Advertisements

FJALËT QË KRIJUAN UNIVERSIN PELLAZGJIK NË DODONË

Nga Kujtim MATELI

Përmbledhje

Nga autorët e antikitetit kemi dëshmitë e pakundërshtueshme se Dodona ishte krijim pellazgjik. Që do të thotë se Dodona nuk ka qenë produkt i asaj popullsie që më vonë u quajt helene. Po a janë pellazgët një popull i zhdukur apo shqiptarët e sotëm janë vazhdim i asaj popullsie që në antikitet quhej pellazge? Një nga elementët më të rëndësishëm të zbardhjes së kësaj enigme gjendet tek pyetja se cila ka qenë gjuha që është folur në Dodonë. Në burimet historike dhe ato arkeologjike gjenden disa fjalë që kanë ardhur deri në ditët e sotme pa e ndryshuar formën e tyre morfologjike dhe që i përkasin gjuhës shqipe. Ato nuk kanë ndryshuar as kuptimin leksikor. Këto dëshmi gjuhësore që marrin formën e një prove të padiskutueshme vërtetojnë se përkatësia etnike e Dodonës është ajo e stërgjyshërve tanë.
Fjala e parë më e përdorshme në Dodonë ka qenë fjala shqipe di, e cila është përdorur për të emërtuar kryeperëndinë pellazge. Në të gjitha gjetjet arkeologjike në Epir është përdoruar si: Di Dodonen në Dodonë, Di Naios në Carakovistë, Di Soter në Butrint dhe Ambraqi, Di Sarpis në Fotike, Di Aresios në Pasaron, kurse në Iliri si: Di Tropeos në Bylys, Di Megistos në Mavrova, Di Boulaios në Amantia etj. Në Maqedoni, në mbishkrimin e Pellas është përdorur vetëm si: Di ose Hyu Di.
Fjala e dytë që provon se në Dodonë është folur shqip është fjala -them, me një përdorim të gjerë si: Themi- perëndeshë pellazge, themist-ata që interpretonin kodin juridik të Dodonës. Kjo fjalë është përdorur si fjalë perëndie dhe tek popujt e tjerë. Në gjuhën greke për të emërtuar perëndinë përdoret fjala -theos, ku gjejmë fjalën shqipe – them (e kryera e thjeshtë veta e dytë njëjës -the) dhe prapashtesën greke -os. Vërtetohet kështu dëshmia e Herodotit që thotë se helenët i morën emrat e perëndive nga pellazgët.
Fjalët kyçe: Dodonë, Di, them, theos, themist, Epir, Iliri, Maqedoni.

HYRJE
Dodona ka qenë qytet, tempull dhe orakull në Epirin e Vjetër. Koha e themelimit të tij daton shumë kohë para Luftës së Trojës, sepse përmendet nga Homeri si një faltore me famë me ndikim të fuqishëm mbi popujt që merrnin pjesë në atë Luftë. Autorët e antikitetit e përshkruajnë atë si një faltore pellazge qysh nga koha e themelimit të saj. Koha, kur Dodona pushoi së ekzistuari, është aty nga shekulli i V pas Krishtit, kur faltorja u kthye në qendër peshkopale dhe tempulli në kishë. Pyetja që kërkon të marrë përgjigje është: Cila ka qenë gjuha që është folur në faltoren dhe tempullin e Dodonës? Si provë shkencore për të përcaktuar gjuhën që është përdorur do të veçojmë dy fjalë me përdorim të dendur në Dodonë dhe trevat rrotull saj që janë: Di dhe themistë.
Metoda e kërkimit shkencor do të jetë metoda e analizës e gërshetuar me metodën e krahasimit dhe atë historike. Nisur nga fjalët: Di dhe themistë, do të parashtrojmë hipotezën se gjuha që përdorej në tempullin dhe orakullin e Dodonës ka qenë gjuha shqipe. Pellazgët e emërtonin hyjninë e tyre me emrin Di. Me këtë emërtim gjendet tek “Iliada” dhe “Odisea” e Homerit. Gjetjet arkeologjike, duke filluar nga qyteti i Artës (Ambraqia) e deri në Shkodër e Rizon, vërtetojnë se në këtë hapësirë të Epirit dhe Ilirisë nderohej hyjnia me emrin Di dhe mungojnë gjetjet arkeologjike që e emërtojnë hyjninë me emrin Zeus siç mund të gjenden në jug të territoreve të Epirit. E marrin këtë fjalë në analizën e saj morfologjike, sintaksore dhe leksikore. Etimologjia dhe semantika e këtij emri na shpie tek fjala e përgjithëshme di e gjuhës shqipe. Metoda e krahasimit na zbulon se kjo fjalë nuk i përket gjuhës helene. Metoda historike vërteton ekzistencën e kësaj fjale në një segment të gjatë kohor: nga Lufta e Trojës deri në ditët e sotme.
Emri i dytë themistë në analizën leksikore të tij na shpie se është formuar nga fjala shqipe them + prapashtesën -ist, me përdorim të dendur në formimin e emrave dhe në ditët e sotme. Folja them në kategorinë gramatikore të zgjedhimit merr format them, the, thotë etj. Forma gramatikore the, ka dhënë në greqisht emrin e hyjnisë Theos (Θεός) duke i shtuar mbaresën greke -os (ός).
Në greqisht fjala theos (Θεός) ka mbetur pa etimologji dhe grekët japin këtë argumentim: “Zoti (Θεός), duke qënë një koncept i pakapshëm nga mendja e njeriut, nuk i nënshtrohet eksplorimit të njohjes dhe fjalës me të cilën njerëzit e quajnë atë.” Duke e gërshetuar metodën e analizës me atë të krahasimit të gjuhëve greke dhe asaj shqipe, përveç emrit të hyjnisë (Θεός), fjala shqipe them ka formuar në greqisht emrin e përgjithshëm thema, kurse në shqip fillimisht në themë e më vonë në temë. Analiza etimologjike dhe semantike e fjalës thema (θέμα) e sjell këtë fjalë të prejardhur prej shqipes duke vërtetuar që shqipja si gjuhë e përdorur në Dodonë ka shërbyer për formimin e fjalëve të reja në gjuhën helene.
Fjalët e gjuhës shqipe: Di, them dhe themistë, provojnë se në Dodonë është folur gjuha shqipe.

