Advertisements

Dokumentari;“Misteri i vrasjes së Zenel Islamit, ‘Lulit të vocërr të Migjenit”

Në kuadrin e ciklit të dokumentarëve “Përballje me të kaluarën” i cili realizohet prej dy vjetësh në Radio Televizionin Publik Shqiptar në bashkëpunim dhe me mbështetjen e prezencës së Zyrës së OSBE-së në Tiranë nën kujdesin e drejtorit të Përgjithshëm, z. Thoma Gëllçi e znj. Claudia Ëolmer, autori realizues i këtij cikli, gazetari dhe studjuesi i njohur, Dashnor Kaloçi, sjell para teleshikueseve dokumentarin e ri, “Misteri i vrasjes së Zenel Islamit, ‘Lulit të vocërr të Migjenit”.

Ky dokumentari që është dhe i 14-ti që realizohet në kuadrin e në këtij cikli që merr spunton dhe tenton të zbardhë apo të hedh dritë mbi krimet e ndodhura gjatë periudhës së regjimit komunist në Shqipëri, i kushtohet dhe bën fjalë për Zenel Islam Shkrelin me origjinë nga Dedaj i Pukës, i cili në periudhën e Monarkisë së Zogut, së bashku me motrën e tij, ishte një nga nxënësit e poetit të njohur shqiptar, Millosh Gjergj Nikolla, apo siç njihet ndryshe, Migjeni.

Duke qenë një fëmijë mjaft i zgjuar dhe me shumë veti dalluese nga bashkëmoshatarët e tjerë, Zenel Islami pati rastin dhe fatin gjithashtu të ishte jo vetëm nxënës i Migjenit të madh, por edhe një nga fëmijët më të preferuar të asaj shkolle për mësuesin poet, që në vitin 1937 i kushtoi atij edhe tregimin, “Dy Zenelët”, gjë të cilën Migjeni i famshëm e ka dëshmuar vetë me anë të një letre drejtuar Ministrit të Arsimit në atë kohë, ku i sugjeron se: “Zenel Islami, personazh i tregimit që ju kam dërgu me e lexu…të pranohet edhe si shërbëtor shkolle”.

Në atë tregim, Migjeni i famshëm në një farë mënyre jo vetëm që e përjetësoi Zenelin e vogël në krijimtarinë e tij letrare, por dhe i parashkroi fatin e jetës së tij…?!

Zenel Islami ndoqi gjimnazin e Shkodrës e me pas u përfshi në Levizjen Antifashiste dhe aty e mori Jordan Misja i cili ishte mësues në Pukë. Në ketë periudhë Zeneli është njohur edhe me një ndër herojtë e ardhshëm të Vigut, Naim Gjylbegu.

Pas përfundimit të Luftës me mbështetje të Nako Spirus dhe Liri Belishoves, Zeneli emërohet Sekretar i pare Komitetit të Rinisë së Pukës dhe Kryetar i Rinisë së Qarkut të Shkodres dhe një vit më pas emërohet Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë të Pukës.

Gjatë periudhës që shërbeu në rrethin e Pukës si sekretar i parë ku nuk ishte më shumë se 20 vjeç, Zenel Islami pati probleme të shumta me Sigurimin e Shtetit, pasi ai edhe si vëndali që ishte, morri në mbrojtje disa nga familjet e ashtuquajtura reaksionare të asaj krahine dhe kryesisht të Kryeziut, ku regjimi komunist i kohës ushtroj një terror të madh me vrasje, burgime dhe internime, pasi ai vënd njihej si “çerdhe e reaksionit“ për shkak se ishte fshati i familjes Mirakaj.

Në këtë periudhë kohe Zeneli u detyrua që t’i shkruante një letër të gjatë Enver Hoxhës, ku i sqaronte dhe i bënte me dije jo vetëm për intrigat “koçixoxiste“ të Sigurimit të Shtetit, por edhe për vrasjet që ishin bërë aty, si p.sh. Zenel Çobën dhe Lek Berishën, të dy komunistë të orëve të para dhe miq e bashkëpunëtorët më të ngushtë të Zenelit, për të cilët Sigurimi kishte hapur fjalë (“legjenduar“), sikur ishin vrarë nga diversantët.

Pas kësaj Zenelin do ta largonin nga rrethi i Pukës dhe ai do të transferohej në rrethin e Lezhës po me detyrën e sekretarit të parë, gjë e cila solli një irritim të madh të gjithë rrethit të Pukës që e donin dhe e respektonin atë si djalin e tyre.

Pasi shërbeu disa kohë në rrethin e Lezhës, Zeneli do të dërgohej për studime në ish-Bashkimin Sovjetik, duke u diplomuar me rezultate të larta në Fakultetin e Filozofisë në Moskë, ku vlen të theksohet se sipas disa dokumentave arkivore ai dhe disa studentë të tjerë kanë qenë nën survejimin e organeve të Sigurimit të Shtetit.

Por para se të shkonte për studime në Bashkimin Sovjetik, në vitin 1956 Zenel Islami morri pjesë në ceremoninë madhështore të rivarrimit të eshtrave të Migjenit në qytetin e Shkodrës, duke mbajtur arkivolin dhe fjalimin kryesor, si ish-nxënës dhe personazh i Migjenit, gjë e cila në një farë mënyre do ta popullarizonte shumë emrin dhe figurën e Zenelit jo vetëm në popull, por edhe tek udhëheqja e lartë e PPSH-së.

