Advertisements

Luigi Soreca :Shqipëria i ka plotësuar kushtet e KE-së lidhur me udhëtimin e lirë pa viza.

ATSH-Gjergji Mima/ -Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca deklaroi se Shqipëria i ka plotësuar kushtet e KE-së lidhur me udhëtimin e lirë pa viza.

I pyetur nga mediet në lidhje me votimin në parlamentin holandez për rikthimin e vizave me Shqipërinë, Soreca u shpreh se Komisioni Europian ka publikuar në dhjetor 2018 një raport, sipas të cilit Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kriteret për udhëtimin e lirë pa viza.

“Në atë raport KE në dhjetor konfirmoi se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kriteret që kanë të bëjnë me këtë mekanizëm për udhëtimin e lirë pa viza. Po ashtu në të njëjtin raport KE ka identifikuar edhe masat që duhet të ndërmarrë Shqipëria në fusha si emigracioni i parregullt dhe lufta kundër krimit të organizuar. Kjo do të thotë që prej atij raporti është shumë e qartë për qeverinë shqiptare se çfarë masash duhet të ndërmarrë, natyrisht kjo në lidhje me integrimin e Shqipërisë në BE, në mënyrë të veçantë me hapjen e negociatave. Ne kemi një rregullore për këtë çështje dhe në bazë të kësaj rregulloreje raporti tjetër do të publikohet në dhjetor 2019. Që do të thotë që në atë moment bëhet vlerësimi nëse Shqipëria i ka ndërmarrë këto masa që janë identifikuar nga raporti i një viti më parë. Kjo do të thotë që tani për tani, KE do të bëjë vlerësimin e vet, në rast se, apo kur, qeveria holandeze do të sjellë raportin e saj”, deklaroi ai.

Soreca theksoi se është e rëndësishme të përmendet se qeveria holandeze në debatin në parlament u shpreh se nuk ka një lidhje të qartë mes udhëtimit pa viza dhe krimit të organizuar.

“Në fakt është shumë e rëndësishme për të përmendur një gjë tjetër që vetë qeveria holandeze, në debatin që patën në parlament nuk është shprehur se ka një lidhje të qartë mes udhëtimit pa viza dhe krimit të organizuar. Prandaj do të nevojitet të dhëna dhe statistika që të vërtetojnë këtë lidhje që nuk është vërtetuar ende”, u shpreh ai.

Soreca ftoi qeverinë shqiptare dhe atë të holandeze të vazhdojnë dhe intensifikojnë bashkëpunimin e tyre në luftën kundër emigracionit të paligjshëm dhe luftën kundër krimit të organizuar.

Soreca u shpreh se Shqipëria i ka përmbushur kushtet për udhëtimin pa viza që në vitin 2010.

“Udhëtimi pa viza është një arritje për Shqipërinë dhe qytetarët e saj që do të thotë që ka pasur një progres të rëndësishëm për qytetarët e Shqipërisë që prej vitit 2010. Kam qenë personalisht në krye të këtij procesi e kam udhëhequr këtë proces që prej vitit 2010. Jam i bindur që autoritetet shqiptare do të marrin të gjitha masat e duhura që të ruhet kjo arritje fantastike që është bërë tashmë”.

I pyetur nëse ky vendim ka lidhje me hapjen e negociatave, Soreca tha se “të dyja këto procese nuk janë të njëjta prandaj duhet sqaruar kjo”.

Sipas tij, këto janë dy raporte të ndryshme dhe që nuk ka lidhje me vendimin që pritet të merret në qershor për hapjen e negociatave.

Ai tha se do të shohim nëse për vendimin e parlamentit holandez, qeveria holandeze do t’i kërkojë KE që ta shqyrtojë këtë çështje dhe do të bazohet në bazë të raportit të KE për këtë çështje.

Ndërkohë, tha diplomati europian, ka një raport tjetër i cili do të shikohet në lidhje me çeljen e negociatave në qershor, që do të bazohet në një raport tjetër të BE.

Loading...
Advertisements

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close