1. PERËNDITË MË TË VJETRA TË TRUALLIT PELLAZGJIK

Për të depërtuar në parahistorinë dhe historinë e antikitetit të hershëm dy janë burimet kryesore: gjetjet arkeologjike dhe dëshmitë në burimet historike tek autorët antikë. Autori më i vjetër i këtyre brigjeve të Mesdheut është Homeri. Prej tij mund të mësojmë shumë për mënyrën e besimit të asaj popullsie që quhej pellazge. Po cilat janë perënditë e para që kjo popullsi nderonte. Le t`i drejtohemi Homerit në veprën e tij “Iliada” ku perënditë janë pjesëmarrëse aktive në Luftën e Trojës.
Pasi rreshtohen të dy ushtritë në fushë të luftimit, Lek Paridi që kishte rrëmbyer Helenën propozon që të dalë në fushë të betejës: ai vetë, Menelau dhe Helena me gjithë stolitë e saj. Ai që do të fitonte dyluftimin të merrte Helenën bashkë me pasurinë, por më parë duhet të betoheshin mbi flijime që të siguroheshin se akejtë do të largohen nga Troja. Hektori doli në mes dy ushtrive dhe u foli se Paridi e kërkonte në dyluftim Menelaun. Ai që do të mbetej gjallë do të merrte Helenën me gjithë pasuri. Atëherë doli Menelau dhe u kërkoi që, para dyluftimit, betimi të bëhej mbi flijime:

Një rrunë* të zezë prandaj, trojanë, të sillni
për nënën Tokë, një qengj të bardhë për Diellin
dhe ne për Dian do të biem një tjetër.
Por le të vijë sunduesi i lartë Priami,
për të bërë benë, pse në bijtë e tij fodullë
Dhe të pabesë nuk kam kurrfarë besimi,
Dyshoj se mos e thyejnë benë e Dias” .

Shohim që perënditë më të rëndësishme ishin tre. Dielli Toka dhe Dia. Betimi mbi to do të ishte garanci që marrëveshja nuk do të thyej. Ajo që bie në sy janë flijimet dhe ngjyra e tyre. Për Tokën një qengj femër me ngjyrë të zezë, për Diellin një qengj të bardhë. Në këtë pjesë ajo që është më e rëndësishme është pesha që kanë këto perëndi në jetën njerëzore. Menelau thotë të bëhet ky betim se unë “Dyshoj se mos e thyejnë benë e Dios (Διὸς)” Pavarësisht se betimi bëhej mbi këto tri perëndi kryesore dhe njerëzit e dinin fare mirë rëndësinë jetike që kishte Dielli dhe Toka në jetën e tyre, Dia kishte marrë peshë të veçantë. Ai përfytyrohej si qënie njerëzore dhe simbolizonte sundimin e njeriut mbi natyrën dhe fenomenet e saj. Ai sundonte hapësirën qiellore dhe ishte i pranishëm kudo ku kishte fatkeqësi njerëzore, merrte pjesë me këshilla të cilat i formulonin priftërinjtë që i kushtoheshin faltores së tij, ishte ligji, rendi dhe drejtësia hyjnore mbi tokë.Tek fjala diell, pjesa e fjalës -ell nuk është prapashtesë (duke u nisur nga prapashtesat që përdoren sot në gjuhën shqipe), kështu që fjala diell nuk ka dalë nga fjala di. Nëse do të mbështetemi tek etimologjia e këtyre dy fjalëve: di dhe diell, ato janë të lashta sa vetë gjuha shqipe .

Sipas etimologëve evropianë, përfshi këtu dhe prof. Çabejn, këto dy fjalë vijnë nga dy rrënjë të ndryshme indoevropiane. Kuptimet e para të këtyre dy fjalëve mund të kenë qenë të ndryshme, por në rrjedhë të historisë, fjalët u plotësuan dhe me kuptime të tjera e me kuptime të figurshme. Fjala di, si fjalë e përgjithshme e gjuhës shqipe, është e lidhur me fjalën diell në kuptimin e figurshëm: cilësia e diellit që ndriçon tokën mbartet te njeriu që di (që ka njohuri) i cili ndriçon me dijen e tij njerëz të tjerë.

