëmijëri. Brezi im qysh në fëmijëri është ballafaquar me urrejtjen, me shovinizmin, me ksenofobinë që ka ushtruar pushteti ndaj nesh. Në fillim të gjitha poshtërimet që na i bënin përmes aksioneve të ndryshme pushtetare: otkupi, heqja e dhunshme e havalesë, mbledhja e taksave, plot taksa me emra të ndryshëm, ndjekja e etërve dhe gjyshërve tanë si “armiq” të pushtetit dhe, natyrisht edhe varfëria, ishin çaste që kanë lënë mbresa të pashlyeshme ose më drejt më kanë ngarkuar me trauma. Mua nuk më harrohen milicët, shumarët, poreznikët dhe çinovnikë të ndryshëm që kalonin nëpër fshatin duke lënë pas vetes hijen e tmerrit.. Le ta theksoj se e gjithë kjo dhunë bëhej para syve të fëmijëve. Me këto kujtime u rrita, me këto jetoj edhe sot. Dhe, nëse ia shtoj të gjitha këto edhe një tragjedi, vdekjen e nënës, atëherë… Atëherë habitem si kam mundur ta mbaj gjithë atë barrë. (Koha, 2017)

/Përgatitur nga Shkëlzen halimi

Loading...
Advertisements
%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close