Pas kthimit nga Moska Zeneli u emërua si Sekretar i Komitetit të Partisë së rrethit të Elbasanit dhe më 6 korrik të vitit 1961 ai u emërua me detyrën e kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të atij rrethi, detyrë të cilën ai nuk mundi ta ushtronte dot, pasi duke u gdhirë 9 korriku i atij viti, ai u gjet i vrarë në fshatin Labinot Mal, ku kishte shkuar bashkë me disa kuadroi të tjerë të atij rrethi për të marrë pjesë në festimet e 10 korrikut, festës së Ushtrisë Popullore.

Vrasja e Zenel Islamit bëri bujë të madhe asokohe edhe për vetë popullaritetin e madh që gëzonte ai si ish-nxënës i Migjenit, ndonëse versioni zyrtar ishte “vetëvrasje“?! Gjë e cila kundërshohet jo vetëm nga bashkëshortja e tij, Drita Gjylbegu Islami dhe i biri, Bedri Islami, (shkrimtar, publicist dhe gazetar i njohur), por edhe nga disa personazhe të tjerë të cilët janë intervistuar nga grupi realizues i dokumentarit në fjalë, të cilët me dëshmitë e tyre para kamerave japin version tjetër lidhur me atë ngjarje të largët e cila vazhdon edhe sot të jetë e pazbardhur zyrtarisht.

Kështu, Drita Gjylbegu Islami, ndonëse në moshë 90-vjecare, me një memorie dhe kujtesën për t’u pasur zili, sjell në kohë të gjithë jetën e saj me Zenelin dhe shpjegon momentet e fundit që ajo kaloi me të në Elbasan, si dhe makinacionet e Sigurimit të Shtetit për ta bindur atë se Zeneli kishte kryer “vetëvrasje“, etj etj. Me mjaft interes për teleshikuesin janë dëshmitë e znj. Drita Gjylbegu Islami, ku ajo rrëfen për presionin e madh që kishte nga Komiteti i Partisë së Shkodrës dhe njerzit e ardhur nga Tirana që ajo ta divorconte pas vdekjes bashkëshortin e saj, Zenelin, “pasi Partia e dënonte aktin e vetëvrasjes“, si dhe atë çka ndodhte me varrin e Zenelit në varrezat e qytetit të Shkodrës, ku ajo dy herë e gjenti të hapur….?!

Ndërsa Bedri Islami, (i cili vite më parë ka botuar një libër me titull “Vrasja e Lulit të vocërr të Migjenit“), me dëshmitë e tij para kamerave sjell fakte dhe argumente të panjohura, mbi likujdimin fizik të babajt të tij nga segmente të Sigurimit të Shtetit. Në këtë kontekst, Bedriu dëshmon edhe për “kujdesin“ e njerëzve të Sigurimit të Shtetit për të mos e hapur arkivolin ku ndodhej trupi i babajt të tij, ku që nga Elbasani e gjatë gjithë udhëtimit për në Shkodër, e deri tak varrimi i tij, në çdo moment ishte i pranishëm një njeri i Sigurimit të Shtetit?! Po kështu ai rrëfen edhe për kohën e paktë që arkivoli me trupin e Zenel Islamit u la në shtëpinë e Gjylbeg-ve në Shkodër, ku edhe pse njerzit e Partisë dhe të Sigurimit nuk lejonin njeri të shkonte për ngushëllim, dy tre kuëshërinj të tij nga Puka, gjetën rastin dhe hynë fshehurazi në dhomën ku mbahej arkivoli dhe kur e hapën panë se kishte më shumë se një plumb pistoilete…?!

Po kështu Bedriu dhe e jëma e tij, Drita, tregojnë edhe për ndalimin që iu bë tek Ura në Vaun e Dejës, një numri të madh pukjanësh që tentuan të shkonin në varrimin e Zenelit në qytetin e Shkodrës?! Po kështu edhe të intervistuarit e tjerë, si: Fran Palushi (ish-nxënës në Pukë që e ka takuar Zenel Islamin), Shaban Karati (nip i Zenelit), Xhemal Meçi (historian nga Puka), Ilir Demi (i biri i Tahir Demit (ish-kryetar i Komitetitr Ekzekutiv të Elbasanit, i pushkatuar si “armik i popullit“, Faika Topi (komshie e familjes së Zenel Islamit në Elbasan), Behije Çela (mbesa e Qamil Çelës, shok e mik i Zenelit), me dëshmitë e tyre para kamerave hedhin dritë dhe ndriçojnë mësëmiri të gjithë historinë e jetës së Zenel Islamit, e cila u mbyll tragjikisht duke u gdhirë 9 korriku i vitit 1961.

Dokumentari në fjalë i autorit realizues, Dashnor Kaloçi dhe stafit të tij (me skenar nga gazetari, Iv Kaloçi) që do të transmetohet premierë në RTSH1 të mërkurën ora 20 e 30, dhe ritrasmetim të premten nw ora 14 e 15, është i paisur edhe me mjaft filmime origjinale që tregojnë Zenel Islamin në atë kohë, por dhe me mjaft foto dhe dokumenta arkivore si dhe shënime personale (të Zenel Islamit) që bëhen publike për herë të parë. /Dritan Xhemalaj

Loading...
Advertisements
%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close