Nuk është larg të arsyetuarit që Hyjnia që mendja njerëzore do të krijonte të ishte gjuhësisht diku midis njeriut që di, njeriut të ditur që ndriçon mendjen e të tjerëve dhe Diellit që ndriçon planetin tonë. Midis këtyre dy fjalëve, u zgjodh dhe kështu është më e pranueshme që emri i përgjithshëm di të kthehej në emër të përveçëm dhe perëndia që njihet si hyu i pellazgëve u quajt Di. Kthimi i emrave të përgjithshëm në emra të përveçëm që emërtojnë njerëz, ka vazhduar deri në ditët e sotme si: gëzim-Gëzim, blerim-Blerim, ndriçim-Ndriçim, shpëtim-Shpëtim, besë-Besë, shpresë-Shpresë, besim-Besim, dituri-Dituri, bujar-Bujar, verë-Vera, bukuri-Bukuri, kreshnik-Kreshnik, lirim-Lirim, çlirim-Çlirim, etj.
Perënditë dhe bashkë me to dhe hyjnia Di kanë qenë shumë të rëndësishme në jetën njerëzore. Këtë e tregojnë dy veprat e Homerit “Iliada” dhe “Odisea” ku perënditë ishin të pranishme përgjatë gjithë betejave që u zhvilluan në Luftën e Trojës. Për ilustrim po sjellim 7 vargjet e para me të cilat fillon “Iliada”

“Këndo hyjneshë, mërinë e Akil Pelidit,/
rrënimtaren, që brenga pa fund u shkaktoi akejve/
dhe në Had rrokullisi shumë shpirtra burrërorë/
heronjsh, ata i bëri pre të qenve/
dhe gjithë orlave, vullneti i Dias po kryhej,/
qysh në fillim, kur u grinden dje u ndanë,/
Atridi, prijësi i burrave dhe Akil hyjnori”

Homeri e fillon Iliadën me hyjninë Di dhe Akilin. Ata janë dy personazhët kryesorë të poemës: njëri hyjnor dhe tjetri tokësor. Ndërmjet tyre ka një lidhje të dyfishtë. Dia pranohej prej pellazgëve si Hyjni, por edhe si At prej të cilit rridhte fisi i pellazgëve. Këtë e shohim tek vargu i shtatë i poemës ku Akili quhej: διoς Αχιλλεύς. Në pemën gjenealogjike të perëndive fisi i Akilit rridhte prej Pellazgut I dhe ky kishte si stërgjysh çiftin Di dhe Niobe. Pellazgët mbanin mbiemrin dios (διoς), sepse sipas tyre ishin pasardhës të hyjnisë Di. Mbiemri dios, apo hyjnor sipas përkthyesve, ndante në kohët antike ata që rridhnin nga hyjnia Di dhe që besonin tek kjo hyjni, nga popujt e tjerë që besonin në hyjni të tjera.

2. FJALA E SOTME E GJUHËS SHQIPE DI, RUAN KUPTIMIN LEKSIKOR QË KA PATUR KUR DHE KRIJOI HYJNINË DI

1-E shohim Hyjninë Di nën këndvështrimin e Strabonit.
Strabo, the Geography, Book VII, Chapter VII, 2.
Duke u mbështetur kryesisht te Hesiodi i cili ka folur për ta: “Sepse Lokrus ishte udhëheqësi i kombit të Lelegëve, të cilit Dia, i biri i Kronit, në diturinë (mençurinë) e tij të pafundme, i dha
dikur emrin e Deukalionit, një populli të mbledhur nga kombet e Dheut.”
Hyjnia Di, sipas Hesiodit dhe Strabonit ishte i ditur dhe i mençur. Në fjalorin anglisht fjala wisdom mbart dy kuptime: i mençur dhe i ditur.
Në fjalorin e gjuhës së sotme shqipe është dhënë ky kuptim i parë për fjalën di, që është dhe kuptimi themelor i kësaj fjale në gjuhën shqipe
DI kal. Kam njohuri pak a shumë të plota ose të veçanta për diçka, e njoh mirë diçka pasi e kam parë, e kam dëgjuar, e kam studiuar etj.; e kam mësuar diçka, e zotëroj.
Fjala di e shqipes, e kohës pellazge që u mbart me kuptimin themelor të saj te hyjnia Di, e ka një përkufizim të dhënë nga Straboni: “Dia, i biri i Kronit, në diturinë e tij të pafundme.”
Të dy përkufizimet për fjalën di, Fjalori i Gjuhës së sotme Shqipe dhe ai i Strabonit për periudhën pellazgjike japin të njëjtin kuptim.: sot “dituri pak a shumë të plota”, kurse dikur “dituri të pafundme”.

