Advertisements

Dibranët në shërbim të Esat Pashë Toptanit dhe interesave të tij antikombëtare

Editor

Esat Pash[-Toptani në Selanik pranë oficerëve të lartë serb
Për realizimin e qëllimeve të tij Esat Pasha i ktheu sytë edhe nga Dibra, sepse e kishte të qartë se pa Dibrën nuk bëhet asgjë, ashtu si dhe të tjerët para e pas tij, nuk kanë bërë asgjë pa Dibrën dhe pa kontributin e dibranëve.

Për të realizuar qëllimet e tij, ai luftoi të rrëzonte qeverinë e ligjshme shqiptare të Ismail Qemalit dhe të thyente për llogari të tij njerëzit më besnik të Ismail Qemalit. Dhe, ia arriti, të thyejë Vehbi Dibrën, i cili, brenda 5 muajve u largua nga Qeveria e Përtashme (Përkohshme) e Vlorës dhe kaloi në anën e Esat Pashës dhe të qeverisë së tij të Durrësit. Kështu, Myfti Vehbi (Dibra), Myfti i Dibrës, të cilin Qeveria e Përtashme (Përkohshme) e Vlorës e emëroi kryemyfti të Shqipërisë, u bë senator në këshillin që u ngrit në Durrës (nga Esat Pasha).

Ja si e përshkruan Ismail Strazimiri në kujtimet e tij bashkimin e Vehbi Dibrës me Esat Pashën: “Aso kohe pat ardhë nga Vlona në Durrës, Myftiu i Përgjithshëm, z.Vehbiu, për me përshëndet komisionin që do të caktonte kufijtë e Shqipërisë dhe pat qëndrue aty. Esati, Myftiut të Përgjithshëm, z. Vehbi, përveç kësaj pune i dha edhe një nder tjetër, tue e bamë senator. Më këtë mënyrë e mbajti në Durrës. Gjithashtu, bani senator edhe Sefedin Pustinën dhe nipin e Ali Bej Zaimit, Faik Beun e bani sekretarin e Senatit.”

– Po me këtë qëllim çoi në rrethet e Dibrës, Hafiz Hysni Kërliun, Eqerem Camin e disa të tjerë …

”Që ta përforcojshin propagandën e vet tregofshin si shembull largimin e Myftiut të Përgjithshëm, z.Vehbi nga Vlona, dhe bashkëpunimin e tij me Esatin, mbasi “ata të Vlonës ishin të pafe.”

Më vonë, vetë Esat Pasha erdhi në Dibër.

Ja si e përshkruan këtë moment Ismail Strazimirit, në kujtimet e tij, të botuar pas vdekjes, më 2010: “Pasha kishte ardh’ në qytetin e Dibrës së Madhe. Veglat e tij si Liman Lleshi, Halit Lleshi, Taf Kaziu, Islam Feta e disa të tjerë e presin. Edhe prefekti i Matit, Xhelal Beu, edhe drejtori i financës së Dibrës, Hysen Beu, nji ditë më parë shkuen në qytetin e Dibrës së Madhe për t’i paraqit Pashës nderimet e sigurimet e besnikërisë.

Esat Pasha nisi nga Durrësi për në Dibër Xhelal Matin, Jusuf bej Ohrin dhe Sefedin Pustinën, tre njerëz me moral shumë të dyshuar. Pranë tyre vajti dhe Selim Dema, një hajdut dibran, që të bëjnë një qeveri në Dibër të Poshtme e Mat. …Këta shkuan në Dibër të Madhe e Ohër, ku u pritën nga autoritet serbe me shumë nderime e gëzime. Thuhet se bashkë me ta ishte edhe i dërguari tradhtar Arif Hiqmeti.”

Ndërsa, sipas Ismail Strazimirit me ta ishin edhe Ali Bej Zaimi dhe Sefedin Pustina.