3. HYJNIA DI NË GJETJET ARKEOLOGJIKE NË EPIR, THESALI, MAQEDONI DHE ILIRI

Dëshmitë e burimeve historike kanë po atë rëndësi që kanë edhe gjetjet arkeologjike, nëse do të kemi librin original të autorit, por librat e autorëve antikë janë rishkruar kohë pas kohe dhe shkruesit e mëvonshëm shumë fjalë që kishin dalë nga përdorimi, i zëvendësonin me fjalët që përdoreshin në kohën e tyre. Kështu që dëshmia e orgjinalit vjen me ndryshime deri në ditët e sotme.
Ndryshe ndodh me dëshmitë arkeologjike. Të shkruara mbi gur apo pllaka bakri e bronzi, ato ruajnë origjinalitetin duke treguar emërtime të sakta të kohës së cilës i përkasin.
I shohim këto gjetje arkeologjike në tri trevat që janë quajtur pellazgjike: Epir, Thesali dhe Maqedoni, por edhe në Ilirinë e Jugut që kufizohej me këto territore. Në këto vende adhurohej hyjnia Di dhe çdo qytet e nderonte me një atribut të veçantë.

Në Epir
1- Ambracia- Di Soter
2- Qyteti Kasope- Di Soter
3- Butrint (Buthroto)- Di Soter
4- Qyteti Fotike- Di Dodoneen dhe Di Sarapis
5- Qyteti Pasaron- Di Aresi
6- Qyteti i Carakovistës- Di Naios dhe Di Bouleos
7- Qyteti Dodonë- Di Dodonen
8- Autorët e antikitetit e njihnin hyjninë Di edhe si Di Thesprotian

Thesalia dhe Maqedonia
1-Në qytetin Farsala të Thesalisë gjenden dy mbishkrime ku hyjnia nderohej si Dii Sotiri (Dii Σωτηρος) në Kato-djami dhe Tabak-hana.
2- Në qytetin Pella të Maqedonisë nderohej hyjnia Di.
3-Në Maqedoni ka patur një qytet që i kushtohej hyjnisë Di, i cili quhej sipas autorëve antikë Diona ose Dium

Iliri
1- Qyteti Bylys- Di Tropeos
2- Qyteti Mavrora (Olimpe) Di Megistos
3- Amantia- Di Boulaios
3-Apollonia- Dia dhe Diona
5- Durrës- Di Dodonen
6- Shkodër dhe Rizon Di Dodonnen

4. FORMA GRAMATIKORE E FJALËS DI TEK SHKRIMET DHE MBISHKRIMET E VJETRA

Në mbishkrimet në luginën e Crakovistës në dhurata të ndryshme si: vazo, trekëmbësha, korniza, pllaka bronzi etj., si dhe në fletëzat e plumbit, hyjnia Di gjendet në këto forma morfologjike: Di, Dii dhe Dia. Në Iliadën e Homerit, kënga e parë, emri i perëndisë Di është përdorur 4 herë në formën Dia Kronini.
Ky fakt na shpie në dy përfundime të rëndësishme:
Së pari. Kjo traditë ka vazhduar tek shqiptarët deri në shekullin e kaluar. Në disa rregjistrime në Bashkinë e Këlcyrës në vitet 1920-1939, kryepleqtë e fshatrave nuk janë rregjistruar me mbiemrin e fisit të tyre, por me emrin e atit (babait) të tyre.
Së dyti. Pema gjenealogjike e perëndive pellazge fillon me Rean dhe Kronin, si prindërit, si lindësit e perëndive pellazge. Kështu, duke e vendosur hyjninë Di si bir i Kronit, do të thotë se pema gjenealogjike e perëndive pellazge njeh si At, si lindës të perëndive dhe të njerëzve hyjninë Di.
Po nëse emrat e përveçëm të shqipes nuk kanë ndonjë lidhje kuptimore me emrat e përgjithshëm, pra individi nuk i mbart tiparet e emrit të përgjithshëm, sepse emri vihet kur fëmija lind, në rastin e kryeperëndisë Di, emri i përveçëm mbart dhe kuptimin e emrit të përgjithshëm. Njerëzit i mveshën hyjnisë së tyre ato tipare dhe cilësi që ata dëshironin. Hyjnia Di mbarte gjithë kuptimin e fjalës së përgjithshme di, pra tërë dijen njerëzore që ishte grumbulluar deri në atë kohë. Njerëzit shkonin tek priftërinjtë e tempujve që përfaqësonin hyun Di apo tek orakulli për të pyetur. Pyetet njeriu që di. Pra hyjnia Di është një emër që mbart plotësisht kuptimin e fjalës së përgjithshme di.
Fatmirësisht fjala e përgjithshme di që e lindi Hyjninë pellazgo-ilire e ka ruajtur deri në ditët e sotme formën e saj morfologjike, për të dëshmuar gjuhën tonë si lindëse e atij qytetërimi që u bë themeli i dy qytetërimeve të mëvonshme.
Qytetërimi pellazg si lindës i qytetërimit helenë është i dokumentuar nga burimet historike të vetë autorëve të antikitetit. Ata pasi morën gjithë mitologjinë pellazge u grumbulluan rreth çiftit të perëndive Zeus dhe Hera. Në Dodonë, na dëshmon Straboni, (shekulli i parë para dhe pas Krishtit) çifti i hyjnive vazhdonte të ishte Dia dhe Diona dhe gjetjet arkeologjike na vërtetojnë se ndikimi i tyre ishte i fuqishëm në Epir, Thesali, Maqedoni, kurse në Iliri deri në Shkodër e Rizon, nëse do të nisemi nga gjetjet e deri tanishme arkeologjike. Pra, kemi dy qytetërime që zhvilloheshin të pavaruar, por për shkak të fqinjësisë, edhe të ndikuar nga njëri tjetri,
Natyrshëm lind një pyetje. Po romakët, cilin sistem morën për model, atë të helenëve apo atë të iliro-pellazgëve? Përgjigjen do të mundohem ta jap, nisur nga emrat që romakët u vunë dy hyjnive kryesore të tyre.
Në Dodonë çifti hyjnor ishte Dia dhe Diona, tek helenët Zeusi dhe Hera, tek romakët Jupiteri dhe Junona. Autori gjerman Georg Autenrieth, në librin e tij “Fjalori i Homerit”, përkthim nga gjermanishtja prej Dhimitër J. Olimpit, botuar në Athinë (botim i dytë) në vitin 1900 shkruan se “ në latinisht hyjnia quhej Diaus e Dius…”
Përkthimi nga greqishtja në shqip i kësaj pjese është bërë nga gjuhëtari Spiro Konda dhe gjendet në librin e tij “Shqiptarët dhe problemi pellazgjik”. Shohim që trajtave të emrit të hyjnisë pellazge Di, Dia, romakët u kanë shtuar shtesën e gjuhës së tyre: -us, Dius e Diaus. Kjo do të thotë që romakët e kanë marrë emrin për Hyjninë e tyre ashtu siç gjendej te pellazgët pa i bërë asnjë ndryshim. Junona, hyjnia e dytë që njihet si bashkëshorte e Jupiterit, duket që tek forma gramatikore e fjalës Junona ka një përqasje me emrin Diona, sepse pjesa fundore e fjalës është e përbashkët -ona. Shohim që qytetërimi romak ka qenë i lidhur drejtpërdrejt me qytetërimin pellazg të Dodonës.

5. FJALËT THEM DHE THEMIST

Në gjuhën shqipe fjalët di dhe them janë fjalë që komunikojnë me njëra-tjetrën. Atë që di e them ose them atë që di.
Fjala them në kohën e tashme:
Them, thuaj, thotë, themi, thoni, thonë.
e kryer e thjeshtë:
thashë, the, etj.
Kjo fjalë e gjuhës shqipe është bërë burim për krijimin e fjalëve të tjera brenda shqipes. Veta e dytë shumës e së tashmes: themi është bërë emër i përveçëm për perëndeshën Themi. Vlen të theksohet se theksi te fjala e përveçme Themi është tek rrokja e parë ashtu siç është dhe te fjala e përgjithshme. Vazhdimi i emrit të përveçëm Themi gjendet sot tek emri Themie.
Tek Straboni gjejmë se në kohën e ekzistencës së orakullit të Dodonës përdorej fjala themist për atë që shërbente tek orakulli i Dodonës. Straboni vëren një ndryshim midis dy fjalëve: tomurë dhe themistë që përdoreshin në Dodonë. Fjala tomurë përdorej për ata që nëpërmjet orakujve nxirrnin fatthëna. Sipas Strabonit fjala themist përdoret në kuptimin më të gjerë për urdhrat dhe vendimet e orakullit si dhe për ligjet.”
1-Po a ka dalë fjala themist nga fjala them? A ekziston në gjuhën shqipe prapashtesa -ist?
Në kohën e sotme përdorimi i kësaj prapashtese është aktiv dhe ka shërbyer edhe në formimin e fjalëve të reja si: profesion-profesionist, traktor-traktorist, zetor-zetorist, opinion-opinionist, zbor-zborist, kooperativë-kooperativist, art-artist, instrument-instrumentist, makinë-makinist, solo-solist, shah-shahist, tank-tankist, telefon-telefonist, etj.
2.Shohim kuptimin themelor të fjalës them sipas përkufizimit të fjalorit të gjuhës së sotme shqipe THEM kal.
Shpreh diçka me fjalë ose me shkrim, flas, shprehem, njoftoj diçka; i jap, i çoj fjalë dikujt, lajmëroj; i jap a i njoftoj dikujt një udhëzim, një urdhër, një porosi etj., porosit; urdhëroj, njoftoj një vendim.
Po cili ka qenë kuptimi themelor i fjalës them në kohën e Homerit dhe atë të Strabonit? Këtë fjalë nuk e kemi deri tani në ndonjë nga burimet historike apo arkeologjike, por kemi fjalën e prejardhur prej saj që është fjala themist. Nëse fjalës themist do t`i heqim prapapshtesën e shqipes -ist, mbetet fjala them e gjuhës shqipe. Themisti i Dodonës ishte personi që shprehej me fjalë ose me shkrim për ligjet, vendimet dhe urdhërat e orakullit. Dimë kuptimin e fjalës them sipas përdorimit që ajo ka në gjuhën e sotme shqipe, si dhe të fjalës themist sipas përkufizimit që i ka dhënë Straboni. Kemi:
Them: “Shpreh diçka me fjalë ose me shkrim, …. urdhëroj, njoftoj një vendim”.
Themist: Ai që shprehej me fjalë ose me shkrim në lidhje me urdhrat dhe vendimet e orakullit apo dhe për ligjet.
Pra fjala themist ruan kuptimin e fjalës them prej së cilës ka dalë, që do të thotë që kuptimi themelor i fjalës them i kohës së Strabonit është i njëjtë me kuptimin themelor që ka kjo fjalë në kohën e sotme.
Në ditët e sotme fjala themist nuk përdoret, por prapashtesa e saj -ist përdoret duke krijuar ende fjalë të reja. Fjala e re që ka dalë nga prapashtesa -ist shpreh po atë kuptim që ka patur dhe fjala themist. Kjo fjalë tregon personin që kryen një punë në një fushë të caktuar.
Shembuj
ART m.
1. Formë e pasqyrimit të botës nëpërmjet riprodhimit të realitetit në mënyrë krijuese me anë figurash artistike; veprimtaria krijuese artistike.
ARTIST m.
1.Ai që luan me mjeshtëri një vepër arti (si aktori i teatrit, këngëtari, muzikanti etj.
Në shembujt e dhënë më sipër shohim që emri i formuar me prapashtesën -ist ka të bëjë me personin, njësoj si fjala themist që kishte të bënte me personin i cili shërbente në Dodonë duke kryer një punë në një fushë të caktuar siç ishte ajo në lidhje me ligjet, vendimet dhe urdhërat e orakullit.
Hyjnesha Themi
Themi është një Titane, është personifikimi i rendit hyjnor, i drejtësisë, i ligjeve dhe i zakoneve. Po a mund të jenë themistët për të cilët flet Straboni, ndjekësit apo adhuruesit e Themit?
Në gjuhën shqipe adhuruesit apo ndjekësit e një teorie të caktuar, në një fushë të caktuar të dijes, marrin prapashtesën -ist. P.sh: Marks-marksist, Froid-frojdist, Mao-maoist etj. Edhe nëse themistët e Strabonit janë adhuruesit e perëndeshës Themi, në këtë rast asgjë nuk ndryshon, sepse vetë emri i perëndeshës ka dalë nga fjala them: them-Themi. Themistët e Strabonit lidhen me hyjninë Di, lidheshin me orakullin e hyjnisë Di, ligjet, urdhëresat apo vendimet që këta nxirrnin ishin në emër të orakullit apo të hyjnisë Di. Në këtë kuptim themistët lidhen me orakullin dhe tempullin e hyjnisë Di.
Ligjet formuloheshin si vullnet i hyjnisë Di dhe ishin të detyrueshme për t`u zbatuar nga individët apo dhe institucione të organizuara deri në nivel mbretërie. Themistët kishin krijuar në këtë mënyrë një lloj kushtetute që e mbante të bashkuar shoqërinë. Hyjnesha Themi ka qenë mbrojtësja e këtij rendi hyjnor që ishte krijuar.