Ja, si shkruan në kujtimet e tij Ismail Strazimiri: “Esati çoj në Dibër nji komision të përbam prej këtyne zotrijve: Jusuf Hysen Agolli, Xhelal Bej Mati, Ali bej Zaimi dhe Sefedin Pustina. Këta qenë ngarkue me detyrë që ta çofshin popullin e Dibrës e Lumës kundër Ismail Qemalit ose, ma mirë me thanë, kundër qeverisë së Vlonës dhe për këtë qëllim patën marrë me vete njëmijë e pesëqind lira turke. Xhelal Beu e Sefedin Pustina u rrasën në krahinën e Gollobordës. Këta të fundit në Gollobordë nisën me ba nji organizim dhe përdhunisht u përpoqën me e kthye popullin kah Esati, që t’ja mërrishin këtij qëllimi emnuen krahinor nji kriminel të fashëm të Serbishtes dhe banë oficera shokët e tij gjaksorë. N’anën tjetër, Jusuf Beu e Ali Beu, nën pretekstin se do ta lirojshin Dibrën prej serbëve, u futën në qytetin e Dibrës së Madhe, në Jugosllavi dhe qysh aso kohe hynë në relacione miqësore me serbët.”

Edhe Sufë Xhelili me 100 dibranë iu bashkue Esat Pashës dhe në kabinetin e tij mori postin e zëvendësministrit të Brendshëm.

Bashkëpunimi i disa dibranëve dhe vënia e tyre në shërbim të Esat Pashës dhe interesave të tij, vazhdoi edhe në vitin 1920.

Në një dokument të vitit 1920, shkruhet: “ Në Bulqizë të Poshtme ç’e gjinden fuqia Esadiste, serbi po ju nep fishekë dhe në Grykë të Madhe ç’e gjinden me pushkë u ka thënë ose shkoni mbas Halitit (Lleshit), ata që nuk shkojnë j’u mer armët.”

Po kështu, në një letër të toger Kastriotit dërguar Komandantit të Përgjithshëm në Martanesh, që mban datën 19 shtator 1920, thuhet, se “Tafë Kazia me ca serbë prapë asht krye e ka hy në Lis e Kurdari, gjith tue plaçkit dhe Tafë Kazia asht prish me Jusuf Beg Çelën…”

Ja si shkruan Haki Stërmilli te “Dibra në prag të historisë” për bashkëpunimin e dibranëve me Esat Pashë Toptanin: “ Ma vonë thirri Esati disa nga krerët e Dibrës, natyrisht veç e veç, dhe u kërkoi besë për bashkëpunim. Dibranët si Eles Josifi, Izet Bej Maqellara, Riza Bej Jegeni, Mersim Dema, Dine Bej Maqëllara dhe të tjerë i kanë ba lak dhe nuk u angazhuan, me gjithë se ai premtoi se do të lironte qytetin e Dibrës së Madhe dhe të tjera dobina. Ali Bej Zajmi, Selim Dema, Shaqir Dema, Tafë Kaziu, Dine Hoxha, Xhelal Zogolli, Kurt Kadiu, Hysen Bej Golja e disa të tjerë u muarën vesh me Esatin dhe disa prej tine, si Ali Zajmi e Selim Dema, Menjëherë u vunë në shërbim të tij. Edhe Myfti i Përgjithshëm Haxhi Vehbi Agolli, u largua nga Vlona dhe qëndroi në Tiranë, ku Esati kishte selinë e vet…”.

Më poshtë, Haki Stërmilli vazhdon: “Sa sosi Esatin në Peshkopi i thirri krerët e Dibrës dhe kërkoi t’i japin besën për një bashkëpunim. Nji numër i këtyne krerëve malësorë, si: Selim Dema, Tafë Kaziu, Maliq Bej Jegeni, Xhelal Zogu, Kurt Kodra, Dine Hoxha, Jusuf Bej Hysenagolli, Selim Noka, Dervish Lusha, Sufë Xhelili, Ibrahim Tahiri, Ali Bej Zajmi, Kadri Maqellara e të tjerë e përcollën Esatin deri në Durrës me fuqitë e tyne…”

Dhe, më tej, H. Stërmilli vazhdon: “ …ndërhyni dhe bani për vete disa nga paria, si: Halit Lleshin, Tafë Kaziun, Selim Demën etj…/gazetadibra.net

Loading...
Advertisements
Next Post

Trump zëvendëson shefin e Shërbimeve Sekrete

/ATSH-AFP/ – Shefi i Shërbimeve Sekrete (USSS), policia prestigjioze elitare e ngarkuar me mbrojtjen e presidentit të SHBA-së, do të largohet nga posti i tij, njoftoi sot Shtëpia e Bardhë pa dhënë arsyet e këtij largimi të papritur. “Drejtori i […]
%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close