6. SI ËSHTË FORMUAR FJALA HELENE THEOS (ΘΕΌΣ)

Dëshmia e Herodotit se helenët i morën emrat e perëndive nga pellazgët vërtetohet nga fakti se si e kanë formuar ata emrin për Hyjninë e tyre. Nga fjala them e shqipes pellazgët nxorën emrin e perëndeshës Themi, si dhe themistë për ata që shërbenin tek orakulli i Dodonës. Duke marrë foljen them,vetën e dytë në të kryerën e thjeshtë të shqipes që bën the, duke i shtuar sipas ligjeve të fjalëformimit prapashtesën -os, u krijua fjala: the+os – theos (Θεός) që helenët e pwrdorin edhe sot për perëndinë në gjininë mashkullore. Duke shtuar -a, the+a-thea (θεά) krijohet hyjnia për gjininë femërore që e gjejmë që tek vargu i parë me të cilën fillon “Iliada” e Homerit. Kjo tregon se të dyja fjalët për hyjnitë helene kanë dalë nga forma gramatikore the, e fjalës shqipe them.
E shohim pretendimin helen për krijimin e fjalës për hyjninë e tyre Theos (Θεός) . Ata nuk e gjejnë brenda gjuhës së tyre krijimin e kësaj fjale dhe këtë mungesë e argumentojnë se koncepti i Zotit (Theos) është i pakapshëm nga mendja e njeriut, rrjedhimisht dhe fjala me të cilën e kanë emërtuar atë. Ky lloj argumentimi vërteton atë që kjo fjalë nuk rrjedh nga gjuha helene dhe nuk kishte se si kjo fjalë të gjendej brenda kësaj gjuhe, përderisa ajo është fjalë e gjuhës shqipe.

7. FORMIMI I FJALËS HELENE THEMA (ΘΈΜΑ)

Nga fjala them e gjuhës shqipe është krijuar fjala shqipe themë-temë.
Fjala them në kuptimin e saj themelor është të shprehurit e diçkaje me shkrim ose me gojë, kurse fjala temë është një çështje rreth së cilës jep mendim a flet dikush; ajo që përshkon e përcakton përmbajtjen e një bisede, të një diskutimi, të një mbledhjeje, ajo që pasqyrohet në një vepër artistike ose bëhet objekt kërkimi e studimi në një vepër shkencore.
Të dy fjalët bashkëveprojnë me njëra-tjerën. Ajo që unë them me gojë bëhet tema e një bisede, ajo që unë them me shkrim është tema e një vepre letrare apo shkencore. Tema përcakton atë që unë duhet të them apo anasjelltas, ajo që unë do të them bëhet temë e një fushe të caktuar.
Kështu, në gjuhën shqipe, për të treguar përmbajtjen e asaj që thuhej në një bisedë apo në një vepër të shkruar, lindi nevoja për ta përcaktuar me një fjalë të re. Kjo fjalë do të lindte brenda fushës leksikore të fjalës them. Deri atëherë fjala them lidhej me fjalën themist. Kështu nga them lindi fillimisht një themë për trajtën e pashquar dhe thema për trajtën e shquar. Fusha leksikore e fjalës them deri atëherë përbëhej të paktën nga tri fjalë: them, thema dhe themist.
Kështu fusha leksikore e fjalës them me ndikim të fuqishëm brenda vetë gjuhës shqipe u bë burim edhe në gjuhën helene, ku fjala thema e shqipes hyri në gjuhën helene me po atë formë gramatikore dhe kuptimore që ka brenda gjuhës shqipe.
Kuptimi i njëjtë i të dy fjalëve në ditët e sotme në shqip dhe greqisht: temë-tema dhe thema dhe që të dyja këto fjalë të dalë nga fjala them e shqipes vërtetojnë se shqipja ka qenë gjuha me të cilën banorët e saj kanë komunikuar në orakullin e Dodonës dhe në krejt hapësirën pellazgjike. Shohim se si e motivojnë etimologjinë e kësaj fjale vetë grekët në përkufizimet që i kanë dhënë.
Gjuhëtarët helenë e nxjerrin etimologjinë e fjalës thema nga fjala e tyre tithimi (τιθημι)
Kuptimi i fjalës thithimi, i dhënë dhe në anglisht është: 1-vendos, 2- i jap dikujt diçka 3-mendoj ose vendos. Në të tria kuptimet e saj kjo fjalë nuk ka asnjë lidhje me kuptimin e fjalës thema që përdoret në greqisht. Një fjalë rrjedh nga një fjalë tjetër, kur kuptimi i së parës mbartet tek e dyta plotësisht apo dhe pjesërisht. Kështu mund të themi se fjala thema nuk ka asnjë lidhje kuptimore me fjalën tithimi. Etimologjikisht fjala thema mund të kërkohej tek fjala greke them (λέγω), por kjo fjalë në ndërtimin e saj morfologjik nuk ka asnjë lidhje me fjalën thema, ndaj gjuhëtarët helenë kërkojnë të bëjnë një lidhje me fjalën tithimi (τιθημι) e cila dhe kjo nuk ka asnjë lidhje etimologjike me fjalën thema. Nga ky vështrim i fjalës them në periudhën para dhe pas homerike, mund të themi se në shqip ajo i dha emrin hyjneshës Themi, krijoi fjalën themist, fjalën themë-temë, kurse në greqisht dha fjalën thema në po atë kuptim që them-themë-temë kanë në shqip. Shqipja i dha gjuhës helene emrat e hyjnive: theos dhe thea ( Θεός, θεά), dëshmi që provojnë ndikimin e madh të Dodonës pellazge mbi popujt që e rrethonin atë.

PËRFUNDIMI
Në përfundim të këtij studimi mund të përcaktojmë qartë kufijtë e shtrirjes së hyjnisë Di e cila nderohej në çdo qytet me një atribut të veçantë që e dallonte njërin qytet nga tjetri. Pjesa perëndimore e këtij terrori shtrihej nga Gjiri i Artës (Ambraqisë) e deri në Rizon, kurse pjesa lindore përfshinte Thesalinë dhe Maqedoninë. Në Thesali shohim që hyjnia nderohej ashtu si në Epir dhe Iliri. Mbishkrimet e gjetura në Farsala tregojnë se hyjnia nderohej si Di Soter, ashtu si në Ambraqi, Kasope dhe Butrint. Kjo vërteton atë që thonë dhe burimet historike se thesalët erdhën në Thesali nga Epiri. Nuk ishin hyjnizuar vetëm tempujt, por dhe lumi i Vjosës dhe vendi në rrjedhë të këtij lumi ishin hyjnizuar me emrin e Dias. Në territoret e Epirit dhe të Ilirisë emri i hyjnisë, qysh në zanafillë ka qenë Di-Dia dhe nuk kishte asnjë arsye që ky territor të përdorte dhe emrin Zeus. Fakti që në këto territore nuk gjenden mbishkrime me emrin Zeus, tregon se nuk kanë qenë asnjëherë nën ndikimin e kulturës helene.
Në territorin helen përdorej edhe emri i Zeusit, edhe emri i Dias, sepse etnia helene e ka brenda saj dhe popullsinë pellazge të cilën gjetën dhe që Herodoti thotë se prej pellazgëve (pra të atyre pellazgëve me të cilët u bashkuan), por edhe nga Dodona e Epirit, i morëm emrat e perëndive. Kështu ata kanë përdorur edhe emrin e Dias, edhe emrin e Zeusit, i cili mund të jetë ose jo në formën fillestare një fjalë e pellazgëve, por që më vonë emri Zeus u bë emri përfaqësues i hyjnisë helene.
Në mbishkrimet që gjenden në Epir dhe Iliri epiteti me të cilin e shoqëronin hyjninë Di vendoset pas emrit të hyjnisë. Kështu kemi: Di Soter, Di Naios, Di Megistos, etj. Tek autorët helenë ndodh e kundërta: epiteti vendoset para emrit. Kështu Eskili hyjninë Di e quan thesprot Dios (Θεσπρωτou Διός), kurse Plutarku e quan hyjninë e Pasaronit Areios Di (Αρεiω Διi). Ndërtimi sintaksor me të cilën janë ndërtuar këta togfjalësha në Epir dhe Iliri, është i kundërt me ndërtimet e gjuhës helene. Shqipja dhe në ditët e sotme ruan ndërtimin e vjetër sintaksor, por edhe greqishtja e sotme ruan po ndërtimin e vjetër sintaksor. Kjo do të thotë se sintaksa e këtyre dy gjuhëve nuk ka lëvizur që nga shekujt para Krishtit. Kështu kemi në shqip: grua e bukur, emri para mbiemrit, por edhe në greqisht ruhet po ai rend sintaksor: omorfi gjineka (όμορφη γυναίκα) që do të thotë grua e bukur ku mbiemri është vendosur përpara emrit. Kjo provon se në shekujt para Krishtit gjuha shqipe kishte një rend sintaksor të përcaktuar që i përgjigjej një stadi të caktuar të gjuhës në këtë periudhë. Në Epir dhe Iliri, në mbishkrimet e gjetura, pavarësisht se shkruhej me alfabetin e gjuhës helene, ndërtimi sintaksor i fjalisë është ai i gjuhës shqipe.
Gjuhët japin dhe marrin me njëra-tjetrën dhe e njëjta fjalë përdoret në gjuhë të ndryshme. Gjuha marrëse e vesh fjalën e huazuar me mbaresa apo mjete fjalëformuese dhe e bën produkt të gjuhës së vet. E tillë është fjala theos (Θεός), e greqishtes e formuar nga fjala e gjuhës shqipe them. Çuditërisht gjuhëtarët helenë nuk e gjejnë burimin e fjalës te shqipja, por thonë se kjo fjalë mbetet pa etimologji brenda gjuhës helene, sepse vetë hyjnia nuk kërkon të indentifikohet; duke bërë një kapërcim nga shkenca në teologji për të fshehur origjinën e vërtetë të fjalës së tyre theos (Θεός),. Brenda greqishtes fjala them lidhet dhe me fjalën thema, kurse në shqip dha emrin e hyjnisë Themi, emrin thema e më vonë në tema, si dhe emrin e përgjithshëm themist për ata që hartonin ligjet në faltoren e Dodonës. Prapashtesa -ist e gjuhës shqipe ka prodhuar një numër të madh fjalësh brenda shqipes edhe në ditët e sotme.
Si fjalë e fundit e këtij përfundimi është që duhet të njohim hyjninë shqiptare me emrin Di bashkë me gjithë mitologjinë dhe kodin juridik që krijoi faltorja e famshme e Dodonës.
Midis dy hyjnive Di dhe Zeus ka ndryshime thelbësore dhe ne duhet t`i njohim dhe t`i pranojmë këto ndryshime:
-Gjuhësisht fjala Di dhe fjala Zeus, janë dy fjalë të ndryshme dhe ashtu siç tregojnë dy emra të ndryshëm dy njerëz të ndryshëm, Di dhe Zeus tregjnë dy hyjni të ndryshme.
-Hyjnia Di adhurohej nga pellazgo-ilirët, kurse hyjnia Zeus adhurohej nga helenët.
-Territori ku janë adhuruar këto hyjni u ka përkitur etnive të ndryshme. Në veri të gjirit të Ambraqisë (te epirotët dhe ilirët), adhurohej hyjnia Di, kurse në jug të gjirit të Ambaqisë (tek helenët), adhurohej hyjnia Zeus. -Portreti i Hyjnisë Di në gjetjet arkeologjike në Epir dhe Iliri, është i ndryshëm nga portreti i Zeusit që gjendet në Greqi, që do të thotë se këto hyjni ishin të ndryshme nga njëri-tjetri.
-Në Greqi çifti i hyjnive ishte Zeusi dhe Hera, kurse në Epir dhe Iliri nderohej Dia dhe Diona. Të parët tanë kanë patur një shprehje për atë që nuk ia donin të mirën: “të humbtë emri!” Kjo ka ndodhur edhe me ne. Kemi humbur emrin e hyjnisë sonë, rrjedhimisht kemi humbur identitetin. Njohja e hyjnisë me emrin kuptimplotë Di, do të shënojë kthesën e madhe në studimet tona për të risjellë në altarin e pavdekësisë historinë tonë të tjetërsuar.

 

Tiranë,10.05.2019

* Kumtesë nga Qendra Kombëtare „Rrënjët tona“,e Kuvendit Ndërkombëtar-Vazhdimësia Historiko-Gjuhësore dhe Etnokulturore e Shqiptarëve përmes Mijëvjeçarëve.

 

Loading...
Advertisements

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close